Albspirit

Media/News/Publishing

DËSHMORËT E FSHATIT VAJZË TË VLORËS NË ALTARIN E LIRISË

 

 

(Dedikuar dëshmorëve dhe të rënëve të fshatit Vajzë të Vlorës, në kuadrin e 80 vjetorit të krijimit të Shtabit të Përgjithshëm si dhe formacioneve partizane masive në Vlorë dhe në të gjithë Shqipërinë. Kushtuar dëshmorëve të 22 dëshmorëve të LANÇ-it që ranë për Atdheun në periudhën kohore 1939-1944: Perlat Rexhepi, Sadik Karafili, Rexhep Shakaj, Teki Hanaj, Lelo Habilaj, Isa Veselaj, Mete Sulçaj, Qëndro Bellaj, Mustafa Bellaj, Fehta Resulaj, Gani Resulaj, Faik Shakaj, Haxhi Deraj, Fehti Bora, Axhem Veselaj, Hasan Zenelaj, Maliq Habilaj, Zihni Rexhepi, Jetulla Kapaj, Refat Kacaj, Jonus Karemani, Sheremet Çaushaj. Në traditën e të rënëve për liri e çlirim, por dhe në zbatim të idealeve të lirisë të dëshmorëve që ranë në Luftën së Vlorës më 1920-tën si, Feçor Lulo, Beg Hito, Muhamet Maska, Mezan Beqari, Shako Nazaj, përgjatë luftës së madhe dhe të ndritur të shqiptarëve nga fshati Vajzë e Vlorës, që ranë gjatë LANÇ-it (1939-1944), janë dhjetë: Ferik Zagoll Bilbilaj, Dalan Mehmet Kamberaj, Këze Sulçaj, Shaho Barjam Selimaj, Beqir Osmani, Delo Mystehak Sulçaj, Pesare Kërroçaj, Sadedin Sherif Hazizi, Shaho Barjam Selimaj, Azbi Nurçe Hitaj patrioti e luftëtari i flaktë që vdiq nga torturat fashiste në vitin 1945. Bazuar në ligjin nr. 109/2018, datë 20.12.2018, “Për statusin e Dëshmorit të Atdheut” që të dhjetë meritojnë titullin e lartë “Dëshmor”, për veprën e madhe dhe shërbimin që i bënë Shqipërisë. Ata meritojnë panteonin e nderit sepse ranë në një kohë dhe në të njëjtin front me dëshmorët e tjerë. Prandaj edhe ish ishtaraku madhor Gjenerali i lartë Maliq Sadushi, në librin “Fshati ynë i mirë, Histori e fshatit Vajzë”, shkruan me bindje jo për 22 por për 32 dëshmorë të luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, kur thotë: “Po të merret parasysh aktiviteti i këtyre të rënëve në dobi të luftës dhe mënyra se si janë kapur nga armiku, qëndresa e tyre, ata me të drejtë quhen me titullin e lartë “Dëshmorë të LANÇ-it”(fq 271-272).

 

Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI

 

Lufta e Dytë Botërore është lufta më e shquar, më e organizuar dhe më e njohur e shqiptarëve, luftë që me zgjedhjen e aleatëve i renditi shqiptarët në krahun e fitimtarëve. Shqiptarët përzgjodhën për aleatë Ruso-Anglo-Amerikanët, boshtin fitimtar antifashist një histori suksesi dhe që i bëri shqiptarët ballëlartë në historinë e tyre, duke u renditur me fitimtarët dhe në anën e duhur të historisë. Pushtuesit nazifashistë në bashkëpunim me tradhëtarët brenda vendit vepruan dhunshëm ndaj popullatës që mbështeti formacionet partizane dhe ca më keq ndaj atyre që bijtë e tyre i kishin dërguar si pjesëtarë të drejtperdrejte të formacioneve partizane në çeta, batalione dhe brigadat partizane. Fashistët vetëm në fshatin Vajzë kanë kapur e pushkatuar nëntë vetë nga Vajza ku 7 kanë qenë djem e burra si: Ferik Zagoll Bilbilaj, Dalan Mehmet Kamberaj, Shaho Barjam Selimaj, Beqir Osmani, Delo Mystehak Sulçaj, Sadedin Sherif Hazizi, Shaho Barjam Selimaj, Azbi Nurçe Hitaj, ndërsa dy kanë qenë gra: Këze Sulçaj dhe Pesare Kërroçaj, ndërsa një ka vdekur nga torturat. Nëse marrim në konsideratë gjithë aktivitetin e e burrave dhe grave të pushkatur, të vrarë dhe të torturuar e vdekur nga torturat, veprimtarinë në dobi të luftës dhe mënyra se si janë kapur nga armiku, qendresa e tyre etj, ata me të drejtë u duhet akorduar titulli i lartë i dëshmorit, sipas gjithë procedurave të ligjit nr. 109/2018, datë 20.12.2018, “Për statusin e Dëshmorit të Atdheut”, në nenin 5, “Kriteret për shpalljen e statusit “Dëshmor i atdheut”. Mënyra e rënies së tyre gjatë LANÇ-it klasifikohet në dëshmorë dhe jo viktima. Ky problem është i hapur për organet kompetente që kërkon rishikim të themeltë sepse kanë ngelur në histori, në kujtesën familjare dhe të mbarë fshatit, në libra por edhe në këngë, meqënëse gjykojmë se ligjërisht ky problem nuk është zgjidhur pasi opsionet e ligjit aktualisht janë të mundësisë së marrjes në konsideratë dhe rishikimit të mënyrës së rënies në luftë. Më konkretish përmbledhtas biografitë e dëshmorëve ende të pashpallur:

1.Ferik Zagoll Bilbilaj, ishte lindur në Vajzë në vitin 1930, në një familje me tradita patriotike dhe luftarake. Fillimi i Luftës Nacionalçlirimtare, e gjeti Ferik Bilbilaj në moshë fare të re e të paformuar. Por ai u bë fillimisht një pionier i Rinisë Antifashiste, që erdhi gjithmonë duke u rritur, forcuar e burrëruar. Ai i shikonte me simpati te madhe burrat e rritur të fshatit që u rreshtuan me bindje të plotë në strukturat antifashiste. Nga ana tjetër ai i vrente me vëmëndje dhe dëgjonte me kureshtje të madhe ata që vinin shpesh në kasollen e tij e ëndërronte të bëhej partizan, duke mallkuar veten që ishte ende i vogël. Por kjo nuk e pengoi për të qenë në shërbim të çetës së fshatit si korier, si mbledhës i ndihmave në veshmbathje e ushqime për partizanët dhe për transportimin e municioneve. Familja e tij, babai, Zagolli dhe të dy vëllzërit, u lidhen që në fillim me partinë dhe u bënë një ndër bazat kryesore në Vajzë. Feriku si i vogël që ishte nuk binte në sy, ndaj kryente në shumë raste detyrën e korrierit partizan. Ishte një djalë i shkathët dhe i zgjuar. Në muajin nëntor të vitit 1943, kur zhvilloheshin luftime të ashpra në Vajzë, Plloçë e gjetkë tërë familjet e fshatit dhe të fushës u larguan dhe u fshehën në pyje. Një ditë Feriku po shkonte nga përroi i Amonicës drejt pyllit të Kuliut që ndodhej afër kasolleve të familjes së tij. U diktua nga forcat gjermane, të cilat hapen zjarr kundër tij si njeri i dyshimtë. Nga zjarri i mitrolozit fashist mbeti i vrarë pionieri trim Ferik Bilbilaj.  Megjithëse njëherazi armiku e goditi edhe me me mortajë duke ja ndarë pothuaj trupin dhe kur ishte duke dhënë shpirt i thotë kunatës së tij Peshqeshes: “Mos u vrave gjë?”. Dhe në fakt pa pritur përgjigjen që i vinte “jo”, ndërroi jetë nga plagët e shumta që kishte marrë nga mortaja dhe mitralozi armik. Ferik Bilbilaj ra për të mos vdekur kurrë, sepse ngeli në memorien e të gjithë brezave të fshatit Vajzë, të mbarë krahinës dhe të gjithë Shqipërisë. Fakt është se pleqësia e fshatit e ka evidencuar si një ndër të rënët për Atdhe, që plotëson gjithë kriteret ligjore për t’u shpallur me titullin e lartë dhe të nderuar “Dëshmor i Atdheut”.

2.Dalan Mehmet Kamberaj, ishte lindur në fshatin Vajzë më 1893. Ambjenti dhe oxhaku patriotik ku erdhi në jetë e edukoi me frymë atdhedashurie dhe që më vonë do të bëhej një patriot i shquar e burrë i mençur i fshatit Vajzë në vitin 1893, me profesionin bari. E urrente fashizmin dhe shpejt edhe ai si gjithë bashkëfshatarët e tij e simpatizoi lëvizjen nacionalçlirimtare dhe jepte ndihma për luften. Vetë nuk mori pjesë në luftë, por ishte më shumë se një luftëtar, në mbështetje të partizanëve dhe të këshillit Nacionalçlirimtar të fshatit Vajzë. Dalani u morr me ekonominë e tij, por në shtëpinë e tij priste vazhdimisht partizanë, pasi qe edhe në gjendje disi të mesme ekonomike, edhe pse nuk e duronte dot pushtimin e vatrave tona. Më 16 prill të vitit 1943, në operacionin fashist që u krye për djegien e fshatit dhe arrestimin e mbi 60 burrave vajziotë aktivistë të luftës, Dalani u arrestua nga forcat italiane në kodrat e Ashamirit, në perëndim të fshatit dhe u shoqërua për në komandën fashiste italiane, duke u mbajtur i lidhur këmbë e duar. Gjatë rrugës për në fshat, tentoi t’u ikte italianëve por afër Tegesë, në një çast vendimtar që tendoi largimin drejt formacioneve partizane fashistët hapën zjarr duke e lënë të vrarë dhe duke ngelur në kujtesën e të gjithë brezave si një ndër të ekzekutuarit me breshëri automatiku atë prill të vitit 1943, kur ishte në kulmin e energjive në moshën 50 vjeçare. Në gati gjysëmshekulli trajtohej si dëshmor edhe pse nuk i ishte akorduar titulli i dëshmorit, në fakt e kishte merituar prej kohësh.

3.Këze Sulçaj ka qenë një nënë me halle shumë në fshatin Vajzë, që kishte lindur më 1898. Ajo ishte nëna e dëshmorit Mete Sulçaj dhe e viktimes Delo Sulçaj. Kezia ka qenë një ndër gratë e Vajzës, që megjithese analfabete dhe e mbytur në fukarallëkun e saj, e simpatizonte Lëvizjen Nacionalçlirimtare dhe si nënë nuk i pengonte djemtë e saj, por krenohej që ata të punonin për luftën. Sulçajt e kanë pasur traditě dyfekun, ndaj edhe djemtë e Këzes duke patur si drejtues të tyre djalin e gjetur të saj Gani Sulçaj, shpejt e hodhën dyfekun në krah. Metja doli partizan në çetë, Delua aktivizohej me rininë, kurse vete Kezia priste e përcillte shokët e djemve të saj. Në dhjetor 1943, kur forcat gjermano-balliste ndodheshin nën goditjet e forcave partizane në Vajzë, Plloçë, Velçë e deri në prapavijat e tyre, në kohën që po tërhiqeshin nga Vajza kapen e pushkatuan disa fshatarë që njiheshin si strehues të partizanëve. Në këtë kohë vritet edhe Këze Sulçaj, në momentin që po tërhiqte një fshatar të ekzekutuar nga gjermanët në fund të fshatit Vajzë. Bashkëpuntorët e fshaizmit e njihnin Këzen si nënë të djemve partizanë dhe aktiviste të lëvizjes, dhanë urdhër që edhe ajo të pushkatohej dhe kështu u veprua. Ajo ishte e para grua nga Vajza që u ekzekutua nga nazistët gjermanë dhe bashkëpuntorët e tyre në atë operacion. Nazifashistët e dogjën fshatin Vajzë tre herë por nuk mundën që ta përkulnin. Këze Sulçaj ishte dhe mbeti një nënë heroinë jo vetëm për bijtë e saj që ja fali Atdheut, por edhe për sakrifikimin e saj si dëshmore e pashpallur, por e nderuar dhe respektuar në tetë dekada.

4.Shaho Barjam Selimaj ishte lindur në fshatin Vajzë në vitin 1890. Ai u rrit në një familje atdhetare e patriotike me tradita të shquara luftarake. Profesioni i tij kur u rrit ishte kovaç, por mbi të gjitha ka qenë një burrë i ndershëm e fukara, i përmendur në fshat e krahinë. Një burrë në moshë të thyer, shumë i varfër nga ekonomia, por ishte një patriot i ndershëm që simpatizonte Lëvizjen Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe kishte besim tek djalëria që luftonte për lirinë e Atdheut. Edhe ai ishte larguar nga fshati për t’i shpëtuar terrorit nazifashist dhe në kohën që forcat gjermano u tërhoqën drejt Vlorës, Shahua po kthehej në fshatin e tij të djegur e të plaçkitur nga fashistët. Duke kaluar rrugës nga Marovicat për në fshat diktohet nga patrulla gjermane që shkonte me motoçikleta gjatë rrugës automobilistike nga Plloça përgjatë fshatit Vajzë. Ata tentuan të kapnin viktimën, por ai u përpoq të largohej dhe për t’ju shmangur ndjekësve, sepse në fakt ishte një njeri i njohur si mbështetës i flaktë i idealeve të çlirimit dhe në mes fukarallëkut të tij ndihmonte lëvizjen e forcave partizane me çfarë të kishte Ndërkohë gjermanët hapën zjarr pa paralajmërim duke e lënë të vrarë në rrugën automobilistike afër ullinjve të Vajzës, duke ngelur një memorial kujtese për papërkulshmërinë dhe që në zemër mbante idealet e çlirimit dhe të lirisë së vendit.

5.Beqir Osmani. Patriot i ndershëm që nuk u tremb nga vdekja. Lindi në Vajzë në vitin 1898, fshatar i varfër me profesionin bujk. U lidh që në fillim me lëvizjen nacional-çlirimtare, ishte i thyer në moshë e i pamundur të merrte pjesë në luftë me arme në dorë. Ndihmonte lëvizjen me gjithçka kishte mundësi. Kasollja e tij në fund të fshatit ku ishte vendosur në Brahaj, ishte e hapur për partizanët që qarkullonin dendur në Vajzë në atë kohë. Beqir Osmani u kap nga ballistët në përruan e madh ku ishte fshehur në veri-perëndim të fshatit, iu dorëzua komandës gjermane, e cila pasi qe informuar se ky qe një strehues komunistësh, simpatizant e pjesëmarrës në Luftën Nacionalçlirimtare, e torturoi për disa orë e pastaj e ekzekutoi perpara kasolles së tij, në afërsi të shtëpive të Sulçajve ně Nastasaj. Beqir Osmani ngeli përjetësisht në memorie të kombit, por që në pritje të shpalljes me emrin e ndritur “Dëshmor”.

6.Avdyl Osmani ishte lindur në fshatin Vajzë në vitin 1910 në një familje me tradita të shquara atdhetare e patriotike. Abdyli ndoqi shembullin e të vëllait, Beqir Osmani duke u bërë bujk e blektor i mirë, por mbi të gjitha njeri me veti të spikatura njerëzore. Ai sikurse vëllai i tij simpatizonte Lëvizjen Nacionalçlirimtare dhe shpresonte se edhe për të do të vinin dine te bukura, ditë kur do të flakej tej fukarallëku i madh dhe shtypja e rëndë e të huajve.

Në janar të vitit 1944, në Operacionin e Dimrit, ai ishte fshehur në një pyll të vogël në Buduvenda të Vajzës për t’i shpëtuar ndjekjeve të ballistëve dhe gjermanëve. Avdylin e kapën forcat gjermane, e torturuan gati një ditë të tërë, duke i kërkuar të tregonte se ku ishin fshehur strehuesit e komunistëve dhe aktivistëve të lëvizjes në fshat. Ai nuk u tregoi asgjë gjermanëve dhe ballistëve edhe kur i thanë se do të pushkatohej. Pas shumë përpjekjesh me viktimën e tyre dhe duke parë se prej tij nuk mund të nxirrej asgjë, (ndonjë bashkëpuntor fashist kish thënë se ky ishte “deli”, por ai nuk ishte aspak i tillë). Prandaj gjermanët e pushkatuan në vend Avdylin dhe u larguan në kërkim të fshatarëve të tjerë të fshehur.

7.Delo Mystehak Sulçaj, ishte lindur në fshatin Vajzë në vitin 1929 dhe që ishte burrëruar dhe bërë “djalë për pushkë”, siç quhej në Labëri për djemtë që u kishte “djersitur mustaqja”. Familja e tij ishte e varfër por e ndershme dhe gëzonte respekt në mbarë fshatin e krahinën. Njihet në breza që qëndrimi i tij para përpara pushkatimit ishte qëndrim i një heroi lufte, që nuk ju drodh qerpiku. Delo Sulçaj u rrit në kushte të vështira ekonomike. Babai i vdiq shpejt, duke e lënë fare të vogël, në moshën 7 vjeçare. Delua me vëllezërit e tij u detyruan të punojnë hyzmeqar tek bejlerēt e Vlorës për të siguruar bukën e gojës. Vëllai i tij më i madh Ganiu, herë i burgosur nga regjimi mbretëror e herë i arratisur, nuk mund të siguronte asgjë për familjen për të ardhura. Familja e Delos u lidh shpejt me luftën, duke venë në shërbim të saj gjithçka; shtëpinë, njerëzit dhe atë pak pasuri. Vëllezërit e tij Ganiu dhe Metja dolën partizanë, nëna e tij me Delon e vogël bënin shërbime të tjera si bazë e luftës antifashiste. Ai si një i ri antifashist, u dallua për aktivitet në shërbim të luftës çlirimtare, kryente detyra korrieri, shoqërues i partizanëve  nga njëra bazë në tjetrën etj. Gjatë operacionit të nëntorit dhe pikërisht diten e teksa po zbriste nga Beuni. Ballistët qenë fshehur dhe diktuan zbritjen nga moli të një personi të vetmuar. Ai fundit, ballistët e kapën në befasi tek mullinjtë e Vajzes duke mos ditur gjë, zbriti në rrugë dhe kur po kalonte drejt perroit u kap Ju dorëzua gjermanëve menjëherë dhe po atë dhe po ate ditë u pushkatuan afër vendit që quhet Buza e Bletës në Vajzë, i riu guximtar, 14-vjeçari Delo Sulçaj, nuk u përkul e as ju nënshtrua armikut edhe para pushkatimit duke e mbyllur jetën e tij fare të re me nder e dinjitet, si një i ri patriot i vendosur.

  1. Pesare Kërroçaj ishte lindur në fshatin Vajzë të Vlorës në vitin 1906 dhe që në fëmijëri u rrit si një vajzë trime që nuk i trembej syri para asnjë vështirësie. Oxhaku i saj familjar e kishte mëkuar me dashurinë për atdheun. Persarja ishte një grua trimëreshë që nuk e trembi as kërcënimet e fashistëve dhe as vdekja. Jetoi në një familje shumë të varfër qe e siguronte bukën e gojës me shumë vështirësi me hyzmeqarllëkun e djalit të saj Gjysh Kërroçaj. Edhe ajo u bashkua me gjithë gratë antifashiste të fshatit Vajzë dhe ndihmonte me ç’kish mundësi luftën Nacionalçlirimtare. Ishte një grua e zgjuar dhe e gojës, nga ato që në ato kohë e shikoje shpesh që të kuvendonte edhe me burrat e fshatit për problemet themelore dhe më të mprehta të fshatit. Në janar të vitit 1944 e kapën fashistët dhe bashkëpuntorët e tyre në një kasolle bagëtish ku qe fshehur për të mos rënë në dorë të tyre, megjithë përpjekjet që bëri për t’u shpëtuar tradhëtarëve, duke i sharë e mallkuar që merreshin me gra e fëmijë, nuk ju shpëtoi kriminelëve, të cilët e akuzuan si strehuese të partizanëve dhe aktiviste të lëvizjes Nacionalçlirimtare. Për qëndrimin e saj të vendosur pro LANÇ-it dhe duke mos mundur që ta detyronin të tregonte bazat partizane dhe mbështetësit e luftës partizane e pushkatuan në oborrin e kasolles, në fshatin e saj Vajzë. Akti i saj trimëror edhe përpara pushkatimit ishte një burim frymëzimi për brezat, për atdhedashurinë dhe papërkulshmërinë edhe në situatat më kërcënuese për jetën edhe në momentet kur i morën jetën me vdekje me pushkatim. Breshëria e automatikut ja preu jetën në mes Pesare Kërroçaj një nënë e fortë labe me vityte të larta atdhetarie.
  2. Sadedin Sherif Hazizi. Fjalë pak, por punë dhe aktivitet të gjerë antifashist. Lindi në Vajzë në vititn 1898 në një familje me tradita patriotike. Vëllai i Sadedinit, Shefit Hazizi, mori pjesë në Luftën e Vlorës më 1920, ku edhe mori plagë të rënda duke mbetur invalid tërë jetën. Në fillimin e Luftës Nacionalçirimtare familja e Hazizajve u lidh me të që në vitin 1942. Kasollet e tyre në Belik, u bënë strehë e sigurt e njerëzve dhe formacioneve të para partizane të fshatit dhe të krahinës. Ata e ndihmuan luftën deri në fund me gjithçka kishin. Sadedini ishte dhe anëtar i Këshillit Nacionalçlirimtar të fshatit që nga mesi i vitit 1943 dhe punonte me fshatarët e zonës së fushës deri sa u vra. Në shkurt të vitit 1944 Sadeninin në mënyrë tinzare e kapën bashkëpuntorët e fashistëve në afërsi të fshatit dhe e torturuar në mënyrë çnjerëzore, ndërsa Sadedin Hazizi ishte i paarmatosur dhe në pamundësi për të bërë rrezistencë. Bashkëpuntorët e fashistëve kërkonin të dhëna për bazat partizane, bazat, aktivistët e luftës, mbështetësit e saj etj. E akuzojnë si pjesëtar të LANÇ-it dhe si anëtar të Këshillit Antifashist Nacionalclirimtar të fshatit dhe më në fund e pushkatojnë duke i marrë jetën vetëm se kishte përfaquar idealet e lirisë dhe idealet e çlirimit të Atdheut.
  3. Azbi Nurçe Hitaj ishte lindur në fshatin Vajzë të Vlorës në marsin e vitit 1900. E gjithë familja e tij nëpër breza ka qenë e nderuar e respektuar për ndershmërinë punën dhe miqësinë e gjerë, besnike ndaj idealeve të atdhedashurisë. Të parët e tij kanë qenë luftëtarë ndaj të gjithë pushtuesve. Që në fillim të pushtimit kundër okupatorëve Azbi Nurçja së bashku me patriotë të tjerë si Rexhep Sulejmani, Sadik Karafili, Hajro Manaj, Hamit Rrapo etj, ku dhanë besën për të dalë në krah të djalërisë shqiptare për çlirim. Azbiu ishte i ndikuar dhe i prirur nga idetë përparimtare, edhe si mik i shkrimtarit të njohur Shefqet Musaraj, duke u bërë bazë e ideve antiashiste e përparimtare. Azbiu u zgjodh në Këshillin Antifashist Nacionalçlirimtar që me krijimin e tij, detyrë që e ushtroi deri ditën e arrestimit dhe të burgosjes së tij më 16.04.1943. Fashistët i dogjën shtëpinë, i shkatërruan atë pak ekonomi që kishte e torturojnë në qelitë e burgut të Porto Romanos, por ai nuk u thye dhe qëndroi trimërisht përpara torturave çnjerëzore të pushtuesve duke qëndruar besnik ndaj popullit dhe Atdheut. Fashistët i shkatuan plagë shumë të rënda në trup por dhe goditje të rënda psikike, të cilat e sakatuan, për të mos e kthyer më në gjendjen e mëparshme. Ai ngheli i gjymtuar rëndë edhe pas kthimit nga kampi i përqëndrimit pas kapitullimit të italisë fashiste në shtator të vitit 1943 e deri sa mbylli sytë në vitin 1945 menjëherë pas përfundimit të luftës. Vdekja e tij nuk erdhi nga mosha por nga torturat çnjerëzore, duke mbyllur sytë përgjithmonë në agun e lirisë në moshën 45 vjeçare.

Referencat: Sipas ish-ushtarakut madhor Maliq Sadushi, Fshati ynë i mirë, Histori e fshatit Vajzë, Shtëpia botuese, “Arbri”, Tiranë, faqe 206-207; 271-277; Historiku i fshatit Vajzë i hartuar me rekomandim të Komitetit të Partisë së Rrethit të Vlorës në vitin 1982; Stendat e muzeut të fshatit Vajzë të ngritur për herë të parë pranë vatrës së kulturës më 1974; Kujtime të ish luftëtarëve të Luftës së Vlorës të vitit 1920-të, si Rexhep Sulejmani, Sadik Karafili, Hate Derraj, Veis Çobaj, etj; Kujtime të ish partizanëve të LANÇ-it të viteve 1941-1944; Të dhëna nga Shoqata Kulturore-Atdhetare të fshatit Vajzë; Maliq Sadulli, “Perlat Rexhepi Hero i Popullit”, Tiranë, 2002; Portali i mirënjohur “Albspirit”; Periodiku i gazetës Labëria, dokumente e dëshmi të ndryshme por edhe shkrime që lidhen me periudhën e Luftës Antifashiste Macionalçlirmitare të fshatit të Vajzë, të krahinës rrethit të Vlorës dhe më gjerë, etj.

 

 

 

Please follow and like us: