Albspirit

Media/News/Publishing

Ndue Ukaj: Kronikë paqe ose lufte

 

S’di çfarë të shkruaj sot, një kronikë paqe ose lufte.

Tolstoi i ka bërë punët lëmsh me romanin e gjatë,

në të cilin mungojnë formula magjike

për të saktësuar kufirin mes luftës dhe paqes.

 

As sot s’kam ndonjë shpjegim të qartë për lirinë.

Isha 20 vjeçar kur kalova atë prag trishtimi.

Ishte ditë e ftohtë qershori.

Livadhet kishin mbetë pa kositë dhe qershitë e varura në degë.

 

Dikur lirinë e kuptoja si Borgesi estetikën:

të qartë, të bukur,

të drejtpërdrejtë, sikurse dashurinë, sikur shijen e një fruti, ujin, malet.

 

O Zot, çfarë makthi, liria s’është kaq e bukur.

Shkrimtarët ia kanë huqë me metaforat për të.

 

Sa herë kam dashtë të shkruaj diçka të bukur për të,

shkronjat janë pezmatuar

nga një virus i keq që prej tokës sime kurrë s’u largua.

 

Përpara kësaj moshe gjithmonë e kam dashtë muajin e ëmbël,

kur piqeshin qershitë në kodrën mbi shtëpinë time

dhe unë s’çaja kokën për fushëbetejat mes të mundshmes e të pamundshmes.

S’e dija ç’ndodh në luftë e as në paqe.

Por ngjitesha në kodrën e Stubllavaçës dhe kundroja pafundësitë,

vajzat fustanbukura.

Atëherë bota më dukej e pafund.

Por më vonë e kuptova se ajo ishte e vogël,

sa një libër në të cilin ti kalon dhe lë një pjesë të rrëfimit tënd.

 

Në orën e historisë mësova për Betejën e Kosovës.

Mësuesi i sertë thoshte: më 1389 në Kosovë u hap një gropë.

Atëherë s’e kuptoja gjuhën e metaforave, ndonëse përpiqesha të shkruaja poezi.

S’dija asgjë për trishtimin dhe mendjen e kisha te qershitë.

Por kur u bëra pak më i madh mësova diçka për zemrën e historisë,

për atë gropën e zezë ku u fundosën shumë dashuri,

ku babai im derdhi kovat me djersë dhe pikëllim,

ku mijëra refugjatë lanë rrobat e dashurisë dhe veshën ato të mërzisë.

 

Vitet shkuan njëri pas tjetrit sipas ritmit të paracaktuar nga dikush.

Erdhën dhe shkuan shumë qershorë të nxehtë

qershi ëmbla e aromë blini.

 

Vajzat e hareshme me terploten e bukurisë,

mblidheshin,

provonin fustane përpara pasqyrave,

por stina e tyre ishte vonuar.

 

Kur e kalova pragun e robërisë ishte nata e shenjtit tim.

Unë s’di nëse fjeta apo jetova në fushëbetejën

ku u ndesh Davidi e Goliati,

por mbaj mend se vuaja urie

dhe dëgjoja radiostacione që flisnin për vdekje dhe shkatërrim.

Me 12 qershor 1999 dikush tha: lufta vërtet mbaroi,

por gjyshja ime e sertë më tha: tani lufta e vërtetë filloi.

Please follow and like us: