Albspirit

Media/News/Publishing

Nuk u bëjmë dot hallall që Kosova të jetë halli i qëllimit tuaj

Fejzo SUBASHI

Kombi  ynë, për fat të keq, në gjithë historinë e tij, ka pasur dhe vazhdon të ketë udhëheqës dhe politikanë  megalomanë. Politikanët  tanë, më shumë merren dhe janë marrë me politikën e madhe sesa me politikën e vogël e cila është  domosdoshmëri për Shqipërinë  dhe shqiptarët. Po kalojmë shekuj që populli i ka votuar dhe i voton për t’i qeverisur, kurse ata në vend që të merren me qeverisjen, me hallet, me shqetësimet, me nevojat e qytetarëve dhe situatat e vendit  janë marrë dhe vazhdojnë të merren, të luftojnë dhe të angazhohe për dhënien e zgjidhjeve të halleve e nevojave të Europës, pse jo  dhe të botës. Prej shumë dekadash, jo më kot njerëzit e mëdhenj të penës, të Kombit Shqiptar, shumë udhëheqësve dhe liderëve të politikës, i kanë thirrur dhe ju kanë vënë epitete si: “kokëtulë, kokëpalarë,  zuzarë, trutharë,  të shitur e mercenarë,  spiunë të fëlliqur pa din e diman etj…”.  Të bindur dhe të vetëdijshëm, se dhe vetë e kanë ditur se nuk bënin as për “çoban”  hiqeshin, silleshin dhe i thoshin vetes: “Sulltan, Pasha, Feudal, Mbret, Marksistë – Leninistë  ne famë”. Pavarësisht për hijen që i bënin kolltukut, megjithëse nuk e dinin  nga ta lidhin të shkretin  “gomar” vetë krahasoheshin, bile ka edhe sot nga ata, që e quajnë veten dhe krahasohen  me udhëheqës botërorë, bile dalin edhe mbi ata botërorë dhe europianë. As në sy nuk u hyjnë Frashëllinjtë  me nam,  Skënderbeu, Ismail Beu,  Fan Nol dhe Adem Jashari, si dhe  çdo personalitet i shquar i Kombit Shqiptar, por shtiren dhe u referohen,  vetëm kur kanë hall dhe kur u bien pantallonat.  Mjerë Kombi, që për fat të keq, të tillë palaço, kllounë, dordolecë, pazarxhinj me nam, për shekuj me radhë ka promovuar, votuar dhe u ka besuar …

Na kanë premtuar parajsën, lugën e florinjtë, se do arrijmë majat, po për fat të keq, në vend që të ecim përpara, gjithmonë këta molomënë na kanë kthyer jo vetëm mbrapa, por na kanë katandisur për t’u mëshiruar, rrugëve të vendeve që aq sa duan, po aq shumë nuk na duan.

Krenohemi dhe mburremi pa limit, i kemi thënë vetes Pellazgë, Ilirë dhe Arianë, por politikat e tyre, na kanë katandisur edhe në vendin tonë mercenarë. Këto qasje dhe sjelljet e tyre e po të mos duash,  ta nxjerr nga thellësia e shpirtit urimin famkeq: “mallkuar” qoftë  kjo farsë politikanësh e lindur prej shekuj në të shtrenjtin vatan.

Menduam dhe u gëzuam, se me çlirimin dhe pavarësin e Kosovës, e shporrëm dhe i dhamë duart një herë e mirë, që si gjarpëri në gji për shekuj na ka qëndruar gjakatari dhe bisha e tërbuar, por  kjo mostër politikanësh nën rrogoz ta bën varrin. Këta nuk bëjnë politikë dhe politikanin, por bëjnë shejtanin e përroit dhe djallin…

Tani kemi njëzet e pesë vite që jemi dy shtete, një komb, një gjuhë, një grusht vend, në vend të bashkohemi e të zgjidhim ndonjë hallë, zihen me njëri-tjetrin se jo vetëm se kush është i pari, por edhe sundimtar.  Kacafyten e dalin para miqve dhe armiqve tanë, si sharlatanë, si të marrë, pa ditur si ku i çon kjo mushkë xanxare, pa ia patur idenë, pa e ditur fundin se si do të dalë.

Më në fund, pas shumë shekuj e shekuj, pasi na shqyen, përgjysmuan, na sakatuan, na dërrmuan, më në fund herë  armiq, herë miq të mëdhenj, na bënë pjesë të sofrës, me kaq sa na lanë dhe si na lanë.

Ne të bindur se e keqja nuk mbaron me një të rënë të lapsit, si shqiptarë ku do që jemi ju themi dhe duhet t’iu themi faleminderit edhe pse e dimë shumë mirë që gurin varur në qafë dhe litarin jashtë na e lanë. Sot çdo çast detyra e klasës sonë pulitke dhe e liderëve në të dy shtetet shqiptare, nuk është që njëri t’i bjeri mushkës e tjetri samarit, njëri gozhdës e tjetëri patkoit, aq më pak që një t’i mëshojë gurit dhe tjetri të tërheqë litarin. Ata duhet të dinë, jo vetëm të ulen në sofër, por dhe dinë të flasin dhe të dinë të  hanë. Absolutisht nuk duhet t’iu lutemi miqve, që të na heqin gurin e të na  zgjidhin litarin, as të fshihemi si skutha, apo të hiqeni si lypsarë, por të silleni, të veproni si burra shteti, të vetëdijshëm dhe të ndërgjegjshëm se mbi supe mbani peshën e Kombit dhe të flamurit shqiptarë. Jo, nuk u kërkojmë, as dëshirojmë dhe nuk na pëlqen të quraviteni, nuk na bëni krenarë, por as nuk duam të jeni as kryeneçër shtetarë. Dëshirojmë e ndjehemi  mirë po vepruat dhe u sollët me personalitet, me dinjitet, fisnikë dhe qytetarë, jo palaço cirku pa din e diman.

Me veprimet apo mos veprimet tuaj kohet e fundit keni lënë shumë për të dëshiruar. Me keqardhje, por jeni sjellë dhe kini vepruar njëri kapricos e tjetri autoritar. Njëri lufton me gjithë botën, tjetri lufton për lider i parë dhe sundimtar.

Është e vërtet që Kosova është në hall, po nuk u bëjmë dot hallall që Kosova të jetë halli i qëllimit tuaj.

Nëse pretendoni, mendoni dhe veprimet tuaja na i shisni se i bëni për në, për vendin, për Kosovën, apo për Kombin, gënjeni  dhe mashtroni veten, ku më vjen keq, por nëse është kështu më duhet t’iu them të “marrë”.

Nëse pretendoni apo dëshironi që Kombit t’ia zvogëloni barrën dhe Kosovës t’ia zgjidhni hallin, silluni si burra shteti, si vëllezër, si malësorë e babaxhanë shqiptarë, si lider perëndimorë dhe europianë, si aristokratë, si qytetarë. Bëhuni dhe merrni shembull nga burrat e shquar dhe heronjtë e Kombit Shqiptar. Kështu do ju duam jo vetëm ne, por edhe miqtë dhe armiqtë tanë.

Do të ishte mirë ta  horroni “ëndrrën” qoftë dhe në sirtar për perandor, mbret, sulltan, apo lider botëror dhe europian, por të mendonit për vendin, Kosovën dhe Kombin Shqiptar.

14 Qershor 2023.

Please follow and like us: