Albspirit

Media/News/Publishing

Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj: E meritojnë të shkruhet për mësuesit

Thjeshtësia tek mësuese Nefize

Nefize Muço Hoxhaj (Muçaj) ka lindur në fshatin Ramicë të Vlorës në vitin 1947 në një familje të thjeshtë, patriote dhe bujare. Me mbarimin e shkollës 7-vjeçare në vendlindje me nota shumë të mira, fitoi një të drejtë studimi në shkollën pedagogjike 2-vjeçare në Fier, të cilën e përfundoi në vitin 1963. Filloni punën si mësuese në shkollën 7-vjeçare në Ramicë, ku vazhdoi me korespodencë dhe dy vjet shkollën pedagogjike në Vlorë.

Mësuese Nefize e filloi profesionin e mësuesisë me dëshirë dhe pasion, në moshë mjaft të re dhe punoi me përkushtim për të arritur rezultate të larta me nxënësit. Ajo më ka dhënë mësim në kalsën e dytë të fillores, ishte një metodiste shumë e mirë dhe e kujdesshme me ne nxënësit. Për çdo nismë dhe përgjigje të mësimeve ajo të inkuarjonte me fjalën ‘bukur’ u përgjigje në mësimin, ‘bukur’ fole, kishe mësuar ‘bukur’ dhe ke shkruar ‘bukur’. Atëhere kërkohej shumë në lëndën e bukurshkrimit, si dhe ndiqej me kujdes përparimi i çdo nxënësi. Ishte koha kur mësuesja interesohej që nxënësit e saj të mësonin rregullisht, të qëndronin drejt në bangë, të shkruanin bukur, të flisnin rrjedhshëm dhe të vinin të pastër në shkollë. Ajo ndiqte me kujdes edhe veprimtarinë e nxënësit pas shkollës, mbante lidhej me prindërit e nxënësit dhe shkonte shpesh në shtëpitë e tyre për të parë nga pranë përgatitjen për mësime. Krahas punës si mësuese kujdesatare, ishte koha kur arsimtarët në fshat punonin dhe si veprimtarë shoqërore me organizatën e gruas, të rinisë dhe të frontit. Në ato vite është bërë një punë e madhe nga mësuesit për pastëritnë, për rregullimin e ambjenteve të jashtëm të shtëpive, për rregullimin e rrugëve të fshatit, për luftën ndaj zakoneve të vjetra dhe të prapambetura për gruan, për lëvizjen artistike dhe kulturore të të rnjve të fshatit.

Arsimtarët ishin kudo për të shpjeguar dhe për të argumentuar domosdoshmërinë e rritjes së nivelit kulturor të masave punonjëse, por dhe të përparimit në mësime të nxënësve. Kudo kishin shpërthyer nisma e marrë aksione, për rritjen e cilësisë në mësime, për edukimin e fëmijëve me normat dhe edukatën për punë dhe për të lexuar e studiuar sa më shumë, për t’u përgatitur, e tëp t’i shërbyer Atdheut sa më mirë. Kudo punohej dhe kjo punë edukative ju ishte besuar mësuesëve.

Mësuese Nefizë, për punën e saj të kujdesshme dhe njohjen mirë të kuadrove dhe të kooperativistëve, punoi për disa vjet dhe si përgjegjëse e degës së kuadrit në Kooperativën Bujqësore të Bashkuar të Smokthinës. Edhe në këtë detyrë shkëlqeu dhe njihnte në detaje jetën dhe veprimtarinë e çdo kuadri dhe kooperativisti. Por përsëri ajo rikthehet në arsim në ciklin e ulët të shkollës së mesme të bashkuar në Ramicë. Në vitet e fundit të ushtrimit të mësuesisë punoi mësuese në ciklin e ulët të shkollës 8-vjeçare “Zigur Lelo” në Pusë të Mezinit në Vlorë. Për punë të mirë në edukimin dhe mësimin e nxënësve ajo është vlerësuar me medaljen “Naim Frashëri”.

Mësuese Nefize u martua me mësues Dane Hoxhaj, me të cilin i lidhi puna e mësuesisë, por edhe familja, duke rritur dhe edukuar dy djem shembullorë, të cilët në jetë ju bënë mbështetje të dy prindëve të tyre mësues dhe edukatorë të mjaft të rinjve të Smokthinës.

Mësues dhe drejtor shembullor

Dane Alem Hoxhaj lindi në fshatin Matogjin të rrethit të Vlorës në vitin 1942 në një familje me tradita atdhetare të njohura në Smokthinë dhe në Vlorë. Në këtë fis të madh kishin lindur dhe rritur burra e gra të shquara si kapedan Haxhi Hoxhë Smokthina dhe Qeriba Derri, Heroinë e Popullit.

Shkollën e nisin në fshatit Vajzë për të vijuar klasat e fillores në shkollën e Matogjinit dhe e përfundoi shkollën 7-vjeçare në vitin 1957 në Ramicë me rezultate mjaft të mira. Fitoi një të drejtë studimi dhe vazhdoi shkollën e mesme Pedagogjike të Elbasanit, të cilën e përfundoi në vitin 1961 dhe emërohet mësues në shkollën 7-vjeçare “Sadik Zotaj” në Ramicë për lëndët biologji-gjeografi, ku punoi për dy vjet. Më pas nis studimet në Institutin Pedagogjik 2 vjeçar “Aleksandër Xhuvani” në Tiranë, për degën matematik-fizikë. Pas përfundimit të institutit emërohet drejtor i shkollës 8-vjeçare Ramicë dhe i shkollave të zonës.

Me përfundimin e shërbimit ushtarak në vitin 1968 dhe në vijim punon mësues në shkollat 8-vjeçare të Mesaplik, të Bashaj dhe të shkollës së mesme të bashkuar në Ramicë, për punuar për tre vite drejtor i shkollës 8-vjeçare “Hamit Lumi” në Vërmik. Të gjitha këto shkolla ishin në kulmin e veprimtarisë së tyre mësimore edukative dhe ato u bënë model dhe shembull edhe për shkollat e tjera të rrethit të Vlorës. Pothuajse në çdo vit në këto shkolla organizoheshin seminare dhe ditë të hapura ku merrej përvojë dhe shkembeheshin mendime për të rritur nivelin dhe cilësinë e dhënies së mësimit tëk të rinjtë. Nga bangot e këtyre shkollave dhe nga dijet e dhëna nga mësuesit, dolë mjaft kuadro të mesëm dhe të lartë, që shërbyen kudo në çdo skaj të Atdheut. Në vitin 1975 emërohet drejtor i shkollës së mesme të bashkuar Ramicë ku punoi deri në maj 1980, kur u zgjodh Kryetar i Këshillit të Bashkuar të Smokthinës për disa vite rresht.

Në vitin 1992 kthehet përsëri në arsim, si mësues matematike në shkollën e Ramicë ku punoi deri në vitin 1998. Më tej punoi mësues për matematikë-fizikë në shkollën 8-vjeçare “Zigur Lelo”, në Pusë të Mezinit, Vlorë ku doli në pension.

Dane Hoxhaj në shkollën e Ramicës punoi mbi 16 vite mësues dhe drejtor shkolle, por dhe në shkollat e tjera të Smokthinës dhe në Vlorë ka punuar me përkushtim, me vullnet dhe me këmbëngulje për kapërcimin e vështirësive të punës së mësuesisë. Ai tërë vitet në arsmim ka qenë kërkues ndaj vetes, korrekt në punë dhe qortues e mirëkuptues ndaj shokëve të punës.

Dane Hoxhaj për vitet e punës në shkollën e Ramicës, si mësues dhe drejtor ka lënë mbresat më të mira si në kolektivin e mësuesve dhe për nxënësit që studiuan në këto shkolla të kësaj zone mjaft të madhe. Mësues dhe nxënës të këtyre shkollave për Danen ruajnë respektin dhe mirënjohjen si një drejtues shumë të mirë, të përgatitur profesionalisht dhe të papërtuar në ndihmën ndaj mësuesëve të rinj për t’u aftësuar e për t’u bërë shembull. Ai ishte korrekt, serioz e kërkues në punë. Në analiza dhe kontrolle të ushtruara ai kritikonte të metat dhe i mësonte si të përgatiteshim e të zhvillonim sa më mirë mësimin. Si drejtor shkolle ka udhëhequr me shembullin e tij, çdo ditë në mëngjes ndodhej i pari në shkollë. Shkolla e Ramicës nën drejtimin e tij dhe punën plot përkushtim të mjaftë mësuesëve ishte kthyer në një model për tërë zonën e Lumit të Vlorës.

Në ato vite kujton shpesh Dane Hoxhaj, si drejtues e mësues të gjithë ishim të rinj. Kur u emërova drejtor i shkollës 8-vjeçare Ramicë, kujton se në shkollë ishin 9 mësues prej të cilëve 5 ishin mësuese. Megjithëse ishin të rinj, të gjithë punonin si njerëz të pjekur sepse ishin të brymosur me edukatën e ndjenjës së punës e të përgjegjësisë. Ai kujton me plot admirim për punën dhe përkushtimin e tyre në mësimin dhe edukimin e nxënësve drejtorët mësues Fuat Kokallaj, Jorgo Meksi, Lefter Malaj, Safet Malaj, Shpendi Curraj, Arsen Kokallaj, por edhe mësuesit e ardhur nga Elbasani si Atlie Çifte, Sabihana, Robert dhe Rudolf Deliana, Feti Nika, Lefteri Curraj, Bejto Dulaj, Hysen Ruka, Asqeri Malaj, Maliq Sulçaj, Lutfie Zotaj, Tatjana Zotaj, Fillomena Gjipali, Idajet Sejdiaj, Selim Matohitaj, Milika Lekaj, Bashkim Fifo, Afërdita Islamaj, Afërdita Meçorrapaj, Agim Ruka, Zenel Zeneli, Xhuljeta Kutulla e mjaft të tjerë.

Për punën e tij të palodhur dhe të kujdesshme në edukimin, mësimin dhe përgatitjen e nxënësve është vlerësuar medaljen “Naim Frashëri” dhe urdhërin “Naim Frashëri” të Klasit III. Edhe pse të dy mësuesit janë në pension, ata bëjnë një jetë të gjallë duke marrë pjesë në maft veprimtari atdhetare, duke u aktivizuar me organizatën e Dëshmorëve dhe të Veteranëve, si dhe me shoqatën “Labëria”. Shpesh ata shkruajnë dhe kujtimet e tyre të cilat i botojnë në organet periodike, si dhe flasin për figura atdhetare që kanë bërë emër në Smokthinë dhe në të gjithë Labërinë. Për këta mësues të papërtuar dhe të dashur me të gjithë e meriton të shkruhet në vijimësi për jetën dhe punë e tyre të bërë për përparimin e shoqërisë dhe të bijëve të trevës së Smokthinës.

Please follow and like us: