Albspirit

Media/News/Publishing

BE, sanksione ndaj Kosovës për shkak të tensioneve në komunat në veri

Bashkimi Evropian tha të mërkurën se ka përgatitur masa kufizuese ndaj Kosovës, disa prej të cilave hyjnë në fuqi menjëherë për shkak të siç thuhet, dështimit të qeverisë që të marrë hapa për uljen e tensioneve në komunat veriore të vendit, të banuar me shumicë serbe.

Këto masa do të kenë pasoja financiare e politike, duke filluar me pezullimin e vizitave të nivelit të lartë, kontakteve dhe ngjarjeve si dhe bashkëpunimin financiar me Kosovën”, tha zëdhënësi i Bashkimit Evropian Peter Stano, duke theksuar se këto masa janë të përkohshme dhe varen nga hapat që do të marrë kryeministri i Kosovës Albin Kurti, i cili nënvizoi ai, deri tani ka dështuar të marrë hapa të vendosur dhe veprime për të ulur tensionet.

Propozimi i planit të tij pesë pikësh në letrën dërguar shefit të politikës së Jashtme, Josep Borrell, dështoi të trajtojë disa nga elementet thelbësore që nxitën krizën e fundit, të cilat presim t’i trajtojë urgjentisht me masa vendimtare”, tha ai duke ju referuar një plani të publikuar të martën nga kryeministri Kurti për uljen e tensioneve që parasheh siç thuhet vendosjen e sundimit të ligjit në veri dhe organizimin e zgjedhjeve të reja atje.

Zëdhënësi Stano tha se për shkak të përshkallëzimeve të fundit të 27 vendet e Bashkimit Evropian njëzëshëm kanë kërkuar nga Kosova dhe Serbia të ulin tensionet dhe e kanë bërë të qartë që nëse nuk do të ketë shtensionim të menjëhershëm, do të ketë pasoja negative “për marrëdhëniet tona”.

Ai tha se blloku nuk e përjashton mundësinë e vendosjes së masave të tjera, duke refuzuar t’i quaj sanksione në kuptimin klasik të fjalës.

Nuk pati një reagim të menjëhershëm të qeverisë së Kosovës lidhur me masat ndëshkimore të Bashkimit Evropian.

Tensionet janë të larta që nga 26 maji prej kur grupe qytetarësh serbë po protestojnë duke kundërshtuar vendosjen në zyra komunale të kryetarëve shqiptarë të dalë nga zgjedhjet e 23 prillit, që u bojkotuan nga partitë politike serbe. Të hënën e 29 majit protestat u përshkuan me dhunë nga e cila mbetën të plagosur 30 pjesëtarë të forcave paqeruajtëse të NATO-s.

Që nga fillimi i krizës diplomatët amerikanë dhe evropianë kanë kërkuar që Kosova të largojë menjëherë njësitë e posaçme të policisë si dhe kryetarët e komunave nga zyrat në veri, ndërsa Serbisë të ushtrojë ndikimin e saj për largimin e protestuesve dhe për të siguruar pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhjet e reja të mundshme në zonë si dhe të ulë shkallën e gatishmërisë ushtarake të shpallur më 26 maj.

Bashkimi Evropian tha se do të shqyrtojë masa edhe ndaj Serbisë nëse nuk vepron në funksion të uljes së tensioneve, ndërsa përmendi njoftimet se Beogradi ka ulur shkallën e gatishmërisë luftarake të forcave që i kishte vendosu në afërsi të kufirit me Kosovën.

Please follow and like us: