Albspirit

Media/News/Publishing

Avdush Canaj: NJË FLETORE NË GJI TË NËNËS

 

??????????

 

Një nënë

në Shalë të Bajgorës

e ruan si sytë

fletorën e hapur

të djalit të vet dëshmor.

Në të

detyrat e shtëpisë

të papërfunduara.

 

Ishte vetëm 17 vjeç

dritëza  e nënës.

 

Barbari kishte ardhur te dera

me barbarinë e mizorinë .

Shaljani krahshqiponjë

la librat

u sul mbi të furtunshëm

e ra siç bienë shqipet

për tokën e vet.

 

Nëna e Bajgorës

e ruan atë fletore

me atë shkrim si të yjeve

e përkëdhel me dorën që i dridhet

askujt s`ia jep

as nuk e qon në muze.

Po ta nxjerr nga shtëpia, thotë

sikur e nxjerr nga zemra.

 

Me të flet pa lot

se kroi i lotëve  ka shteruar.

 

Nga shkronjat me diell

del buzëqeshja e djalit.

Nanë

unë jam rrezja e pranverore

edhe ai trëndafil i çelur

te dritarja e agimit.

 

Me fletore në gji

fle një nënë

në Shalë të Bajgorës.

Please follow and like us: