Albspirit

Media/News/Publishing

Dëshira e fundit e Naum Priftit

Në bisedimet e fundit folëm me babanë për një udhëtim në Atdhe këtë verë pasi ishin hequr kufizimet nga Covid 19. Donim të vizitonim së bashku vendet për të cilat ai kishte shkruar në kujtimet dhe mbresat e tij të shumta. Babai vuri buzën në gaz dhe na tha se tani ishte “i moshuar” (nuk e donte fjalën plak) dhe se kishte ardhur koha për të bërë një udhëtim vetëm. Atëhere e kuptuam ku e kishte fjalën. Meqenëse babai nuk na i prishte kurrë dëshirat, ai u mendua pak dhe tha:
-Ne mund të udhëtojmë së bashku por me një ndryshim të vogël. Unë me Rinën e vura në vend amanetin e vëllait tim Peter Prifti për t’ia çuar hirin në Shqipëri. Ju mund ta merrni një pjesë të hirit tim atje dhe në çdo vend që të shkoni, ne do të udhëtojmë bashkë. Pjesën tjetër do ta lini këtu, se dua të jem përgjithmonë në Cypress Hill pranë Erit, nipit të dashur.
Familja Prifti ka ndjekur porosinë e tij dhe në përputhje me dëshirat e shprehura do të kryejë edhe plotësimin e mëtejshëm të tyre. Në këtë kohë familjarët e çmojnë mirëkuptimin e miqve dhe dashamirëve për t’i lejuar kohë të mbajnë zi për kryefamiljarin e dashur. Për kohën dhe vendin e ceremonisë përkujtimore do të ketë njoftim në media.
Kush ishte Naum Prifti?
Naum Prifti i lindur në Rehovë, Kolonjë, më 7 mars 1932, ku ka kryer shkollën fillore. Më pas, në Ersekë, atë 8-të vjeçare. Në 1953, mbaron Politeknikumin Mjekësor në Tiranë. Punon një vit si ndihmës mjek në Sanatoriumin e Korçës. I pasionuar pas letërsisë, vazhdon studimet për Gjuhë e Letërsi Shqipe në Universitetin Shtetëror të Tiranës. Gjatë viteve 1954-1960 ka shërbyer si redaktor në revistën Hosteni. Ndërsa nga 1960-67 si redaktor në revistën “Ylli”. Më pas ka punuar si arsimtar nga 1967-70 në Divjakë të Lushnjes.
Në 1970-72 ka pasur përgjegjësinë si redaktor përgjegjës për buletinin “Skena e fëmijëve”, pranë Shtëpisë Qendrore të Krijimtarisë Popullore, Tiranë dhe si inspektor teatri në Ministrinë e Arsimit dhe të Kulturës gjatë 1974-76. Në këto vite ka shërbyer edhe si pedagog i jashtëm për Letërsinë Shqipe në Universitetin e Tiranës. Në vitin 1991, emigron në Amerikë (New York), ku vazhdon të japë ndihmesën e tij për komunitetin shqiptar këtu dhe për Letërsinë Shqipe. Në vitin 1995, zgjidhet sekretar i Federatës Panshqiptare Vatra, detyrë që e ka edhe sot. Me krijimin e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë e zgjedhin kryetar të saj. Ka fituar shumë çmime për veprat letrare si vëllime me tregime, novela, letërsi për fëmijë, humor dhe skenarë filmash.
Në vitin 2001 nderohet nga Ministria e Kulturës dhe Lidhja e Shkrimtarëve me çmimin: “Penda e Argjendë”, për vëllimin me legjenda “Nëna e Diellit”. Çmimin “Penda e Artë” për vëllimin me tregime dhe skica humoristike “As Miço, As Muço” nga Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptare-Amerikane, New York, 2003. Për punën e tij të gjatë, të vazhdueshme letrare dhe me nivel artistik, është Dekoruar nga Kuvendi Popullor me Medaljen e Punës dhe “Urdhrin Naim Frashëri klasi ll-të”.
Krijimtaria e tij letrare është e larmishme dhe shtrihet në disa gjini : tregime, drama, komedi, novela, skenarë filmash, pjesë për teatrin e kukullave, skenarë për filma vizatimorë, biografi, artikuj kritikë, publicistikë, etj. Janë thuajse 100 vepra letrare, më shumë se vite jete dhe dyfishi i një gjysmëshekulli krijimtarie. Mijëra e mijëra faqe të shkruara me dorë, të shtypura me makinë të thjeshtë shkrimi, dhe të hedhura në kompjuterin e ditëve tona, qindra e qindra analiza, diskutime, letërkëmbime, biseda, që mund t’i quash pa frikë-publicistikë, për nga idea dhe mesazhi që mbartin dhe përcjellin.
Tregimi: “Dimri i Urisë” ka fituar çmim Nderi (Honour Prize), në Konkursin Letrar Ndërkombëtar të Maison Naaman pour la Culture, 2004-2005. Autori pranohet anëtar Nderi i Shoqatës Kulturore Naji Naaman.
Please follow and like us: