Albspirit

Media/News/Publishing

Dr. Vlora Obertinca: Dashuria e njeriut për njeriun është shpëtim

“Dashuria e njeriut për njeriun është shpëtim për planetin”, Dr. Vlora Obertinca.

“Të lutem më fal “ është një shprehje që sa më shumë koha kalon, po na merr malli ta dëgjojmë në gjuhën shqipe. Inate mbi inate, xhelozi mbi xhelozi, humnerë mbi humnerë… Athua ka të ndalur kjo ego e sëmurë që po na bren si krimbi pak nga pak secilin prej nesh, e cila në fund të ditës shkatërron pafund dhe nuk sjellë asnjë fitues.

A ndalemi ndonjëherë të pyesim veten – a jam egoist, a jam i padrejtë, a jam jo human dhe kujt i leverdis kjo sjellje e ime e dëmshme? Mbase jo! Sepse, po ta pyesnim veten në vend dhe kohë të duhur do t’i kishim punët më mirë si individë dhe si popull.

E gjithë kjo luftë në mes vete, për të kënaqur egon personale, por asesi egon kolektive në të cilën jetojmë. Nuk mund të zgjat kënaqësia e egos individuale kur ajo kolektive vuan rreth nesh.

Nuk është turp të kërkosh falje kur gabon dhe e përmirëson gabimin, por është turp të bësh dëm individual dhe kolektiv me vetëdije të plotë.

Ne jemi një popull i ndarë në 5 shtete të Ballkanit dhe i katandisur nëpër tërë botën. Madje, edhe këtu në 5 copëza ku jemi, s’duam ta shohim njeri-tjetrin me sy. Asnjë lider nuk e përkrah tjetrin dhe secili do të shfaqet më i mençur se tjetri dhe në fund të ditës populli vuan.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur kishin ardhur italianët na kishin cilësuar si “tutti Albanesi, tutti Comandanti” dhe me sa po shohim nuk kemi ndryshuar fare…

E po mirë, tani në fund të vitit do hiqen vizat dhe Gjermania kërkon 800.000 punëtorë shtesë nga jashtë dhe ja rasti të tretemi edhe më shumë si individë dhe si popull me vetë dëshirë. Kështu e kërkojmë ne shqiptarët, një në Shkup e një Shkodër thonin të vjetrit.

E dhimbshme gjithë kjo por e vërtetë!

Të dashurit e mi, thirrni mendjes, afrohuni pa dallime ideologjike – partiake dhe duajeni njeri-tjetrin, sepse nuk mund të ekzistojmë si popull dhe shtet pa ndihmën e njeri-tjetrit dhe të miqve tanë gjithandej nëpër botë. Ne duhet të jemi “trim i mirë me shokë shumë”. Ktheni kokën nga popujt e mençur si hebrejtë dhe mësoni se çka është sakrifica, dashuria për popull dhe shtetndërtimin. Bashkimi bën fuqinë!

Please follow and like us: