Albspirit

Media/News/Publishing

Prof. Ymer Çiraku: Jeronim de Rada dhe Ismail Kadare

 

Mund të lindë që në krye pyetja: përse në këtë trajtesë De Rada dhe Ismail Kadare?

Sigurisht, që këta janë dy nga të mëdhenjtë e letrave shqipe, por që realisht, kanë jetuar dhe krijuar në dy kontekste të ndryshme socio-historike e letrare. Kur Kadareja do të lindte më 1936 në Gjirokastër, De Rada plot 100 vjet më parë (1836), në një moshë fare të re, do të botonte në Napoli kryeveprën e tij “Këngë të Milosaos”.

Vetëm 27 vjeç ishte I. Kadare, kur më 1963 do të botonte në gazetën letrare “Drita”, shkrimin “Duke lexuar Milosaon”, për koinçidencë, në prag të 150-vjetorit të lindjes dhe 60-vjetorit të ndarjes nga jeta të Poetit nga Maqi, Jeronim De Radës.

Ai shkrim, sipas pikëpamjes sonë, duket se ka një pamje dyfish: është një sprovë e guximshme dhe e mençur/elegante e zbulimit të vlerave të epërme të poezisë deradiane. Por ajo që ka më rëndësi, për nga fryma debatuese dhe idetë propozuese të atij shkrimi, mund të themi se njëherazi ai ngrihet edhe në formatin e një programi letrar – të synuar dhe të përqafuar nga vet poeti i ri. Pra, duket se këtej e tutje, tashmë është ngjizur vëllazëria, apo ajo besëlidhja letrare mes të dy krijuesve, një marëdhënie kjo, që me sa u duk, vazhdoi gjatë, pa ndërprerje.

Kadareja propozonte në këtë shkrim llojin zhanror të kësaj vepre, duke e quajtur atë të parin roman lirik në vargje në letërsinë shqipe, madje të njëkohshme e të krahasuar me romanet në vargje të Hygoit, Pushkinit; çmonte karakterin e theksuar novator të saj (duke e cilësuar De Radën si novatorin më të madh të poezisë shqipe), e lidhur kjo me koncizitetin deri në virtuozitet, fragmentarizmin e ndërgjegjshëm, të cilat, përbëjnë një nga parimet e tij estetike dhe që do t`i siguronte atij të drejtën që pse të mos quhej kështu, si pararendësi i të njohurit parim i ajsbergut, mjaft i bujshëm ky parim letrar, në letërsinë moderne të shek. të XX- të. Në tërësinë e vlerave të freskëta e origjinale që përcjell, e përcakton këtë vepër me një unitet artistik të habitshëm.

Madje shkrimtari i ri, tek ky shkrim do të riformulojë disa nga tezat themelore të deriatëhershme rreth kësaj kryevepre deradiane, duke tentuar që të bënte një lexim tjetër, ose lexim ndryshe të saj. Përmbi gjithshka, duket se Kadare çmonte tek ajo vepër, që vinte nga bota arbëreshe e përtejdetit, një trajtë mirëfilli artistike dhe që besonte se në shumë rrafshe, ishte një urë komunikimi mes kësaj ane, d.m.th. letërsisë shqipe, me metropolin perëndimor kulturor në përgjithësi dhe atë poetik në mënyrë të posaçme.

Ndjesia që krijohet përmes rreshtave të këtij shkrimi të Kadaresë, është e qartë. Në thelb, shkrimtari kërkonte që të vijonin kontinuitete të natyrshme të proceseve letrare bashkëkohore shqiptare – me vlerat e njëmendëta paraprijëse, të pakompromentuara me ngarkesa të natyrës jashtëletrare, ashtu sikundër ishte konceptuar dhe realizuar edhe vepra deradiane. Këtë pakt, jo vetëm e konfirmoi, por e bëri të vetin Kadare, e ktheu atë në një lloj programi estetik, të cilit, nuk iu mënjanua asnjëherë, i vuri në dispozicion gjithë forcën e talentit, që iu shpërblye me arritje të pazakonta, në krijimtarinë e tij të mëvonshme.

Lidhja e Kadaresë me De Radën, përtej këtij fakti të njohur të një shkrimi, është më e thellë, ku mbleksen faktorë kontakti e ndikimi të brendshëm. Janë të shumta paralelet mes këtyre dy të mëdhenjve të letrave shqipe, prej të cilave, mund të rendisim disa syresh. De Rada pati një afirmim të beftë në letërsi, qysh i ri, me veprën e parë, romanin në vargje ‘Këngë të Milosaos’, padyshim një nga monumentet e letërsisë shqipe. Kadare, gjithashtu i ri, u afirmua dukshëm, qysh me botimin e romanit të parë ‘Gjenerali i ushtrisë së vdekur’, që vazhdon të mbetet sot e kësaj dite një arritje e shquar dhe pike referimi e prozës shqipe, me ligjërim tejet sintetik, me shumë nëntekst e karakter simbolik, me nota tragjizmi e aplikimin e të ashtuquajturit parim të ajsbergut.

De Rada ka krijuar një vepër të gjerë dhe komplekse: poezi, publicistikë, përkthim, eseistikë, etnologji… Tek Kadareja, kemi po aq një vepër të shumëanshme, duke iu shtuar kësaj, sidomos vepra në prozë, si një privilegj i kohës së tij, me mundësitë shprehëse, që tashmë kishte mbërritur shqipja për të përballuar e zotëruar të gjitha nivelet e ligjërimit artistik, edhe atë të prozës së gjatë. Duhet të shtojmë më tej se të dy këta krijues, kanë shfaqur një akt të madh edhe ndaj gjuhës. I pari, De Rada, përmes veprave të tij, ndoqi modelin e tërheqjes pas të folmeve arkaike, arbërishtes, duke dëshmuar suksesshëm se si mund të krijohen vepra me vlerë edhe brenda këtyre kornizave, në vështrim të parë kufizuese.

Kadareja e dëshmoi këtë akt gjuhësor në marëdhëniet e ti ndaj standartit në formim e sipër të shqipes, duke realizuar në veprat e tij, sidomos në prozë, zhdërvjelltësinë e tërë strukturave të këtij standarti. Kësisoj, vepra e tij komplekse dhe polifonike, konfirmoi pa mëdyshje se ky standard, i kishte të pakufizuara potencialet shprehëse, në të gjitha rrafshet e ligjërimit. Këtë pakufizueshmëri, ai e vlerëson tek struktura dinamike dhe jo e ngrirë e këtij standarti, tek lidhjet e gjalla të standardit me dialektet dhe fondin e arkaizmave dhe historizmave, që vet Kadareja, i ka shfrytëzuar me mjeshtëri të rrallë dhe në funksione të sigurta artistike.

Të dy këta krijues, i janë drejtuar jo pak botës shqiptare mesjetare, si një fond kulturoro-historik, prej nga vijnë parabola të rëndësishme për rrënjët dhe orientimet qytetëruese të Shqipërisë në rrafshin historik, të cilat, tentojnë që të sjellin kumte intriguese në aktualitet. Mund të kujtojmë p.sh. ‘Këngët e Serafinës Topia’, ‘Rrëfime të Arbëri’t nga De Rada, apo ‘Ura me tri harqe’, ‘Kush e solli Doruntinën’ dhe proza të tjera nga Kadare. Tek të dy këta shkrimtarë, ndihet tendenca e modernizimit të mjediseve dhe raporteve sociale të kohës, si për të theksuar shkëlqimin e botës shqiptare para errësimit nga pushtimi otoman.

Romanet në poezi tek njeri (De Rada), apo romanet në prozë tek tjetri (Kadare), janë të ngarkuara me shumë pikëllim, zhbirime psikologjike, me intriga e krime në gjirin e familjeve të mëdha, me tërheqje pas frymës kristiane… Konfliktet e individit në raport me konvencionet e kohës, notat fataliste, ankthet, superticionet, një lloj gjendje e traumatizuar, që ndihen p.sh. tek figura si Serafina, Parayllja, Radavani, Rina (heronj të veprave të De Radës), i ndeshim edhe tek personazhet e novelave e romaneve të Kadaresë, që pasqyrojnë shekujt e mesjetës. Pikërisht në gjithë këto vepra, luhet drama e një tërmeti (në këtë rast e pushtimit otoman), që ngrin përzishëm zhvillimin natyral të qytetërimit shqiptar. Të dy autorët e preferojnë fort këtë zonë tejet dramatike të historisë shqiptare. Si De Rada, ashtu edhe Kadareja, u janë drejtuar edhe figurave reale historike, p.sh. respektivisht tek ‘Skanderbeku i pafan’ dhe ‘Kështjella’. Por këtu, ndonëse secili ka shtjellimin e vet artistik, përshtat edhe veçorive të gjinive që ata zgjodhën (poezinë e prozën), gjithsesi, ka një pikëtakim interesant. E ky pikëtakim, ka të bëjë pikërisht me një lloj shmangije estetike për t`u ndalur posaçërisht tek figura e Skënderbeut, në shfaqjen e tij të drejtpërdrejtë. Tek të dy këta krijues, me sa duket, ka zotëruar preferenca për t`i vendosur ngjarjet dhe atmosferën e veprave të tyre nën hijen e epokës (lavdisë) së Skënderbeut, si për të dëshmuar se ai (Skënderbeu), më shumë se një figurë, ishte frymë që gjallonte nëpër kohëra.

Siç e kanë vënë në dukje studiuesit, De Rada e tejkaloi jo prirjen/shijen romantike rilindase, që ishte mësuar me modelin jetëshkrimor (narrativ) të Barletit, të rimarrë në shumë vepra të kohës, që nuk rreshtën madje as në shek. e 20-të. Brenda principit të artit sintetik, De Rada edhe me këtë vepër të ripunuar në disa variante, u përball me jo pak kritika për fragmentarizëm dhe errësirë në të kuptuar. Fundi i fundit, atij s`i interesoi jetëshkrimi i heroit, por ngjarjet jetësore të endura nën hijen e këtij lisi të madh. Edhe Kadareja, iu shmang pasqyrimit të drejtpërdrejtë të figurës së Skënderbeut, duke preferuar vizatimin e tij, kryesisht si një metaforë e qëndresës. Shkatërrimi dhe zhbërja e një ushtrie të stërmadhe në portat e Krujës, të shpalosura mjeshtërisht në romanin e tij, e kanë të pranishme në nëntekst, përmasën e atij, që e projektonte këtë katastrofë proverbiale: Skënderbeun. De Radën dhe Kadarenë i bashkon edhe një qendrim konseguent ndaj folklorit. Jo vetëm kanë trajtuar në veprat e tyre motive nga legjenda e balada, por edhe janë marrë drejtpërdrejt me studimin e folklorit. Mjafton të kujtojmë “Rapsodi e një poemi arbëresh” e De Radës, apo “Autobiografia e popullit tonë në vargje” e Kadaresë. Madje kontributi i të dyve në fushë të studimeve, kryqëzohet edhe më tej: në shqyrtimin e çështjeve të natyrës estetike, mbi autorë të antikitetit apo të Rilindjes europiane etj. Për Homerin, Eskilin, Danten, Shekspirin, ka shkruar seicili sipas rastit, madje Kadare, i ka shtjelluar deri në libra më vete monografik.

Po të ndiqnim fillin e gjatë të pikëtakimeve mes tyre, mund të vazhdonim me faktin se, si De Rada – ashtu edhe Kadare, bëjnë pjesë ndër ata krijues, që e vazhdojnë gjatë krijimtarinë. Madje ata nuk nuk e braktisin asnjëherë poezinë, një dukuri kjo jo fort e dendur në mesin e poetëve. Më tej akoma, të dy kanë ndjekur traditën e ripunimit të veprave, nga njeri ribotim tek tjetri. Për shkakun e botimit në variantin dygjuhësh [arbërisht/italisht], veprat e De Radës, patën mundësinë që të njiheshin edhe nga lexuesi i huaj dhe, për shkakun e vlerave që ato mbartin, u vlerësuan lart nga jo pak personalitete letrare të kohës, sidomos francezë si Lamartini, Mistrali etj. Njohjen e letërsisë shqipe nga lexuesi europian, të nisur denjësisht nga De Rada, e vazhdoi dhe e ngjiti në shkallën më të lartë të derisotme pikërisht Kadare, duke marrë vlerësimet e para, si për koiçidencë, po nga kritika franceze.

Kur i rendit këto paralele dhe këto ngjajshmëri rrethanash e paradigmash letrare, që mund të shtohen edhe më tej, sidomos në poetikën e strukturave tekstore, të krijohet një habi e mrekulli njëkohësisht. Themi habi e mrekulli, sepse edhe kur njihej me këtë lloj inventari lidhjesh e pikëtakimesh, je tërësisht i bindur megjithatë, se ata janë dy të mëdhenj krejt të përveçëm, krejt origjinalë. Lidhja e vërtetë, themelore, e Kadaresë me De Radën, është se tek poeti arbëresh ai njohu dhe vlerësoi krijuesin e njëmendtë. Tek vepra e tij gjeti shtysën për të ndërtuar programin e vet krijues, kredon artistike, të shpalosur me guxim, pikërisht tek shkrimi i `63- shit “Duke lexuar Milosaon”, botuar tek gazeta letrare e kohës “Drita”. Këtu Kadareja, dijti që ta gjejë fort mirë levën e Arkimedit për artin e tij novator dhe De Rada, perms veprës së tij, ia dha plot bujari shtysën këtij shkrimtari të madh të ardhshëm. Përmbledhur në një rezultante estetike, Kadareja e kurorëzoi këtë tendencë, duke derdhur në veprën e tij mjeshtërisht e me variacione stilistike, prirjen sintetizuese, filozofike, figuracionin e begatë dhe kumtet pankohore, universale.

Në konkluzion, do të gjykonim se ai shkrim i Kadaresë i fillimeve të viteve `60- të, pothuaj pak i vënë re gjer më sot, e ka mirëfilli formatin e një “Manifesti Letrar” për letërsinë shqipe. I nisur nga shqyrtimi i një vepre konkrete (që më shumë se kaq, ajo vepër vlerësohej me atributet e një modeli estetik), ai shkrim-manifest, ngriti kërkesën për një letërsi, që s`duhej t`i braktiste apo t`I dobësonte strukturat dhe hapësirat artistike, të cilat, në fakt ishin të rrezikuara në rrethanat e socrealizmit. Këto ishin pikëpamje të hedhura guximshëm, jo vetëm në një situatë asfiksuese e kritike për proceset letrare të kohës, por ajo që ka më shumë rëndësi, është se ato vizione estetike, arritën që të ngjizeshin e të aplikoheshin në krijimtarinë e vet shkrimtarit, duke u kthyer kështu në faktor me ndikim të sigurt e afatgjatë – në arealin letrar shqiptar.

Dhe në fund, mund të vijë natyrshëm përgjigja se përse në këtë trajtesë janë të vendosur krahas: J. De Rada dhe I. Kadare. Sepse De Rada u vlerësua dhe u njoftua pa hezitim nga Kadareja si model, si referencë e fortë estetike për fatet e letërsisë shqipe. Për t`u shenjuar pastaj në pak vite, edhe vet Kadareja me veprën e tij, në një model dhe referencë estetike për të tjerët. Edhe përmes këtij vështrimi krahasimtar, sado përkitazi, mes dy të mëdhenjve të letrave shqipe, De Radës dhe Kadaresë, konfirmohet binshëm se bota arbëreshe është bijë e trungut amtar, prej nga ajo u shkul në rrethana të njohura historike. Por që mbetet njëherazi, edhe amë/mëmë, që ka ushqyer dhe rrezatuar drejt vendit të origjinës, vlera të mëdha kulturore e letrare, prej atij vendi ku arbëreshët jetojnë në shekuj, Italisë./ ExLibris | E SHTUNË, 17 QERSHOR 2023.

Please follow and like us: