Promovohet libri i prof. Shaban Muratit “Antitabu për filozofinë filotabu shqiptare”
Pas vëllimit të parë me të njëjtin titull, publikuar kohë më parë nga botimet ‘Albas’ dhe mbështetur nga fondacioni Çamëria ‘Hasan Tahsin’, Shaban Murati rivjen me një vëllim të dytë, tha shkrimtari dhe publicisti Çerçiz Loloçi. Është një libër në formë ditari pothuaj të përditshëm që zë fill në fundkorrik 2020 dhe mbyllet në 14 shkurt 2023.
S’ka asnjë dyshim se të gjitha botimet e publicistit dhe diplomatit të spikatur, Shaban Murati shndërrohen në ngjarje të mëdha kulturore jo vetëm në Shqipëri, po edhe në shumë vise të tjera. Kështu ngjau edhe me librin më të fundit që ka zgjuar interes të madh së pari për tematikën e trajtuar, së dyti për mënyrën e koncentruar të trajtimit të ngjarjeve dhe dukurive shqiptare nga të gjitha fushat dhe sidomos për mënyrë estetike të shkrimit që tërheq lexues sa më të gjerë.
Ndryshe nga shumë homologë të tij, përfshi shkrimtarë, historianë, psikologë, estetistë, etj Shaban Murati ka një ndjeshmëri të madhe kombëtare dhe është një intelektual i shqetësuar për veprime të kryera nga zyrtarët e lartë të politikës shqiptare; ai ndjek hap pas hapi të gjitha veprimet politike e diplomatike që zhvillohen në Tiranën dhe Prishtinën zyrtare, si edhe në vende të tjera ku partitë shqiptarë janë bashkëqeverisëse dhe mban qëndrim kritik për akte që cenojnë interesin tonë kombëtar.
Një veçanti tjetër e Shaban Muratit është njohja e thellë e dukurive të brendshme dhe të jashtme, të cilat i risjell për të nënvizuar veprime më të mençura diplomatike, politike, historike, etj.
Në faqet e këtij libri, me tekste të shkurtra në formë sentence, autori është kundër qëndrimit prej frikacaku për mospërmendjen e pushtuesve serbë e grekë dhe mosngritjes ende të memorialeve ndaj genocidit të vendeve fqinje, kundër gabimit diplomatik të Kosovës që pret një përfaqësues minor si Gjuriç, kundër historianëve që nuk guxojnë të thonë se Greqia u krijua jo nga përralla e revolucionit, por nga treshja Rusi-Francë-Angli; ai nuk pranon egzaltimin e qeverisë shqiptare për zgjerimin e kufirit detar grek, e konsideron të gabuar rreshtimin e vonë të shqiptarëve në Luftën e Dytë Botërore, është kundër krahinarizmit të politikës, kundër mini-Shengenit që ëshët një kopje e shëmtuar e marrëveshjes së mëhershme Tito-Hoxha dhe kundër shkumë dukurive të tjera, përfshi edhe ato letrare.
Shaban Murati e verëson të mjerë korin e shkrimtarëve të diktaturës por edhe të këtyre viteve të demokracisë që e këkrojnë lavdinë prej pushtetit dhe jo prej talentit e që sulmojnë pa kurfarë skrupuj një shkrimtar të përbotshëm si Ismail Kadare.
Mjaft interesante janë në libër dy tekste: “Sekuenca serbe” dhe “Politikanët shqiptarë luajnë me fatet e Kosovës”. Në tekstin e parë autori vë në dukje premtimet boshe të qeverisë së Beogradit dhe dy standardet që përdor BE-ja ndaj Serbisë dhe Kosovës, ndërsa në tekstin e dytë ai nënvizon qëndrimet e politikanëve shqiptarë të tre dekadave që janë përherë në interes të Serbisë.
Jashtë vëmendjes së Shaban Muratit nuk mbeten as diplomacia antidiplomatike kur presidenti i Republikës viziton zyrtarisht pretedentin monarkist, madje shkon edhe më tej duke e marrë si këshilltar; megallomania qeveritare për marrëdhënie të shkëlqyera me Greqinë, ndërsa u rri si shpata e Damokleut mes dy vendeve ‘Ligji i Luftës’, teksa të dy shtet janë anëtare të NATO-s; shpikja e presidentit Macron për islamin francez, tribalizmi politik, evokimi i nomenklaturës komuniste apo edhe i drejtuesve të mëparshëm të korruptuar të tranzicionit shqiptar, etj.
Duke i mbyllur këto shënime të shpejta për një libër enciklopedik nga një mendje po ashtu enciklopedike uroj Shaban Muratin për vepra të tjera cilësore dhe falenderoj fondacionin ‘Hasan Tahsin’ që kontribuon në mbështetje të intelektualëve që janë shndërruar në institucion më vete, përfundoi Çerçiz Loloçi.