Albspirit

Media/News/Publishing

Edhe ne që firmosëm thirrjen, amerikanë jemi zoti Ambasador

Nga Ruben Avxhiu

Ambasadori Richard Grenell

E ka parë Ambasadori Grenell peticionin e nenshkruar nga mbi 120+ personalitete qe i kerkojne Departamentit te Shtetit te mos mbaje anen e Serbise ne Ballkan dhe ka shkruar në Tuitër se “e duam Kosovën dhe e kemi ndihmuar masivisht qeverinë e saj por nuk mund të prisni që taksapaguesi amerikanë të financojë një udhëheqës që refuzon të bëhet partneri ynë.

Kjo tani është dypartiake. Dhe tranatlantike. Europianë, Demokratë dhe Republikanë janë dakord, Kurti është i rrezikshëm…”.

Kështu që i shkrova se që të gjithë nënshkruesit e kësaj thirrjeje janë taksapagues amerikanë. (Se përmend ky taksapaguesin amerikan si ndonjë figurë abstrakte, mitike. Taksapaguesit jemi edhe ne, qindramijëra shqiptaro-amerikanë).

I shkrova se jemi të shqetësuar se përkëdhelja e Vuçiqit rrezikon të destabilizojë rajonin, jo vetëm Kosovën. (Se ky e ka mendjen te Albin Kurti, e ka fiksim. Por problemi me Veriun ka qenë edhe kur ishte Kurti në opozitë. Edhe mirë Kurti, por çfarë duhet të themi për Bosnjen, e për Malin e Zi, ku Serbia po nxit parti e forca që mohojnë ekzistencën e identitetit malazez, që duan copëtimin e Bosnjes, etj? Veriu dhe Kurti janë incidenti i radhës në një seri përplasjesh në rajon. Ja e hoqe Kurtin, Veriu do të mbetet, serbët nacionalistë në Mal të Zi do të mbeten, Dodiku me Republika Srspka e vizitat në Moskës do të mbeten, baza ruse në Nish do të mbeten. Nuk kam ç’i bëj gomarit, thotë një shprehje e vjetër dhe merrem me Veriun).

Sa për atë që këto janë qendrime dypartiake, i shkrova se kjo do të habisë shqiptaro-amerikanët që mendojnë se problemi është Administrata Biden. (Vërtet, shumë shqiptaro-amerikanë janë shprehur se mbajtëm anën e Bidenit kështu që mirë na e bëjnë. Kjo është e gabuar. Komuniteti u nda ashtu si u nda edhe kombi amerikan. Ca me Trump e ca me Biden. Biden ka qenë mik i Kosovës dhe kjo mund të ketë luajtur pak rol në votime. Nga një anë Grenell bëri mirë që foli. Të mos të vijë kot në 2024 në Michigan, Wisconsin etj e të na thotë se sa mirë do të jemi me Republikanët. E pati shansin tani që shqiptarët ishin të pakënaqur me Departamentin e Shtetit, që ta thoshte diçka të na prishte mendjen. Shqiptarët në SHBA nuk janë ushtarë të Kurtit. Janë të Kosovës, janë të atdheut, janë të interesave amerikane në rajon e në botë. Kritikat për Kurtin do të kishin pasur shumë më tepër peshë, nëse nuk do të hidheshin në një kohë kur merret me të mirë Vuçiqi. Kur nuk thuhet një fjalë për grupet operative serbe që kalojnë kufirit e sulmojnë forcat e NATO-s).

Këto sigurisht nuk janë punë që zgjidhen në rrjetet sociale. Por me që zoti ambasador komentoi, do të komentojmë edhe ne. E mira është me mirësjellje dhe pa fyerje vulgare të cilat vetëm na prishin punë.

Please follow and like us: