Pse nuk foli Tirana Zyrtare për ndarjen e Kosovës?
Brikena Bogdo
Uritë e vjetra po serviren me menu, tabaka e takëme të reja. Tashmë lufta midis Kosovës dhe Serbisë, është spostuar midis Kosoves dhe Shqipërisë. Ky është ndryshimi thelbësor i boshtit. Përça e sundo faktorin shqiptar, që nuk është i pakët në rajon. Sa për diskutimin që ka ndryshuar boshti, ku po përkëdhelet Serbia, gjithmonë ka qenë kështu. Rusia hyri në luftë kundër Perandorisë Otomane, për të mbrojtur interesat në Ballkan, te Serbisë, Malit të Zi, Rumanisë. Pazaret e Fuqive të Mëdha me Rusinë në kurriz të tokave të Kosovës, Shqipërisë, e kanë fillesën që në luftën Ruso-Turke (1876-1878).
Marrëveshja e Budapestit në 15 Janar 1877, sado që pranonte në parim idenë e një shteti autonom shqiptar, e linte të papërcaktuar si hapësirën territoriale ashtu edhe statusin e tij. Kjo i krijonte mundësinë për të cënuar rëndë tërësinë territoriale të Shqipërisë, duke i hapur rrugë Serbisë që të aneksonte Kosovën, Malit të Zi viset e Shqipërisë Veriore, Greqisë trojet e Shqipërisë Jugore. Sado e keqe që ishte marrëveshja e Budapestit, në kurriz të kufijve shqiptarë, për herë të parë Austro Hungaria, hodhi idenë e një shteti shqiptar. Sot mbas 150 vitesh diskutohet ende siguria e Kosoves.
Jugosllavia e Madhe u krijua në vitin 1913, për interesa te dominimit francez dhe anglez, kundër atij gjerman e austro-hungarez. Ish Jugosllavia u krijua si shpërblim, që të mos lejonte kalimin e hekurudhës Berlin –Beograd, që do nxirrte jashtë loje Francën dhe Anglinë. Pra u ngrit për interesa ekonomikë dhe influence. Marrëveshja e Dejtonit në vitin 1995, e shpërbën sërish ish Jugosllavinë, por pa e zgjidhur cështjen e Kosovës. Vendet e Europës kanë parë një zgjidhje afatshkurtër të problemit në kurriz të zgjidhjeve afatgjata, duke u detyruar të bëjnë dhe të zhbëjnë vendime, krijime dhe rikrijime kampesh e shtetesh, si pëlhura e Penelopës, me oaze paqesh të përkohëshme, që kur ndryshojnë konjukturat mund të shndërrohen në barut eksplozionesh. Aleati ynë SHBA, e la Shqipërinë ndën kampin e majtë në Jaltë në vitin 1945. Boshtet Euro-Atlantikë kanë devijuar gjithmonë për interesa dhe influenca ekonomiko-politike, aspak për ideale dhe të drejta njerëzore.
Projekti ish Presidentit Amerikan Donald Trump, ishte ndarja e Veriut të Kososvës, për ta aneksuar Serbia, ndërsa pjesa tjetër e Kosovës do i bashkohej Shqipërisë. Prandaj dhe Tirana zyrtare e përkrahu në mënyrë të heshtur ndarjen e Kosoves. Ndonëse kjo marrëveshje sekrete nuk u bë kurrë publike, u zbuluan mjaft detaje për ndryshimin e kufijve. Këtu fillon edhe përplasja midis Ramës dhe Kurtit. Por ky plan hasi në rezistencë të fortë të ndërkombëtarëve.
Projekti më i ri tani i miratuar nga Administrata Biden, parashikon rindarjen e rajonit, pa i ndryshuar kufijtë. Ballkani Perëndimor do të ndahet në tri sfera të dallueshme influence, në të cilat Beogradi, Tirana dhe Zagrebi do të fitonin influencë politike dhe ekonomike mbi fqinjët e vegjël përfshirë edhe Kosovën, Bosnjë-Hercegovinën dhe Malin e Zi. Për sigurimin e stabilitetit rajonal këto vende të vogla, do detyroheshin nga ndërkombëtarët të bindeshin. Për zona të reja influence po rikrijohet mini ish Jugosllavia por tanimë me ëndrrën e Titos që të jetë edhe Shqipëria e përfshirë. Kosova do trajtohet si provincë gjë që nuk po e gëlltit dot kryeministri i Kosovës Kurti, i cili ka qenë për bashkimin e Shqipërisë. Por Rama kërkon një pan shqiptarizëm me Tiranën në qendër, ku statusi i Kosoves do të ishte në nivel province.
Për arsye të vazhdimit të strategjisë së Katovicës, shumë vende lindore, duke përfshirë Shqipërinë, nuk panë anjë ditë demokraci, por autokraci komuniste. Sot deduktoj që kampet komuniste dhe kapitaliste ende nuk kanë rënë, packa se ka rënë muri i Berlinit. Shqipëria është ende ndën influenca kampesh, të cilat operojnë me axhenda të fshehta, packa se në dukje shesin demokraci. Kjo ruajtje pozicionesh të kampeve e bën edhe më të lehtë pretendimin e Moskës për rikthimin e BRSS-së. Sokolov, gazetar i afërt i Presidentit rus Vladimir Putin deklaron në emisionin e tij: “Nëse mendoni që do të ndalemi me Ukrainën e keni gabim”. Moska kërkon ish BRSS ndërsa Serbia kërkon ish Jugosllavinë e cila u krijua artificialisht nga Fuqitë e Mëdha.
Lufta në Ukrainë nuk tregon tentativë paqeje, madje Moska po rrit tensionet me shpërthimin e Digës në Dripn, për të zgjeruar ekspansionin e saj. BE shprehet për paqe por në favor të Kiev. Vetëm nëse vijnë në pushtet Republikanët në SHBA, pritet të ketë lëvizje diplomatike drejt paqes.
Vëzhgojmë trekëndëshin dhe aleancën Rama-Vucic-Erdogan. Të tre i bashkon tendenca autokratike dhe qëndrimi pro Lindor dhe pro Moskë. Erdogan, po i largohet Republikës themeluar nga Ataturk dhe po pozicionohet drejt staturës së Sulltanit. Ai po shkon drejt një Turqie më religjioze, autokrate e orientuar drejt vendeve të Golfit, Rusi, Kinë, dhe shumë më pak drejt Perëndimit dhe Natos, (Erdogan synon në kthim të një kalifi dhe kalifati, i shfuqizuar nga Ataturk në vitin 1924). Erdogan nga diktatori me te cilin duhet dialoguar falë luftes se Ukraines u shndërrua në diplomati lindor. Turqia vazhdon te beje biznes me Rusinë, duke zhvilluar trekëndëshin midis eksportit dhe importit rus. Jo vetëm që nuk konsiderohet si një thyes i imbargos por përkundrazi si sukses diplomatik, që zgjidhi problemin e eksportit të miellit Ukrainas, duke e pozicionuar Erdogan në interlokutorin e privilegjuar. Liderët e botës perëndimore nuk e shikojnë më si autokrat apo Calif, por si diplomatin që mund të kontribuojë në mbarimin e Luftës. Presidenti serb Aleksander Vucic nga autokrati sot është një dialogues i vlefshëm për SHBA-të.
Ky transformim emërtimesh që duket si ekuilibrim kompleks drejt një rirregullimi gjeopolitik, i ka kushtuar shumë shtrenjtë botës europiane demokratike. Ujku vesh petkun e qengjit për një cast për interesa të ngushtë vetjak. Ekuilibrist është quajtur edhe Vucic në pozicionet midis Lindjes dhe Perëndimit. Po aq ekuilibrist midis Lindjes dhe Perëndimit po rezulton Rama. Të tre po e luajnë lojën midis Lindjes dhe Perëndimit.
Vjosa Osmani mban fjalimin e saj ngjethës dhe ulëritës njëkohësisht, në Parlamentin Europian:-“Ne jemi Europë”. Kërkon të pohojë atë cka është e mohuar. Ndën rreshta klithte:”Nuk jemi turq. Mos na trajtoni si turq”, si në vitin 1878, kur Perandoria Otomane humbi luftën dhe territoret shqiptare të quajtura Epir, u coptuan si toka turke.
Në ndryshim, aktualisht Tirana zyrtare, të gjitha politikat i luan që të konsiderohemi turq, që të këmbehen sërish territoret, që të humbasim shancet europianeiste, që të humbasim lidhjet me konceptin demokraci, që të shtypemi lehtë, që të humbasim lirinë, që të mbetemi në sulltanizëm. Një qasje shumë e rrezikshme e maxhorancës, që të largojë europën me ne. Dy pengesat e mëdha për progres në Shqipëri janë turqizmi dhe komunizmi. Asnjë nga këto mure nuk kanë rënë as në mendje, as në sjellje, as në politikat shtetërore shqiptare. Pse bëhen politika, edhe nga Tirana aktuale që të trajtohemi si turq, që të konsiderohemi ende placke për tu ndarë?
Nuk është vetëm lënie në mendësinë turke të sulltanizmit por edhe tentativë konkrete politike për të na konsideruar Turqi, apo plackë lufte për tu ndarë, sepse ende konsiderohemi që nuk kemi aftësi shtet formuese. Kjo nuk është aspak e vërtetë. Lëvizjet e forta të shqiptarëve për tu ndarë nga Porta e Lartë kanë filluar që në vitin 1878 deri në vitin 1880. Një figurë legjendare si Hodo Beg Sokoli ngriti flamurin e parë shqiptar në Shkodër, ngriti një qeveri shqiptare tetë mujore në vitin 1880 në Tuz. Kur u arrestua nga turqit në pabesi, Porta e Lartë i kthen përgjigje Ambasadës Austro-Hunhgareze e cila reagon ndaj këtij veprimi: -“Hodo Beg Sokoli kërkonte pavarësinë e Shqipërisë”-kthen përgjigje Porta e lartë (fakte të nxjerra nga letërkëmbime të Ministrisë së Jashtme Austro-Hungareze).
Shqipëria është ende ndën influencat e majta sepse as Konferenca e Jaltës nuk ka rënë, as muri i Berlinit nuk ka rënë kurrë. Po aq i rrezikshëm është komunistizimi.“Nuk mund të luhet më me komunizmin, sepse nuk ekziston më”-dëgjon disa analistë apo edhe politikanë madje të djathtë. Ajo cka nuk ra kurrë ishte komunizmi. Europa Lindore dhe ajo Perëndimore janë ende në konflikt për rikrijime zonash influence, dominimesh midis të fortëve.
Do ti kujtoja këtyre analisto-politikanëve fjalimin e Ramiz Alisë në Byronë Politike në Tetor të vitit 1989, ku i qëndron teorisë së Gorbacovit në Katovicë. Po ta lexosh qëndrimin e Ramiz Alisë strategjinë e përgatitur nga komunistët, do të kuptojmë që ajo strategji është realizuar pikë për pikë. Në Katovicë, Gorbacovi përcaktoi një axhendë se si do të vazhdonte të mbijetonte komunizmi dhe komunistët në kapitalizëm, se si do të depërtonin në pushtetin politik dhe atë ekonomik dhe mbas pesë apo gjashtë legjislacionesh komunistët të kishin kapur krejt jetën politike dhe atë ekonomike në kapitalizëm. Kanë kaluar nëntë legjislacone që kur ka rënë “komunizmi”në Shqipëri dhe analizojmë që asnjëherë nuk qeverisi vendin një figurë realisht e djathtë (vetëm komunistë me karrierë në rregjimin komunist). Shohim që në krye të bizneseve apo oligarkët janë figura të majta të afërt me pushtetin, shohim politika ekonomike në dëm të qytetarëve, me forma moderne por në thelb të kontrolluara me oligarkë, apo vetëm në pak duar, pra ekonomi e centralizuar si në komunizëm. Sot në pushtet është ende nomenklatura e atëhershme.
Kosova sot ka gjithë botën kundër si në Luftën për mbrojtjen e Ulqinit, në vitin 1880, por tashmë ka kundër edhe vëllaun e madh Ramën.
Please follow and like us: