Albspirit

Media/News/Publishing

“Dua ta dini se jemi me ju”: Dokumente që tregojnë raportet e dikurshme SHBA-Rusi

Një ditë pasi rusët votuan në një referendum kombëtar që shërbeu si votë besimi për presidencën e lëkundur të Boris Yeltsinit, homologu i tij amerikan i bëri një telefonatë. Biseda e Bill Clintonit me Yeltsinin, më 26 prill, 1993 – një prej disa bisedave dhe takimeve të drejtpërdrejta që dy udhëheqësit patën në muajt e parë të presidencës së Clintonit – ishte miqësore, mbështetëse dhe optimiste. “Dua ta dini se jemi me ju”, tha Clinton, sipas një memorandumi të deklasifikuar së voni, që ofron detaje në lidhje me këtë telefonatë. “Jam vërtet mirënjohës për politikën tuaj të zgjuar”, u përgjigj Yeltsin. “Ju falënderoj për thirrjen. Është shumë e rëndësishme për mua personalisht. Ju falënderoj jo vetëm për mua dhe gruan time, por për gjithë popullin rus”, tha ai. Memorandumi është i fundit në një seri dokumentesh të deklasifikuara dhe të publikuara nga Arkivi i Sigurisë Kombëtare në SHBA. Dokumentet ofrojnë një tjetër pamje të marrëdhënieve SHBA-Rusi, të cilat nisën të prishen sidomos nën pasardhësin e Yeltsinit, Vladimir Putin. Një organizatë joqeveritare e vendosur në Universitetin George Washington në Uashington, Arkivi i Sigurisë Kombëtare, publikoi edhe dokumente të tjera të deklasifikuara, që hedhin dritë mbi diskutimet e brendshme të administratave të kaluara presidenciale.

Clinton, Yeltsin dhe presidenti i atëhershëm ukrainas, Leonid Kravchuk, shtrëngojnë duart pas nënshkrimit të Deklaratës Trepalëshe në Moskë më 14 janar 1994.
Clinton, Yeltsin dhe presidenti i atëhershëm ukrainas, Leonid Kravchuk, shtrëngojnë duart pas nënshkrimit të Deklaratës Trepalëshe në Moskë më 14 janar 1994.

Së bashku me dosjet e tjera që u publikuan nga ish-këshilltarë të Shtëpisë së Bardhë, dokumentet ofrojnë informacione se si evoluoi politika e SHBA-së dhe – në disa raste – si dhe ku gabuan administratat amerikane në raport me Moskën. “E keni ndjenjën e një mundësie të humbur nga ana e udhëheqjes aktuale ruse”, thotë Jonathan Elkind, i cili ka shërbyer si drejtor i programit rus, ukrainas dhe euroaziatik në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, në vitet e mëvonshme të presidencës së Clintonit. “… grumbullimi i ankesave, që duket se i motivojnë politikat e Putinit, injoron faktin se ka pasur një përpjekje shumë të bashkërenduar nga presidenti Clinton dhe administrata e tij, për të ndërtuar një marrëdhënie më të mirë, më paqësore dhe më të qëndrueshme midis Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë”, thotë Elkind, tani studiues në Qendrën e Universitetit të Kolumbias për Politikat Globale të Energjisë. “Ia ka vlejtur, absolutisht, përpjekja që është bërë nga administrata Clinton. Suksesi i asaj sipërmarrjeje ka qenë i garantuar, dhe mund ta shihni në disa prej atyre dokumenteve pasigurinë që ka përcjellë gjithë procesin: Si mund t’i mbrojë dikush me kujdes interesat e SHBA-së dhe, në të njëjtën kohë, të gjejë një mënyrë ndryshe dhe më të mirë të angazhimit me Rusinë?”, shprehet Elkind.

Luftërat e Jugosllavisë

Yelstin u zgjodh president në qershor të vitit 1991, kur Rusia ishte ende pjesë e Bashkimit Sovjetik. Në dhjetor të atij viti, kur Bashkimi Sovjetik pushoi zyrtarisht së ekzistuari, ai u bë president i Rusisë. Zyrtarët amerikanë, përfshirë paraardhësin e Clintonit, George Bush, e mirëpritën Yeltsinin si një reformator demokratik, të aftë për ta larguar Rusinë nga komunizmi dhe për ta garantuar sigurinë e arsenalit bërthamor të vendit.

Clinton dhe Yeltsin gjatë samitit në Vankuver më 3 prill 1993.
Clinton dhe Yeltsin gjatë samitit në Vankuver më 3 prill 1993.

I zgjedhur në nëntor të vitit 1992, Clinton ishte presidenti i dytë i SHBA-së me të cilin Yeltsin ndërveproi dhe me të cilin zhvilloi një marrëdhënie jashtëzakonisht të përzemërt. Clinton dhe Yeltsin zhvilluan një telefonatë më 10 shkurt 1993 – rreth tri javë pas inaugurimit të presidentit të SHBA-së. Kriza në ish-Jugosllavi ishte më e rëndësishmja në agjendën e Clintonit. Aleatja historike e Rusisë, Serbia, ishte një lojtare kryesore në luftë. “Unë e di se ky është një problem shumë i vështirë për ju; vlerësoj lidhjet historike të Rusisë me Serbinë dhe nuk dua t’ju shkaktoj telashe në shtëpi”, tha Clinton, sipas dokumentit të deklasifikuar. “Por, nëse spastrimi etnik shihet si mënyrë e suksesshme për trajtimin e problemeve të pakicave, atëherë rusët etnikë jashtë Rusisë mund të jenë gjithashtu në rrezik”, tha Clinton. “Dua t’ju falënderoj për fjalët e mira, për dëshirën për të bashkëpunuar dhe për t’iu dhënë përparësi marrëdhënieve tuaja me Rusinë”, u përgjigj Yeltsin, përpara se të miratonte një propozim të SHBA-së e BE-së që synonte ta parandalonte luftën në Bosnje. “Më lejoni ta them përsëri – ne do të bëjmë çmos për të shfrytëzuar ndikimin tonë për t’i bindur serbët. Unë, thjesht, dua të premtoj se do ta bëjmë më të mirën tonë, për të bërë presion mbi serbët, veçanërisht mbi [udhëheqësin serb, Sllobodan] Millosheviq”, tha Yeltsin.

“Nuk ka më mëkat në shpirtin tonë”

Udhëheqësi rus e pa mbështetjen e SHBA-së po aq të rëndësishme dhe nisi të largohej nga ekonomia sovjetike drejt një ekonomie të tregut. Politikat hoqën kontrollet e çmimeve dhe subvencionet industriale, por gjithashtu çuan në kolapsin e rublës, hiperinflacion, humbje të kursimeve të pensioneve dhe, për miliona rusë, mjerim dhe pakënaqësi.

Yeltsin dhe Clinton gjatë takimit të parë dypalësh në Vankuver më 3 prill 1993.
Yeltsin dhe Clinton gjatë takimit të parë dypalësh në Vankuver më 3 prill 1993.

Kjo çoi në një mospopullaritet të thellë për Yelsinin dhe, në mars të vitit 1993, Dhoma e Ulët e Parlamentit rus për pak nuk votoi për mosbesim kundër tij. Më pak se një javë më vonë, Yeltsin udhëtoi për në Vankuver për t’u takuar me Clintonin – takimi i tyre i parë ballë për ballë që nga zgjedhja e Clintonit. Përpara takimit, sekretari amerikan i Shtetit Warren Christopher, shkroi një dokument për ta përgatitur Clintonin për takimin. Sipas dokumentit të deklasifikuar, ai e paralajmëroi Clintonin se “problemi më i vështirë dhe më i rëndësishëm i politikës së jashtme të presidencës suaj” është “transformimi i vazhdueshëm i Rusisë dhe implikimet në sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara”. Kriza në Bosnje ishte një “çështje politikisht e ndjeshme”, në të cilën Clinton duhet të fokusohet, shkroi Christopher. Si shqetësim tjetër, ai përmendi “eksportet e teknologjisë raketore” dhe “sjelljen e forcave [ruse] në disa nga shtetet e reja të pavarura të ish-Bashkimit Sovjetik”. Zyrtarët perëndimorë kishin frikë se shpërbërja sovjetike dhe paqëndrueshmëria ruse do të çonin në kontrabandimin ose vjedhjen e teknologjive bërthamore. Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tjerë shqetësoheshin gjithashtu për konfliktet që shpërthyen në vendet si Nagorno Karabaku, Abkhazia dhe Transdnistria, dhe për rolet që mund të luajnë forcat ruse. “Kriza politike ruse është e sigurt që do të kufizojë aftësinë e Yeltsinit për të arritur marrëveshje të reja, edhe kur ato të jenë qartazi në dobi të Rusisë”, shkroi Christopher. Në takimin e tyre të parë në Vankuver, në një darkë pune më 3 prill 1993, u shfaqën marrëdhëniet e përzemërta midis dy presidentëve, e po ashtu edhe optimizmi i tyre. Yeltsin kërkoi ndihmën e SHBA-së për të përmirësuar infrastrukturën e naftës dhe tubacionet ruse.
Nëse kjo ndodh, Yelstin tha: “Jam i sigurt se, pas pesë vjetësh, ne do të konkurrojmë në art, në xhaz, në naftë dhe do t’ju arrijmë. Më vjen keq për xhazin – në fakt, nuk jam i sigurt për këtë”. “Ndoshta jo në xhaz”, u përgjigj Clinton, një saksofonist amator i xhazit. “Por, ne duhet t’ju arrijmë në kulturën tuaj të pasur”, tha ai.

Clinton dhe Yeltsin duke qeshur gjatë një konference të përbashkët për media pas takimit në Nju Jork më 23 tetor 1995.
Clinton dhe Yeltsin duke qeshur gjatë një konference të përbashkët për media pas takimit në Nju Jork më 23 tetor 1995.

Të nesërmen, dy presidentët dhe këshilltarët e tyre u takuan për gati tri orë, duke diskutuar dhjetëra tema: ligjet e emigracionit të epokës sovjetike, rreziqet e përhapjes së teknologjive bërthamore dhe biologjike, pasojat e Luftës së Irakut të vitit 1991, tensionet në Kaukazin e Jugut, testet bërthamore e të tjera. Yelstin i mirëpriti me kënaqësi inspektorët amerikanë dhe propozoi një përpjekje të përbashkët për ndërtimin e një sistemi të mbrojtjes raketore. “Ju lutem ejani dhe shikoni kur të doni, pa ftesa”, tha ai, sipas dokumentit të deklasifikuar. “Ne e pranojmë komitetin tuaj në çdo kohë dhe në çdo qytet. Ju mund të inspektoni. Nuk ka më asnjë mëkat në shpirtin tonë”, tha Yeltsin. Clinton dhe këshilltarët e tij gjithashtu i kërkuan Yeltsinit që të vazhdonte reformat e tij ekonomike, pavarësisht nga problemet në rritje, dhe propozuan më shumë se 1 miliard dollarë ndihmë nga SHBA-ja për të ndihmuar me iniciativa të ndryshme, përfshirë privatizimin e pronës shtetërore. “Duhet ta rregulloni bankën tuaj qendrore. Është një imperativ absolut, që ta merrni kontrollin e monedhës suaj”, i tha Yeltsinit sekretari i Thesarit i Clintonit, Lloyd Bentsen. “Shpresojmë që të keni një fitore të madhe në referendum”, tha Bentsen, sipas një tjetër dokumenti të deklasifikuar.

Yeltsin, Clinton, presidenti i atëhershëm i Ukrainës, Leonid Kuchma dhe kryeministri britanik, John Major nënshkruajnë traktatin për mospërhapje bërthamore në samitin e Budapestit më 5 dhjetor 1994.
Yeltsin, Clinton, presidenti i atëhershëm i Ukrainës, Leonid Kuchma dhe kryeministri britanik, John Major nënshkruajnë traktatin për mospërhapje bërthamore në samitin e Budapestit më 5 dhjetor 1994.

Muajin tjetër, Yelstin organizoi një referendum kombëtar që shërbeu si një votë besimi për administratën e tij dhe politikat e saj. Kaloi me një shumicë solide, ndonëse të ngushtë. Një ditë pas votimit të 25 prillit, Clinton dhe Yeltsin folën në telefon. Clinton e uroi liderin rus dhe e cilësoi samitin e Vankuverit si një sukses. “Unë jam vërtet mirënjohës për politikën tuaj të zgjuar”, tha Yeltsin, sipas dokumentit të deklasifikuar. “Në fakt, është një politikë e një njeriu shumë të mençur”. “Unë u ndjeva pranë popullit rus, gjithashtu. Referendumi tregoi se populli rus e kupton se çfarë është në rrezik”, u përgjigj Clinton. “Unë do të bëj gjithçka që mundem për të punuar me ju, për ta bërë këtë botë një vend më të sigurt për fëmijët tanë”, tha ai.

Rënia

Shumë kohë përpara se Kremlini ta fillonte pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022, marrëdhëniet me Perëndimin ishin dobësuar. Skandalet e spiunazhit, ndërhyrja në zgjedhje, kapja nga Rusia e gadishullit ukrainas të Krimesë dhe sanksionet perëndimore i helmuan me vite lidhet mes tyre. Duke vënë në dukje optimizmin e marrëdhënieve Clinton-Yeltsin, historianë, ekspertë të politikës së jashtme, politikëbërës dhe të tjerë luftuan për të përcaktuar saktësisht se kur lidhjet dypalëshe u bënë toksike.

Clinton dhe presidenti rus, Vladimir Putin, këmbejnë marrëveshjet e nënshkruara për themelimin e një qendre të përbashkët për shkëmbimin e informacioneve lidhur me lëshimin e raketave më 4 qershor 2000.
Clinton dhe presidenti rus, Vladimir Putin, këmbejnë marrëveshjet e nënshkruara për themelimin e një qendre të përbashkët për shkëmbimin e informacioneve lidhur me lëshimin e raketave më 4 qershor 2000.

Putin, i cili e pasoi Yelstinin në vitin 2000, kryesoi një periudhë të stabilizimit ekonomik dhe shfaqjes së një shtrese të mesme – një bum ky i nxitur kryesisht nga eksportet ruse të naftës dhe gazit. Por, me kalimin e viteve, politikat e Putinit u bënë gjithnjë e më autoritare: konkurrenca politike, media e pavarur dhe shoqëria civile u shtypën – gjë që çoi në përçmim nga Perëndimi. Putin e justifikoi pushtimin e Ukrainës, mes tjerash, si përgjigje ndaj zgjerimit të NATO-s, e cila filloi të pranonte ish-anëtarë të Paktit të Varshavës dhe ish-republika sovjetike në vitin 1999 – viti i fundit i presidencës së Yeltsinit.

Clinton dhe ish-presidenti amerikan, George H.W. Bush marrin pjesë në varrimin e Yeltsinit së bashku me Putinin dhe gruan e tij, Lyudmila, në Moskë më 25 prill 2007.
Clinton dhe ish-presidenti amerikan, George H.W. Bush marrin pjesë në varrimin e Yeltsinit së bashku me Putinin dhe gruan e tij, Lyudmila, në Moskë më 25 prill 2007.

Vetë Yeltsin iu ankua Clintonit për zgjerimin e NATO-s dhe Putin e akuzoi Perëndimin se ka mashtruar Kremlinin. Disa historianë argumentuan se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e NATO-s thyen premtimet e bëra në ditët e fundit të Bashkimit Sovjetik dhe më pas, megjithëse, sipas disa analistëve, nuk ka pasur kurrë ndonjë garanci të qartë. Ardhja e Putinit “nuk frymëzoi optimizëm apo besim” se Rusia do të vazhdojë “të angazhohet në botën e jashtme duke ecur përpara”, thotë Elkind.

Përgatiti: Valona Tela
Please follow and like us: