Gëzim Basha: SHTEGTIM PERMES EMPATISE NARRATIVE
Gëzim Basha, Pedagog i Letersisë Moderne në Universitetin Wisconsin, SHBA.
Parathënie
Në praktikën shqiptare të gjykimit mbi prozën letrare përdoret shpesh togfjalëshi klishe, “rrëfimtar i lindur,” a thua se prozatori nuk është gjë tjetër veçse instrument mekanik i talentit të vet! Në fakt, siç provon përmbledhja e Avdulla Kënaçit, “Shtegëtimi i Fundit”, e kundërta duket më e vërtetë; talenti është së pari kultivim, kurse aftësia narrative, emancipim estetik që përftohet sa përmes praktikimit të shkrimit kreativ, po aq edhe prej ekspozimit ndaj Kanonit Letrar.
Stili i Avdulla Kënaçit në këtë përmbledhje, ashtu si nē librat e tij të mëparshëm, ka një zhdërvjellësi të fituar prej karrierrës së tij të gjatë në gazetari, reflekton kultivimin me përkushtim të përditshëm prej disa dekadash, ndërkohë që liria e tij imagjinative është sa spontane, po aq estetikisht e informuar. Me prirjen për evidentim mbresash të drejtpërdrejta, kufiri mes tregimit dhe reportazhit bëhet aq eluziv (i pakapshëm) sa të sjell ndërmend teknikat e New Journalism.
Proza e përmbledhjes që merr lexuesi në dorë, pa maniera artificiale dhe pa impozime kinse, vjen nga këndi i një rrëfimtari me vigjilencë për detajin dhe mprehtësi për konfliktin. Me gjithçka të vetën, ai të kujton G. G. Marquez-in kur shprehet, “Në thelb, shkrimtari nuk është veçse një reporter që i lejon vetes liri imagjinative”. Shtjella fluide e korrentit verbal, intuita për përshpejtim të rrëfimit a pauze, gjetja e kohës për skena konkrete apo meditim mbi çka ndodh, lakimet e befta midis ekspozesë ideore dhe përshkrimit konkret, përbëjnë vetëm disa nga elementët më kryesorë në atë koncert mjetesh shprehëse që shquajnë aftësinë rrëfimtare të Avdulla Kënaçit.
Prozat e përmbledhjes, “Shtegëtimi i Fundit”, janë ushtrim i empathisë rrëfimtare – narrative empathy – ngaqë prekja emocionale prej fatit shpesh tragjik të karaktereve e kapërcen simpatinë dhe shpie tek identifikimi me ta. Ato ia dalin të provokojnë tek lexuesi formën e empathisë me bindje – cognitive empathy. Eshtë e pamundur të mos identifikohesh me një vajzë që bie pre e egërsirave (kojotave) në parkun e një metropoli, të mos ndjekësh me dhimbje goditjen absurde tē fatit ndaj një emigranti të akuzuar, shih groteskun, nga një fermer impotent, zvicerian për zoofili… apo me një mërgimtare të vetmuar kroate të cilën spastrimi etnik e la pa familje dhe tashmë jeton për të parë nga distanca familjen e fqinjve te saj shqiptarë në një qytet të Kanadasë.
Proza e A.Kënaçit reflekton jo vetëm daljen e njeriut shqiptar prej izolimit, por edhe mundimet e adaptimit në shoqëritë urbane ku kozmopolitizmi, shpesh dhe paradoksalisht, sjell jo vetëm mundësinë e integrimit, por edhe anën tjetër të medaljes, vetminë sociale me të gjitha neurozat e saj.
Përmbledhja e A. Kënaçit ka diversitet tematik – cilësi që i jep kompozimit të saj natyrën e mozaikut; këtu secili karakter sjell historitë e tij unike, madje shpesh më shumë se sa një të tillë. Ky lloj konstruktimi të sjell ndërmend shprehjen e Charles de Lint, “we are made of stories”, (ne jemi endur prej historish) dhe ato më pikantet, siç janë prozat e këtij libri, meritojnë audiencë.
Lexim të mbarë!