Albspirit

Media/News/Publishing

Rifat Ismaili: NJERËZ E LETËRSI TË DËNUARA

Rifat Ismaili

 

Kohët e fundit kam qenë disi i ndjeshëm ndaj atyre njerëzve që gjatë regjimit komunist janë persekutuar apo dënuar nga idetë e tyre apo për çfarë kanë shkruar. Rastet kur dashuria për të shkruarit kthehet në mallkimin tënd dhe vepra në një gojë e stërmadhe gijotine e makthi. Rikonfirmohet teza se artisti për të mbrojtur veprën e tij apo idetë në mjaft prej rasteve ka sakrifikur lirinë apo edhe vetë jetën. Gjithashtu, faktet kur artistët apo shkrimtarët kanë qenë në frontin e parë të luftës janë të panumërta. Ata janë përndjekur e pushkatuar nga regjimet totalitare, por vepra e tyre ka qenë dhe mbetet primare dhe e patjetërsueshme. Për këto ideale janë dënuar me burgim apo janë vrarë. Sot janë bërë burim frymëzimi për bashkëkohësit e tyre dhe brezat pasardhës.

Dikur, i ri dhe pa përvojë mendoja se letërsinë në Shqipëri e bënin vetëm Kadare, Agolli e një grusht poetësh. Më pas, shtova në listën time Migjenin, Lasgushin, Fatos Arapin, Moikom Zeqon, Zija Çelën e të tjerë. Sa më shume kalojnë vitet, edhe kultura jote rritet, gjithashtu dhe botëkuptimi, kështu që rrethi i shkrimtarëve të preferuar zgjerohet dhe i ngjan atij vullkanit që ka shpërthyer dhe ka lënë një gropë të madhe rreth e rrotull.

Pas shembjes së komunizmit, repertori i shkrimtareve të preferuar shtohet edhe me ata që regjimi i kishte ndaluar apo nuk i kishte përfillur si Faik Konicën, Gjergj Fishtën e të tjerë.

Dhe së fundmi zbulova dhe u preka nga jetët e disa njerëzve të persekutuar apo të dënuar me vdekje nga regjimi, duke ndjerē tragjedinë e tyre dhe duke u munduar të kuptoj dhe të ndjej në brendinë e qenies sime se ç’ kanë përjetuar ata në përballjen e vështirë me jetën.

Do të ndalem vetëm në pak prej tyre, pêr të ilustruar gjer ku shkonte tirania e atij sistemi.

Një nga rastet më tronditës është ai i Musine Kokalarit. Një e re e studiuar në Romë, me ëndrrën e një jete të bukur e të qytetëruar dhe me pasionin e pafund për letërsinë. Që herët publikoi librin e saj të parë në prozë titulluar “Siç më thotë nënua plakë” dhe më pas boton libra të tjerë. Kthehet në Shqipëri dhe si një antifashiste e përligjur angazhohet në jetën politike të vendit. Është njëkohësisht një nga themeluesit e drejtuesit e Partisë Socialdemokrate, merr pjesë në zgjedhje, por rregjimi komunist pasi përvetësoi pushtetin e arreston për idetë e saj të kundërta, dhe kalvari i vuajtjeve të saj nuk do të mbarojë më gjersa të vdesë. E burgosur dhe pas burgut internim në një zonë të thellë malore, në Rrëshen, ja kjo do të ishte jeta e saj gjer në fund, kur u shuajt nga kanceri , pa mundur të marrë kurën mjekësore dhe e lënë në harresë e vetmi. Një vajzë e kulturuar dhe e talentuar, plot ëndrra, që jeta iu kthye në ferr nga regjimi komunist vetëm e vetëm se ajo nuk ishte dhe nuk donte të ishte komuniste.

Bilal Xhaferri gjithashtu, poeti çam, që shkëlqente në letërsi u detyrua të arratisej në Amerikë, pas persekutimeve të njëpasnjëshme. Vdiq në egzil duke qenë një kundërshtar i paepur i regjimit enverist.

Një tjetër rast i dhimbshëm gjer në klithje është ai i së resë Drita Çomo që shkoi në amëshim në moshën 22 vjeçare, duke na lënë një grusht poezish e krijimesh dhe trishtimin e brengën për jetën e frikshme që iu desh të bënte në internim vetëm e vetëm se ishte e bija e dy prindërve që ishin shpallur të padêshiruar për regjimin dhe konsideroheshin armiq. Që në moshën dy vjeçare ajo përjetoi ferrin dantesk dhe pa me sytë e vajzërisë mllefin që villnin kundër tyre hardhucat komuniste.

Shkroi vjersha me një bukuri të veçantë dhe mjaft moderne për kohën. Gjithashtu, mbante një ditar dhe atje shënonte fraza nga shkrimtarë të mëdhenj që lexonte e që përkonin me mendimet e saj.

Nga kujtimet që kanë shkruar për të, më pëlqeu edhe një lirikë që poeti Agim Bajrami ia kishte dedikuar kohë më parë.

Ja si shkruan ndër të tjera ai;

“Rënkon një karro në të qarë

Dhe dridhet nga mërzia

Dy vetë po çojnë një vajzë në varr

E ëma dhe hafija…” etj.

Sa e trishtë dhe e dhimbshme kjo elegji. Më kujtoi për një çast ato krijimet gri të Edgar Allan Poes.

Poeti dëshmon se e ka pasur fqinjë Liri Belishovën, nënën e Dritës. Pra, duke qenë se ai ka lindur dhe është rritur në Cërrik e ka njohur nga afër Dritën, mund të kenë qenë bashkë me të edhe në një shkollë, sepse ajo atje jetoi bashkë me të ëmën si e internuar, kurse babain ia kishin burgosur.

Drita Çomo e prekur me një sëmundje të pashërueshme, vdiq aq e re dhe më e keqja, pa iu gjendur pranë asnjë dorë e ngrohtë, as ajo e nënës që nuk e lejuan kurrësesi t’i qëndronte pranë vajzës në çastet e fundit të jetës. Po i mbyll këto shënime të pakta për Drita Çomon me disa nga vargjet e saj;

“Pas xhamave të trenit kaloi një kumbull

Me lule të bardha mbuluar

Ish tepër e bardhë dhe tepër e bukur

Fatin e saj për ta duruar…”.

Nuk mund të lë pa përmendur rastin tragjik të dy poetëve që u pushkatuan, Vilson Blloshmit dhe Genc Lekês. Dy martirë, të cilët u jepnin mësim e dije nxënësve të shkollave dhe që regjimi i cilesoi tradhtarë dhe i ekzekutoi në mënyrë të pamëshirshme. Nje fund të tillë të tmerrshëm pati edhe poeti Havzi Nela. Faji i vetëm i këtyre njerëzve, me dashurinë për vendin e tyre dhe poezinë, ishte se lindën në kohën e gabuar e në rregjimin e gabuar. Faji i tyre i vetëm ishte të mos pasurit faj. Vilson Blloshmi shprehte fuqishëm ndjenjat e tij në poezi dhe mbase dhe poezitë ishin shkaku që regjimi bashkë me hafijet e sulmuan dhe e deshën të vdekur.

Po përse rregjimi i donte të vdekur këta njerëz të ndriçuar? Përse me një mijë mënyra dhe intriga, ua ndërpreu ëndrrat në mes? Ëndrrat që aspironin për një botë më të mirë e të lirë? Sepse ai regjim ishte si një gangrenë, që kishte pushtuar tërë vendin dhe e kishte mpirë, që ndjesitë dhe emocionet individuale ishin të pafalshme, duhej të përndiqej vetëm nje emocion i përbashkët kolektiv, ai i venerimit për partinë dhe udhëheqësit që ishin kthyer në merimanga të zeza dhe fshehur në pëlhurat e errëta prisnin dhe ekzekutonin viktimat e tyre për t’u thithur ndjenjat, mendimet e gjakun.

“Dhe zgjuar shpesh bashkoj unë mbrëmjen me mëngjezë…

Eh botë faqe-bardhe! Eh botë faqe-zezë!…”

(Nga poezia “Gjatë ditëve të kthjellëta”)

Vilson Blloshmi kishte një vizion të gjerë për jetën. Në vargjet e tij kishte hapësirë dhe frymëmarrje lirie dhe ishin emancipuese. Ndaj nuk ishin vargjet qe do të donte një regjim i kobshëm komunist, si ai që u instalua ne Shqipëri prej Enver Hoxhës dhe ndjekësve të tij. Ata nuk donin që njerëzve tu hapeshin sytë, sepse kjo mund të rrezikonte pushtetin e tyre.

Dhe sa poetë e artistë përfunduan sa hap e mbyll sytë nëpër burgje apo kampe internimi duke bërë punë të detyruar dhe duke ua prerë ëndrrat në mes. Faji i tyre i vetëm ishte vetëm kërkesa e lartë për artin, liria e shprehjes, dëshira e së vërtetës.

Savona, dimër 2023.

Ismail Kadare: Drita Çomo, një dritë që vjen nga humnera

Please follow and like us: