Albspirit

Media/News/Publishing

Frank Shkreli: Një zë nazifashist e antishqiptar nga qendra e Europës

Media të ndryshme rajonale dhe ndërkombëtare njoftojnë se në Beograd arriti për një vizitë dy-ditëshe, presidenti i Republikës së Çekisë, Milosh Zeman, ku u prit nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Pa zbritur ende në tokën serbe, udhëheqësi çek nuk mund të priste që të shprehte dashurinë e tij për Serbinë dhe urrejtjen shekullore fashiste të disa elementëve evropianë ndaj Kosovës dhe shqiptarëve, duke u shprehur se atij i pëlqente shumë Serbia dhe nuk i pëlqente aspak Kosova. (Unë besoj se përkthimi i vërtetë i deklaratës së tij duhet të ishte: “Unë dashuroj pa masë Serbinë dhe popullin serb, por urrej për vdekje Kosovën”). Këto komente kundër Kosovës dhe shqiptarëve, pasi në Kosovë shumica është shqiptare, Zemani i përforcoi pak më vonë gjatë një takimi me Vuçiçin, me një deklaratë tjetër kundër pavarësisë së Kosovës duke shtuar se me të kthyer në Pragë, ai do të japë urdhër që për një muaj të shqyrtohet mundësia, se çfarë mund të bëhet në lidhje me tërheqjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës nga Republika Çeke. Deklarata e Zemanit, pra nuk ishte një “gafë diplomatike” për të cilën ai njihet mirë në vendin e tij dhe në qarqet ndërkombëtare, por është një shprehje e menduar mirë dhe me paramendim, prej tij.

Fjalët e Zemanit duhet të kenë tingëlluar si një muzikë e preferuar dhe e këndshme në veshët e Vuçiçit dhe të ish-bashkëpunëtorëve të tjerë të kriminelit të luftës në Kosovë dhe në ish-Jugosllavi, Millosheviçit – nëpër korridoret e diplomacisë serbe, ku si gjithmonë, ashtu edhe sot, përpilohen politikat serbe më anti-shqiptare në takime me përfaqësues evropianë e rusë, të tipit Zeman. Mirë e ka thënë dikur At Gjergj Fishta i ngratë, për të cilin fatkeqësisht, urrejtja komuniste ndaj tij vazhdon ende në trojet shqiptare, trashëgimi kjo e pashlyer e historisë komuniste të Enver Hoxhës. Ai nuk gëzon as sot respektin e merituar të Tiranës dhe as të Prishtinën zyrtare, e jo më të Beogradit dhe të përfaqësuesve të Evropës dhe këlyshëve të Rusisë, si Aleksandër Vuçiç dhe Millosh Zeman. Ashtu si në kohën kur i ka shkruar këto rreshta At Gjergj Fishta, disa elementë të politikës evropiane edhe sot mbrojnë gjithnjë interesat e ‘klyshëve të Rusisë’, në kurriz të të drejtave dhe lirive të shqiptarëve:

Uh! Evropë, ti kurva e motit!

Që i re mohit, besës së Zotit!

Po, á ky asht sheji i qytetnisë?

Me da tokën e Shqypnisë,

Për me mbajt klyshtë e Rusisë?

Fatbardhësisht, me gjithë zhurmën që shkaktoi deklarata që bëri në Beograd presidenti çek, Zemani dhe Vuçiçi nuk kanë kompetenca që të tërheqin njohjen zyrtare diplomatike të Republikës së Kosovës nga ana e Republikës së Çekisë. Janë ente të tjera qeveritare në Pragë që vendosin një gjë të tillë, gjë nuk pritet të ndodhë, pasi kam besimin se në Pragë ka ende njerëz që janë të influencuar nga politikat pro-shqiptare euro-atlantike, të dy ish-udhëheqësve çekë të njohur, pro-shqiptarë: ish-Presidentit Vaclav Havel, simbolit të lirisë dhe të drejtave të njeriut në botë dhe ish-Sekretares Amerikane të Shtetit Madeline Albright, mbështetëses së fortë të Kosovës dhe të drejtave të shqiptarëve. Kontributet e tyre në mbështetje të drejtave të shqiptarëve në përgjithësi, janë të njohura, tanimë. Në raste të tilla, si kjo deklarata e Zemanit kundër Kosovës, duhet të na kujtojë se edhe sot, 30-vjet pas shembjes së komunizmit dhe 20-vjet nga ndërhyrja e NATO-s për çlirimin e Kosovës nga forcat kriminele serbe – ekziston nevoja për të kujtuar kontributin e miqve tanë me origjinë çeke: Vaclav Havel dhe Madeline Albright. Deklarata e papërgjegjshme e presidentit Zeman në Beograd na tregon edhe njëherë, se bota nuk është kurrë e sigurt, se të drejtat dhe liritë njerëzore janë gjithmonë në rrezik nga individë në detyra të larta si Zeman e Vuçiç.

Mendojmë se mori fund komunizmi, mori fund lufta në Kosovë e tani jemi në rregull. Asgjë nuk është e garantuar në këtë botë. Por ajo që mund të bëjnë shqiptarët në trojet e veta, është që të zgjedhin personat që do të mbrojnë, mbi të gjitha, interesat kombëtare, liritë dhe identitetin kombëtar të shqiptarëve, brenda kufijve të dy shteteve shqiptare dhe anë e mbanë trojeve shqiptare në përgjithësi, si dhe përforcimin e institucioneve demokratike në vend, në rrugën eventuale drejt integrimeve të plota euro-atlantike. Tjetër rrugë nuk ka për shqiptarët!

Si reagim i menjëhershëm ndaj deklaratave të Zemanit në Beograd, u takon enteve më të larta të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë që të bashkërendojnë një përgjigje të fortë diplomatike ndaj këtyre deklaratave të pa përgjegjshme të Presidentit të Republikës së Çekisë gjatë vizitës së tij zyrtare në Beograd. Si fillim, Ambasada e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës në Pragë të kërkojnë takime në Ministrinë e Jashtme të Çekisë për shpjegime në lidhje me deklaratën e papërgjegjshme të udhëheqësit çek në Serbi. Të njëjtën, të bëjnë ministritë e jashtme në Prishtinë e Tiranë, të ftojnë ambasadorët çekë atje dhe t’u paraqesin protestën zyrtare të qeverive shqiptare. Mos kini frikë! Çonju prej gjumi dhe mbroni interesat kombëtare! Eh, në duar të kujt ka mbetur fati i Kombit!

Ish-Presidenti Vaclav Havel, ndryshe nga Millosh Zemani i sotëm, ishte i mirëinformuar për vuajtjet e shqiptarëve gjatë shekujve, përfshirë periudhën e regjimit komunist të Enver Hoxhës. Ai ishte gjithashtu edhe një zë i shpresës për njerëzit e shtypur kudo, i cili aktivisht ka kritikuar politikën serbe të gjenocidit kundër shqiptarëve në Kosovë dhe ndryshe nga zemanët e kësaj bote, ka qenë mbështetës i vendosur i sulmeve ajrore të NATO-s kundër forcave kriminale të Serbisë për çlirimin e Kosovës. “Edhe më parë kam mbrojtur qëndrimin se komuniteti ndërkombëtar duhet të ndërhyjë sa më parë për të mbrojtur jetën e njerëzve nga arbitrariteti i shtetit”, ka thënë Vaclav Havel, në lidhje me sulmet ajrore të NATO-s kundër regjimit kriminal të Sllobodan Millosheviçit të Serbisë.

Unë për veten, preferoj të kujtoj trashëgiminë dhe miqësinë e politikës zyrtare çeke ndaj Kosovës dhe shqiptarëve, të promovuar nga i ndjeri Vaclav Havel dhe jo qëndrimet aktuale të Millosh Zemanit, në mbështetje të kriminelëve të luftës në Kosovë, shumë prej të cilëve vazhdojnë të shërbejnë në detyra të larta të shtetit dhe të qeverisë serbe, disa prej të cilëve ishin bashkëbisedues me presidentin Zeman, gjatë vizitës së tij në Beograd.

Pa marrë parasysh se ç’thonë dhe ç’mendojnë Vuçiçi dhe Zemani për pavarësinë e Kosovës, si pasojë e kësaj pavarësie, gjendja sot në Ballkanin Perëndimor është shumë më e mirë dhe më e sigurt për paqen në Ballkanin Perëndimor, se ç’ishte 20-30 vite më parë. Por kjo situatë nuk ndodhi vetvetiu. Ajo është zhvilluar falë – ndër të tjera – kontributit të patriotit të madh të Republikës Çeke, Vaclav Havelit, i cili me zërin e tij moral, gjithë jetën kundërshtoi dhe luftoi diktaturën komuniste në vendin e tij dhe në mbarë botën, si dhe padrejtësitë dhe shkeljen e të drejtave të njeriut kudo që ndodhnin ato. Është trashëgimia morale dhe veprimtaria e Çekut të Madh, Vaclav Havelit, që sipas Madeline Albright, “Ka treguar se një vend i vogël mund të ndryshojë shumë gjëra kur ka udhëheqësin e duhur me parime morale”.

Fatkeqësisht, në takimet e tij këto ditë me zyrtarët serbë në Beograd, presidenti aktual i Çekisë, Millosh Zeman me deklaratat e tija raciste anti-shqiptare dhe kundër pavarësisë së Republikës së Kosovës, ndryshe nga Vaclav Havel, tregoi edhe njëherë (kjo nuk është hera e parë që ai shprehet në këtë mënyrë), se ai nuk ka asnjë parim moral, as si njeri, e si presidenti Çekisë, jo se jo!

11 shtator 2019.

Please follow and like us: