Albspirit

Media/News/Publishing

Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj: Mësues Agim Ruka në vargje dhe këngë

Një jetë me punë dhe përkushtim

Agim Avdul Ruka ka lindur në Matogjin të Vlorës në vitin 1943, në një familje të njohur atdhetare të Smokthinës. Shkollën fillore e mbaroi në vendlindje dhe shkollën 7-vjeçare e përfundoi në Ramicë në vitin 1958 me nota shumë të mira, duke fituar një të drejtë studimi në shkollën e mesme pedagogjike në Vlorë. Me përfundimin e shkollës në vitin 1962 dhe diplomimin mësues, punoi disa vjet mësues në fshatrat e rrethit të Përmetit. Me fillimin e vitit 1970 emërohet mësues në shkollën 8-vjeçare “Sadik Zotaj” Ramicë, ku punoi pesë vjet rresht.

Në vitin 1975 u emërua drejtor në shkollën 8-vjeçare “Hamit Lumi” në Vërmik, ku njëkohësisht përfundoi me korespodencë Institutin Pedagogjik 3-vjeçar filialin Vlorë në degën Biologji-Kimi. Nga viti 1980, me hapjen e shkollës 8-vjeçare në Matogjin emrohet drejtor dhe punoi për shumë vjet deri në vitin 2004, kur doli në pension. Gjatë 40 vjetëve të punës në arsim është dalluar si mësues e drejtor për punë të mirë në edukimin e nxënësve, duke u vlerësuar për arritje në mësim me distiktivin “Mësues i dalluar”, si dhe medaljen “Naim Frashëri”.

Kudo ku dha mësim, si në shkollën e Ramicës, por dhe në Përmet, Vërmik e Matogjin punoi me përkushtim, përpiqej shumë që tema e shpjeguar të përvetësohej nga nxënësit brenda orës së mësimit. Ai ka dhënë lëndën e gjuhës e të leximit, si dhe mësim pune. Mësues Agimi shkruante bukur, por dhe këmbëngulte që nxënësit të shkruanin pastër dhe bukur. Ai ishte serioz në punë, por dhe njeri i humorit, i shakasë në kohë të lirë, me kolegët dhe nxënësit. Në shkollën e Ramicës ai drejtoi dhe grupin artistik të shkollës, ku dhe u vlerësua në mjaft konkurime zonale të grupit artistik të shkollës.

Për vitet e punës si mësues dhe drejtor mësues Agimi i kujton me mall ato vite sepse kanë qenë vite të një pune tepër intensive, të tendosur dhe me përgjegjësi para nxënësve dhe prindëve të tyre. Kolektivi i mësuesve ishte me djem e vajza 22 deri në 30 vjeçarë, të cilët të edukuar me ndjenjën e punës, të kolektivitetit humanizmin dhe sinqeritetit, bënë gjithçka për edukimin dhe mbarëvajtjen e të rinjve për studim dhe mësim. Ne, shprehte Agimi, ishim shokë e miq mes nesh, e donim dhe e respektonim njëri-tjetrin, por dhe aq e kritikonim hapur shokun e shoqen pa drojtje në mënyrë të sinqertë për gabimet në punë. Kritikën e bënim parimore dhe asnjëherë demigruese e tendencioze, për të përmirësuar punën. Në ato vite bëhej një jetë e gjallë dhe aktive me veprimtari shkollore e jashtë shkollore, veprimtari artistike, sportive dhe argëtuese në shkollë, por dhe në shtëpi të kulturës, në fushë e në ara ku punonin prindërit e nxënësve.

Mbledhjet e këshillit pedagogjik i zhvillonim të përgatitura mirë, të rregullta dhe serioze. Mbasi dëgjonin materialin e përgatitur nga drejtoria, mësuesit diskutonin të preokupuar për problemet e mësimit dhe të edukimit, jepnin mendime të pjekura për kapërcimin e vështirësive. Nxënësit e donin shkollën dhe mësimin, i donin dhe i respektonin mësuesit, ishin shumë të edukuar e të mirëkuptuar midis tyre. Edhe prindërit e nxënësve, me gjithë punët e shumta që kryenin, interesoheshin për mbarëvajtjen e fëmijeve në shkollë. Në ato vite bazë për shkollën shqiptare ishte trekëndëshi mësim-punë-kalitje.

Marshimi në dëborë

Kujton mësues Agimi: Ishte mars i vitit 1974 dhe gjatë gjithë natës vazhdoi të bjerë një dëborë e madhe. Në mëngjes qielli u hap dhe gjithçka zbardhonte. Rrezet e diellit thyeshin në bardhësinë e paanë. Nxënës e mësues u grumbullua në shkollë duke ‘goditur’ me njeri-tjetrin me topa bore. Mësues e nëxënës ju lutën drejtor Fuat Kokallaj për ta bërë këtë ditë marshim. Pas hezitimit se kishte shumë dëborë dhe mos ftoheshin nxënësit, u pyetën dhe nxënësit. Ata brohoritën një zëri ‘marshim, marshim”. U vendos të bënim marshim.

U bë organizimi i klasave në toga, ku në krye ishte mësuesi kujdestar dhe u nisëm me rregull e rresht, 100-200 m përpara toga e pararojës… Gjatë rrugës në dëborë Ramicë-Fushë Veçë-Maja e Sinane u dhanë disa variante taktike. Nxënësit vepronin me shkathtësi e gëzim. Nga të ecurit të gjithë u nxehën jo vetëm që s’ndienin të ftohtë, por djerësitën e në ecje hiqnin xhaketën e i merrnim në duar. Marshimi zgjati 4-5 orë vajtje-kthim, mësues e nxënës ndjeheshin të gëzuar e tepër të kënaqur. Marshimet në ditët me dëborë ishin shumë të bukura.

Mësues Agimi kujton me nostalgji eskursionet e piknikët që zhvilloheshin, mësues e nxënës, në muajin maj në sheshet e Kranaveli ku ndihej era e manushaqes së malit dhe e trëndelinës, apo mbrëmjet argetuese në shkollë për festa, ku ziente gëzimi dhe shakaja, vallëzonim e këndonim plot hare deri në orët e vona. Kujtimet e atyre vite mësuesin e ripërtrijnë i japin energji dhe e bëjnë më të ri…

Smokthinën e kemi nënë

Agim Ruka në librin “Meraku i babait” paraqitet vargëzues i thjeshtë popullor. Pasardhës i denjë dhe fisnik nga paraqitet këngëtar dhe i vallëzues i qazimademçe. Përmbledhja e vjershave del me ëmbëlsi nga porta e Ruke, kalon grykën e Meterizit, shetit në pllajën e Gjimoçicës, zbret në monopate dhe rrëpira dhe qëndron butë në valëzimin e detit Jon.

Agimi si mjeshtër në vargun popullor, nuk i vë korniza por e lë të rrjedhë lirshëm në letër dhe në këngë rreth oxhakut të këngës labe, pa pyetur dhe trembur nga kritikët që janë të shumtë dhe gjithmonë gjuajnë se ju pishet vargu… Dhe vjen një ditë që mblidhen në një libër e shpërndahet kënga dhe vargu popullor në miq e shokë. Kjo vjen sepse vargu popullor që është ndryshe nga të gjitha vargjet kërkon vendin dhe del në gryka, rrëpira, hone që i mbajnë iso dhe kënga del e begatë dhe frymëzuese. Në të gjitha vjershat popullore të shkruara, rapsodin popullor e mundon dhe shtërngon shumë meraku i babait, i të njohurve, i njerëzve të punës dhe të këngës.

Si bir i një krahine emërmadhe të Smokthinës, ai kërkon dhe gjen që cilësitë dhe virtytet e të përcillen në shekuj nga banorët e saj. Ai ndjehet krenar që të parët e tij dhe të krahinës kanë ngritur jetën në shkëmb dhe kanë qëndruar mes vështirësive dhe të luftës për mbijetesë. Poeti shpërthen dhe bën thirrje për vazhdimësi nga brez pas brezi, për dashuri dhe respekti për njeriun punëtorë, për këngë dhe valle në çdo shtëpi, dhe i dhëmb shpirti kur sheh shtëpitë, muret, ledhet që rënohen së pazoti.

Vargjet e tij bëhen me krah dhe fluturojnë kur muhabeti vazhdon shtruar me miq e shokë, kur dollia e kënga ndjekin njëra-tjetrën dhe jehona e isos labe nxjerr si gurgullimë nga gjokset e tyre vargëzimin “Smokthinën e kemi nënë”… Kështu Agim Ruka këngën nuk e ka ndarë në jetë dhe në vallen e tij që nuk rresht, ka futur të gjithë smokthinjotët, kudo që janë e që punojnë e jetojnë me djersën e ballit.

Vargje malli

Libri tjetër i Agim Rukës “Matogjin të përshëndes”, është një arritje tjetër e tij në si vjershërues popullor. Në çdo hap të vjershërimit ndeshesh me ngarkesën e “rëndë” të mallit të vendlindjes. Për të vendlindja është univers. Në Matogjin poeti ka kaluar fëmijërinë, e cila, si për këdo, dhe për të është motivi i pashtetueshëm poetik. Ky motiv poetik bën që vargjet e brishta, por të gatuar me erën e mirë të trëndelinës, të shpërthejë nga malli për shokët e rinisë. Ai kujton brinjat dhe rrëpira ku ka kaluar e luajtur, ku ka kënduar dhe mësuar nga librat… Matogjini, ky vend i begatë gjithmonë i sjell në kujtesë dhe i thur në vargje kolegët e punës, grimca nga jeta, miq dhe të afërmit, çdo gjë të thjeshtë të fshatit të tij malor.

Në vargun e tij ai sjell të moshuar, të rinj, figurave historike të krahinës, u këndon vajzave, grave, nënave dhe nuseve që u japin dritë deh lumturi shtëpive. Vendlindja për Agim Rukën është univers dhe atë e djeg ky mall, ku shprehet se “Më djeg në zemrën time, për malet, rrëpirat, për lulet që lulëzojnë sytë e nxënësve në to…”.

Matogjinin, të ëmblin dhe të bukurin fshat e quan “karafil e borzilok me vesë”. Në vjershat e tij ka një motiv të veçantë që gjendet tek Agimi, dashuria e madhe që ka për nxënësit e tij dhe për vitet e shumta të mësuesisë, duke parë dhe njohur sytë e nxënësve të tij. Nxënësit dhe shkolla për mësuesin veteran janë një botë më vete malli, që nuk shkulen nga kujtesa…

Për trimat e pushkës dhe birbilat e këngës

Libri tjetër i Agim Rukës “Fisi i Ruke në Smokthinë” na sjell burrat dhe gratë e mira të Matogjinit, por sidomos të fisit të Ruke. Duke lezuar këtë libër historik njihesh me vendlindjan e burrave lavdiplotë të penës, të këngës dhe të dyfekut, të diturisë dhe të historisë.

Libri përshkruan bëmat e kapedanëve Hito Rukë Ruka, Tartar Memush Ruka në Greshicë të Mallakastrës më 1847 kundër revormave të Tanzimatit që kishin marrë osmanët. Azbi Adem Ruka që ishte luftëtar në çetën patriotike të Çerçiz Topullit. Më tej vijon me këngën e famshme, brilanten “Qazimademçen” të Smokthinës, interpretuar nga bilbili, mësuesi i Ruke, nipi i Qazim Ademit, i papërsëritshmi Hysen Ruka.

Libri përshkruar dhe luftëtarë të tjerë të fistit si Idriz Qazim Ruka, një nga themeluesit e shkollës së xhandarmërisë shqiptare dhe mësues i saj, për të vijuar me Shahin Faslli Ruka, partizan dhe komisar i Brigadës III Sulmuese dhe Reiz Hamzo Ruka dëshmor i Atdheut.

Për historinë dhe kulturën e Smokthinës, siç shprehet dhe shkrimtari Albert Abazi, zemër Labërie e thelbatdhetarie, kisha mangët. Por këto njohuri i plotësoi nga libri i Agim Rukës, të përgatitur me përkushtim e përgjegjësi, me dashuri për vendlindjen e fisin e tij dhe aftësi profesionale. Ky fisnik e mësues i Matogjinit Agim Avdul Ruka ka realizuar një monografi të detajuar të fisit të tij.

Autori shkruan me dashuri dhe me krenari për Matogjinin, duke e cilësuar si “populli më heroik i planetit”. Ai ka të drejtë, pasi krenohesh me të famshmin Demir Ago Vlonjaku, të pavdekshmen Qeriba Derri, të madhërishmin Shevqet Musaraj, kapedanin Memush Smokthina e gjithë ata emra që janë gdhëdhur me gërma të arta në panteonin e Kombit.

Në vitin 1913 në Matogjin u hap e para shkollë shqipe nga qeveria e Vlorës, përkrah shkollës së Tërbaçit. Mësues ishte Halim Xhelo Tërbaçi. Vlerësim të madh për Matogjinin ka bërë vetë Luigj Gurakuqi, ministër i Arsimit i Qeverisë së Flamurit kur vizitoi Matogjinin në vitin 1913 duke thënë se “atje shkruanin e mësonin 14 vajza, ç‘emancipim”!

Please follow and like us: