Kryeministri i vendit tonë shtiret parimor e perëndimor, por në fakt është krejt e kundërta
Ndue Ukaj
Kryeministri i vendit tonë shtiret parimor e perëndimor, por në fakt është krejt e kundërta – është udhëheqës jo parimor e tipik oriental- i formuar me bindje dhe botëkuptime orientale.
E orientali shqiptar, siç na përshkruan Krist Maloki në analizën e tij të thukët “Oriental apo okcidental” të botuar në vitin 1937 te “Hylli i Dritës “në shpirtin e vet asht kryekëput rrënimtar, asht destruktiv”.
Dhe historia politike e Kurtit është kryekëput rrënimtare e destruktive.
Ai është tipiku i politikanit që ndryshe mendon, ndryshe flet dhe ndryshe vepron.
Kështu ka vepruar në opozitë dhe kështu vepron sot në krye të qeverisë.
Në vazhdën e analizës së Malokit, “orientali shqiptar është i zoti për të gjitha… turpet”.
Kosova e sotme është përbrenda gjitha turpeve politike: është mosmirënjohëse, e pabesë, duke zhvilluar një lojë politike të keqe që veç dobi s’mund t’i sjellë Kosovës.
Në të vërtetë, veprimet e tij kinse në emër drejtësisë, duke e izoluar vendin janë padrejtësia më e madhe që mund t’i bëhet Kosovës, historisë së saj, dhe më e keqja, një faturë shumë e shtrenjtë të cilën do ta paguajmë gjatë.
Ai dhe sejmenët e tij politikë sikur të flisnin me kaq afsh për Kosovën siç flasin për Serbinë, Rusinë, për bandat e për krimin, sikur fjalori i tyre të kishte më shumë fjalë krijuese e të matura, me siguri në vendin tonë do të kishte më shumë paqe, progres, liri, mirëkuptim dhe kryesorja – më shumë punë të vërteta.
Dihet, Serbia s’ka se si të punojë kundër nesh më shumë seç mund të punojmë ne për veten tonë.
Por, qeveria e jonë thellësisht orientale s’punon asgjë për vendin, është e ashpër, s’ka ideale zhvillimi, s’ka asnjë punë të madhe e as s’ka miq, prandaj puna e tyre kryesore vazhdon të jetë propaganda.
Dihet, viteve të 90-ta, dikujt u janë prishë ëndrrat për një çlirim pa përkrahjen e NATO-s, për një çlirim ngadhënjimtar të tipit partizan.
Kjo farë asokohe është provuar të hidhët në tokën e Kosovës, por s’ka mbi.
Njerëzit e këtij vendi duhet të vetëdijesohen se triumfet partizane s’kanë të bëjnë asgjë më liri, drejtësi, mirëqenie e përparim. Ato janë epshe ideologjike që sjellin izolim, despoti orientale, padrejtësi dhe si rrjedhojë, prapambeturi.
Please follow and like us: