Albspirit

Media/News/Publishing

Helena Kadare: Gruaja e lirë

Tregim

Sipas zakonit, po e prisja miken time malazeze, Brankën, në kafenenë tonë Sevre Babylone. Për të disatën here vështrova orën, por ajo po vononte. Njerëzit që nuk ia dalin dot të jenë në orar, përveç shqetësimit, më fusin në një pezmatim që e tregoja hapur. Nuk e di se si ndodhte me të, por sapo e shihja e harroja mërzinë që më shkaktonte. Megjithatë, s’më vinte fare mirë kur e dëgjoja që u thoshte të tjerëve duke qeshur: “Zemërimi i saj nuk zgjat kurrë më shumë se një minute e gjysmë”. Sepse ashtu ishte vërtet, ngaqë ajo ishte e parezistueshme. Në rrëmujë e sipër, pa më lënë kohë t’i gëzohesha, më tregonte me një frymë gjithë të rejat e jetës pariziane, librave dhe filmave të rinj që kishin dalë, të cilat ajo ia dërgonte një gazetë malazeze, me të cilën qe e lidhur me kontratë. Mes tjerash, shkëmbenim edhe lajmet për vendet tona fqinjë të Ballkanit. Gjatë të folurës na shpëtonin mjaft fjalëbtë përbashkëta, që ne i shqiptonim me thekse të ndryshme, ajo sllave e unë në shqipen time, por që gëzoheshim çdo here që “binim” në këtë ngjashmëri. “Janë fjalët turke të mbetura nga koha otomane”, thoshte ajo dhe qeshte me shqiptimin tim, sikurse unë me të sajin.

Branka kishte vite në Paris. E ardhur si studente në Sorbonë, ajo kishte rënë në dashuri e më pas martuar, me një student të arkitekturës, duke mbetur përfundimisht në Francë, pa i shkëputur asnjëherë lidhjet me vendin e saj. Ajo dërgonte rregullisht në gazetën e saj ngjarjet kulturore që ndodhnin në Paris, që nga ekspozitat e pikturës, shfaqjet teatrale dhe kulmin e kulmeve të aktivitetit të saj, festivalet e përvitshme të Kanës. Këto takime e bënin të njihte një pjesë të madhe të aktorëve të shquar, të cilëve nuk e di se me çfarë marifeti, ua fitonte zemrat, për t’iu marrë intervista, për të cilat ndihej, me të drejtë shumë krenare. Me të njëjtën lehtësi njihej me aktorët e dy teatrove kryesore, Théâtre du Châtelet dhe Théâtre de la Ville, që të dy përballë njeri tjerit, në krahun e majtë të Senës. Nuk ndodhte kurrë që ajo të mos sillte me vete ngjarje pikante, nganjëherë edhe skandale, nga jeta e tyre, por të treguara bukur dhe me një ton humori shumë ngjitës. Më kishte thënë në telefon se atë ditë do të sillte Karolin, të njohurën e saj polake, për të cilën nuk i shteronin lëvdatat. “Është fantastike, – më thoshte në telefon për të. – Kur ta njohësh, jam e sigurt që do të të pëlqejë. Jeni të dyja nga ish Lindja dhe keni për t’u marrë vesh për mrekulli. Ja, ke për të parë!…”.

Ndërkaq ora po kalonte dhe ajo s’po dukej gjëkundi. Ah, ia bëra me vete, ç’u ngatërruam kot me këtë polaken.

Më në fund, në anën tjetër të rrugës, mbi trotuarin e Hotel Lutecias, mes turmës më zuri syri shallin e saj të gjatë deri në fund të këmbëve, me aparatin fotografik të hedhur krahëqafë, që nuk e ndante kurrë nga vetja.

Ma bëri me dorë nga larg gjithë gëzim. Ato erdhën me nxitim drejt meje, mikja e saj e qetë, Branka vetë duke përsëritur atë frazën e njohur tashmë prej të gjithëve, ”trafikun e ngarkuar”.

E imtë, me flokë të zbërdhulët në ngjyrë kashte, polakja më zgjati dorën ngathtësisht, duke bërë të tringëllinin fort byzylykët e shumtë që mbante në të dyja duart. Ishte veshur bukur dhe me shije, gjë që binte sidomos në sy, krahasuar me veshjen e çrregullt e bohemë të Brankës. Sytë e saj në formë bajameje , ishin të bukur, por disi të ftohtë. Branka e kishte tepruar ca, me thënë të drejtën, sepse asnjë tipar i saj nuk më bëri për vete. Madje, dhe dorën ma zgjati pa m’i hedhur fare sytë. Ndoshta kjo gjë u bë edhe shkak i mospëlqimit tim. E kam tmerr kur takoj njerëz që nuk të shohin në sy.

– Epo, ja, kjo është Karolë, – ndërhyri Branka me zë të lartë, si të ishte duke më paraqitur një vepër arti.

– Kemi folur për ju, – thashë unë si pa mendje.

– Po, – u përgjigj tjetra. – Erdhëm bashkë për ju.

Biseda nuk po lidhej dot. Ose ajo ishte e shpërqendruar, ose unë refuzoja së brendshmi një afrim miqësor. Me vete po mallkoja këtë trill të Brankës, që donte me patjetër të ndante me mua të gjitha miqësitë e saj. Do të ndihesha shumë më mirë sikur Branka të kishte ardhur vetëm, sepse bisedat me të ishin përherë si një festë. Prej saj mësoja titujt e librave të rinj që kishin dalë në librari, filmat e sapodalë nëpër kinematë, shoqëruar me komentet e shtypit, gjera këto që i dinte me hollësitë më të mëdha, falë Pariseopit dhe revistave informuese, në të cilat qe abonuar.

Në telefon ajo më kishte treguar plot gjëra për këtë mikeshën e saj, pas së cilës qe shtënë kaq shumë. Polakja kishte ardhur në Paris që në kohën kur komunizmi ende s’kishte rënë. Kurse burrin, polak gjithashtu, e kishte njohur në Poloni. Ai jetonte prej kohësh në Paris dhe ishte si një lider shpirtëror apo mentor disident, për të gjithë intelektualët polakë që vinin në Paris, kryesisht edhe në saje të përpjekjeve të tij, që mbante marrëdhënie të mira me shtetin komunist. Gjithnjë, sipas thënieve të Brankës, ai banonte në një apartament madhështor të Parisit 16, trashëgimi e një tezeje të pasur, ardhur në Paris para revolucionit. Atje priste bujarisht të gjithë intelektualët polakë që kalonin andej, një pjesë e të cilëve me shërbim apo raste të ndryshme. Ishte ai që organizonte takime ndërkombëtare me ta, bënte përurime dhe hapje ekspozitash, apo thjesht ftonte me shpenzimet e veta, artistë dhe shkrimtarë të njohur, që nuk kishin mundësi të vinin vetë. Me një fjalë, ai ishte një star i vërtetë në komunitetin polak të Parisit. Kështu ishin njohur edhe me Karolën, kur ajo punonte si kuratore në muzeun më të madh të Varshavës. Sipas tregimeve të Brankës, të treguara me shpejtësi dhe rrëmujshëm, ajo e tyrja, kishte qenë një dashuri “coup de foudre”, siç e quajti ajo. Pritjet apo “partie”-të që organizonin ata në apartamentin e tyre luksoz, ishin të famshme. Miqtë polakë vinin lirshëm dhe ndiheshin mirë mes tyre, duke provuar pijet e mrekullueshme të kësaj bote që quhej Perëndim, gjera këto që nuk gjendeshin në Poloninë e atëhershme komuniste, sikurse plot të tjera.

Gjithçka që më kishte treguar Branka për të, më patën rrëshqitur nga kujtesa, siç ndodh me ujin në kurrizin e rosave.

Dhe prapë bëra pyetjen: Përse duhej ta njihja këtë grua? Asgjë e veçantë, asnjë interes apo kurreshti. Brankës nuk i pëlqeu kur nuk shfaqa ndonjë interesim për këtë takim që donte të organizonte, gjithnjë sipas parimit të saj, që njerëzit me ide dhe shije të përbashkëta duhej ta njihnin njeri-tjetrin. “Ajo tani është duke kaluar një periudhë të vështirë”, më foli ultas Branka. “Sepse miqtë e tyre polakë nuk i vizitojnë më si më parë. Ata tani mund të vijnë vetë, lirisht, pa problem, në Paris”.

Polakja iku në tualet dhe Branka më shpjegoi se burri i saj nuk ndihej më ai “stari” i dikurshëm, që ata e shihnin si të ishte perëndia mbi tokë. Ndaj edhe ajo ndihej keq, e braktisur. Karola u kthye dhe pas një çasti i ra telefoni.. Cherie, më foli Branka me zë lutës, kur tjetra nisi të fliste në celular. “Ne jemi të huaj në këtë vend. Duhet ta përkrahim dhe ta mbështesim njeri-tjetrin”.

Desha sinqerisht ta qetësoja miken time, por nuk po mundja. Ja që s’po më ngjiste mikja e saj polake. Edhe vuajtja e saj, siç po ma shpjegonte Branka, s’më bëri ndonjë përshtypje.

Më duhet ta pohoj. Ishte një takim i dështuar. U ndamë në krye të një ore. Ajo me pamjen e saj apatike, unë, jo e lumtur, natyrisht. Në mbrëmje i telefonova Brankës. “Përse duhej ta çonim dëm këtë pasdite”?

-Dëgjo,- më tha Branka, këtë here aspak e ngutur, siç e kishte zakon. – Bëhu më tolerante. Mundohu të kuptosh, mos e paragjyko. – Dhe prapë nisi të shpjegojë përse ajo nuk më bëri atë përshtypje që priste nga unë. Dhe, si për ta bërë dramën të pranueshme, më tregoi për të shoqin. Ai kishte mbetur pa kurorën e tij, pa aktivitetet apo interesat e tij të dikurshme. Ai tani ishte dhënë pas pijes dhe qe bërë arrogant dhe i padurueshëm. Ndaj dhe miqtë e tyre nuk kishin më dëshirë të rrinin në shoqërinë e tyre, përfundoi ajo gati me hakërrim.

-Atëhere përse duhej ta njihja edhe unë? – thashë.

-Sepse është një grua që ka vlera, – m’u përgjigj ajo.- Që ta ndihmonim të ngrinte kokën. Nuk e pe se sa e trishtuar ishte?

Nuk doja ta mërzisja më tej Brankën. E mbyllëm telefonin duke lënë mundësinë e një takimi tjetër, për të parë një shfaqje në teatrin “Antoine”, ku kishte gjetur edhe biletat.

***

Kishin kaluar dy vjet nga ajo pasdite dhe unë pothuaj e kisha harruar atë takim. Isha duke u endur nëpër katet e librarisë Fnac, në Rue de Rennes, kur në katin e dytë u ndodha ballë për ballë me Karolin. Nuk e njoha menjëherë. Ishte dhe s’ishte ajo që kisha takuar së bashku me Brankën. Përherë me flokë si të zbërdhulët nga dielli, por e veshur thjesht dhe pa ato bizhutë farfuritëse, që i tringëllonin dikur në çdo lëvizje të duarve. Në të vërtet, i tërë luku i veshjes së saj nuk e kishte aspak atë shkëlqimin që mbaja mend nga takimi i dy viteve të shkuara. Në vend të tyre kishte veshur një palë pantallona bluxhins, me një pulovër blu, që ia nxirrnin në pah ngjyrën e kaltërt të syve, që, ndryshe nga hera tjetër, kishin brenda tyre diçka përndritëse.

– Dukeni mirë, – i thashë. – Herën tjetër ishit pak e lodhur.

– Po, mirë jam, – buzëqeshi ajo, duke kaluar me një gjest të shpenguar, dorën në flokët e saj të hollë.

Vura re se gishtat i kishte të pa mirëmbajtur dhe pa manykyrin e dikurshëm. U duk se nuk kishim se çfarë t’I thoshim më shumë njera tjetrës. Befas ajo më tërhoqi nga krahu, për t’i lënë rrugën një karroce të ngarkuar plot me libra.

– Ah, ja ku paska dalë libri i Domenique Tapisë, – tha duke vështruar nga pirgu i librave që po largoheshin. Ka gjetur një titull të mirë “La furreur de vivre” (Tërbimi për të jetuar). Flet për të shoqin, Bernardin.

-Po, – ia bëra pa vëmendje.

Tërë ato ditë vetëm për këtë libër po flitej në media.

– Dëgjova se gruaja e Bernard Tapisë e ka shkruar bukur këtë libër, për të shoqin, – tha.

Unë ngrita supet.

– Në jetën time, gjithashtu, kanë ndryshuar shumë gjëra, – dëgjova zërin e saj që e përthithi zhurma monotone e shkallës elektrike.

– Ashtu?

– U ndava nga burri me të cilin jetoja. Ju kujtohet ajo bisedë…

M’u duk sikur donte të thoshte diçka më shumë, por e ndërpreu në çastin e fundit.

Në sytë e saj pashë një dëshirë të dukshme për të folur.

– Më vjen keq, – thashë.

Ishte një frazë idiote. Sa shumë njerëz ndaheshin në këtë botë! Pse do më vinte aq keq? Çudi, mendova. Herën e fundit që u pamë, ishte si një tjetër grua. Disi e ftohtë dhe indiferente. Më qe dukur nga ato gra që duan të imponojnë opinionin e tyre dhe s’duan të dinë çfarë ju thua. Shkurt, nga ata njerëz me të cilët nuk ke dëshirë të rrish.

Ajo, sikur ta kishte lexuar mendimin tim, më kapi nga krahu, në mënyrë miqësore.

-E di, e di, çfarë jeni duke menduar, – tha. – Ishte një kohë që gjithçka më acaronte. Nuk isha në vete dhe e kuptoja që edhe të tjerët më shmangeshin. Nuk e kisha veten në dorë… Por…,- ajo më vështroi në sy.- Iku ajo kohë. Tani dua të rikuperoj atë që kam humbur…

Ishim afruar ndërkaq te shkalla elektrike. Kishte shumë njerëz që zbrisnin drejt arkës së pagesës dhe biseda jonë u ndërpre. Kur u gjendëm në fund, nga xhamat e mëdha pamë se jashtë kishte filluar shiu. Trotuaret ishin lagur dhe rrëke të holla uji po nxitonin drejt pusetave.

-A keni kohë të pimë një kafe? – pyeti ajo papritur.

U ktheva e gjitha drejt saj. Sytë i kishte të lëngëzuar, me një butësi lutëse Brenda tyre, thua se ajo kafe që do të pinim së bashku, do ta shpëtonte nga një barrë e padukshme. Dukej çiltas që e donte këtë.

Në rastin e saj ishte normale të donte të fliste me dikë. Ku do të gjente ajo një njeri më të përshtatshëm se unë, një grua thuajse e panjohur për të, t’i hapte zemrën dhe t’I besonte ndoshta një brengë të fshehur? Lehtësuese ose jo për të kjo ndarje, vjen një moment dhe njeriu gjithmonë ka nevojë të gjejë dikë dhe të flasë…

-Pse jo, – dëgjova veten që po thosha.

Nisëm të ecnim me supe të mbledhura në trotuarin e lagur në kërkim të ndonjë kafeneje. Nga një shi i imët, si i sprucuar, gjithçka u kthye në rrebesh. Pa u menduar gjatë, vrapuam dhe u futëm në kafenenë e parë që na doli përpara. Salla ishte e mbushur plot. Ca nga shiu, ca ngaqë ishte kohë dreke, të gjitha tryezat ishin të zëna.

Një kamerier i ri i buzëqeshur u shfaq nga larg dhe na e bëri me dorë të afroheshim. Tryeza që na ofroi sapo ishte liruar. Kamerieri hoqi me shpejtësi një filxhan çaji të porsa pirë dhe fshiu me pecetë, diçka që s’ekzistonte. E falënderuam dhe u ulëm.

Ajo hoqi pardesynë e lagur dhe e hodhi pas karriges, pa ndonjë kujdes. Pastaj, me të njëjtin gjest, që e mbaja mend mirë, kaloi dorën mbi flokët e rrallë, me atë ngjyrën e zbehtë të kashtës. Vura re se në gishtat e saj të gjatë, mungonin unazat e shumta që mbante dikur. Nxori celularin që po i binte dhe nisi t’i fliste dikujt me zë të ulët.

Unë vështrova jashtë. Kalimtarët e zënë në befasi kishin ndaluar nën strehën e stacionit të autobusëve të linjës, duke parë me padurim nga rruga, me shpresën e ndonjë taksie. Por taksitë, si zakonisht, në Paris, sidomos në kohë shiu, ishin të pagjetshme. E thamë këtë njëzëri, si të kishim zbuluar papritur diçka të re. Ra telefoni përsëri dhe ajo uli kokën dhe filloi të flasë ultas.

-Më falni,-ia bëri me një gjest të dorës. – Po flas me vajzën. Ka mbaruar orët e mësimit dhe është kthyer në shtëpi…

Tunda kryet për t’i thënë “vazhdo, s’ka problem”.

Në sallë ishte shtuar rrëmuja. Një pjesë e njerëzve të futur rastësisht, shikonin përreth në kërkim të ndonjë tryeze. Përballë, një burrë i moshuar kishte hapur gazetën Le Monde, pa e prishur terezinë që e kishte mbaruar ndërkaq kafenë e tij. Njerëz të tjerë prisnin në këmbë. Në titujt e sipërm të gazetës së burrit përballë, më zuri syri fjalën Ukrainë. Në ekranin e televizorit varur në mur, gjithashtu po flistej diçka për Ukrainën.

Përse vallë do të më flasë? thashë me vete. Të gjitha ndarjet janë të dhimbshme, në njëfarë mënyre. Edhe ato më të goditurat. Por fytyra e saj s’m’u duk se tregonte ndonjë mërzi, as ankth. Madje, pata përshtypjen se ishte bërë më e bukur nga ç’e mbaja me mend.

Kalova gishtin në xhamin e mbuluar nga avulli të dritares. Pashë shiun që s’kishte ndërmend të pushonte dhe po vrisja mendjen se si do të mund të kthehesha në shtëpi, kur asnjeri nga autobusët e linjave që ndalonin në atë stacion, nuk i afrohej adresës sime. Vështrova gruan. Nuk m’u duk aspak e nxituar.

Ajo mbylli më në fund telefonin, e hodhi në çantë, pastaj prapë e nxori dhe me një gjest të vendosur, e mbylli përfundimisht.

– Ja, e mbylla, – tha. -Tani mund të flasim qetë.

– Ndihet lufta atje tek ju, – pyeta, pa ia ndarë sytë ekranit të tv, ku po jepeshin pamje të bombardimeve. – Si është e mundur kjo? – pyeta. – Ju jeni edhe fqinjë me Ukrainën, apo jo?

– Ndihemi të rrezikuar, natyrisht, – tha.

– Isha para dy javësh në Varshavë. Njerëzit të shqetësuar ishin, por lavdi Zotit, jemi në NATO.

Foli këto, por në sytë e saj nuk pashë ndonjë shqetësim kushedi se çfarë.

– E di si është puna? – tha. Sytë e saj u gjallëruan në një mënyrë të çuditshme, por pa alarm. – Tmerr është lufta vërtetë. Por më besoni, asgjë nuk është më e tmerrshme sesa jetesa me një njeri që nuk e do më. As lufta vetë!

Hapa sytë me habi.

– Nuk mund ta thoni këtë, – kundërshtova.

Ajo tundi kryet.

– Jemi në kohë dreke, – shtoi si të mos kishte dëgjuar fjalët e mia. – Tani as taksi nuk gjen dot më. Po sikur të porosisim diçka të lehtë e të drekonim bashkë? – pyeti gati me lutje. – Keni ndonjë angazhim tjetër?

Unë ngrita supet në mëdyshje. Ajo shtyu me bërryl filxhanët e boshatisur të kafesë që kishim pirë dhe kërkoi me sy miratimin tim.

Burri që mbante në duar gazetën me lajmet e Ukrainës, po sherrosej me kamerierin, që nuk i kishte sjellë atë që kishte porositur. Kamerieri fshinte duart me përparëse, pa e humbur aspak buzëqeshjen e tij.

– E di që nuk u ndamë mirë atë ditë që erdha me Brankën, – vazhdoi ajo.- E marr me mend sa përshtypje të keqe lashë tek ju, por isha aq e dëshpëruar, aq përtokë… Në atë kohë po jetoja një ferr të vërtetë.

M’u kujtua ajo ditë dhe ndjeva Brenda vetes shijen e keqe të kujtimit të saj. E vështrova përsëri si me habi. Asgjë tek ajo nuk i ngjante kujtimit të asaj dite. Sytë i kishin marrë një ndriçim të tjetërllojtë.

Nuk kishte brenda tyre as zemërim, as acarim. Ishte thjesht shikimi i një njeriu që kërkon paqe dhe mirëkuptim. Madje në çast m’u duk se kërkonte ndihmë për ta arritur këtë. Rrallë më ka ndodhur në jetë që të ndërroj mendje kaq shpejt për dikë që deri pak më parë s’më kishte ngjallur asnjë simpati. Përkundrazi. Brenda vetes mezi kisha pritur të ndahesha prej saj.

-Në rregull,- thashë. -Po drekojmë bashkë.

Ajo i bëri shenjë me dorë kamerierit gazmor e të patrazuar fare nga gjullurdia e kafenesë. Ai erdhi i hareshëm.

– Chèvre chaud me sallatë jeshile, – tha.

– Si thoni, marrim nga një të tillë? Apo doni diçka tjetër. Jeni e ftuara ime sot.

Mesa duket unë bëra një gjest kundërshtimi, se ajo pa më folur fare, m’i kapi vetëtimthi gishtat e dorës mbi tryezë.

– Të lutem, kam arsye për këtë ftesë, – tha me një buzëqeshje të gjerë e të çiltër që nuk pranonte asnjë kundërshtim.

– Sot është dita e parë e lirisë sime, – tha me një lloj triumfi. – Sapo mora divorcing në gjykatë. Ka kaq ditë që po e prisja. Eh, gjyqet! – ia bëri me një lloj psherëtime lehtësuese.

– Edhe dy gota verë të bardhë, – i thirri nga prapa kamerierit gazmor që po largohej duke xhongluar si acrobat tabakanë që mbante në njërën dorë.

– Ta festojmë, – tha.

Ishte si në delir dhe nuk përpiqej aspak ta përmbante këtë ndjesi. Sytë i ndrisnin nga një hare e brendshme dhe, pakuptuar, humori i saj ngjitës më kaploi edhe mua. Krejt papritur ajo filloi të tregonte për prindërit që i kishte në Varshavë, për vajzën dymbëdhjetëvjeçare që gjyqi ia kishte lënë kujdestarinë asaj dhe për lumturinë që i shkaktonte kjo gjë. Sepse nuk kishte qenë aspak e lehtë, ngaqë e bija kishte nënshtetësinë franceze dhe jo polake, siç e kishte ruajtur ajo të sajnë. Foli pastaj për të, që po hynte në adoleshencë, për preokupimin e saj kur e shihte se si vajzat në shoqëritë e sotme rriteshin më shpejt se ç’duhej, për prirjet dhe kapriçiot e saj të moshës, duke më pyetur tërë kurreshtje se si e kishin kaluar vajzat e mia këtë periudhë kaq delikate. Foli edhe për kolegët dhe galerinë e saj të vogël të artit që mbante hapur në rrugën Mazarinë.

Një çast pata përshtypjen se kisha gjetur një shoqe shkolle me të cilën kishim kohë pa u parë. Dukej qartë që ajo ndihej mirë që fliste dhe që dikush e dëgjonte. Po zgjonte kështu brenda vetes atë pjesë të shpirtit që, me sa dukej, i rrëshqiste arsyes. Ndërsa ajo fliste, unë po thosha me vete sesa të padrejtë bëhemi nganjëherë kur i gjykojmë të tjerët me lehtësi dhe pa kokëçarje se çfarë mund të ketë pas fasadës së tyre. Kur edhe vetë, që kujtoja se isha mirëkuptuese dhe tolerante ndaj të tjerëve kisha rënë kokë e këmbë në këtë kurth.

Jashtë shiu i rrëmbyeshëm ishte shtruar dhe udhëtarët që deri pak më parë gëlonin te stacioni i autobusëve ishin zhdukur sikur t’i kishte përpirë dheu. Gjithsecili e kishte gjetur mënyrën për t’u larguar prej andej.

Pashë orën. Ajo më vështroi me shqetësim.

– Jeni vonuar për në shtëpi?

Unë buzëqesha.

– Jo, jo… aspak.

– Mos më thoni jo. E njoh fort mirë këtë lloj ankthi. Deri ca kohë më parë edhe vetë isha e tillë, plot tension dhe meraqe. Kudo që ndodhesha vështroja orën, për të qenë korrekte në detyrat e familjes… Tani më vjen çudi si kam shpëtuar nga të gjitha këto…

– Nuk e kam këtë problem, – thashë duke qeshur. – Pastaj çdo gjë është relative në këtë botë. Nuk besoj se ka qenë përherë e tillë situata për ju….

Pashë një lloj trazimi në fytyrën e saj, nga pyetja që i bëra. Vështrimi iu zbut dhe ajo valë entuziazmi që e kishte mbajtur deri atë çast sikur e la.

– Në të vërtetë, – belbëzoi, – jo, s’ka qenë kështu. E kam dashur më shumë se veten time atë burrë. – Zgjati kokën drejt meje mbi tryezë, si të donte të më besonte një sekret. – E kam dashur shumë, – përsëriti. – Shumë fare. Në Poloninë tonë të para viteve `90, ardhja e dikujt nga Parisi ishte ngjarje… Ju i njihni këto sjellje, këto zakone, apo jo? Socializmi ishte i njëllojtë për të gjithë ne. Për gjithë kampin…

Qesha me vete. Ndoshta edhe më keq tek ne, mendova heshturazi.

– Bota e këtejme ishte për ne diçka magjike, e paimagjinueshme. Ishi im kishte marrëdhënie të mira me shtetin polak të asaj kohe. Ai vinte shpesh në Varshavë, duke sjellë me vete atë frymë lirie që e ëndërronim të gjithë. U njohëm atje, kur unë punoja si moderatore e Muzeut Nacional. Dhe u dashuruam. Kur ai e bindi shtetin komunist të martohej me mua e të më merrte me vete, të gjithë miqtë e mi e quajtën këtë një fat të rënë nga qielli. Por edhe një shenjë të mirë hapjeje, gjithashtu. Unë vetë, vetëkuptohet. Dhe kohët e para ishin si një ëndërr. Por edhe ai ishte tjetër njeri. I nderuar, i përkëdhelur nga të gjithë…

– Po çfarë ndodhi që ndryshoi? – pyeta me padurim.

– Ndodhi ajo që ndodhi. Kohët ndryshuan dhe ai pushoi së qeni perëndia, ylli që na ndriçonte. Me rënien e komunizmit mori fund edhe statusi i tij, aureola që mbante mbi krye… Thjesht u bë i zakonshëm… u bë si të gjithë ne, kaq. Nuk se ndodhi ndonjë hata. Më kuptoni? Nuk e përballoi dot këtë “rrëzim”, nëse mund ta quaj kështu. Filloi ta humbte durimin dhe t’i dukej vetja pa autoritetin dhe vlerat e dikurshme. Nisi të pinte, të humbte kontrollin, të sillej arrogant me të gjithë. Me miqtë e dikurshëm krijoi acarime të pakuptimta. Nuk njihej më. Ishte diçka e tmerrshme, e papërfytyrueshme. Një moskuptim total. Edhe me vajzën po ashtu, keq filloi të sillej edhe me të. Jo, s’ishte më ai që kisha njohur në Varshavë. Ndaj edhe miqtë e dikurshëm po na braktisnin. Nuk kishin më dëshirë të na vizitonin.

– Po tani, me të jeni? – pyeta me panik, thua se çdo qasje e mëtejshme me atë njeri do ta shkatërronte përfundimisht.

– Po jooo, – buzëqeshi ajo me hidhërim. – Sigurisht nuk jemi më bashkë. Tani jetoj vetëm. Me vajzën, natyrisht. Ndaj ju tregova se nuk jam më ajo që keni njohur kohë më parë. E marr me mend se sa keq më keni gjykuar pas asaj dite. Kur erdha me Brankën tek ju nuk isha në vete. Merrja qetësues dhe kishte ditë që s’doja të ekzistoja fare, të zhdukesha nga kjo botë.

Mua më shpëtoi një psherëtimë. Ajo më vështroi ngultas. Sytë i morën një çast dritën e verdheme të semaforit që ndriçoi përtej xhamit.

– E kuptoj gjykimin tuaj, – tha ajo, pa arritur që unë të shqiptoja një fjalë të vetme. – Por, më besoni, gjithçka ka qenë shumë e dhimbshme. Ne, të ish-Lindjes, siç na quajnë, kemi provuar plot gjëra të vështira, të hidhura gjithashtu, por divorci është një tmerr, më besoni. Nga shumë pikëpamje. Ika prej tij nga sytë këmbët derisa të merrte fund procesi gjyqësor që zgjaste e zgjaste pa pushim.. Një mundim më vete edhe ai. Me ndihmën e miqve arrita, më në fund, të gjej një apartament të vogël, diku në periferi…

– Ah, – thashë duke qeshur me shpoti. – Nuk jeni më në apartamentin madhështor, që Branka s’e hiqte nga goja?

– Ai, madhështori… – ndoqi ajo tonin ngacmues të pyetjes sime. – Pikërisht në lidhje me të desha t’ju tregoj diçka të çuditshme që më ndodhi sot, – shtoi, duke I mëshuar aksentit të saj sllav, që këtë herë m’u duk shumë simpatik. – Ja, kështu, gjeta dy punëtorë polakë nga ata të emigracionit tonë këtu. Pjesa më e madhe e emigrantëve tanë këtu janë njerëz të shkolluar, të diplomuar. Ju e keni idenë se si janë këta bashkëpatriotët tanë, që vijnë e punojnë këtej ku të mundin. Ata e shtrojnë kurrizin në gjithfarëlloj punësh, normal, është lufta për ekzistencë. U kërkova atyre të më shtronin ca pllaka në kuzhinë e në banjë dhe t’i jepnin shtëpisë një lyerje, ngaqë ishte në një gjendje të mjerueshme. Më ndihmuan sa mundën, të gjorët. Dhe tani dua të të tregoj diçka për të kuptuar tamam gjithë atë për të cilën të fola deri tani, – u gjallërua ajo, pa e braktisur tonin hokatar me të cilin nisi tregimin.

Befas vura re se ne e kishim braktisur atë “ju”-në formale e aq të detyrueshme franceze dhe po i flisnim njëra-tjetrës me “ti”, në mënyrë të natyrshme, pa kërkuar miratim për këtë.

Gjithmonë më qe dukur një marrëzi krejt e pamundur që dikush t’i kërkojë tjetrit që ta kuptojë. Tani po provoja të kundërtën. E vështrova gjatë në sy.

– Sot? – pyeta.

– Po, sot. U zgjova herët në mëngjes, me mendimin që të pastroj rrëmujën e paslyerjes. Por nuk po më hapeshin sytë. Isha e përgjumur dhe doja të rrija sa më gjatë ashtu. Veç një moment lëviza anash dhe me sy gjysmë të mbyllur, pashë dyshemenë e mbuluar me fletë gazetash, që kishin lënë bojaxhinjtë e mi polakë. Mbylla sytë e u shtriqa në shtrat, me një ndjesi të çuditshme vetëkënaqësie. Pas pak u ndërgjegjësova dhe pyeta veten: gjithë ajo rrëmujë përreth dhe… Po përse gjithë kjo lumturi e madhe që më kishte kapluar? U përmenda plotësisht dhe mendimi i parë që më erdhi ishte ishte ky: Jam e ndarë! Jam e lirë dhe jam e ndarë!

Lumturia ishte aq e dukshme dhe e prekshme në fytyrën e saj, sa fillova të qesh bashkë me të.

– Me siguri e ke të vështirë të kuptosh përmasën e kësaj që po them. Gjithë këta muaj dhe këto vite mbytëse, të rreme, pasigurie… – Ajo heshti, i hodhi një vështrim të shkujdesur telefonit që po binte në çantë dhe mblodhi buzët. – Të dukem e çuditshme, ndoshta. Ndoshta edhe disi budallaqe. Kështu?

– Jo, s’më dukesh ashtu, – thashë sinqerisht.

Zgjata dorën dhe bëra një gjest të pazakonshëm. Kapa majat e gishtave të saj, që po pushonin mbi tryezë. Dukej e zbehtë, por e qetë, si të kishte rënë në një paqe totale me vetveten.

– Jam e lirë, – përsëriti ajo.

Jashtë kishte filluar të binte mbrëmja. Një muzg i kuqërremtë ndehej i varur tej pullazeve të godinave përballë. Shiu kishte pushuar dhe anës trotuareve filluan të ndizeshin fenerët e natës. Kafeneja ishte mbushur me klientë të rinj. Ata që gjetëm ishin larguar ndërkaq njeri pas tjetrit. U ngritëm edhe ne përtueshëm dhe dolëm në rrugë. Aty në këmbë shkëmbyem numrat e telefonit dhe premtuam të shiheshim sërish. Sa më shpejt, tha ajo.

Zgjata dorën për t’i thënë lamtumirë. Ajo hezitoi një çast, nuk e preku dorën time. Hapi krahët edhe më përqafoi gjatë, pa thënë asnjë fjalë.

* * *

Tre muaj më pas, një mbrëmje vonë, kur ndodhesha në Tiranë, ra telefoni. Një zë i kumbueshëm, përzier me fishkëllima ere, më goditi në vesh.

– U vonove më shumë nga ç’më kishe premtuar, tha zëri. – Ajo Tirana jote ta mori mendjen fare… Më dëgjon? Karoli jam.

Ia plasa gazit.

– Lavdi Zotit që kemi whatsApp-in tani, nuk më shpëton dot, – foli ajo gjithë gëzim.

Përsëri zhurma ere. Fishkëllima.

– Dreq, nuk punon mirë interneti, – thirri ajo. – Mbylle dhe po të marr prapë.

Ra zilja përsëri dhe unë me celular në vesh dola në ballkon.

– Po nisem në Varshavë me gjithë vajzën, – foli zëri që përtej. – Më kanë propozuar atje një vend pune në Ministrinë e Kulturës. Gjithmonë në sferën e muzeve. Atë që di të bëj më mirë.

E urova me gjithë zemër.

– Desha të të falenderoj edhe një herë për atë mbrëmje që kaluam së bashku… Që më dhe mundësinë të flas aq shumë dhe, sidomos, aq lirshëm si kurrë ndonjëherë.

Zëri u ndërpre, linja u këput.

Një copë herë mbeta në pritje, me telefonin në dorë. Mundësinë që të flas, përsërita me vete fjalët e saj. Çfarë mundësie? Ajo kishte folur vetë, pa ndihmën time. Zëri i saj melodioz më buçiste ende në vesh. Linja nuk u lidh më.

Mbështeta bërrylat në parvazin e ballkonit dhe vështrova jashtë. Që nga larg vinin tingujt e një koncerti që po jepej në sheshin Skënderbej. Një curril i hollë uji rrëshqiti nga ballkoni i komshiut lart që, me sa dukej, po ujiste lulet. U përplas një derë dhe u dëgjuan të qeshura grash.

Drita konike e një prozhektori të fuqishëm çau errësirën e qiellit dhe lëpiu rrëshqitazi fasadën e pallatit përballë. Në rrugë kaloi me shpejtësi një autoambulancë e urgjencës me sirenën e saj të njohur dhe dritën blu të ndezur mbi krye. Ajri i hollë dhe i freskët që po zbriste nga mali i Dajtit më përshkoi trupin me një rrëqethje të lehtë.

Karol, thashë me vete. Para syve më doli fytyra e saj e zbehtë atë pasdite rrëfimi, tek fliste në delir, si të ishte çliruar nga një demon i padukshëm. Hodha vështrimin në kopshtin e errët të ambasadës poshtë ballkonit dhe mora frymë e lehtësuar.

Mbrëmja e nxehtë e qershorit, po mbështillte ngadalë dhe ëmbëlsisht Tiranën e zhurmshme që, mesa dukej, nuk po donte ende të qetësohej.

 

ExLibris, 24 QERSHOR 2023

 

Please follow and like us: