Albspirit

Media/News/Publishing

Imazhi i hebreut shqiptar në artin europian

 

Melsen Kafilaj- Studiues

Imazhi, karikaturizimi dhe “portretizimi” i hebrenjve në Artin Europian është një fenomen i cili daton të paktën që nga koha e Mesjetës. I përdorur shpeshherë negativisht për qëllime ideologjike, propogandistike dhe politike nga ana e Kishës Katolike, asaj Protestante, por edhe prej institucioneve të tjera, arti do të shërbente përulshëm si një instrument i bindur në dorën e të Fuqishmëve për të stigmatizuar, diskretituar dhe përçunduar fytyrën, identitetin dhe dinjitetin e më të Dobtëve dhe më të Pambrojturve.

Por krahas fenomenit të lartpërmëndur, duke nisur me Rilindjen Europiane dhe novacionet e saj një fenomen i ri do të përhapej: shfaqja e kërkesave për të pasur një portret personal në shtëpitë hebraike. Kjo ishte një zhvendosje ideore tepër domethënëse. Tashmë jo vetëm Pushteti mund të porosiste një vepër arti për qëllimet dhe kënaqësitë e veta por edhe Individi. Pasja e një portreti artistik gjatë kësaj periudhe ishte shënjë treguese e kulturës së lartë dhe e emancipimit; një luks që vetëm familjet apo individët e pasur mund ta kishin. Siç informohemi prej dijetarit, rabinit dhe poetit të Rilindjes Leone da Modena “hebrenjtë gjatë kohës së tij zotëronin portrete në shtëpitë e tyre, madje edhe portreti i tij ishte realizuar prej një piktori të njohur jo-hebre”.

Pohimi i Modenës na konfirmon gjithashtu faktin historik që shumë hebrenj të shquar (mjekë, rabinë, këshilltarë, dijetarë, tregtarë të pasur, filozofë, etj) gjatë shek. XVI e në vijim do të pozonin për një sërë piktorësh të famshëm të krishterë në vende të ndryshme të Europës si Itali, Holandë, Francë, Gjermani, Britani e Madhe, etj. Shëmbulli më tipik për ta ilustruar këtë fakt është piktori i madh holandez Van Rijn Rembrandt. Historiani britanik i artit Alfred Rubens konstaton me kompentencë të plotë se “piktori i madh jo vetëm që do ta kishte tematikën bibliko- hebraike një prej të preferuarave në krijimtarinë e vet, por gjithashtu ai do të realizonte edhe një sërë portrete bashkëkohësish si ai i mikut të vet, Rabinit Portugez Menasseh Ben Israel, Doktorit Hebre Efraim Bueno si edhe një sërë figurash të tjera ende të paidentifikuara”. Një e tillë, titulluar “Hebreu Endacak” (por ende e pakonfirmuar shkencërisht nëse është apo jo një Rembrandt origjinal) ndodhet sot në Muzeun Historik të Tiranës.

Shpikja e teknikës së gdhendjes gjatë shek. XV- XVI dhe e litografisë në Gjermani në shek. XVIII prej Johann Alois Senefelder do të bënte të mundur riprodhimin sasior të një morie portretesh dhe pikturash, të cilat kanë mbërritur të printuara edhe në ditët tona. Falë realizimit të portreteve dhe dy teknikave të lartpërmendura kemi imazhin e një larmie hebrenjsh të njohur dhe të panjohur në Artin Evropian. Por në detin e kësaj galerie imazhesh a kemi ndonjë portretizim të Hebreut Shqiptar në Artin Europian, lind pyetja?! Përgjigjia është PO dhe ky konfirmim pozitiv na vjen gjithashtu nga Gjermania.

Gjatë hulumtimit në “Institutin Leo Baeck” hasa për herë të parë emrin e artistit gjerman, Hermann Struck (Chaim Aaron ben David). I lindur më 6 Mars 1876 në Berlin prej prindërish hebrenj, ai do të kryente Akademinë e Arteve të Bukura të Berlinit (Akademie der Künste) dhe do të diplomohej në vitin 1899, por për shkak të përkatësisë etniko-fetare nuk do të lejohej që ta ushtronte profesionin e mësimdhënësit. Gjatë kohës së studimeve ai do të kishte për profesor litografie mjeshtrin holandez të gravurave Jozef Israels. Ky ndikim i profesorit jo vetëm që do ta frymëzonte Struck, por do të sillte për pasojë edhe fokusimin e tij tek arti i gdhëndjes, art të cilin do ta mjeshtëronte dhe do ta bënte po aq të njohur sa Israels. Më 1909 Struck do të shkruante librin e tij të jetës, të titulluar “Arti i Gdhendjes” (Die Kunst des Radierens) dhe në Berlin do të kishte në rrethin e tij për studentë artistë kalibri si Marc Chagall, Lovis Corinth, Jacob Steinhardt, Lesser Ury dhe Max Liebermann.

Hermann Struck (1876-1944)

© National Library of Israel

Fama e tij do të rrihte krahët në mbarë Europën dhe personalitete të shquara të artit, kulturës, shkencës dhe politikës si M. Chagall, G. Hauptman, H. Ibsen, F. Nietzsche, S. Freud, A. Einstein, O. Wilde, Theodor Herzl, E. Haeckel, H. Cohen, etj do të porosisnin portrete për t’u realizuar prej dorës së tij. Por midis këtyre kokave të mëdha, Struck do të realizonte edhe portretin e një koke të veçantë; të një koke hebraike nga Shqipëria. Ky portret të cilin po e shfaqim për herë të parë për publikun shqiptar përbën imazhin e vetëm që njohim deri më tani të Hebreut Shqiptar në Artin Europian, një vepër e cila siç shkruhet edhe në pjesën e pasme të saj është realizuar prej autorit në vitin 1915. Përmasat e gravurës janë 28×29 cm teksa në krahun e djathtë poshtë është shkruar me laps firma e tij: “H. Struck”. Portreti paraqet në profil një plak hebre, me mustaqe të zeza, mjekër të gjatë e të thinjur dhe një kapë leshi (mini shtreimel) mbi krye. Supeve mban hedhur një redingotë të shek. XIX. Po kush është vallë ky person dinjitoz, me pamje prej të urti dhe shenjti bashkë që ka pozuar për Struck?! Mos vallë kreu i ndonjë Komuniteti Hebraik në Shqipëri?! Tregëtar apo Hassid?! Cilat janë rrethanat e takimit të tyre?!

Nga Libraria Kombëtare e Izraelit (NLI) njoftohemi se gjatë Luftës së Parë Botërore, (1914-1918) i influencuar nga pathosi i patriotizmit gjerman, Struck shkoi vullnetar dhe shërbeu si përkthyes dhe oficer ndërlidhës i Ushtrinë Perandorake Gjermane në Frontin e Lindjes (Ober Ost) ku u dekorua për trimëri me Kryqin e Hekurt. Qëndra e Komandës së këtij Fronti ishte Vilna, Vilniusi i sotëm në Lituani. Theksojmë që Vilna, e pagëzuar ndryshe edhe si “Jerusalemi i Lituanisë” (Yerushalayim D’Lita) dhe që këtë vit festoi madje edhe 700-vjetorin e yhemelimit, duke nisur nga shek. XVIII ka qënë një qendër e rëndësishme e Rabinizmit, Misticizmit dhe Racionalizmit Hebraik. Ka shumë gjasa që portreti në fjalë të jetë realizuar pikërisht në këtë qytet.

Hermann Struck, “Hebre nga Shqipëria”, Bojë mbi letër, 28×29 cm, (1915)

© Leo Baeck Institute

 

Por a ishte ky portret një porosi për artistin apo një dhuratë e Struck për personin në gravure, këtë fakt nuk mund ta konfirmojmë. I pamundur bëhet edhe zbulimi i identitetit të tij. E vetmja gjë që mund të themi me siguri krahas kohës dhe vendit të realizimit është fakti që ky portret është i pari që paraqet tipologjinë e Hebreut Shqiptar dhe gjithashtu imazhi i vetëm që njohim deri tani i rafigurimit të Hebreut Shqiptar në Artin Europian.

Herman Struck bëri aliyah në vitin 1922. Gjithashtu ai shërbeu si profesor në Akademinë e Arteve të Bukura “Bezalel” në Jerusalem dhe më vonë ndihmoi në restaurimin e kësaj akademie. Një tjetër kontribut domethënës është edhe ndihma që dha në themelimin e Muzeut të Arteve të Tel Aviv-it (1932). Ai u nda nga jeta në Haifa në vitin 1944. Për të nderuar kujtimin e tij, një muze i rëndësishëm dhe tepër elegant arti në këtë qytet mban emrin “Hermann Struck”.

Please follow and like us: