Albspirit

Media/News/Publishing

Odise Kote: Shtatë male, shtatë fusha

 

Në Kështjellën e vogël Loreto,

mbi përrenjtë e thepisur të Papatit,

Mijëra vizitorë nga bota magjepsen, hutohen,

blejnë syvenire, mbështillen me mistikë.

Ngjan çdo gjë është bulb e palcë,

asht antropologjik,

ndonëse shekujt s’ikën kurrë paqësisht.

 

Inkuzicioni dhe vdekja ende fryjnë si erë e marrë,

për të shpallur ndjesinë e betejës me vetveten,

ku humbja dhe fitorja fqinjërojnë, sublimohen.

Dhimbja bëhet tjetërfarë, e jotja dhe e tjetërkujt,

dhimbje që përbuz të përzishmen, të voglën,

përpëlitet në shqyrtim, vetëflijohet,

kërkon të harrohet.

 

Matanë kështjellës Loreto, matanë detit,

është Atdheu im, plot diell, i qeshur,

grotesk, çudan, tinzar, i ngrysur,

me njolla të mbetura stepash ruse,

orizore kineze, gjëmbaçë Anadolli.

Kalit të hazdisur të vetëdijës,

i duhet të kalërojë pa ndalim.

Në shtatë male e shtatë fusha

ku vigjëlojnë rojet e moskuptimit,

për të mbërritur.

 

Në Kështjellën e vogël Loreto,

mbi përrenjtë e thepisur të Papatit,

vizitorët e botës magjepsen, hutohen,

blejnë syvenire, mbështillen me mistikë…

Please follow and like us: