Zana Tako: Mëso më parë të shohësh brenda errësirës
Nëse rruga që ke zgjedhur është e panjohur, mëso më parë të shohësh brenda errësirës, jo për të sfiduar veten, por për të gjetur atë që fshihet e nuk duket.
Njeriu di të ecë, di edhe të flasë, por gjuhën e shpirtit jo të gjithë e njohin dhe dinë ta flasin. Mendja është e vogël e shpirti është i madh.
Njeriu di të fshehë, por jo gjithçka e fsheh mirë. Mendimi i njeriut është si laku që të lidhet pas fyti e të pengon të marrësh frymë.
Jeta e njeriut ka stinët e saj, por njeriu jo në çdo stinë di të buzëqeshë. Rebelimi i njeriut fillon atëherë kur nuk di të kuptojë të vërtetën. Është ajo që e shpëton e nuk e braktis.
Lejojmë që gabimet t’i përdorim si mësime të vyera, e nuk kuptojmë, se janë ato që e përdorin njeriun si dëshmi e tradhtisë së tij ndaj çdo mësimi të vyer, ku rritesh e nuk zvogëlohesh.
Fjala ka peshë, por peshën e saj nuk e mban dot ai që nuk e njeh peshën e fjalës, ndaj njeriu quhet shëndetlig në kohën e provës.
Nëse njeriu ende nuk e ka kuptuar se duhet të ecë në udhën e mirësisë, do të mbetet peng në duart e tradhtisë!
25 qershor 2023.
Please follow and like us: