Albspirit

Media/News/Publishing

Foto ekskluzive/Kristaq Balli: PALLATI I ЁNDRRAVE…

 

 

Herë pas here, gjatë viteve ’30 të shekullit  XX, shtypi i huaj, veçmas ai amerikan, kanë pasqyruar zhvillimet aktuale politike, ekonomike e shoqërore në Shqipëri, si një nga mbretëritë më të reja e më jetëshkurtra të Europës. Me këtë rast, revista e madhe amerikane “LIFE” e datës 22 Maj 1939 në rubrikën kryesore ‘Speaking of Pictures’ (f. 6,7-9) ka botuar një shkrim të ilustruar me skica origjinale që përshkruan pallatin në ndërtim të mbretit Zog, i cili mbeti i papërfunduar për arsye të pushtimit të Shqipërisë para disa javësh nga Italia fashiste dhe të ekzilit politik të familjes mbretërore. Në artikull jepen  të dhëna interesante të panjohura deri më sot mbi situatën ndërtimore e sidomos mbi projektin funksional e mobilimin e brendshëm të tij. Këto detaje të pasqyruara nëpërmjet projekteve do t’i shtojnë historisë së këtij monumenti të dhëna të reja hipotetike për studiuesit, arkitektët dhe audiencën, por edhe për ta plotësuar atë me shumë hollësi që pasqyrojnë arkitekturën e jashtme e të brendshme, si dhe dhe nivelin e lartë shoqëror, kulturor, estetik të çiftit mbretëror.

 

Speaking of Pictures: Pallati i Ёndërrave të Mbretëreshës Geraldinë

Skicat: Bedrich Geřstel

 

…KY ËSHTË  (PALLATI) KU MUND TË KISHIN JETUAR MBRETËRESHA  GERALDINË E SHQIPËRISË DHE DJALI I SAJ

Po të mos kishte ndodhur pushtimi i Shqipërisë nga Musolini, mbretëresha e bukur Geraldinë dhe djali i saj (vetëm një muajsh),  Princi Skënder, do të kishin jetuar në pallatin më të ri mbretëror në Europë, midis shkëlqimit mbretëror të paraqitur në  grafikat e  arkitektit Bedrich Geřstel. Me një kosto prej 1.500.000 $, Geraldina dhe mbreti Zog ishin duke ndërtuar dhe mobiluar një pallat të ri. Ndërkohë që trupat italianë arritën, pjesa e jashtme  e pallatit pothuajse kishte përfunduar.  Mermeri i bardhë e i verdhë i fasadës ngrihej mbi lulishtet e qeta dhe një liqeni artificial të freskët. Pallati zotëronte një pamje të mrekullueshme të Tiranës, kryeqyteti dhe vendi i ëndërruar që ata administronin dhe që një ditë trashëgimtari i tyre mund ta sundonte. Aty nga muaji shtator pallati do të ishte mobiluar dhe do të ishte gati për jetesë.

Për princin foshnjak do të ishte një dhomë e magjishme lojrash, me një qilim të bardhë puplash, një kalë duri kolovitës, fragmente blloqesh dhe pikturash gazmore nga Miki-Maus dhe Donald Duck nëpër mure. Ai do të shtrihej në një krevat-shtëpizë sateni blu në një dhomë gjumi të madhe me tapiceri mëndafshi ngjyrë blu të çelur, ngjyrë e pëlqyer nga nëna e tij. Dhe në dhomën e tij të madhe të bardhë të veshjes, pas banjës së tij private, do të kishte një dollap të madh e të bukur me sirtarë që do të mbanin veshje e paisje mbretërore armësh.

Për mbretin dhe mbretëreshën do të ishte në dispozicion një mjedis ngrënije për 500 të ftuar. Nën katin përdhes ata mund të prisnin miq  për koktejle në një bar apo të bënin takime në një kino-teatër me 400 vende. Në katin e parë të pallatit trikatësh, çifti mbretëror kishte parashikuar një korridor të mermertë,  që brendashkruante ndërtesën dhe të çonte në studion zyrtare të pritjeve të mbretit (fig. 1), si dhe zyrën e punës të mbretit (fig. 3). Para tyre ndodhej  korridori me pishinë  (fig. 4) dhe  majtas një bar-kafe (fig. 5), si dhe disa mjedise konferencash. Sipër, mbretëresha do të kishte një dhomë gjumi të këndshme (fig. 6) dhe mbreti po ashtu një të ngjashme e të kushtueshme, me një kthinë që kishte pamje nga lulishtet. Zyra e punës e mbretit do të ishte 20 yard (rreth 18m-KB) e  gjatë. Ashtu si Musolini dhe Hitleri, mbreti do të kishte tavolinën e tij në fund të saj nën një hartë të Shqipërisë dhe emblemat mbretërore të armëve. Tavolina do të ishte e vetmja mobilje nga pallati i vjetër. Ajo ishte rreth 3 m e gjatë dhe Zogu ishte i fiksuar për ruajtjen e saj. Muret do të ishin veshur me dru arre tasmanie. Salloni kryesor i pritjeve ishte i ndarë në dy pjesë me kollona xhami Kristal, të ndriçuara nga brenda. Mbreti dhe mbretëresha do t’i prisnin miqtë në fund të dhomës, nën një tablo pikture të Skënderbeut, heroit kombëtar të Shqipërisë, i cili shkatërroi turqit më 1457. Sixhade persiane që i ndjeri Qemal Ataturk i kishte dhënë Zogut do të shtroheshin mbi parketin prej dru të kuq mogani. Muralet  pasqyronin peizazhe dhe skena historike shqiptare. Një dritë e fshehur mund të vinte nga qirinjtë të gatshëm në rast se Tirana nuk kishte dritë. Bari do të ishte  një mjedis ”kryesisht ala amerikan”. Ai do të kishte banakun, dhjetë stola gjysmë ulur;  banaku dhe dyshemeja do të ishin prej mermeri. Ndriçimi do të ishte neon  në formë ujëvare. Bari do të vendosej në  fund të pishinës. Ndërkaq dhoma e gjumit e mbretëreshës do të  kish të varura në mure 350 m2. perde bojë qielli, një tendë mbi kokën e krevatit, i cili vendosej mbi një podium. Mbulesa e krevatit parashikohej  të ishte ngjyrë  e thellë jargavani. Dyshemeja do të ishte e kompozuar  nga 10 lloje druri. Nëpër dyer do të të vendoseshin pasqyra  të praruara, që mbretëresha e bukur të mund të shihte veten posa të zgjohej.

Pishina do të ndriçohej në mënyrë të tërthortë nga lart dhe poshtë. Ajo ishte e rrethuar në 4 qoshet nga 4 vazo kubike të mëdha  lulesh (pasqyra të praruara) dhe një mozaik koralesh e peshqish shumëngjyrësh nën ujë.

Dhoma e ndenjes e mbretëreshës parashihej të kish dy vitrina të mbushura me dhuratat e martesës. Dyshemeja prej panje të bardhë dhe arre do të ishte e vetmja shtresë amerikane e përdorur në pallat.

Zogu dhe Geraldina kishin diskutuar çdo detal të saj. Ata nuk kishin jetuar kurrë më parë në një mjedis të tillë. Midis shpurës së mbretërive europiane, mbreti ishte njëherësh përfaqësuesi kryefisnor shqiptar dhe mbretëresha, vajza e një gruaje të shoqërisë amerikane dhe e një konti hungarez, që  kishte shitur kartëpostale në muzeun e Budapestit deri sa ajo u fejua me Zogun. Pallati i vjetër në Tiranë ishte i papërshtatshëm për një mbret  dhe një mbretëreshë. I ndërtuar 40 vjet më parë, ajo ishte një vilë e rrëmujshme në mes të Tiranës topitëse, me çati me tjegulla të kuqe, të pistë e me mure me llaç të rrjepur. Ajo kishte dhjetë dhoma dhe vetëm një banjë. Mobilimi ishte një konglomerat i shëmtuar i stilit perandorak  venecian i vjetër  dhe modern francez. Shumica e mobiljeve ishin blerë në një dyqane demode të Parisit. Aty punonin vetëm gjashtë shërbyes e kamerierë dhe dreka përbëhej zakonisht nga supë (minestrone), spageti, djathë ose fruta, kafe dhe verë. Pas drekës, të ftuarit ndiqnin filma amerikanë të projektuar në një ekran të papërshtatshëm në dhomën e ndenjes.

Për të mobiluar pallatin e tyre të ri, ata kontaktuan së  pari një projektues italian, pastaj francez, britanik dhe në fund një arredues çek. Kur  mbretëresha pa projektin e italianit, ajo i kritikoi ato ashpër. “Mos i lini shteg Musolinit t’i bien në vesh fjalë të tilla,” i tha Zogu në mënyrë kritike.  Duçes nuk i bëhej vonë për Shqipërinë e pambrojtur dhe ishte mërzitur me Zogun dhe Geraldinën për shpenzimet një million dollarëshe nga fondet qeveritare (me ndihmën kryesore të huadhënësve italianë) për ndërtimin e një pallati të ri dhe të gjysëm milioni  dollarë të tjera nga xhepi i tyre (që rimbursoheshin me ndihmën italiane) për ta mobiluar  atë.

Dekoruesi çek i zgjedhur përfundimisht, Bedrich Geřstel, kishte mobiluar më parë një pjesë të  pallatit të shahut të Iranit, pjesë të pallatit Hradschin në Pragë, shtëpitë e  presidentëve Masaryk dhe Eenes, legatën amerikane në Pragë dhe  27 legata dhe ambasada në Evropë. Ai tashmë jetonte në Nju Jork.

Sot, pallati bosh i Zogut dhe Geraldinës i papërfunduar, qëndron  me pamje nga vendi që dikur ata mbretëruan. Çifti mbretëror dhe djali i tyre trashëgimtar, të siguruar më në fund në mërgim në Turqi, me sa duket nuk do ta shohin kurrë më atë. Ata  kanë vetëm projektet e skicat si këto që tregohen këtu, për t’i nxitur të kujtojnë  shtëpinë e ëndërrave që ata ishin duke ndërtuar me aq entusiazëm. Si kështjellat në Spanjë, kështjella e tyre në Shqipëri zhdukej në ajrin e hollë…

▪▪▪▪

 

 

Please follow and like us: