Albspirit

Media/News/Publishing

Jacques Attali: Katër Titanikët

Përktheu: Helena Kadare

Metafora është kaq e dukshme sa ngurojmë ta përdorim: Të shikosh një nëndetëse të vogël turistike të quajtur ironikisht “Titan”, të humbasë në afërsi të mbeturinave të “Titanikut” të mbytur, në një udhëtim të turpshëm vëzhgimi, thua se këta udhëtarë shpresonin të gjenin atje mbeturinat e atyre që vdiqën dikur të mbytur aty. Të shikosh pastaj se si kjo nëndetëse e vogel, të zhduket edhe ajo vetë, njësoj sikurse anija për të cilën kishin ardhur që ta vëzhgonin. Për të kuptuar më në fund se ata që ndodheshin aty brenda, ishin tre turistë miliarderë guximtarë, organizatorë të këtij udhëtimi, dhe, bashkë me ta, një udhërrëfyes ultrakompetent. Pamë gjithashtu median e mbarë botës të interesoheshin për këtë ngjarje dhe të flisnin e të shkruanin për të deri në neveri.

Pamë ushtrinë dhe ndërmarrjet më të fuqishme se si u morën me operacionet e shpëtimit, gjëra këto që i shërbyen më së shumti publicitetit për makinat që ata kanë. Gjithë prapësitë e epokës ku jetojmë ishin të mbledhura bashkë aty: mahnitja pas spektaklit të vdekjes, shija e shfrenuar e më të pasurve për harxhime luksoze dhe sensacione të forta, siç ishte rasti i kësaj makine që mbeti në vend, së cilës i kishin kërkuar të bënte më shumë nga ç’mundej, pasioni i medias për jetën e të pasurve, marrëzia e të fuqishmëve, për të shpenzuar shuma marramendëse për shpëtimin e të afërmeve të tyre, përdorimi i gjithçkaje, madje edhe më së keqes, për të krijuar spektakle dhe përfitime. U duk sikur një Titanik i ri po bënte të njëjtat gabime vdekjeprurëse, si ai i mëparshmi. Dhe pa dyshim, disa të tjerë, janë duke u përgatitur ndërkaq të bëjnë edhe ndonjë film për këtë ngjarje.

Por, ka edhe më shumë.Të paktën edhe dy Titanikë të tjerë.

Anijet e refugjateve, që u mbytën, nën indiferencën e përgjithshme, në detin Mesdhe dhe gjetkë. Dhe për të folur vetëm për njërën, e cila nuk ishte se s’u vu re në rrugën drejt Italisë, e shtyrë në breg dhe e lënë aty në “harresë”, kur ajo filloi të fundosej. Dhe e gjitha kjo, pa shpenzuar as një të miliontën e mjeteve që u harxhuan, për t’i ardhur në ndihmë pesë njerëzve (Kush e çau kokën t’i vinte veshin goditjeve brenda guackës së asaj varke mjerane peshkatarësh, kur dihej qysh më parë se aty ishin mbyllur qindra gra e fëmijë. Kjo do të thotë shumë për këtë botën tonë, ku verbimi i të fuqishmëve, përqëndrimi i pasurive dhe harresa e më të varfërve janë bërë rregull.

Dhe së fundi, një Titanik i katërt, kaq i madh sa nuk shihet dot: humanizmi ynë. Ne të gjithë jemi mbi një Titanik, që na çon përpara, pa ndonjë drejtim të caktuar, të mrekulluar siç jemi, pas mjeteve tona, të verbuar nga fuqia jonë, të  pandërgjegjshëm nga rreziqet, pa çarë kryet fare dhe lënë në harresë mjerimin e atyre njerëzve të mbyllur në bodrumin e anijes. Edhe një herë akoma, duke vonuar të përdorim mjetet që kemi për t’i shpëtuar. Fati i tre Titanikëve të tjerë na tregoi që as më të pasurit dhe as më të varfërit nuk dolën gjallë nga aventura.

Njerëzimi ende nuk është mbytur. As si Titaniku, as si Titani, as madje si ajo varka anonime e peshkimit. Megjithatë ne nuk jemi larg katastrofës. Bëhet fjale për dy dhjetëvjeçarë, me një fjalë asgjë. Kemi kohë ende të bëjmë atë që unë e quaj “Kthesa e Madhe”. Por ne nuk jemi aspak duke e bërë atë. Po kënaqim veten, duke siguruar të gjallët e sotëm me disa masa të sipërfaqshme, të cilat nuk do ta pengojnë dot botën që  brenda një kohe të shkurtër, të bëhet një ferr i pajetueshëm.

Na duhet të pranojme: ashtu sikurse tre Titanikët e tjerë, po qe se nuk marrim përsipër një aksion të shpejtë dhe të fuqishëm, ne do të jemi varrëmihësit apo vrasësit e nipërve tanë.

Mos harrojmë se emri Titanik u zgjodh si një referencë krenarie e Titanëve, emër gjinor i bijëve të Gaias dhe Uranosit, pra Kronosi, që u vra nga i vetmi bir i tij, që ai vetë nuk e hëngri; Zeusi, që arriti ta mundë të atin dhe ta mbysë atë, së bashku me ungjerit e tij, (përveç Oqeanit, Themisit, Prometheut dhe Epimethesë) në lumin Tartar. Ai mbajti për vete qiellin dhe ia dha detin njërit prej vëllezërve, Poseidonit. Kurse Ferrin ia dha tjetrit, Hadesit. Edhe një herë, këtu gjithcka është thënë qartë.

Kjo që po ndodh (përfundimin e së cilës , me gjasë, vërtet tragjik, në orën kur jam duke e shkruar), le të na shërbejë ne të gjithëve si një leksion. Dhe, nëse përfundimi nuk do të jetë tragjik, le të vemë në punë, sa më shpejt, të gjitha mjetet që kemi , për ta shpëtuar racën njerëzore.

22 qershor 2023.

https://www.gazetatema.net/sociale/kater-titaniket-i395822

Please follow and like us: