Albspirit

Media/News/Publishing

Fatmir Ceci: Tablo jete mbi retinën optike të një libri

 

(Analizë dhe kritikë mbi librin“Zogjtë u trembën përsëri”të autorit Thodhoraq Ciko)

Sapo hyn nëpër hullitë e disa prej“tregimeve” të Th. Cikos shpejt bie në dyshim se ato përgjithësisht nuk kanë kompozicionin tipik tradicional. Në përceptim të parë të duket se këto “krijime” kanë ngjasime strukturore e gjuhësore me pamfletet e gazetarisë informative. Mirpo gjatë përjetimit të lëndës kupton se bashkëveprimi dhe induksioni i brendisë së tyre ka një konetacion ideor me shije ngacmuese artistike.

Kultivimi në libër i këtyre hibrideve, tregimit&publicitikës ju jep të drejtën e akuzës për shkelje të sovranitetit. Megjithatë, këtë lloj “devijimi” e zgjidh gjatë procesimit të lëndës vetë autori duke afruar kompromis mes palëve. Krasitja dhe shartimi i ketyre varieteteve të oratorisë letrare në tërësi ka rezultuar si eksperiment i sukseshëm duke na dhuruar për lexim një libër me vlera ambiguide. Gjatë përjetimit të leximit të bie në sy fakti se autori synon më shumë të afrojë vlera shoqërore autentike dhe reale se sa të reklamoje vlera të “Unit” të tij. Përkundrazi në këtë iniciativë të fundit ai mbetet deficitar, i pa zbuluar dhe i parealizuar. Nga kjo tërheqje taktike (me ose pa qëllim) zbulon se atij i është dashur shumë kujdes të mbledhë e përzgjedhë materialin jetësor bruto. Gjithashtu, vihet re qartë përkushtimi për të seleksionuar e pastruar “ujrat” e panevojshme. E gjithë këtë ai e bën në funksion të nxjerjes në dritë prej trupit e shpirtit të krijesës, esencën dhe thelbin e ekzistences. ”Dua ta lidh ngjarjen me disa fakte që ja vlejnë ti shkruash”-ky është misioni i tij. Për të qënë sa më natyral ai tregohet tepër neglizhent në shtjellimin e narativës transhendale duke mos vënë në funksion të plotë potencialin e imagjinatës se vet krijuese. Ai beson fort tek vigjelenca e shqisave dhe mendon se ato që ndodhin para tij e tejkalojnë cdo lloj imagjinatë. Autoritarizmi i “Unit” i duket e tepërt, (karton i kuq) në prishjen e origjinalitetit të artefaktit. Ndaj në këtë përkujdesje, për të realizuar fotografimin nuk ka nevojë për aparatin e fotografit, por i mjafton fjalori dhe gjuha artistike. Ai fikson castin-blic, me sy, veshë e mendje dhe realizon montazhin mbi letrën e bardhë vetëm me daktilografinë e fjalëve të përzgjedhura. Vlen të theksohet se imazhet nuk të mbeten vetëm mbi retinë, por efekti ngacmues i tyre depërton deri në brendësi të trurit e të lë gjurmë përjetimi në kujtesë. Kjo bën atë që, fakti” i kapur në flagrancë” të mos mbetet vetëm një përvojë individuale, por të shërbejë si provë bindëse në gjykimin e të vërtetës shoqërore. Gjithësesi tek kjo lloj sprovë, për lexuesin mbeten përherë hapësira të lira për aludime e interpretime të ndryshme.

Vihet re qartë, se Ciko këmbëngul tek ajo që “fakti duhet të flasë vetë”. Detyra e tij është t’i ndërtojë atij “foltoren” dhe ta përshtasë se si të flasë bukur para publikut-lexues. Vetë ai luan rolin e një moderatori aktiv. Për shembull, tek tregimi ”Derri” tregon me fjalë të thjeshta ndodhinë e një fshatari nën diktaturë. Dhe me një alegori fine bën analogji direkte me fatin e një populli të ndaluar e të izoluar. Fshatari për të ushqyer fëmijët rriste fshehur brenda katër mureve të shtëpise një derrkuc. Por dhe kjo ”sic do qenia e gjallë“ kërkonte hapësira, kërkonte lirinë e saj, ndaj protestonte duke bërtitur fort. Mirëpo që mos ia dëgjonin komshinjtë ulurimat e tij, fshatari i shkretë nga frika e pushtetit u detyrua më në fund t’i operojë fytin e t’ia heqë kordat e zërit. Me ketë ngjarje reale të ndodhur në jetën e tij Ciko me pak rreshta, pa shumë artifica artistike bën përgjithsime semantike duke na dhënë bardhë e zi të vërtetën tronditëse. Ky fiksacion-bruto për mendimin tim, ka bërë atë që thurjet e teksteve të vetërealizohen në format të lire (jo vetëm si tregime), por dhe si skica, rrëfenja, fabula, ese. Pra, nga kjo “metodë” pa skema të ngrira, krijohet një mikroklimë ku lindin (mbase pa vetëdije) llojshmëri formash alternative. Në këtë përpjekje ekperimentimi spontan vetiu lindin varacione të reja letrare me një ndërthurje intertekstesh të publicistikës, prozës e poezisë.

Kam mendimin se kjo dukuri vlen të përmendet dhe si një risi në konkurencën e krijimtarisë lokale.

Në libër koncepti kohë nuk ka ndarje, nuk ka kufij. Nuk ka as vijimësi drejtvizore, as dhe kronologjinë kalendarike të fakteve, ndodhive, fenomeneve historike e sociale. Koha për të ka histori të shkuara dhe të tashme, e si per cudi nuk ka të ardhme. Akrepat ndalen tek ekzistenca, tek thelbi dhe esenca e jetës konkrete, tek casti i vërtetë dhe absurdi i saj. Ai nuk e ndan kohën “para “dhe “mbas”, ”dje “dhe“sot”. Koha për të është një udhëtim i njëtrajtshëm i errët pa ndricim e pa sinjalistike orientuese. Ajo ka shumë hyrje të fshehta, por s;ka asnjë dalje. I vetmi fundndalim është Vdekja. Ndarjet, kufijtë, emërtimet vlejnë vetëm për sundimtarët partiake, bashkiake, deputetë, liderë. Ciko me plot mllef proteston ndaj politikës e cila si një epidemi ka shtrirë metastazat e saj në cdo aspekt të jetës së njeriut. Në gjykimin e tij, individi jeton i rrethuar nga absurdi, mes vorbullës gllabëruese të genjështrës, hipokrizise, servilizmit dhe përçudnimit të rregjimit. Të gjithë vjedhim dhe gënjejmë njëri-tjetrin. -Po nuk genjeve nuk bëhesh lider e deputet-citon autori (f.240). Ai me raste flagrante faqe me faqe denoncon se: -e bukura po vritet (f.40), cdo gjë shpirtërore është bërë mall për biznes (f.45), të gjallët hapin vetë varrin e tyre, të vdekurit zhvarrosen (f.105), njeriu trajtohet më keq se një qen (f.150),buka e gojës racionohet (f.50), njerezit detyrohen të hanë mish kali, (f.35) lufta e klasave vret dhe burgos fjalën e lire (f.46) të shurdhohen veshët prej duartrokitjeve elektorale të demagogjisë (f.102), njerezit burgosen, internohen, mbeten të papunë, emigrojnë, familjet shthuren e fëmijët braktisen, varret mbeten përgjysmë (f.119). E vetmja kundërpershë e kësaj gjendje anormale është dashuria për njerezit që do, për vajzën, gruan, për nënën, babanë, vendlindjen. Ai mendon që qeliza e ekzistences se shoqërisë është familja me pjestarët e saj. – Unë të dua o nënë, unë me ty ndihem i plotësuar, ti je princesha ime, je doktoresha ime – Lumë fjalësh mirënjohje i dalin nga zemra (f.121). Si recetë ekulibri shpirtëror ai evokon dhe jetën e lirë baritore (vllahe). Në të njeriu ndihet i miqësuar e i njëhësuar me natyrën e virgjër. Shtegëtimi me delet e qentë, nga deti Jon në malin Lenie (vajtje-ardhje) ia ngjizin, ia kapilarizojnë zemrën e mendjen me barin, lulet, burimet, erën, etj. -“Lëndina ishte parajsë me trëdelinë dhe tërfil. Burimi rridhte ëmbël, gjithcka ishte jetë’-kujton ai plot mall. Qysh në fëmijni tek flinte plot ëndra mbi barin e blertë, bashkë me aromën e luleve në shpirt i hyri poezia, hyjnesha që bridhte atyre anëve. Që nga ai cast ajo nuk iu nda për gjithë jetën. Shpirti i tij tashmë i ngërthyer nga shtresimet e qytetërimit modern shpesh gjen prehje në thellësi të kujtimve të asaj jete nomade e romantike. Tek shkruan për atë kohë ai ndihet i egzaltuar, aq sa dhe fjalët vishen me costume plot ornamente etnografike dhe polifoni tingujsh baritorë.

Por jeta ndryshoi shpejt… Bashkë me qytetërimin erdhën dhe hallet e tjera. Vlerat morale, vetitë, virtutet, traditat pozitive familjare dhe kombëtare po zveniten, po e humbasin rëndësinë e parë. Rëndësi ka mbijetesa, egzistenca në konkurencë, ku pasurimi material me cdo mënyrë, shkel mbi cdo romantizëm dhe vlerë të pastër shpirtërore. Në pamje të parë të duket se autori ka hedhur mbi letrën e bardhë gjëra të zakonshme kulturore e sociale të jetës së përditshme, pa shtesa dhe interpretime të veta. Por gjithsekush që i lexon, fare lehtë zbulon domethënien e ketyre tablove të pikturuara me fjalë. Në disa prej “guernicave” me përmasa natyrore lexohen qartë fate, drama, makthe, intriga jete, me një përjetim komik e tragjik. Njeriu në to paraqitet i demoralizuar, i kapluar nga shkretina e erësirës e kaosit shpirtëror. Autori mer pjesë aktive në dialogje, por nuk jep zgjidhje deklamtive, ai bërtet brënda vetes. Ai sygjeron vetësakrifikin sizifjan, pasi e di që nuk ka kush e dëgjon.E ardhmja për të është një nocion propogandistik,një udhëtim pa destinacion mbritje…

Edhe Zoti për të shpesh nuk egziston,nuk i gjendet pranë fukarait kur ai e kërkon. ”Ai as nuk na do e as na sheh. Ai i mban veshët hapur vetëm për të pasurit. (f.15) Sipas tij, ditët, vitet, brezat ikin e koha nuk ndryshon ajo rrethrrotullohet duke “uluritur” fort mes kaosit të vet. Jeta e njeriut qorolliset në humnerën vicioze të anomalive, krizave, diktaturave. Lumturia e gëzimi, purizmi shpirtëror, barazia sociale, liria e vërtetë, etj, mbeten utopia e rradhës.

Përdorimi me kursim i fjalëve i jep narracionit të librit një racionalitet pikture. Kurse përjetimi emocional i tij fermenton në një koncentrat botëkuptimi. Për të ritur përformacën e rrëfimit Ciko tregohet tepër i kujdesshëm. Nuk ka hallakatje e inflacion sintaksor. Përkundrazi kjo kopraci e nikoqirllëk e con deri diku në tharje e mangësi të tharmit të nevojshëm artistik. Përdorimi i një arti-bruto e ngacmon cdo lexues të thjeshtë në përjetime mbresëlënse të një ekzistencializmi human. Tek ambjentet e librit lexuesit bien nën ndikimin e një atmosferë të ftohtë ironie dhe revoltuese. Misioni i tij nuk është ai i psikologut apo filozofit që të hulumtojë e shpjegojë botën e nënbotën. Ai kinse fikson,fotografon dhe pasqyron me fjalë faktin, episodin, etydin e përshfaqur në realitetin e gjallë. Në shumicën e rasteve Ciko merret me dukjen pamore, me shfaqjen, me koshiencën e qënies. Ai nuk mer mundimin të analizojë detajet, nuk bën interpretim të saj. Ai përzgjedh atë që i pranon psikika dhe logjika e mprehtë e shqisave të tij. Për shembull, tek tregimi ”Luiza” ai merret më shumë me shfaqjen optike të llojeve dhe nuancave të buzëqeshjeve që projektohen në fytyren e vajzës që ai do. Kjo vjen pasi ai është i vetëdijshëm që gjithcka buron prej zemrës te saj fshehur nën fustanin e kuq. Për të, të gjitha lëvizjet, ojnat, emocionet, aromat e vajzës që adhuron, janë sinjale që vijnë nga thellësia e shpirtit të dashuaruar.

Ndërsa në tregimib “Një dite pushimi” personazhi-autor, në një ditë pushimi hipur mbi taracë flirton me Diellin plot rreze dhe luan me qenin fin e të urtë Rudi. Por komshinjtë përreth nuk e lenë që nuk e lenë të qetë, në qejfin dhe qetësinë e tij. E bombardojnë me lloj-lloj pyetje nga më të cuditshmet. Mentaliteti tyre kureshtar dhe hokatar bëhet shkaku i prishjes se rehatise dhe privimit të lirisë së tij Por ky është dhe absurdi, ai ka dëshire të rrijë me diellin dhe qenin që nuk jane qënie të gjalla, por që ai e trajton si të tilla. Ai kërkon të fshihet, të mbyllet ne vetvete, në burgun e lirisë së tij, pasi ndihet i huaj në vendin e tij, në pronën e tij, në taracën e shtëpisë së tij

Furnizuesi kryesor i narracionit të Cikos është kujtesa që rrjedh natyrshëm nëpër libër nga burimet e kohës. Besoj se përvoja si shkrimtar Cikon e ka mësuar që disa imazhe të gatshme apo gjysme të gatshme të ngrira në kujtesë, duke i ekspozuar mbi letër në një distancë tjetër kohe e hapësire, fillojnë të gjallohen, lëvizin e rishfaqen. E gjatë këtë evolimi që ndodh gjatë procesit të shkrimit ato marrin vetiu vlerat e një vepre artistike. Ky libër i thurur (jo vetëm me tregime), është një dokument letrar i shkruar nga një krijues i sinqertë me veten dhe lexuesin. Ai na dëshmon qartë mbi disa të vërteta të së kaluarës dhe të tashmes me qëllim dhënien e kontributit në katarsisin shoqëror, duke na kthjelluar e ndricuar vetëdijen. Th. Ciko në këtë libër jo se ka bërë ndonjë mrekulli. Por, në një kohë të mugët, ai ka hapur dritaren e tij (prej letre) dhe ka lëshuar një yll në kozmosin e kujtesës tonë.

Please follow and like us: