Albspirit

Media/News/Publishing

Dr. Gladys McGarey: Dashuria, ilaçi më i fuqishëm

 

Kjo është mjeke dhe megjithëse i ka kaluar 102 vjeç ende punon në një plan 10-vjeçar për të ofruar këshilla të thjeshta për jetë të gjatë.

Dr. Gladys McGarey e konsideron dashurinë si ilaçin më të fuqishëm dhe personat nën 99 vjeç i quan, të rinjtë.

Si një mjeke dhe pioniere e mjekësisë holistike, McGarey ka shumë mençuri dhe talent që të ndajë me njerëzit përvojen e një jete të gjatë që i ka ofruar shumë gëzime, por edhe shumë pengesa gjatë rrugës. Ajo është një e mbijetuar nga kanceri, ka duruar vdekjen e një vajze dhe gjithashtu u divorcua kur ishte pothuajse 70 vjeç.

Kjo ndarje ndodhi pasi burri i saj prej 46 vitesh dhe partneri i saj në klinikë e la për të qenë me një grua tjetër.

Kjo ishte një nga fazat më të vështira të jetës së saj, shkruan ajo në librin e saj të ri, “Jeta e jetuar mirë: një mjeke 102-vjeçare. Gjashtë sekrete për shëndetin dhe lumturinë në çdo moshë”.

Si mund t’i kapërcejnë njerëzit pengesa të tilla?

“You just don’t get stuck in them. It’s a matter of choice: What do I choose”?

“Ju nuk duhet të dorezoheni në situata të tilla. Është çështje zgjedhjeje: Çfarë më duhej të zgjidhja”?

“Zgjodha të mos ngecja në dhimbje dhe vuajtje. Më dhembi dhe nuk më pëlqeu” -i thotë McGarey, nje gazetari.

Filozofia kryesore e McGarey për të jetuar:

“Everything is your teacher”.  “Çdo gjë është një mësues për ju”.

Pas divorcit të saj të dhimbshëm, McGarey gjeti shërim dhe gëzim në fillimin e një praktike të re mjekësore holistike me vajzën e saj, e cila i dha qëllim jetës së saj. Ajo e quajti përvojën “një mësuese e madhe” që e ndihmoi të gjente zërin e saj si mjeke dhe grua.

Mjekja gjithashtu i kushton vëmendje ëndrrave të saj dhe i përdor ato për të udhëhequr zgjedhjet e saj, duke vënë në dukje se ato janë një çelës për të pandërgjegjshmen. McGarey këshillon njerëzit që luftojnë me një vendim të mbajnë mend ëndrrat dhe më pas t’i shkruajnë pasi zgjohen në një bllok për të kuptuar më pas mesazhet dhe të dhënat që ua jep pavetëdija e tyre.

Ajo beson me forcë, që e gjithë jeta duhet të lëvizë në një nivel mendor, shpirtëror dhe fizik.

Të gjithë ne kemi atë që McGarey e quan “lëng” – energjia e jetës, përmbushja dhe gëzimi – të cilat duhet të drejtohen drejt vendit ku dëshironi të jeni dhe si dëshironi të ndiheni.

“Nëse po shpenzoni energjinë tuaj për diçka që thjesht po ju mban të mjerë, të parehatshëm ose në një vend që nuk dëshironi të jeni, filloni të kërkoni atë që është atje… bota është kudo rreth jush dhe është plot me të mahnitshme, gjëra të mahnitshme”.

Bëhuni të vetëdijshëm se keni ngecur dhe kërkoni për rrugën – të jeni të sigurt që do ta gjeni, por vetëm kur të filloni të kërkoni, thotë ajo. Kërkoni dritë, dashuri dhe shpresë.

Është e rëndësishme të shmangni ngecjen edhe në një nivel fizik, kështu që McGarey ecën çdo ditë. Ajo ka arritur një objektiv ditor prej 3,800 hapash, të cilin e arrin me ndihmën e një mësuese për ecje.

Gjeni atë që funksionon për ju!

McGarey beson se dieta dhe stërvitja janë të rëndësishme për shëndet të mirë dhe jetëgjatësi, por nuk rekomandon ndonjë mënyrë të veçantë për të ngrënë ose për të qëndruar aktiv. Stërgjyshja thotë se ha atë që dëshiron të hajë, duke përfshirë tortën me çokollatë dhe herë pas here një hamburger.

“Unë me të vërtetë besoj se secili prej nesh ka një qëllim ne Toke”, thotë McGarey. “Është privilegji dhe përgjegjësia jonë ta gjejmë atë brenda vetes”.

Secili prej nesh është i veçantë, i aftë të dojë dhe të dashurohet, shton ajo, duke vënë në dukje se dashuria është tema qendrore e gjithë jetës së saj.

Ajo e konsideron dashurinë si ilaçin më të fuqishëm.

Ju mund të bëheni më të mirë ndërsa rriteni.

Kjo mund të duket kundërintuitive, por McGarey beson se çdo vit që kalon ju lidh më shumë me qëllimin tuaj, shkruan ajo në librin e saj.

Keshtu që, në moshën 102-vjeçare, ajo ka një plan 10-vjeçar për të krijuar një fshat për mjekësinë e gjallë ku njerëzit mund të “bashkohen për të praktikuar mirëqenien”.

“Kam një jetë të mrekullueshme dhe e dua sepse jam e rrethuar nga dashuria, jo vetëm nga të afërmit, por nga njerëzit që kam ndihmuar dhe ata më kanë ndihmuar mua”, thotë ajo.

“Ndihem e shëndetshme dhe më e fortë në aspekte të qenies sime që nuk i kisha kur isha më e re. Kështu që unë e quaj plakje në shëndet, prandaj ju këshilloj: gjeni atë që ju bën të lumtur dhe po ashtu atë që i bën të tjerët të lumtur dhe shkoni drejt saj”.

Shqipëroi Brunilda Spiro, Michigan, 2023.

Please follow and like us: