Albspirit

Media/News/Publishing

Fëmijët dhe të rinjtë, dukuria themelore e Festivalit Folklorik Kombëtar

Nga Sakip Cami

Festivali Folklorik Kombëtar 2023, organizuar si përherë në Gjirokastër shënoi arritje të reja në fushën e folklorit, mbajtjes gjallë të traditave, etnografisë dhe kostumeve popullore ku shkëlqeu xhubleta shqiptare, tanimë pasuri edhe e UNESKO-s.
Ky festival organizohej pas 8 vjetëve për shkak të pandemisë së Covid – 19.
Sigurisht kishte edhe ndonjë mangësi e vërejtje sidomos përsa i përket prezantimit të të gjitha trevave, apo të të gjitha bashkive, por unë do të veçoja disa dukuri pozitive që i shërbejnë të ardhmes.
Dukuria e parë ishte interpretimi mjeshtëror i kangëve dhe valleve popullore nga fëmijët dhe të rinjtë e pothuajse të të gjithë grupeve pjesëmarrëse. Kjo garanton një vijimësi të folklorit tonë sepse këta fëmijë 10 vjeçarë, jo vetëm në tre breza që i trashëgojnë por trashgimia vazhdon edhe në shekuj nga brezi në brez.
Arbëreshët kanë gjashtë shekuj që i trashëgojnë dhe do t’i trashëgojnë edhe në shekuj të tjerë, shqiptarët e Amerikës kanë mbi një shekull që e ruajnë dhe e zhvillojnë folklorin dhe traditat shqiptare.
Ajo që të gëzon është dashuria dhe pasioni i këtyre fëmijëve për tu veshur me kostume kombëtare dhe për të kënduar kangët e kërcyer vallet popullore.
Ja pra as ekonomia e tregut nuk e mposht dashurinë për folklorin dhe traditat tona. E përmenda këtë sepse janë prindërit që me paratë e tyre, ndonëse jo të shumta ua blejnë kostumet popullore dhe veglat muzikore fëmijëve, janë prindërit që ua paguajnë shpenzimet gjatë pjesëmarrjeve në koncerte brenda dhe jashtë vendit.
Dukuria e dytë e rëndësishme e këtij festivali ishte pjesëmarrja e shumë ansambleve dhe grupeve folklorike nga të gjitha trevat shqiptare, nga Kosova, RMV, Mali i Zi, arbëreshët e Italisë, shqiptarët e diasporës etj etj.
Ky festival i ngjante një festivali ndërkombëtar, ku binin në sy përkrah flamurit kuq e zi edhe flamujt e Kosovës, ShBA, Italisë etj.
Dukuria e tretë ishte hovi që i dha zhvillimit të turizmit dhe ekonomisë në Gjirokastër dhe në Jug të Shqipërisë.
Ndoshta është e nevojshme që ky festival folklorik kombëtar të mos zhvillohet në çdo pesë vjet, por edhe më shpesh sigurisht pa prishur cilësinë, megjithëse me këto artistë të vegjël e të mëdhenj që kemi në të gjithë hapësirat shqiptare, e ardhmja dhe suksesi është i garantuar.

Please follow and like us: