Albspirit

Media/News/Publishing

Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj: Flamuri është krenaria jonë

Flamuri, emblemë fisnikërie

Libri “Flamuri kombëtar, emblemë e kombit shqiptar” (vështrim historik) i shkruar nga Mexhit Demiri përshkruan ecurinë shekullore të simbolikës shqiptare të shqiponjës dykrenore. Libri është një përshkrim historik dhe një rrugëtim shekullor i flamurit kombëtar, që autori e sjell në vëmendje për sakrificat e bëra në dekada nga populli shqiptar për të ruajtur këtë emblemë fisnikërie nëpërmjet një dokumentacioni të gjërë dhe të bollshëm për të vërtetuar “hershmërinë e shqiponjës dykrenore të përdorur nga iliro-epirotësit”. Nëpërmjet faqeve të librit autori na ka sjellë argumentin shkencor se “shqiponja dykrenore nuk ka ndikim bizantin”. Këtë argumentim e ka mbështetur tek prof. Kristo Frashëri, i cili shpjegon se “përhapja e shqiponjës si emblemë, mund të shpjegohet më mirë me traditën popullore, se sa me stemën bizantine”. Ndërsa akademik Aleks Buda do të theksonte se “me shqiponjën dykrenare stolisen vajzat e gratë veshjet e tyre nusërore, djepin e fëmijës, shaminë e dhëndrit. Me të burrat stolisën fyellin, shokun e zemrës e të mallit; atë e vendosën në qemeret e portave, të vatrave, të kullave të gurta. Atë e mbajnë në gji dhe e njomin me gjak nxënës e mësues, kur nën thundrat e plumbat, nën bajonetat e huaja dhanë jetën për çka kishin më të shtrenjtë”.

Autori si qëllim në librin ka për të trajtuar “Flamurin Kombëtar, simbol bashkimi e lirie i kombit shqiptar” gjatë gjithë ekzistencës së tij si popull dhe si komb. Mexhit Demiri me konsiderata dhe me respekt për simbolin kombëtar, ka përshkruar përpjekjet e bëra nga populli shqiptar për ta ruajtur dhe mbajtur me dinjitet, që kur mori formë e u ngrit krenar në Kështjellën e Krujës më 28 Nëntor 1443. Libri synon të japë disa nga tiparet e popullit shqiptar, duke përshkruar më në detaje dhe me përfundime periudhën e gjysmës së dytë të shek. XX, për zhvillimet e reja që mori Shqipëria dhe reformat strukturore që u bënë në të gjitha fushat ekonomike e social-kulturore të vendit. Autori në përgatitjen e librit është mbështetur në fakte dhe dokumente jetësore që e bëjnë librin tërheqës dhe të lexueshëm për të ndjekur hapa pas hapi rrugëtimin historik të simbolit tonë kombëtar, flamurin. Me librin “Flamuri kombëtar, emblemë e kombit shqiptar” autori Mexhit Demiri jep mesazhe për brezat e sotëm dhe të ardhshmërisë për të lartësuar Shqipërinë dhe kombin shqiptar, ashtu siç e ëndërronin Rilindasit dhe të bërë realitet në gjysmën e dytë të shek. XX.

Shpresë dhe besimit tek flamuri i atdheut

E veçanta e këtij libri është se autori ka sjellë në vëmendje punën kolosale që është bërë në regjimin komunist, i cili sipas prof. Kristo Frashërit, la një trashëgimni të pasur ekonomike, materiale dhe intelektual për t’u përdorur nga regjimi pasardhës. Libri është një monument për Flamurin Kombëtar, për të gjithë ata luftëra, beteja dhe përpjekje të bëra nga populli për të ruajtur dhe mbajtur të kuq e me shqiponjën e zezë dykrenore në qiellin shqiptar. Autori përshkruan tërë atë punë kolosale të bërë nga të gjithë shqiptarët për të ruajtur dinjitetin dhe për të mbrojtur simbolikën e tij. Libri është dhe një dokument autentik i veçantë për të treguar periudhën e lavdishme, të mbajtjes së shpresës dhe të besimit tek flamuri i atdheut. Me emrin Flamur populli shqiptar në shekuj ka quajtur dhe bijtë e tij, kur, kusht tjetër vend në botë të këtë emrin e njerëzve të vet me emrin Flamur. Ky është dhe një argument më shumë për të pasqyruar vlerave e tij dhe për ta bërë atë të lartësuar në sytë e të gjithë njerëzve të botës. Nderim pa fund kësaj simbolike të popullit shqiptar që në breza e shekuj ruajti dhe mbajti të gjallë shpresë tek brezi i ri, me një identitet kombëtar shqiptar, vlera këto shekullore dhe arritje madhore të kombit shqiptar. Një vend të veçantë në libër zë dhe periudha e LANÇ-it. Autori i bën një përshkrim kësaj lufte partizane të organizuar dhe të drejtuar nga PKSH me në krye Enver Hoxhën. Autori thekson, duke ju përmbajtur analizës së Fan Nolit se ishin “partizanët me Enver Hoxhën në krye, jo vetëm e nxorrën Shqipërinë nga humnera ku kishte rënë, po tani i ka vënë themele të pa tundura shtetit…”. Për periudhën e luftës dhe të punës ndërtimtare pas çlirimit autori ballafaqon mjaft arritje dhe jep shembuj të shumtë për ndërtimin e shoqërisë së re, si dhe krahasime me periudhën e demokracisë e cila shkatërroi çdo që u ngrit nga populli shqiptar për gjysmë shekulli me radhë. Autori Mexhit Demiri thekson se çdo shtet e çdo komb ka flamurin e vet, që është simboli kryesor i çdo vendi. Për ne shqiptarët gjithmonë Flamuri ka qenë dhe është simboli i nderit, i lavdisë dhe identitetit kombëtar. Me emërin e tij kanë luftuar shqitparët brez pas brezi kundër pushtuesve të huaj. Flamuri u ka shërbyer atyre si thirrje kushtrimi e bashkimi në luftërat dhe betejat për shpëtimin e kombit nga zhdukja dhe asimilimi e për të jetuar në trojet e veta në liri e në paqe me dinjitet.

Historia e Flamurit

Historia e Flamurit, që kemi sot, ka filluar me Gjergj Kastrioti-Skënderbeu kur e ngriti në Kështjellën e Krujës, duke hedhur hequr flamurin e pushtuesit osman. Ishte flamuri i derës së Kastriotëve, të fisit të Skënderbeut, me fushë të kuqe, me shqiponjën e zezë dykrenare në mes. Në çastin solemn të ngritjes së Flamurit, sipas Barletit, Skënderbeu, iu drejtua popullit, që kishte mbushur sheshin, me këto fjalë se “lirinë nuk ua solla unë, por e gjeta këtu në mes jush, armët nuk ua ngjesha unë, por ju gjeta të armatosur; lirinë e kishit kudo në kraharor, në ballë, në shpatë e në ushta”. Flamuri që u ngrit nga Skënderbeu në Krujë, u shpalos në Lezhë më 2 mars 1444, ditën e mbledhjes së princave shqiptar, të cilët formuan Besëlidhjen Shqiptare, një nga aktet më të mëdha të historisë sonë kombëtare që shënon formimin e kombit tonë. Në Kuvendin e Lezhës, zuri fill besëlidhja kombëtare, princat kryesore, nga të gjitha trevat arbërore njohën dhe zgjedhën Skënderbenë si prinjësin e tyre. Të gjithë u rreshtuan pas flamurit të tij, në paqe e në luftë, pavarësisht se çdo njeri prej atyre princave kishte flamurin e vet të principatës. Flamuri i Skënderbeut u bë simbol i unitetit kombëtar. Me këtë flamur Skënderbeu u priu shqiptarëve në beteja për 25 vjet me radhë, duke thyer sulmet e fuqishme të Perandorisë Osmane.

Në gjuhën shqipe emrin “flamur” e ka konstatuar Faik Konica, duke e gjetur tek vepra e Pjetër Budit. Dy elementet kryesorë të Flamurit tonë, që nuk kanë ndryshuar gjatë shekujve janë fusha e kuqe dhe shqiponja dykrenare. Fusha e kuqe simbolizon gjakun e derdhur për liri qysh në kohën e ilirëve, parardhësve tanë. Gjaku është gjëja më sublime e njeriut, është vet jeta. Ngjyra që ka Flamuri ynë është shumë kuptimplotë. Ajo të ngacmon dhe menjëherë të kujton dëshmorët e të gjitha kohërave të rënë për liri. Ngjyra e kuqe e Flamurit tonë të kujton amanetin e dëshmorëve për ta mbrojtur këtë vend, atdheun tonë të shtrenjtë, duke mos kursyer jetën. Flamuri i kuq u ka prirë shqiptarëve në betejë, u ka dhënë fuqi morale të jashtëzakonshme, u ka dhënë guxim e trimëri, i ka mobilizuar dhe i ka frymëzuar për akte heroike. Në flamur është gjaku ynë i pastër dhe jo gjaku i huaj. Ky flamur nuk bën thirrje për të gjakosur popujt e tjerë e për pushtime të tokave të huaja, por vetëm për mbrojtje, duke na kujtuar gjakun tonë të derdhur për t’u mbrojtur nga pushtuesit e huaj. “Siç e shihni, pra o vëllezër”, u drejtohej shqiptarëve Konica, flamuri ynë, i cili është nga më të ndershmit dhe nga më të lavdëruarit e botës, është pa dyshim dhe një nga më të vjetërit”. Hershmëria e Flamurit tregon se kombi ynë është ndër kombët më të vjetër të Europës.

Flamuri Kombëtar, krye simboli ynë

Shqiponja e Flamurit e ka zanafillën tek besimet e moçme të popullit tonë që këtë shpend të fuqishëm e hyjnizonte. Shqiponjën me dy krerë, për herë të parë e gjejmë të gdhendur në tempullin pellazg të Dodanës dhe në monumente të tjera kulti e zbukurime në veshjet tradicionale. “…Shqiponja ka zbukuruar monedhat e Ilirisë, si, p.sh., monedhat e Lidhjes Epirote të Bylysit, të Orikut, të Apolonisë etj”. Perandori ilir i Romës Kostandini, kishte simbol të tij shqiponjën dykrenare. Në fillim të shek. XIII, shqiponja dykrenare ishte emblemë e dyerve të mëdha shqiptare si Gropa, Muzaka, Araniti dhe Kastrioti. Shqiponja një korenare ishte simboli i princave të arbërit e Dukagjineve, Zakariajve dhe e Buzëve. Muzajkajt e kishin shqiponjën me një yll mbi kokë. Kaq shumë ishte praktikuar dhe përhapur shqiponja tek arbërit në flamuj dhe emblema të ndryshme, sa që ky simbol ishte një nga faktorët kulturor të mesjetes, i cili përcaktoi emrin shqiptar. Në epokën e Rilindjes sonë Kombëtare, bashkë me ringjalljen e të gjitha vlerave tona të epokës së Skënderbeut, rilindi edhe krye simboli ynë, Flamuri Kombëtar, i ruajtur gjatë shekujve të pushtimit osman nga populli shqiptar. Rilindasit tanë duke evokuar Skënderbeun, filluan t’i thurin vargje e himne Flamurit tonë kombëtar. Të frymëzuara nga këto motive të rilindasve, çetat dhe formacionet kryengritëse, anembanë trojeve shqiptare u rreshtuan nën hijen e këtij flamuri. Për herë të parë, luftëtarët e Ded Gjo Lulit në kryengritjen e Malësisë së Madhe të vitit 1911, e ngritën këtë Flamur në kalanë e Deçiqit. Duke e ngritur Flamurin, u vranë 7 luftëtarë, dhe sa binte i pari, ia rrëmbente Flamurin i dyti, deri sa ranë Dëshmorë të Flamurit Dok Preçi, Marash Luca, Kol Doda, Gjeto Toma, Tom Uci, Kol Uci, Prel Gjeka. I frymëzuar nga kjo luftë, Asdreni shkroi vargjet Kur Flamuri kuq e zi, bën vala-ngrihet,/ Shqiponja me dy krerë kur del ballë,/ Kur dridhet toka, topat kur shekojmë,/ As një prej nesh at’herë nuk e mfshihet,/ Po flamurin, të vdekur a të gjallë,/ Me radhë do të biem ta shpëtojmë.

Ngritja e Flamurit në Vlorë nga Ismail Qemali më 28 Nëntor 1912, ditë më ditë, pas 469 vjetësh, nga ajo ditë kur e kishte ngritur për herë të parë Skënderbeu në Kështjellën e Krujës, shënon Ditën e Pavarësisë Kombëtare dhe formimin e shtetit shqiptar. Dita e ngritjes së Flamurit është festa jonë kombëtare. Ndërsa Flamuri Luftarak është simbol i nderit, i trimërisë dhe i lavdisë ushtarake, që i kujton çdo ushtaraku detyrën e shenjtë për mbrojtjen e Republikës së Shqipërisë. Flamuri Luftarak, si shenjë dalluese njihet ushtrinë ilire. Në ushtrinë shqiptare të komanduar nga Skënderbeu, si Flamur Luftarak, njihet ai i principatës arbërore të Kastriotëve, që ishte një pëlhurë e kuqe me një shqiponjë dykrenare në mes. Ai u bë edhe Flamuri kombëtar i popullit shqiptar. Ky flamur ishte simboli i luftërave për liri të çetave atdhetare dhe të kryengritësve shqiptarë në fillimet e shek. XX. Çetat, batalionet e më vonë brigadat partizane të UNÇSH kishin flamurin e tyre luftarak, para të cilit betoheshin se do të luftonin me besnikëri deri në arritjen e fitores përfundimtare mbi pushtuesit e huaj dhe tradhëtaret e vendit. Pas çlirimit Flamuri Luftarak u dorëzohej njësive e institucioneve ushtarake me dekret të Presidentit të Kuvendit Popullor, kur ato formoheshin. Flamuri luftarak është një flamur kombëtar që ka të shkruar emrin e njësisë a të institucionit dhe titujt dhe urdhrat me të cilat është dekoruar flamuri luftarak i njësisë. Flamuri kombëtar është simbol i shtetit dhe i kombit, ai ka funksion indetifikues dhe përbashkues për të gjithë shqiptarët kudo ku jetojnë dhe punojnë.

Please follow and like us: