Albspirit

Media/News/Publishing

Selman Riza: Gramatika dhe Kosova

 

 

 

GRAMATIKA

Jo vetëm gjatë gjithë formimit tim shkollor, por edhe tërë kohë­rat mbas atij e deri më sot, Gramatika (jo e veçorivet të një gjuhe së vetme, por e përbash­kësivet të një numri gjuhësh), me brenditë e saja teorike (paralelizuese gju­hë­sore, vërte vetëm të përafërta, por prapë­seprapë paralelizuese të atyre të Logjikës for­male), si edhe me shërbi­met e saj praktikë (gjuhët e veçanta, deri ato të ashtu­quaj­turat amëtare, e aq më fort të huajat, qysh u mësuakan e u nxënkan dot në mun­gesë të një teknologjie sado elementare mbi përgjithësitë e të folurit njerë­zor, përfaqsim vërte lloj-më-vehte, por prapëseprapë përfaqësim i të men­duarit po njerëzor) – kudo e kurdo më ka interesuar kaq gjallërisht, e tërhequr kaq pandër­pre­razi, saqë, në Ventotene, Loni Kristoja më pati mbiquajtur “Zonja Gramatikë”.

E qe familiarizimi gati gjymsëshekullor (si liceist, student, më­sues, stu­diues e punues shkencor) me gramatikat tradicionale të një nu­mri të mirë gju­hësh të veçanta, në gjendjen më së forti vetëm bashkë­kohore, që mënëfund më aftësoi për të tentuar nga njëra anë dy kritikat jodiletanteske të Logjikës së Aris­totelit dhe Gjuhësisë sosyriane, e nga ana tjetër dy themelimet joiluzorë të një “Intelektologjie” dhe të një “Signoteknie”. E që të dyja këto kritika dhe që të dy këta themelime për t’i tentuar në një punim të vetëm, lëndët e para dhe tezat kry­esore të të cilit i kam tashmë të mbledhura dhe të formuluara; kështuqë, siç tregojnë se paska thënë Zhâ Rasini për njërën nga tragjeditë e veta, këtë punim tani edhe mua “më mbetet vetëm për ta – shkruar”. E për ta shkruar, vetëkup­tohet, jo si Rasini tragjedinë, për dy-tri javë përderdhjesh të frymëzuara, por pak­sëpakti për katër-pesë vite distilimesh trunorë…

Ndërkaq, sa për të fiksuar idetë mbi fondin përmbajtjor dhe fry­mën metodologjike të të njëjtit punim, ja vetsioni i dytë i par­thënies përkatëse:

“Në punimin e pranishëm, veprimtaria e mendjes a të menduarit nuk do të trajtohet vetëm në fazat e mbrame të formimit të vet, e pra vetëm në funk­sion të pyetjes së dyfishtë nëse dhe prejse një mendim është i parregullt apo i rregullt, i pavlefshëm apo i vlef­shëm, i pavërtetë apo i vërtetë; – të menduar këta, të cilët, siç dihet, përbën kundranën pra­k­tikisht ekskluzive të Logjikës së Aris­totelit.

Përkundrazi, aty do të trajtohet mbarë të menduarit, e pra të men­duarit në që të gjitha fazat formative dhe në që të gjithë tipet funk­sionalë të tij; – të me­n­­­duar këta, të cilët autori ka synuar ta bëjë kundranë të një shkence, simbas atij, ende së paqenë: shken­cës mbi MENDJEN a INTELEKTIN, të cilin ai pran­daj edhe e ka emërtuar: INTELEK­TO­LOGJI (paroherazi përdorur prej tij në bo­­timin: “Fillimet e gjuhësisë shqiptare”, Prishtinë, 1952).

Në të njëjtin punim, të folurit a veprimtaria gjuhësore, kundranë e Gju­hësise së përgjithshëme, ka për t’u trajtuar jo shkëputurazi nga trajtimi i llo­jevet tjerë të mjetevet të mundshëm për kumtimin e të men­duarit, por përkun­drazi ba­shkërisht me ata, brenda një disipline vërte kazualisht (për të mos thënë: aksi­dentalisht) edhe shkencore, por gjene­tikisht e, pra themelisht, vetëm tekno­lo­gji­ke (e madje thjesht teknike) mbi SHENJAT (lat. SIGNA) ose SIG­NOTE­KNÍ, pa­gë­zuar kështu nga i njëjti autor.

Pra, në këtë punim, Logjika e Aristotelit dhe Gjuhësia e përgjith­shë­me do të trajtohen vetëm si dy pjesë përbërëse të Intelektologjisë dhe Sig­noteknisë, e pikërisht vetëm si Intelektologji normative dhe Sig­notekni gju­hësore, duke zë­në ato aty nga një ndejtim aspak prioritar, dhe nga një ha­pësirë aspërsëlargu automatikisht mbizotëruese ndaj hapësiravet të pjesëvet tjera.

Tërë punimin e pranishëm e përshkon një e vetme tezë themelore: teza se veset organikë e madje impotencat kongjenitale nga njëra anë të Logjikës, e nga ana tjetër të Gjuhësisë do të mundnin nëmos edhe të mënja­nohen krejt, së pa­kti të reduktohen në minimum vetëm atëherë, kur:

së pari, këto dy disiplina më të ngushta të kenë gjetur inkuadrimet teo­rikë bashkëgjegjës dhe orientimet metodologjikë adekuatë në dy disiplina pa­krahasim më të shtrira, e pikërisht Logjika në shkencën mbi mbarë të men­duarit ose në Intelektologjinë, dhe gjuhësia në “tekninë” mbi të kum­tuarit, me mbarë llojet e mjetevet të mundshëm, të të njëjtit të menduar ose në Signotekni;

së dyti, kur vetë këtyre dy disiplinave më të shtrira t’u jenë sy­nuar saktë dhe zbuluar vlefshëm raportet reciprokë dhe karakteret kom­plementarë.

Dhe ka qenë pikërisht bindja e pashkulshëme e autorit për vërtetë­sinë e rrep­të e kësaj teze së tij që ka përbërë edhe stimulin më të fortë për të tentuar stër­­­guximshëm, edhe mbështetjen më besnike për të vazhduar krye­neçshëm, ai, fillthi vetëm, hedhjen njëherazi të themele­vet të parë të që të dyja këtyre dy disi­plinave pakrahasim më të shtrira se Logjika dhe Gjuhësia. (vazhdon në dy orva­tje 4-27).

Në kuadrin e kësaj parthënieje, nga innovacionet e koncepsionit tonë mbi të menduarit, po signalizojmë këta pesë:

  • Të menduarit është ajo veprimtari vërte materialo-biologjikisht e kushtë­zuar, por ama gjithandej prerazi mbas-materialobio­logjike, e cila pas­qy­ron, më saktë, dublon (dublikon) modo sui generis, më shkurt, idio­dub­lon: fillim­thi vetëm materialen, vazhdimthi edhe biologjiken, mbarimthi deri vetë­veh­ten.
  • Këta të idiodubluar, në parim, nuk është asgjë tjetër veçse, e asgjë më shumë se sa pikërisht të ripranishëmuarit e të papranishmevet.
  • Gjenetikisht, edhe vetë të ripranishmuarit e të papranishmevet paraqet ve­tëm mvehtësimin (jo krejt të pakushtëzuar) të komponentes ripranish­mimore së ndijim-ripranishmimit (a përkapjes).
  • Në një masë gjërësisht të shkallëzuar por të pamungueshme, me çdo pro­ces intelektologjik, më saktë, intelektik është konko­mitant përkatësi proces psi­qik; kështuqë të ashtuquajturit “të menduar (pa tjetër), në të vërtetën ob­jek­tive, është përkundrazi një “të menduar (të bashkëndier)”.
  • Hipoteza eventuale se, krahas “të menduarit për të jetuarit” ekzistuaka edhe “të menduarit për të menduarit” do t’ishte një iluzion intelektua­listik, the­mi kështu, sepse të menduarit është tejrritje e të ndijuarit, të cilët (të ndijuar) tërë arësyen e qenies mund ta ketë vetëm në të shërbyerit jetës. Gjenetikisht, të men­duarit nenrendohet pra të “vullnetuarit” bio­logjik.

Asgjëmangu, funksionalisht, mendimi, sa çshoqërohet nga ndijimi, aq mund të pamvarësohet nga vullneti jetësor. Si rrjedhim, kur vullneti je­tësor (në ve­tëvehte nëmos edhe krejt i verbër, së pakti tepër i njëanshmuar nga stër­ngu­tja), nëvendqë…

 

KOSOVA

Qysh në bangot e Liceut Kombëtar të Korçës, hyra, ende çunak, në pole­mikë me goxha Pater Ashikun, i cili, në një artikull programatik (botuar në ga­zetën “Shqipëria e Re” të Konstancës, Rumani, gjatë vitit 1930) mbi gjoja ri­shën­detshmimin e marrëdhënievet jugosllavo-shqiptare në emër kinse të solida­ritetit ndërballkanik pati predikuar shpërnguljemn masive në Shqipëri e sidomos në Turqi të shqiptarëvet nga Kosova.

“Këtu po shënoj vetëm këtë detal stili së kundërartikullit tim, firmuar: “një djalë kosovar”, qe pikërisht anasjellja e pjesshme e vargut dantesk “Lascia­te ogni speranza voi ch’entrate”, në “Leni çdo shpresë ju që dilni” – që i shër­be­n­te (nuk më kujtohet), edhe si titull apo vetëm si motto.

Kështu, unë qysh atëherë problemin kombëtar e ndërballkanik të Koso­vës e bëra preokupim politik (jo numër një, por) të vetëm të krejt jetës sime.

As detyrës elementare për të mbrojtur (jo pa ndonjë vetërrezikim) kredi­tin moral të emrit kosovar mund të pohoj lirisht se kurrë nuk i kam bërë bisht.

Kundër një grupi të tërë (me në krye nipin e tërthortë të një majori legjen­dar) konviktorësh, që një “dezertim” nga ekipi i ynë i futbollit në të qytetit  Kor­çës pati revoltuar me të drejtë, por që pa të drejtë vendosnë të ndëshkojnë “dezertorin” me një të rrahur shkinisht faqe  shokëvet, mora (vërte fillthi vetëm, por ama jo pa sukses) përsipër parmbrojtjen thjesht fizike të fajtorit – kosovar.

Në njërën nga ditët fill mbas 7 Prillit të 1939-ës, një oficer i ynë nga më të rinjtë, i dëshpëruar nga pushtimi i vendit, i turpëruar nga mosrezistimi i ushtri­së, dhe personalisht jo i pavrarë në ndërgjegje për martesën me një italiane, ia hoqi vehtes në Leksovik për të vdekur mbas dy-tri javësh nga plaga në Korçë.

Në ceremoninë e varrimit, organizuar nga kaporionët italianë, por krye­suar nga kukllat “shqiptare”, me një pjesmarrje – për numër dhe përbërje – mi­ze­ra­bel të banorëvet të qytetit, një nga shokët e armëvet (të pazbrazura) të të ndy­erit mbjati një fjalim…

Një fjalim, të cilin në e donje pa dinjitet moral, e kishe edhe kombëtarisht diskreditues : “jò mosha e re, jò nervat e dobta, jò sentimentalizmi i tepruar”, jò tërt-mërt! Shkurt, një fjalim të konceptuar tamam sipas midesë së kaporionëvet të huaj e kukllavet vendase; e (vetëkuptohet) të programuar si të vetmin e cere­mo­nisë.

Ja përse, ende pa u pasë shuar mirë jehona e fjalisë së fundit së këtij fjali­mi të kësaj fryme, katër ushtarë u turrnë drejt arkivolit për ta ngritur nga blloku i gurtë i varrezavet myslimane e rivendosur mbi shtratin e topit.

Por unë, bashkëkrahinasi (nëmos edhe i heroit, së pakti) i dëshmorit Xhe­­mali Rexha – vigjëlonja. Me të parë se ç’po ndodhte, në çast ngrita krahun e, me një tingull zëri që më tromaksi edhe mua, klitha dy herësh me sa fuqi pata: “kam për të folur edhe unë! Kam për të folur edhe unë!” – Ushtarët, në pritje të një urdhëri të ri, shtangnë, duke mbajtur pezull arkivolin. Kaporionët dhe kuku­llat, vështro njëri-tjetrin në sy, e vështro mua me një copëz letër në një dorë jo krejt të padridhur, e me një fytyrë domosdo të prishur, e sidomos-sidomos me babanë dhe nënën të të përtuvarrosurit, të cilët – në demonstrim solidarizimi – më kishin marrë mu midis tyre. Mënëfund, të njëjtët kaporionë dhe të njëjtat ku­kulla, dashur padashur, bënë (gati së toku) sshenj ushtarëvet për të rilëshuar arkivolin mbi bllokun e gurtë…

Atëherë, unë, vërte me një zë të ngjirur, por ama me tonin e një të vetë­binduri dhe drejtshqiptimin pedant të një mësuesi, lexova faqen e vetme (jo të fjalimit, por) të kundër-fjalimit tim. Them: të kundërfjalimit: sepse tërë tekstin e këtij e përshkonte lajtmotivi e madje refreni “situatë falco! Situatë falco!”. E se­pse, në konkluzionin e tij, atentatri i gjakovasit kundër – jetës së vet jo vetëm njihej si një akt i lartë moralo-etik, por njëherazi edhe si një gjest patriotik kup­timplotë: “Nga një situatë falco një ushtarak i virtytshëm mund të dalë vetëm me një plumb në krahëror”.

Provat më të vogla janë shkolla e më të mëdhavet. Tani për mua, ish-an­tifashistin disident sepse pikërisht irridentist kosovar, prova të një graviteti në çrritje qenë ato të tri periudhavet pa ndërvise: korrik 1942 deri dhjetor 1944, janar 1948 deri gusht 1951, dhe gusht 1951 deri dhjetor 1955.

Gjatë vitevet 1942-1944, do të riguxonj të shpall se problemit nacional të Kosovës, iu përkushtova vër­evërte krejt së krejti: sa me mendje e ndjenja, dua të them, aq me shqisa e trup.

Se për zgjidhjen plotësisht shqiptare të këtij problemi mprehtësisht ndër­ballkanik e vetmja platformë e përshtatshme – atëherë (nënvizonj: atëherë) ishte domosdo ajo e “Irredentizmit kosovar”, këjo ide (simbas meje) imponohej ve­tiu. Por “Irredentizmi kosovar” datonte qysh prej Konferencës së Londrës 1913-s. Në konjukturën e të dytit Konflikt Botëror, ai ishte evidentisht nevojar prandaj duhej riaktualizuar si formë dhe rikonkretizuar si brendi në që të katër qëndrim­marrjet e mëposhtëme:

a) Në qëndrimmarrjen ndaj zgjedhjes së zgjedhjevet: me kë? Kundër kujt? – Kundër Boshtit Berlin-Romë! Me Bashkimin Sovjetik dhe Demokracitë e Perëndimit! Përse? – Për të dhënë edhe na kosovarët kontributin tonë të gja­kut kauzës botërore së lirisë së popujvet. E, kësi kontribuimi, për të par­ga­rantuar materialisht ushtrimin efektiv të së drejtës së vetëvendosjes;

b) Në qëndrimmarrjen ndaj jurisprudencës ndërshtetërore, duke denoncuar me indignatë demagogjinë trathtare të “Shqipnisë së Madhe”, por ama njëherazi – pa fe ndërgjegje së keqe – duke dobishmuar faktin e kryer nga tjetërkush të shpartallimit të Jugosllavisë së vjetër, për t’u shpllur botërisht e ndërkom­bë­tarisht në shkëputje kryengritëse (secession insurrectionnelle) prej së njëj­tës Ju­gosllavi, e njëherazi në gjendje kushtrimi kundër rikthimit eventual të do­minacionit jugosllav të cilësdo kredo ideologjike dhe të cilitdo rend shoqë­ror (që të kishte);

c) Në qëndrimmarrjen ndaj rrymavet sociale dhe partivet politike brenda Shqi­pë­risë, së likujduar si shtet i pamvarur nga Italia (1939-1943), pastaj të push­tuar ushtarakisht nga Gjermania, duke mos u bërë na kosovarët as “Bisht i Ballit”, as “Shtojcë e Frontit” të Shqipërisë, por duke u vetëkushtetuar si Lë­vizje irre­dentiste antifashiste e Kosovës, de facto së shkëputur nga shteti ju­gosllav por de jure ende gjithnjë e panjësueshmuar me shtetin shqiptar; – ve­të­kushtetim ky dhe vetëshkëputje këjo, të cilët njëherazi do të shërbenin si qendër rrezatimi e bazë tubimi edhe për shqiptarët bashkëkufitarë të Maqe­donisë e Malit të Zi, e

d) Në qëndrimmarrjen ndaj grupimevet socio-politike brenda Kosovës: Rryma irredentiste antifashiste pamvarësisht nga rrjeshtimi luftarak dhe solida­rizi­mi propagandistik pro Bashkimit Sovjetik dhe Demokracive të Perëndimit, kun­dër Italisë fashiste dhe Gjermanisë naziste, prapëseprapë dy çeshtjet të re­gjimit politik dhe rendit shoqëror në fazën e parë (nënvizonj: në fazën e pa­rë) i për­jashtoi nga platforma e vet me motivimin e dyfishtë nga njëra anë të prioritetit absolut të luftës kundër shtypjes nacionale ndaj luftës kundër çfrytëzimit sho­që­ror, e nga ana tjetër të mospargjykimit të një problemi, zgji­dhja e të cilit ta­­­­konte vetëm shtetasvet shqiptarë, me të cilët na kosovarët do­nim të njësish­mo­­­­heshim pa pyetur as për regjimin e tyre politik, as për rendin e tyre shoqë­ror.

Tani, këto vendimmarrje shkruesi i këtyre shënimevet vetëjetshkrimorë ende sot e kësaj dite i gjen sa adekuate secilën në vetëvehte aq edhe koherente të katra midis tyre.

Por qëndrimmarrja e katërt duhet rrëfyer se vuante nga karakteri gjenerik dhe fryma atandiste.

Prandaj, mbas të parit takim që u mbajt (Prizren, ? janar 1943) e që rezul­toi inkonkludues e madje ke­qësues i raportit me Ramiz Sadikun në prani të Xha­vit Nimanit, në të dytin takim (po në Prizren, vjeshtë 1943) me Xhavit Ni­ma­nin dhe Mehmet Hoxhën, vetëpërshkruesi duke shpërdorur asandanin perso­nal ndaj bashkëdrejtuesavet tjerë, vajti deri në pranimin e likuijdimit të Rrymës irreden­tiste antifashiste në të mirë të krijimit të një Fronti nacional-çlirimtar të Koso­vës, ideologjikisht, politikisht dhe organizativisht identik me dy partitë dhe me dy Frontet të Jugosllavisë dhe Shqipërisë, por botërisht dhe ndërkom­bëtarisht të pamvarur sa prej atyre shqiptarë aq prej atyre jugosllavë 

Mbetjet e një jete së truar, padallim gjithë bashkëkombasvet të mi dëshi­ronj të më prëhen atje ku kam lindur; në Kosovën shqiptare.

 

Tiranë, 23-XII-1973                                        Selman Riza

 

 

(Ky shkrim është marrë nga “Vepra 6” i Selman Rizës, botuar nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve  Kosovës në Prishtinë, përgatiturr pë shtyp nga akademik Rexhep Ismajli).

Please follow and like us: