Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj: Kujtesë për të mos harruar Borovën 1943
80 vjet që Borova flet
Borova është fshati martir i bashkisë Ersëkë dhe në kujtesën e popullit flet me nota dramatike për të masakruarit, gra, fëmijë e pleq, për shtëpitë e zhuritura, për dhimbjen që ju shtua trupit e shpirtit të Atdheut më 6 korrik 1943. Borova martire ishte viktima e parë e nazistëve gjermanë në Shqipëri, ajo çorri maskën e pushtuesve të rinj, që shkelën tokën shqiptare dhe zbuloi me tërë lakuriqësinë fytyrën e tyre të vërtetë prej bishe. Borova është një dëshmi e egërsisë dhe barbarizmave çnjerëzore të pushtuesve nazi-fashistë, është akuzë kundër politikës sistematike terroriste të fashistëve të vjetër e të rinj. 80 vjet që Borova flet, të tjera vite do të vijnë dhe ajo gjithmonë do të flasë për pabesinë dhe egërsinë e armikut. E ndodhur në skajin jugor të Pllajës së Kolonjës, 5 km në jug të qytetit të Ersekës, në kryqëzimin e rrugëve të lashta që përshkojnë këtë krahinë, Borovës dhe borovarëve, si prag kufitar, u ka takuar ndër të parët të ndeshen me lakmitë e armiqve shekullorë për pushtimin e trojeve tona. Kundër tyre, si gjithë populli ynë, borovarët kanë mbajtur kurdoherë armët ngjeshur.
Ndjenjat e patriotizmit dhe të trimërisë u evidentuan veçanërisht në lëvizjet e mëdha shoqërore të popullit tonë për liri, dritë e dituri, ku krahas patriotëve të shquar të kombit shqiptar radhiten edhe patriotë borovarë. Këto ndjenja i ndezi zjarr, si kudo në Shqipëri dhe në Borovë, gjatë LANÇ-it. Mbështetja e gjithanshme që gjetën në këtë fshat PKSH dhe idetë e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare flasin qartë për patriotizmin e fshatarëve borovarë. Që në fillim bijtë më të mirë të Borovës u lidhën mgushtë me idetë e antifashizmit, u frymëzuan nga këto ide dhe u hodhën në luftë kundër pushtuesve e tradhëtarëve. Për vendosmërinë e tyre dëshmon qartë lidhja me Luftën Nacionalçlirimtare, pjesëmarrja aktive me armë në dorë, ngrohtësia që gjenin antifashistët dhe partizanët në Borovë dhe urrejtja kundër armiqve e tradhëtarëve të vendit.
Masakra në Borovë
6 korriku i vitit 1943 shënon fillimin e një etape të re në historinë e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Kjo datë shënon goditjen e parë të forcave partizane me trupat pushtuese gjermane të Divizionit I Malor Gjerman, që shkeli tokën shqiptare në rrugë-kalimin Manastir-(Maqedoni)-Follorinë (Greqi)-Korçë-Ersekë-Janinë. Kreu i autokoloës së gjatë të makinave, autoblinave e tankseve me rreth 5000 hitrianë mbërritën në Barmash rreth mesditës. Nazistët gjermane u gozhduan në vend nga zjarri i befasishëm i 300 luftëtarëve të çetës partizane “Tomori” dhe të çetave vullnetare të fshatrave të Kolonjës e të Skraparit, që kishin zënë Grykat e Barmashit që prej 1 korrikut 1943 në bazë të urdhërit të shtabit të operacionit që drejtonte Luftën e Përmetit, me detyrë për të ndaluar çdo lëvizje të armiqve nga Erseka në ndihmë të garnizonit të rrethuar të Përmetit. E gjendur para luftimesh të ashpra komanda gjermane dha urdhët të çahej me çdo kusht rruga, për të vazhduar lëvizjen e autokolonës. Armiku i tërbuar për të çarë rrugën vuri në përdorim autoblinda, tankse, moçikleta, artileri të rëndë me topa e mortaja. Ndërmori sulme të vazhdueshme për të shpërthyer bllokimin, por s’ja arriti dot qëllimit. Orvajtjet e forcave armike për t’u dalë në shpinë forcave nacionalçlirimtare dështuan përballë kundërsulmeve partizane. Luftimet vazhduan deri në mbrëmje vonë.
Goditja e Barmashit u mësoi pushtuesve gjermanë se në tokën shqiptare populli kryengritës dinte të fliste me armiqtë vetëm me gjuhën e pushkës. Si raprezalje kundër partizanëve, nazistët u sulën me urë të ndezur në një numër fshatrash përreth, duke vrarë gra, fëmijë e pleq. Ato ditë të korrikut, veçanërisht në Borovë, e cila u dogj krejt dhe, lau me gjakun e 107 viktimave rrugët e saj, ku jetonin 97 familje me rreth 450 veta, të banuara në tri lagje të fshatit. Egërsirat naziste të tërbuara nga goditjet e forcave partizane e çetave vullnetare zunë kodrat dhe i mbushën me mitraloza. Fashistët, pasi siguruan “pritat”, që të mos shpëtonte asnjë, filluan të qëllonin banorët dhe t’u vinin zjarrin shtëpive. Nëpër rrugë, sheshe, oborre e kopshte ushtarë me automatikë e mitralozë në duar, me bajoneta të nxjerra, lëviznin si të tërbuar duke zbrazur breshëri plumbash mbi banorët e duke ndezur papushuar zjarre të reja. Gjuhët e flakëve lëpinin muret dhe ngriheshin mbi çatitë si lava ogurzeza. Gra, fëmijë e pleq binin në tokë nga breshëritë e panumërta.
Borova, Barmashi, Kamniku, Sanjollasi, Shalësi, Radimishti, Bënjëzi, Gërmënji, Gozhdarazhda, Poda, Radanji, Vrëpcka dhe qyteti i Leskovikut, që u dogjën ato ditë korriku, ndjenë që në fillim egërsinë kriminale të nazistëve. Krimet e tyre çnjerëzore e forcuan rnë shumë luftën kundër armikut, e ndezën më tej hakmarrjen e popullit e lidhën më shumë me LANÇ-in. Njëzet bij e bija të tjerë borovarë u rreshtuan në formacionet partizane. Me idealin e Partisë në gji, e bashkuan hakmarrjen e tyre me hakmarrjen e mbarë popullit. Dhe kjo hakmarrje e pamëshirshme u theu kokën barbarëve, i varrosi përfundimisht në humnerë.
Pas 78 vitesh shpallen dëshmorët të Atdheut
Më 6 Korrik 1943, formacionet partizane goditën forcat naziste tek Ura e Barmashit. Ushtria gjermane si hakmarrje dogji Borovën, ku brenda një dite u vranë dhe masakruan 107 civilë. Masakra e Borovës u krye nga trupat e Divizionit I Aplin më datë 6.7.1943 ora 13:30 minuta si dokument provues zyrtar për këtë shërben shkresa e Prefektit të Korçës i cili vërteton se në Nënprefkturën e Kolonjës janë djegur 7 fshatra dhe kanë ngelur në Borovë 107 viktima.
Ngjarjen e Borovës e sjellin kujtimet e Ilia Martiri, Mitre Aleksi; poema “Këngë e Drithëruar” e shkrimtarit borovar Sotir Caci kushtuar Borovës martire; vjersha e poetit kolonjar Dhori Qirjazi “Një gjerman” shkrimi në gazetën “Bashkimi” më datë 6 korrik 1973 në formën e një përjetimi personal dhe dekorata e akorduar më 14.11.1945 nr. 163 nga ana Këshillit të Përgjithshëm Antifashist që e dekoron katundin e Borovës me “Medaljen e Trimëris”. Për të përjetësuar Borovën emrin e këtij fshati martirë e mbajnë shkolla 9-vjeçare “Martirët e Borovës” dhe Hotel Restaurant “Borova” në Ersekë.
Në 70 vjetorin e masakrës së Borovës, mori pjesë dhe gjermani Markus Burger, i cili me zë të dridhur kërkoi falje për krimin, të zbuluar nga ditari i të atit, dy vite pas vdekjes së tij, ku shkruhej” “E vetmja gjë që unë jam i aftë të bëj tani është që të ndaj këtë përkujtimore me ju dhe t’ju kërkoj falje për atë që ka bërëbabai im këtu në Borovë”.
Kërkesa u bë nga dega e Organizatës Kombëtare të Dëshmorëve të LANÇ dhe Dëshmorëve të tjerë të Atdheut në bashkinë e Ersekës. 107 viktimat e rëna në “Masakrën e Borovës” më 6 korrik 1943 përmbushën kërkesat e Ligjit nr. 109/2018 “Për Statusin e Dëshmorit të Atdheut”, në bazë të neni 5 pika d, pasi të rënët u pushkatuan si hakmarrje nga pushtuesit nazifashistë.
Në 79-vjetorin e Masakrës së Borovës, Ministria e Mbrojtjes u akordoi statusin “Dëshmor i Atdheut”, 107 civilëve të pushkatura nga nazistët gjermanë. Në aktivitetin e organizuar në Kolonjë mori pjesë ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi, i cili përkujtoi së bashku me familjarët këtë ngjarje tronditëse të historisë së vendit tonë deh shpërndau certifikatat për dëshmor i Atdheut si dhe simbolin Familje e Dëshmorit të Atdheut. Kryetari i Bashkisë së Kolonjës, Erion Isai falënderoi ministrin e Mbrojtjes Niko Peleshi për firmosjen e këtij akti, që ka qenë një përpjekje disavjeçare, ndërsa u shpreh gatishmëria e plotë nga ana e pushtetit lokal dhe atij qendror për ristrukturimin e muzeut.
Në kujtim dhe nderim të vitkimave të Borovës më 6 korrik 1961 u inagurua Shtëpia Muze e Borovës Martire, ku në librin e përshtypjeve shkruhet “martirët e Borovës janë një akuzë e zjarrtë kundër barbarisë naziste…”. Në Borovë gjendet një memorial madhështor që u kujton të rinjve dhe brezave të ardhshëm përpjekjet e të parëve të tyre për liri dhe jetë më të mirë, u kujton barbarizmat e fashistëve hitlerianë. Ai është bërë një qendër e rëndësishme për edukimin patriotik të rinisë. Borova e ndjen nderimin kudo. Në faqe librash e gazetash, në sheshe e institucione, në stendat e muzeve e në monumente, në kurorat me lule të freskëta për fshatin martir. Është ky kujtimi për të rënët, është akuza për armiqtë, është betimi për t’i derdhur plumb në gojë kujtdo që do të guxojë të cënojë Atdheun, Shqipërinë tonë.