Albspirit

Media/News/Publishing

Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj: Motër e vëlla, antifashistë dhe shkrimtarë

 

Motër e vëlla do të ishin bërë shkrimtarë

Në Gosë të Rrogozhinës në të majtë të rrugës gjendet një përmendore, kud dikur kishte një shkëlqim, sot një mbishkrim të thjeshtë: “Margarita e Kristaq Tutulani vrarë nga fashistët më 6 korrik 1943”. Motër e vëlla u masakruan nga fashistët italianë. U aktivizuan në lëvizjen e kohë me shpresë se çdo gjë harrohet, por jo dashuria ndaj Atdheut, luftuan për idealin e tyre, nuk u dorëzuan.

Margarita shkruanin se Atdheu është zemra e çdo shqiptari, që ka lindur në malet e fushat e bukura gjelbërore të këtij atdheu, ka qenë, është e do të jetë një zemër e thjeshtë shqiptare, një zemër që do kurdoherë vendin e saj lindor të dashur, kasollen e paharruar atje tej, larg ndoshta mbrapa malesh, majë shkepash e përmes pyjesh, atje ku ndoshta s’ka asnjë shenjë gjallësie, po prapë e do atë e atje do të vdesë, atje do t’i çlodhen eshtrat, atje do të ketë shtëpinë e tij të përjetshme. Gjithçka mund të harrohet. Mund të harrohen dashuritë me kujtimet e të keqijat e kohës së kaluar, dhimbjet, gëzimet, harrohet çdo gjë, por jo dashuria ndaj Atdheut të dashur e të shtrenjtë.

Kristaqi prej Italie shkruante si rrebesh derdhet e riderdhet në shpirtin e zhuritur të shqiptarit mall i kthimit në atdhe. Ngjallet nga kujtimi i gjërave të dashura e i jetës së bukur, i së kaluarës së këndshme, rritet prej përfytyrimit të bukur. Malli i madh për fshatin e bukur, ku pamë për herë të parë dritën e diellit e zbritën në jetë për kodrat, për luadhet që e rrethojnë, ku qëndronte lumturia e foshnjërisë sonë, për lumenjetë e përrenjtë, shushurima e të cilëve, muzika e ëmbël që dëgjuam në jetën tonë, na lidhi me zinxhirë të padukur, që nuk na lënë të harrojmë vendlindjen tonë e na tërheq të kthehemi aty. Malli për vatrat rreth të cilave kureshtja jonë miturake kënaqej në dëgjimin e përrallave që, me ëmbëlsinë e zakonshme, na tregonte gjyshja, duke i shoqëruar, natyrisht, me një “kurban nëna” pareshtur! Ah! Ky mall për çdo gjë që ndodhet atje copëton dalëngadalë shpirtin tonë…

Margarita mbeti në përjetësi e bukur

Në idealin e Margaritës fjala Atdhe, i tringëllonte ëmbël e bukur. Ajo do të shkruante: Vallë a do mundet njeri të mos mbushet plot kënaqësi e mburrje kur dëgjon këto fjalë? E pse e duam Atdheun më pyet vëllai im i vogël. E duam, i them, se ky është vendi i lindjes sonë, është vendi ku jetuan e u varrosën stërgjyshërit shqiptarë. Që të kesh një Atdhe, domethënë të jesh i lirë. Po ti je i vogël dhe nuk mund ta kuptosh fjalën liri. Liria është gjëja më e shtrenjtë për çdo njeri, për këtë shumë shkrimtarë kanë thurur hymne lavdie…

Margarita Tutulani lindi në maj të vitit 1924, në lagjen Goricë të Beratit. Në Berat kreu shkollën fillore dhe gjysmë të mesme. Në shkollë u dallua për thjeshtësi dhe përparim shumë të mirë në mësime. Në vitin 1938 filloi Institutin femëror të Tiranës, ku u njoh me shumë vajza të tjera, të cilat ndikuan në formimin revolucionar të saj. Pushtimin fashist e priti me indinjatë dhe filloi hapur aktivitetin revolucionar duke bërë propagandë midis shoqeve, ju mësonte këngë revolucionare, lexonte libra, shpërndante trakte në qytetin e Tiranës. Ajo nuk trembej nga rreziqet, ishte guximtare dhe trime.

Në demostratën e madhe të vitit 1942 në Tiranë Margarita mori pjesë, doli hapur duke mbajtur flamurin. Për aktivitetin revolucionar, u përjashtua nga konvikti dhe shkon në Berat. Aty hapi një rrobaqepësi për vajza në kala, ku atë e ktheu në qendër revolucionare, bëheshin mbledhje dhe qepnin rroba për partizanë. Në moshën 18 vjeçare Margarita u zgjodh anëtare e Komitetit Qarkor të Partisë të Beratit dhe u ngarkua me edukimin e rinisë.

Kristaqi kishte bindje tek lëvizja antifashiste

Kristaqi lindi më 7 dhjetor 1919 në Berat. Shkollën e mesme e filloi në Berat, vazhdoi Liceun e Korçës, por u përjashtua për pjesëmarrje në demonstratën antifashiste të 28 nëntorit 1939 dhe maturën e bëri në gjimnazin e Shkodrës. Në maturë në vitin 1941 kundërshtoi profesorin i cili e cilësonte Naim Frashërin poet arkaik e bejtexhi. Kristaqi, me atë zërin e tij tingëllues dhe revoltë, i tha: “Ju, zoti profesor, posa keni mbaruar universitetin në Itali dhe kini nevojë të madhe të njihni e të vlerësoni si duhet literaturën e poetët të vendit tonë”.

Kristaqi shkoi me studime në Itali, por i braktisi shpejt studimet e larta. Ai kishte filluar në Itali, të merrte pjesë aktivisht në rrethet e studentëve antifashiste. Në vitin 1942, gjendet në Berat dhe qëndronte në radhët e para të komunistëve. Ai ishte zgjedhur anëtar i Komitetit Qarkor dhe kryente detyrën e përgjegjësit të agjitpropit. Kristaqi hartoi thirrje e komunikata që shprehnin forcë dhe qartësi politike. Ai vazhdimisht bënte debate, duke folur me forcë dhe me logjikë e vërtetësi mbronte idetë, për të cilat militonte. Kristaqi kishte bindje të thellë në triumfin e Luftës Antifashsite Nacionalçlirimtare. Edhe pse vinte nga një shtresë me gjendje shoqërore të pasur, ai nga vëzhgimet e bëra rreth botës së varfër që ndeshte porsa dilte nga pragu i shtëpisë, nga pragu i qytetit të vendlindjes. Me një vështrim objektiv dhe realist analizonte ngjarjet politike dhe shoqërore brenda dhe jashtë kuadrit shqiptar.

Krijimime letrare të Kristaq Tutulanit janë të gjërë dhe interesante, për moshën, pjekurinë letrare dhe kohën e shkurtër që shkroi. Në shkrimet e tij gjen mall e dashuri për tokën amtare, për popullin që vuan, për të varfërin, për traditat liridashese të të parëve tanë. Dashuria e tij për atdhenë e popullin nuk qe një dashuri abstrakte sentimentale. Ende mjaft i ri ai dijti të vërejë se në Shqipëri kishte të pasur e të varfër, shfrytëzues e të shfrytëzuar…

U masakruan për idealin

Që në moshën më të njomë e deri sa u masakrua nga fashistët, motër e vëlla nuk pushuan së punuari për të mirën e vendit e të popullit të Shqipërisë, të ardhmen së cilës ata i kënduan në mjaft shkrime të tyre.

Margaritën e ndiqnin kudo spiunë, sepse ajo bënte punë revolucionare. Armiqtë e rrethuan Margaritën natën dhe e kapën në befasi, ku ishte së bashku me vëllanë, Kristaqin. I morën të dy dhe në mënyrën më çnjerëzore i torturuan katër ditë e katër net. Pastaj… ajo që ndodhi atë natë do të ndriçohej deri në hollësi nga dëshmonjës e dokumente.

Ishte fillimi i korrikut 1943 kur një kamion ushtarak i mbyllur kishte në brendësi të tij 19 vjeçaren Margarita Tutulani dhe vëllanë e saj, Kristaqin, si dhe një skuadër karabinierësh. Në karrocerinë e kamionit karabinierët nuk ua heqnin sytë komunistëve motër e vëlla.

… Mbetet pas edhe Rrogozhina… Diku një veturë ndalet para kamionit ushtarak. Një vend i shkretë. Buzë xhadesë një hendek. Karabinierët çojnë në vend urdhërat e eprorëve: i zbresin pa u vonuar të dy motër e vëlla, kapërcejnë hendekun…

Kristaqi foli qetë: Vdekja me nder, o kapiten, është mjaltë, kurse tradhëtia – llum e baltë.

Po ju, zonjush, në s’doni që t’jua bëjmë trupat shoshë! Por, Margarita i thotë: Vallë, nuk ju duket e qartë përgjigjja e tim vëllai?! Sakaq skuadrës i jepet shenjë të hapë zjarr mbi Kristaqin. Në çastin e breshërisë së plumbave, Margarita me duart e lidhura, duke i mbledhur të gjitha forcat e veta, godet marshallin… por edhe mbi Margaritën u zbrazën gjithë plumbat e revolverit… Motër e vëlal mbetën në përjetësi…

Pse duhet t’u jemi mirënjohës dëshmorëve të Atdheut?

Margarita shkroi për Hajri Shpatanji që ra në vitin 1943, dëshmor i Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe një nga të parët në Qarkun e Beratit. Në dhomën e errët… shoku Hajri kalonte minutat e fundit të jetës së tij. Në fytyrë i vizatohej trishtimi i thellë e ndoshta dashuria për të jetuar më, për të groposur në zjarrin e tij të ri armikun, për t’u marrë gjakun shokëve… Në minutat e fundit të jetës së tij, mendoi dhe një herë shokët, vendin e tij, detyrat që prisnin çdo zemër shqiptare dhe hidhërimi ia thartoi fytyrën. Deshi të ngrihej, ndoshta për të luftuar vdekjen dhe për të vajtur atje ku e thërriste nderi, por s’mundi. Deshi të bërtiste, të kërkonte ta shpinin atje… por s’mundi. Vetëm një psherëtimë i doli nga thellësitë e tij e me një rënkim të thellë pëshpëriti: “Të poshtërit! O do t’ua marrim hakun!…” e, mbaroi.

Po ti fli i qetë, o shoku Hajri! Sot të gjithë bijtë e shqipes janë betuar për të luftuar armikun. Sot s’ka zemër shqiptare që të mos tronditet para poshtërimit ku na ka zhytyr armiku, para llumit të korupsionit e të mjerimit në të cilin notojmë, para sundimit në të cilin notojmë, para sundimit në të cilin do të na njollosin. Fli i qetë, se rrugën tënde do ta ndjekin sa e sa të rinj, të gjithë jemi të betuar para flamurit se do të derdhim gjakun tonë, djersën tonë, të gjitha ç’kemi për të fituar lirinë dhe lumturinë. Sot të gjithë jemi grumbulluar jemi të bashkuar si një bllok graniti, të bashkuar e të patundur rreth Këshillave Nacionalçlirimtare, organeve të vetme të luftës…

Përsëri Margarita shkroi: Ju o dëshmorë, qetë ata që na dhuruat lirinë… ju o dëshmorë jeni mburojae Kombit Shqiptar. Vetëm me ju Shqipëria mburret dhe barazohet me Kombet e mëdhenj. Emrat tuaj në Historinë e Kombit janë të nënvizuara. Pra flini e prehuni të qetë o shqiptarë se ju kujtojmë gjithmonë me mirënjohje, dashuri e nderim, por edhe me zemër të copëtuar…

Po sot… shikoni lapitarë, pllakatat përkujtimore dhe varrezat e dëshmorëve o popull dhe gjyko… a u jemi mirënjohës dëshmorëve siç shkruante Margarita…

Please follow and like us: