Ruben Avxhiu: AS GRUSHTI, AS SHTETI
Një grusht shteti është rrallë lajm i mirë. Pavarësisht se mund të sjellë zhvillime pozitive në ndonjë aspekt.
Arsyeja dhe përvoja historike e duan që katër të jenë rezultatet e mundshme.
1) Ardhja e një sunduesi më të mirë. Kjo është më pak e mundshme. Sunduesit më të mirë nuk para vinë në pushtet me dhunë.
2) Ardhja e një sunduesi më të keq.
3) Kaos total sepse as sunduesi i vjetër dhe as ai i ri nuk janë në gjendje të vendosin shtetin dhe rendin nën kontroll.
4) Sunduesi i ri rrëzohet shpejt nga një rival tjetër i dhunshëm dhe pushteti ndryshon shumë herë duke kaluar nga një dorë në tjetrën, nganjëherë edhe mbrapsht në duart e sunduesit fillestar.
Në rastin e vendeve si Rusia, rreziku i ndryshimeve me dhunë të pushtetit është edhe më i madh për shkak të arsenalit të armëve bërthamore dhe shtrirjes gjeografike të vendit.
Në rastin e djeshëm, pavarësisht se ka debate nëse mund të quhet grusht shteti, që të katër opcionet e mësipërme mund të kishin ndodhur.
I pari është më pak i mundshmi. Për mendimin tim si Putin ashtu edhe Prigozhini janë kriminelë lufte. Por Putini nuk ka marrë pjesë personalisht në krime. Ai vetëm i ka urdhëruar ato.
Do të ishte si të zëvendësoje Millosheviqin me Arkanin. Që të dy kriminelë lufte. Por Millosheviqi ishte një intrigant, demagog si Putini që urdhëronte krimet kundër njerëzimit pa ndonjë ndikim në jetën e tij të përditshme. Arkani ishte një sadist pjesëmarrës në dhunë.
Nga ana tjetër, Serbia me në krye Arkanin do të ishte më e dobët e më flagrante në kriminalitetin e saj. Do ta bënte më të lehtë mobilizimin e botës ndaj saj. Nga ana tjetër, Prigozheni nuk ishte as nismëtar e as ideolog i pushtimit të Ukrainës. Ai mund ta ndërpriste luftën pa u parë si humbës dhe mund të përqendronte forcat për të konsoliduar pushtetin e tij.
Më e mundshme ishte që Prigozhin të kishte dalë mendsh, duke kafshuar më shumë sesa mund të përtypej. U përdor pa e kuptuar në betejën e klaneve brenda Kremlinit, ku kujtonte se ishte pjesë por nuk ishte.
Kjo nuk do të thotë se kryengritja ishte një teatër. Aq më pak një teatër i organizuar nga vetë Putini i cili u detyrua që publikisht të bëjë marrëveshje me një komandant mercenarësh vetëm pak orë pasi e cilësoi tradhëtar dhe premtoi se do ta zhdukte.
Lehtësia me të cilën u shantazhua në publik dhe injorimi që i bëri publiku rus si dhe aleatët e Rusisë në Azi ishte një tjetër goditje për imazhin e rrënuar të Putinit.
Bombardimet ndaj civilëve në Ukrainë dhe Siri mbrëmë dhe sot, synojnë pikërisht këtë. Forcimin e imazhit të zhburrëruar të Putinit, që ia mbathi nga Moska në kulm të rrezikut dhe ia la meritën publike një vasali si Lukashenko i Bjellorusisë për marrëveshjen që shmangu përplasjen me grupin Wagner. Fuqitë e mëdha nuk bëjnë marrëveshje të tilla me grupe private. Kush kërcënon kryeqytetin i pritet koka. Rusia që vuan edhe nga trauma psiko-historike e humbjes së statusit të superfuqisë është edhe më shumë e ndjeshme ndaj këtij imazhi.
Është imperative për Putinin tani që ta eliminojë Prigozhinin për të rifituar imazhin e liderit të fortë, një domosdoshmëri në Rusinë e sotme. Përndryshe do të jetë vetëm çështje kohe, kur dikush tjetër më i fortë të provojë shantazhin ose edhe vërtet ndryshimin e pushtetit në Moskë.
Sipas një komenti, ata që dështojnë të marrin pushtetin me dhunë në historinë e Rusisë, ose kthehen edhe një herë, shumë më të fortë, për ta mbaruar punën, ose përfundojnë në ndonjë kanal me kokën e thyer, apo të rrëzuar nga ndonjë dritare.
Për këtë, ka shumë mundësi që kjo që ndodhi dje të ketë edhe një Akt final, ku një, në mos që të dy protagonistët kryesorë do të dalin përgjithmonë nga skena.