Napoleoni inteligjent, me sytë dhe buzëqeshjen tërheqëse
Astrit Lulushi
Suksesi ose dështimi i një kombi varet kryesisht nga menaxhimi i tij. Aftësia e drejtuesve ose paaftësia është pasqyra e kombit. Ka pasur studime mbi performancën e menaxherëve dhe inteligjencën e tyre të përgjithshme. Ndryshe nga përshkrimi popullor, sa më inteligjent një individ, aq më i aftë është ai në përdorimi e aftësisë së tij sociale për të nxitur një dinamikë ose rezultat të dëshiruar.
Napoleoni ishte jashtëzakonisht inteligjent dhe krenohej me aftësinë e tij për të vlerësuar karakterin e vërtetë të njerëzve. Ai ishte gjithashtu i aftë për krijimin e skenave të frikshme. Gjatë luftës së Koalicionit të Parë më 1797, ai u nxeh aq shumë me delegacionin austriak në bisedime sa përplasi filxhanin e çajit dhe i tha: “Perandoria juaj nuk është gjë tjetër veçse një shërbëtore e vjetër e mësuar të përdhunohet nga të gjithë”.
Ose kur i foli ushtrisë së Italisë: “Ushtarë, ju jeni të zhveshur, të sëmurë. Qeveria ju ka shumë borxh; por nuk mund t’u japë asgjë. Durimi juaj, guximi që shfaqni në mes këtyre maleve, ështê i admirueshëm; por nuk ju siguron lavdi, asnjë famë nuk reflektohet mbi ju. Unë kërkoj t’ju çoj në fushat më pjellore në botë”.
Më vonë ai lexoi fjalimet e tij të vjetra dhe i konsideroi si mashtrim të shkallës më të lartë. Në makinacionet e tij të dyfishta, ai ishte shumë si çdo politikan inteligjent, i cili fsheh qëllimet e tij të vërteta, në mënyrë që ato të mos keqinterpretohen nga masat. Vetë Napoleoni ndjente se ishte një person i mirë. Sytë dhe buzëqeshja e tij thuhej se ishin tiparet më tërheqëse.
Please follow and like us: