Babai i Martaneshit, emblematikë e antifashizmit dhe anëtar i Shtabit të Përgjithshëm
(Në kuadrin e 80 vjetorit të krijimit të Shtabit të Përgjithshëm të UNÇSH)
Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj
Fillimi i promovimit të librit për klerikun bektashi
Në fillim të muajit korrik 2023 Instituti i Studimit të Historisë Ushtarake zhvilloi një sesion shkencor me objekt krijimi i Shtabit të Përgjithshëm dhe sfidat për organizimin dhe drejtimin e formacioneve të mëdha si Zonave Operative e BrS të UNÇSH. Bashkë me veprimtarinë u shpërnda dhe libri i Jani Fullanit të shkruar për Baba Faja Martaneshi (Mustafa Xhani), i cili ka qenë dhe anëtar i Shtabit të Përgjtihshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare. Referuesit në sesionin shkencor diskutuan për të gjitha problematikat ushtarake nëpër të cilat kaloi dhe u zhvillua ushtria nacionalçlirimtare shqiptare që nga fillesat e saj për përgatitjen e kryengritjes së përgjithshme për çlirimin e vendit që ishin njësitet guerile, kalimi pastaj në çeta partizane që ishte një rise e re për natyrën ushtarake shqiptare.
Kumtesat i dhanë një dimension të ri problemeve ushtarake që bënin fjalë për krijimin e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, si domosdoshmëri në sfidën për organizimin e formacioneve luftarake dhe drejtimin e tyre gjatë LANÇ; Dukuri të organizimit ushtarak në Zonën e Parë Operative Vlorë-Gjirokastër-Mallakastër 1943-1944; Lindja e roli i BrIS, si formacion i parë i madh luftarak dhe model për formacionet e tjerë të këtyre dimensioneve, dukuri e veçori, arritje e mangësi; Lindja e vështirë në sfidën e luftës të BrIIIS, krakteristika, arritje dhe dëmtimet e saj; Veçoritë, kushtet e lindjes, tek roli dhe sfidat e BrIIS në veprimet luftarake të UNÇSH-së dhe Dukuri të krijimi i BrIVS të UNÇSH-së dhe zona e veprimit të saj. Në këtë mënyrë si të thuash u bë dhe një promovim i librit të Baba Faja Martaneshit, për tërë kontributin e tij të dhënë në LANÇ, si drejtues i hershëm i udhëheqësve të qëndresës ku bënte gjithashtu pjesë edhe kleriku bektashi, i njohur si babai i teqesë së Martaneshit…
Njohje me autorin e librit Jani Jorgji Fullani
Jani Fullani lindi në Elbasan më 14 mars 1923. Me përfundimin e shkollës, vijoi studimet në shkollën Normale të Elbasanit. Familja e tij u lidh ngushtësisht me Lëvizjen. Jani Fullani që prej vitit 1942 ka marrë pjesë aktive në Lëvizjen Nacionalçlirimtare, duke u aktivizuar me rininë komuniste, dhënë shfaqje teatrale me karakter patriotik, si dhe ka mbajtur e kryer detyra të ndryshme që i ngarkoheshin nga organizata e rinisë. Në vitin 1943, Qarkori i Elbasanit e caktoi në çetën e Martaneshit me detyrën e komisarit të batalonit. Këtu e njoh dhe lidhi miqësi të ngushtë me babanë e Teqesë së Martaneshit që ishte dhe komandant i forcave partizane të krahinës së Martaneshit.
Pas çlirimit të vendit në vitin 1945 mori gradën ushtarake “Kapiten i Dytë” me detyrë adjutant në divizion. Në vitin 1946 nis studimt në Bashkimin Sovjetik (Leningrad), në Fakultetin e Industrisë (Instituti i Planit), duke e përfunduar në vitin 1950 me vleresimin “Shkëlqyeshëm”.
Fillon punë në vitin 1950 në detyrën drejtor në Ministrinë e Industrisë dhe në vitin 1952 kryente detyrën e ndihmësministrit të Industrisë, më tej në vite ka kryer detyra si drejtor i furnizimit të transportit në Ministrinë e Industrisë e Ndërtimit, zëvendësministër i Industrisë, drejtor i përgjithshëm i Industrisë së Peshkimit, zëvendësministër në Ministrinë e Industrisë, zëvendësdrejtor i Studimeve Ekonomike pranë Këshillit te Ministrave dhe në vitin 1987 ishte kryetar i Arbitrazhit të Shtetit, ku dher doli në pension.
Në vitin 1987 boton librin “Arbitrazhi dhe Kontratat” në bashkautorësi me Safet Hasanin. Ai mbante titullin “Bashkëpunëtor i Vjetër Shkencor”. Ka botuar në shtypin periodik me dhjetëra shkrime të karakterit profesional dhe shkencor për zhvillimin e industrisë në vend, si dhe shkrime me karakter historik dhe shoqëror. Ka punuar dhe ka lënë në dorëshkrim librin për Baba Faja Martaneshi, i cil pa dritën e botimit në vitin 2023. Gjatë gjithë punës ai ka marrë mjaft vlerësime institucionale, medalje e tituj të ndryshëm, si vlerësuar “Qytetar Nderi” i Komunës së Martaneshit. Ka ndërruar jetë në vitin 2002.
Kanë thënë për Babanë…
Bernd J. Fischer: “Baba Faja u bë një nga njerëzit më të kërkuar në Shqipëri”. Reginald Hibbert: “Ai solli me vete jehonën e madhështisë e të karakterit të kohërave të vjetra. Ai me Myslim Pezën dhe Abaz Kupin ia kishin dhënë ngjyrimin e rezistencës “nacionale” LANÇ-it, kur u formua në Pezë në shtator 1942. Julian Ameri: “Udhëheqja e LNAÇ-it, iu besua një Këshilli Qendror të përbërë nga dhjetë anëtarë, më të rëndësishmit e të cilëve ishin luftëtarët: Abaz Kupi, Myslim Peza dhe Baba Faja, si edhe udhëheqësit komuniste, Enver Hoxha, Sejfulla Malëshova, Mustafa Gjinishi dhe Ymer Dishnica… Të tre udhëheqësit nacionalistë e mirrnin fuqinë e tyre, nga influencat lokale që gëzonin”.
Sabri Godo: “… Baba Merxhani mendoi me qartësi këtë: dedei ishte dora që derdhte plumb e zjarr, kurse prapa tij qëndronte një armik me formë të pacaktuar e me fuqi të madhe”. Prof. Dr. Muharrem Dezhgiu: “Me veprën e tij, Baba Faja Martaneshi mbeti në zemrën e popullit si tribun lirie”. Akademik Beqir Meta: “Në figurën e Baba Faja Martaneshit ishin bashkuar të gjithë vetitë më të mira të një atdhetari shqiptar”. Akademik Shaban Sinani: “Baba Faja Martaneshi është padyshim një prej figurave më të përveçme të gjithë historisë së Luftës Antifashiste. Prof. Dr. Hamit Kaba: “Baba Faja, i cili pa asnjë dyshim mbart vlera të çmuara për të gjithë shqiptarët”.
Ndërsa Moikom Zeqo ka thënë se “Baba Faja Martaneshi është një nga heronjtë më emblematike të Antifashizmit në Luftën e Dytë Botërore. Nuk ka një shëmbull tjetër, që një udhëheqës fetar, organizoi luftën çlirimtare, qe anëtar i Shtabit të Përgjithshëm, pra në nivelin e gjeneralit dhe rrobat ushtarake i mbante të veshura, por jo kapelen ushtarake, por mbante taçin karakteristik bektashian. Kjo qe njëkohësisht një simbolike e pakonkurueshme dot. Baba Faja Martaneshi është kështu një nga burrat e mëdhenj dhe shëmbëlltyrat emblematike të Historisë Shqiptarë. Vrasja e tij e pabesë në Kryegjyshatë është gati një thriller, por vepra e tij është e pavdekshme dhe shkëlqimtare”.
Libri nderim për figurën e Mustafa Xhanit
Autori jani Fullani librin e ka shkruar nga një qëllim fisnik, për të treguar dashurinë dhe nderimi për figurën e Mustafa Xhanit. Ai ka studiuar, por dhe njohur jetë e tij kur si komandant dhe komisar drejtuar një çetë partizane të krahinës së Martaneshit, ku jeta e Babait ka prekur skajet e saj. Libri për Babanë fillon me një parathënie domethënëse të Akademikut Shaban Sinanit. Që në titull del qartë figura patriotike e Baba Faja Martaneshi si njeri, klerik, luftëtar dhe përfaqësues i i denjë i popullit të Martaneshit, duke kryer denjësisht dhe detyrë madhore të anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Partizane.
Libri është i thjeshtë, tregon rrugëtimin e Babait duke filluar nga vendlindja, Elbasani, Martaneshi, teqeja bektashiane, burgu, pajtimi i popullit, Partia Komuniste, aksionet ushtarake, komisarët, operacioni i dytë hakmarrës i armikut kundër Martaneshit, anëtar i Shtabit të Përgjithshëm, aksioni i Pishkashit, në Dibër, misioni anglez në Martanesh, Operacioni i Dimrit në zonën e Martaneshit (1943-1944), Kongresi i Përmetit, batalioni i dytë, këngëtar e hokatar, Farija, disa përfundime dhe vrasja (epilogu). Kjo në një farë mënyre është përmbajtja, që tregon një ecje në jetë të babait i cili e mbulli jetën në moshën 37 vjeçare.
Autori Jani Fullani ka shkruar me një qartësi mendimi për një klerik të lartë të bektashizmit, për një veprimtari të lidhur ngushtë me teqetë e Martaneshit, për një rol protagonisti në vitet e vështira të Luftës Antifashiste. Figura burrërore e Baba Faja Martaneshit në dekada ka pasur një admirim popullor, pasi ai shfaqi dushëm në vitet e luftës si atdhetarin tradicional me frymë të re. Figura e Baba Faja Martaneshit dhe sot nuk është përfolur nga grupime të ndryshme të shoqërisë.
Jani Fullani e ka sjellë Baba Faja Martaneshin që nga fëmijëria e tij e vështirë deri tek marrja e përgjegjësive për fatet e atdheut. Autori e mori dhe e ka kryer këtë përgjegjësi, pasi dhe ai ishte i lidhur me Martaneshin, krahinën që ia dha emrin e vet për mbiemër Mustafa Xhanit. Autori ka shkruar një libër prej dëshmitari të kohës, ai në luftë e ka ndjekur hap pas hapi dhe duke krijuar një figurë orgjinale siç edhe ishte Babai. Autori ka marshuar në veprën e tij me jetën e Babait, pasi vetë Babai u përball me sfida në jetë, u rrit në familje dedeleresh në Peqin e në Elbasan, pa seriozitetin e “njeriut me taç”, ndeshi në dëshirën e tij për të shijuar jetën. Baba Faja Martaneshi nga predikuesi bektashi i paqes dhe harmonisë kalon tek revolta për pushtimin e vendit nga të huajt, nga rritja e motivimit të popullit për çlirim, nga “njeriu me taç” në luftëtar të çetës partizane dhe të batalionit antifashist, deri në kuvende me rëndësi për historinë kombëtare.
Krijimi i Ushtrisë Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe zgjedhja anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të saj, e shndërroi Baba Faja Martaneshit nga njeriu i paqes në luftëtar për çështjen kombëtare. Në këtë shtab ushtarak Mustafa Xhani përfaqësonte figurën patriotike me popullaritet të gjerë në krahinën e Martaneshit. Ai kishte trashëguar që në moshë të re, ndjenjën e atdhedashurisë dhe ishte me pikpamje antizogiste. Para popullit ai u shfaq si njeri fisnik, me shpirt të çiltër e demokrat, pas pushtimit të vendit merr pjesë aktive në lëvizjen çlirimtare. Në Konferencën e Pezës zgjidhet anëtar i Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar. Klerik i sektit bektashian Baba Faja sapo i kishte kaluar të 30 vjet. Ai ishte me prirje të theksuara përparimtare e aftësi komunikuese dhe e shëndrroi teqenë e Martaneshit në qendër të propogandës antifashiste, të bashkimit të popullit rreth Frontit Nacionalçlirimtar e të mobilizimit në luftën e armatosur. Duke qenë në krye të formacioneve partizane të Martaneshit, të çetës e të batalionit, i jep hov luftës së armatosur në krahinë. Në Martanesh dështojnë disa operacione të armikut dhe Martaneshi bëhet nyje lidhëse midis krahinave të Dibrës e Pezës.
Jani Fullani ka meritë se e ka sjelljë Baba Faja Martaneshit nëpërmjet librit një figurë të gjallë me virtytet fetare, qytetare e atdhetare që kishte Babai, me mendjen përparimtare për atdhedashurinë dhe për të mirën e Shqipërisë.
Mustafa Dalip Xhani ka zënë vendin e merituar në historinë kombëtare shqiptare, ai është shpallur Dëshmor i Atdheut me vendim nr. 161, datë 29.12.1971, të Komiteti Ekzekutiv të Tiranës, katitullin e lartë “Hero i Popullit”, mjaft shkolla dhe rrugë mbajnë emrin e tij. emri i tij gjendet i skalitur në Muzeun Historik Kombëtar dhe në mjaft muzeume të vendeve ku ka punuar, luftuar dhe predikuar bektashizmin patriotik shqiptar.