Dr. Vlora Obertinca: Raporti i dyanshëm në lidhjen e dashurisë
“Fuqia e mendjes, e kombinuar me fuqinë e dashurisë së pakushtëzuar, duke mos e dyshuar asnjëherë rezultatin e dëshiruar, realizon çdo gjë në fushën kuantike”, Dr. Vlora Obertinca.
Një lidhje bazohet në marrje dhe dhënie dhe, për këtë arsye, quhet marrëdhënie. Do të thotë, se duhet të kemi një marrje dhe dhënie të barabartë të energjisë së dyanshme. Nëse ka marrje ose dhënie më të madhe, shkaktohet disekuilibri i shkëmbimit të energjive e me këtë prishet ekuilibri i lidhjes mes dy njerëzve, që mund të çojë lehtë deri te ndarja. Në vend që të merremi me veten tonë, ne merremi me partnerin që na ka braktisur dhe i dhurojmë atij energji falas, sepse aty ku shkon vëmendja jonë, aty shkon edhe energjia. A thua kemi energji të tepërt t’i dhurojmë dikujt, aq më tepër kur na ka braktisur dhe na ka lënduar?
Atëherë duhet ta zhvendosim vëmendjen tonë dhe të fillojmë t’i bëjmë pyetje logjike vetes sonë, si për shembull: Sa e njoh unë partnerin tim? Sa e madhe është dashuria e partnerit tim për mua? Sa herë më ka ftuar partneri im të kalojmë një fundjavë së bashku, qoftë në mal apo në bregdet? Sa herë më ka kujtuar me një mesazh të shkruar me dorë, në mes buqetës së luleve apo kutisë së çokollatave, një parfum apo ndonjë dhuratë modeste? Po për ditëlindjen time, a kishte ndonjë befasi të veçantë për mua? Sa herë më ka thënë i pari “të dua”? Sa shpesh më kujton me një mesazh brenda ditës dhe çfarë përmbajtje ka mesazhi? Atëhere pyesni veten tuaj se sa herë i keni bërë të njëjtat gjëra për partnerin tuaj. Pyetjet janë pa fund, por përgjigjet tuaja do ta vulosin peshën e lidhjes së dashurisë, duke e mbyllur bilancin e dashurisë suaj. Kështu vini në përfundim se a e meriton dashurinë tuaj partneri në fjalë.
Fragment i shkëputur nga libri “Vera e shpirtit” të Dr. Vlora Obertinca.
Please follow and like us: