Albspirit

Media/News/Publishing

Ndue Lazri: Rudina Muharremi Beja, rritje e vetëdijes krijuese

Ndue Lazri: Shënime për librin e 12 poetik të autores Rudina Muharremi Beja

I kam shkëputur këto poezi nga libri i 12-të i autores Rudina Muharremi Beja, të cilin sapo e ka bërë gati ta nisë për botim. Kam patur kënaqësinë të lexoj pjesën më të madhe të librave të saj, në poezi e në prozë. E mund ta them pa hezitim që ajo është një autore e formuar, me një përvojë të gjatë krijuese. Personaliteti i saj krijues ka ardhur në rritje nga libri në libër, çka tregon se ajo është shumë kërkuese ndaj vetes dhe nuk e dërgon një libër në shtyp nëse nuk ka bindjen që ai shënon një shkallë më lart nga libri i mëparshëm. Mendoj se kjo kërkesë ndaj vetes është jo vetëm një rritje e vetëdijes krijuese, çka nuk e bën atë të dashurohet me atë çka shkruan, përkundrazi ta “torturojë” vargun drejt perfeksionimit, por është edhe një rritje e figurës së saj si artiste përpara lexuesit.

Autorja nuk rend pas figurash të kërkuara dhe nuk tenton ta kthejë poezinë e saj në një rebus të ngarkuar figurash letrare. Stili i saj tashmë ka fituar atë delikatesë e elegancë, ku vargu rrjedh natyrshëm si uji i një kroj malor, ku metaforat shkëlqejnë si ato bulëzat më të ndritshme të ujit nën refleksin e rrezeve të diellit. Poezia e saj është çasti, është spontaneiteti, është filozofia dhe bukuria befasuese e mendimit të mençur që lind në momentin e frymëzimit dhe lëmohet pa sforcim gjatë procesit krijues. Ajo nuk e konsideron të përfunduar poezinë në momentin që e ka hedhur në letër. Nuk i fle shpirti rehat dhe i kthehet e rikthehet asaj, diku ndryshon një varg, diku heq një fjalë dhe e zëvendëson me një tjetër, ashtu siç bën amvisa e mirë e me shije me lulet e ballkonit për të arritur një harmoni e përsosmëri ngjyrash.

Autori është gazetar, Itali.

RUDINA MUHARREMI BEJA, Rovereto, Itali.

LART

“Ti  nuk mund të fluturosh lart,

sepse lart, është vend vetëm për shqiponja”

-i thonin gjithnjë shpezët,

që lirinë e prisnin prej gjuetarëve….

 

 

PARZMORE

Duke të parë ty,

mësova si të mos jem,

kështu farkova një parzmore,

që ta ruaja të pacënuar kështjellën e shpirtit,

të mos e prekë zilia,

dhimbja as gjykimet.

Mure të lartë mbinë deri në qiell.

 

Në to, që atëherë

Thyejnë kryet fjalët e tua…

 

 

KËTU…

Këtu ditët janë të shkurtëra.

Qajnë gjithnjë,

vetëm shpinën ua shoh tek largohen harqeve të meridianëve.

Shkruajnë një rrudhë mollëzave të përgjakura

e nxitojnë të humbin me erën.

U qepen reve,

tretur ndoshta të vetmit mall

e s’pushojnë së përtypuri trishtim…

 

Këtu ditët janë pa ngjyrë.

Asgjë nuk shquhet horizontit,

përveç vetmisë që kacavirret në zgrip të jetës.

Njelmur lotësh,

kërkon një sup njeriu…

 

 

MARTESA

Nuk do tëzbrisje për mua diellin e së nersmes,

as zjarrin,

Prometeu qyshkur  në duar mban atë flakadan,

Dhe unë nuk mund të të falja përherë pranverë,

si Euridika bëri për Orfeun,

por, dhimbjet e varfra me ngjyrat e jetës do t ‘i vishnim,

qiellin do ta preknim

me duart që valëviteshin në dritën e dlirtë,

dhe shkallët që na çojnë në Had,

bashkë do ti preknim,

dhe vdekjen

për të mbetur pranë.

 

NËSE

Nëse dua të fluturoj

mos m’i pre flatrat,

kafazit mos më mbyll prej frikës se më humb,

as hapat të m’i ndalësh me vargonj.

 

Nëse dua të ndal

Luhatje nga brengat mos krijo,

hesht!

Trishtimi nuk është për ty,

për mua jo e jo,

fjalët më të ajërta mbledh

si fusha ujrat e kthjellta të rrëkerave.

 

Më duaj

me ngazëllimin e pikave të shiut

mbi buzet e etura të shkretëtirës

dhe nuk do të mundem prej teje larg të shkoj.

 

ENDE

Ai ende ia përkëdhel mendimet,

ndërsa gishtat luajnë me flokët e saj

e krehin tërë shqisat…

 

DALË MODE

Zoti bekoftë këtë burrë ardhur si bekim,

që bëhet ylber që unë të prek gjithë ngjyrat,

më shoqëron udhëkryqeve me elegancë e durim.

E në dëshiron diçka të më thotë,

m’i ngul sytë për të folur me tinguj universi

tek kërkon pa prajtë shpirtin tim…

 

Zoti bekoftë këtë burrë që blen ende lule,

për të fshehur në to reflektimin e një rrezeje,

që ngadalëson hapat për të më ecur pranë

e përkushtohet njësoj e në heshtje.

 

Zoti bekoftë këtë burrë,

këtë burrë të dalë mode…

 

 

VALLËZIM NËN SHI

Nuk mund të jetë një brengë

asnjë plorqë rrëmon për bukën e përditshme,dashuria jonë.

Ajo mbetet krenari e një lirie,

që kurrë s’resht së udhëtuari

edhe atëherë kur nuk jemi të përkryer,

dhe atëherë kur mendimet e kundërta

e stuhitë, tërbojnë…

 

Gurë,

s’e di pse kaq shumë gurë ka udha jonë

e shi, s’di pse bie gjithmonë,

por ne, zgjedhim të vallëzojmë sëbashku,

nën shiun tonë…

 

 

JETA

Po!

Jeta qëndron aty…

Në kapërcimin që nuk bëjmë.

 

 

MUNGESË

Po i mbledhinkarriget.

Ndanë sallës së madhe

qëndron dhe jotja,

grumbulluar bashkë me të tjera.

Herë më ngjan si mungesë

e herë – herë, më e mjera…

 

 

“LOJË”

Ti nuk luan, lufton.

Një thikë mund të t’vrasë vetëm nga afër,

një fjalë, nga çdo lloj distance…

 

 

KAQ SHUMË

Më qenka dashur kaq shumë kohë të kuptoj,

se urrejtja, ndot ata që e ndjejnë

e se agjëkund

s’do të mbërrijë hija e errët e tyre.

 

Kaq shumë kohë më qenka dashur për të kuptuar

se ka më shumë force në një lot,

më shumë se në zërin ulëritës,

se në grushtin që godet fort…

 

 

 

 

 

Please follow and like us: