Albspirit

Media/News/Publishing

Odise Kote: Shkrihen pazëshëm akullnajat Pireneje…

 

 

Shkrihen pazëshëm akullnajat shekullore Pireneje,

kufirit franko – spanjoll ku ende fishkëllejnë

erëra të rreshtit të parë, murlan e moskuptim.

Frika nga përmbytjet dhe rrëmbimet janë një arsye,

që ndan për të gjithë role të reja udhëve të tokës.

 

 

Shkrihen pazëshëm akullnajat shekullore Pireneje,

këndej – tablo Pikaso, Spanja oqean dhimbje e vdekje,

diktatori Franko rrafshoi qytetin e shenjtë Guernika.

Andej – Volteri i Francës, polemist i pathyer,

nuk ndjehet fajtor pse Luigji XVI ekzekutohet

me gijotinë, në “Place de la Revolution” në Paris.

 

 

Kanë mbetur pak shtresa akullnajore në malet Pireneje,

të strukura në shkrepa e thepina që sikur pëshpërisin:

Na kujtoni se dikur kemi dashuruar e kemi qeshur.

Dhe lëshojnë një shkëlqim verbues bardhësie,

provë se drita më e shndritshme ka hijen më të errët.

 

 

Shkrihen pazëshëm akullnajat shekullore Pireneje…

Sikur bota rinis historinë e vet prej fillimit…

Please follow and like us: