Idi Batha firmos në Arabinë Saudite! Ish-kapiteni i Tiranës: Ja me cilat klube bisedova në Superiore
Idi Batha nuk do të vazhdojë karrierën e tij në Kategorinë Superiore por në një kampionat tjetër ku përfitimet financiare janë shumë më të mëdha. Ish-kapiteni i Tiranës ka zbuluar për “Sport News” në “News 24” se ka firmosur në Arabinë Saudite dhe për momentin nuk do të kthehej në Shqipëri.
Mbyllët dy sezone në Rumani. Si ishte aventura me UTA Arad, ndonjë peng, apo thjesht përfundoi një cikël?
Ishte një aventurë emocionuese dhe që kisha kohë që e prisja. Çdo futbollist e ka ëndërr që të luajë jashtë, por UTA nuk ishte ëndrra ime. Ai ekip mund të luajë në nivele më të larta. Natyrisht, jam krenar për veten time që shkova të provoj veten atje. Nuk më mbeti asnjë peng nga ato dy sezone.
Sigurisht që niveli është më i lartë. Të gjitha skuadrat janë nivel më i lartë. Ekipet që janë në fillim të tabelës janë shumë më lart se ne. Ekipet me buxhet të lartë, kanë ekipe më të mira.
Idi, po ju pyes drejtpërdrejtë, nëse mund të përgjigjesh po ashtu, ku do të luani në sezonin e ri, të paktën nëse mund ta thoni, në Shqipëri apo jashtë?
Kjo është ekskluzive, unë kam firmosur në Arabi dhe atje do ta kalojë një sezon. Për cilën skuadër bëhet fjalë? Është një skuadër e Kategorisë së Parë, natyrisht nuk është një ekip i elitës, pasi siç po e shikon, Saudi Proffesional League po zhvillohet shumë dhe është pak e vështirë.
Jeni lakuar te Tirana, te Partizani, po ashtu te Vllaznia, madje së fundmi edhe te Dinamo. Si qëndron e vërteta?
Kemi pasur bisedime. Me Dinamon nuk kam patur asnjë kontakt. Bisedimet më të avancuara kanë qenë me Tiranën dhe Vllazninë. Madje, Vllaznia erdhi me ofertë konkrete, ndërsa Tirana pak e stepur. Edhe unë edhe Tirana nuk e gjetëm rrugën e përbashkët.
E keni ndjekur kampionatin shqiptar? Si ju është dukur rivaliteti mes Partizanit dhe Tiranës në sezonin që u mbyll, ju keni luajtur me të dyja skuadrat?
Ishte emocionues si kampionat, e kam thënë edhe në intervistat e dhëna. Tirana me eksperiencë, ndërsa Partizani me djem të rinj dhe të talentuar, po e kam ndjekur kampionatin. Më vjen mirë që titulli po kthehet në kryeqytet. Kjo duhet të ndodhte më herët, tani duket sikur nuk ka ku shkon diku tjetër.
Partizani luan sonte ndaj Bate Borisov, mund t’ia dalë të eliminojë një skuadër me eksperiencë?
Të them të vërtetën, nuk e njoh Bate Borisov, nuk e kam ndjekur. Nuk kam informacion, por që jam i bindur se do jetë e vështirë për Partizanin. Ne thamë që të kuqtë kanë lojtar të talentuar, por Bate ka skuadër të mirë. Gjithsesi, futbolli ka surpriza.
Shpresoj që të kalojnë të gjitha ekipet shqiptare. Për mendimin tim, skuadra më e dobët është Dinamo Batumi që i ka rënë Tiranës. Në anën tjetër është më e vështira sepse kanë filluar kampionatin.
Së fundmi është diskutuar për formatin e Superiores, ku flitet më shumë për një play-off të 4 ekipeve të para në fund, si e shikoni këtë ide?
Ideja është se ky sistem përdoret në Rumani, pra 6 ekipet e para dhe 10 ekipet e dyta, sepse ishin 16 ekipe atje. Ato bënin play-off me njëra tjetër, ndërsa të tjerat bënin Play Out! Pak rëndësi ka formula, rëndësi ka që kjo është formula. Më i miri, le të fitojë. Nëse ti mundesh, fitoje me këtë formulë. Është emocionuese si formulë.
Batha, po Kombëtaren shqiptare e keni ndjekur? Presidenti Duka u shpreh një ditë më parë se sfidat e shtatorit janë vendimtare për kualifikimin në Evropian, ju si mendoni?
Kemi shanse, kemi ekip simpatik. Polonia është rival i fortë por jashtë forme. Mund të fitosh 2 ndeshje me Çekinë, nuk është një rival që ka nivel të lartë. Nuk është çudi nëse fitojmë ndaj tyre./360 grade