Albspirit

Media/News/Publishing

Eh mër Gim Rada, shoku im i rinisë, mos vdeksh kurrë

Edi Rama

Nuk mund të niste më hidhur një ditë e imja, se sa me lajmin e ndarjes nga jeta të Agim Radës, skulptori i rrallë, shoku im i madh i rinisë më të hershme, për të cilin i lidha këto fjalë mes pauzash të gjata e lëmshesh në grykë, po që t’i evitoja fare nuk mundesha dot, sepse me patjetër dikush nga të paktët që e njohën së afërmi, duhet t’i linte të shkruara. Për të, Gimin e pashoq të kohës së vjetër, në mos për askënd tjetër. E di që rreshtat më poshtë janë ca si të gjatë, po ai, në mos askush prej jush, ka të gjithë kohën t’i lexojë dhe të qeshë e të qajë me to, si të dojë dhe si vetëm ai di ta bëjë.

Anti-hero i realizmit socialist dhe hero i disidencës së bordurave, rebel i Tironës së gjimnastikës së mëngjesit dhe xhirove të darkës, dashnor i paepur i rrugicave të Liqenit Artificial dhe tallës po aq i palodhur i spiunëve të zellshëm me kostum teritali rrotull “Gjirit të kurvave”, Gimi ishte studenti më i përjashtuar nga zboret e aksionet dhe shembëlltyra më komike e dështimit të syrgjynosjeve riedukuese në gjirin e klasës punëtore. Makthi i organizatave të Partisë në shkollë e në jetë dhe i udhëheqësve të rinisë në vijën e parë të luftës kundër shfaqjeve të huaja, Gimi u hidhte dishepujve të vet të asaj kohe të bekuar ëndrrash të palejuara, thërrime nga thesi i eksperiencës së tij në mbjelljen e farës së sevdasë arave të virgjëra të botës së lakmuar femërore, duke predikuar dashurinë e lirë dhe shijen e të ndaluarës, tek shkulte në të qeshura tavolina të tëra, ku mes gajasjeve me dogmat morale dhe turlillojin e personazheve publikë e jopublikë të rrugës së ndërtimit të komunizmit, mbusheshin e zbrazeshin me turlilloj rakish gotat që trokisnin në vendin e duarve, kur mbërrinin klimakset e artikulimit të tij plot befasira retorike, të cilat përmbanin një përzierje të hatashme frazash e fjalirash të mbledhura librave e rrugëve, nga Shekspiri tek Shaban Qosja, Tit Sojli, Mehmet Elezi, Esenini, Majakovski, Pushkini, nga Rubairat e Omar Khajamit tek vjershat e Shefqet Peçit, Lufta dhe Paqja e Tolstoit, Vitet e Vegjëlisë së Enverit, Don Kishoti i Nolit dhe ai i Petro Zhejit, e deri tek batutat e alter egos së tij, gojëbriskut Llaq Xhavo, bashkë me ato të filmave të Kinostudios Shqipëria e Re a të dramave të Teatrit Kombëtar, ku këmbët e lehtësuara nga zbrazja e sasive marramendëse të lëndëve helmuese luftarake, e çonin shpesh të zhytej mes kolltukëve të kuq, prodhim i kombinatit heroik të drurit “Mihal Duri” ose “Mihal Druri”, siç e kishte pagëzuar Agimi.

“Lejomëni të tërhiqem për pak, që të shkoj të thyhem në mes, për t’i kthyer nënës natyrë ato që i mora pjesë-pjesë!”, kumtonte me sytë blu të përflakur nga kënaqësia, kur shkonte në banjo apo kur fatorinoja i kërkonte biletën e urbanit, një ofshamë e tij epike e pasonte me një, “Oh, betomu sy që gjer tani s’ke parë të tillë mrekulli!”, ndërsa kur ndeshte në rrugë ndonjë nga ata të preferuarit e tij, pensionistët e Frontit Demokratik me kapele republike dhe këpucë gri me vrima, vinte adresimi në vendnumëro me një zë prej fajtori, “Shoko më falni, a dini gjë ku mund të bëj një autokritikë se nuk po e mbaj dot?!”…

Gimi ishte një forcë e madhe e natyrës, kudo ku hynte dukej sikur e hapte perden e ajrit me shpatën e gojës së tij, kudo ku ulej dukej sikur zinte krejt anën e vet të tavolinës me gjerësinë e të qeshurës së tij, kudo ku ecte spostonte gjithnjë me veten tre a katër të tjerë, si bartës i një mesazhi mistik, që në fakt kishte vetëm magnetin e parezistueshëm të një shpirti të lirë dhe karizmën e pashembullt të një udhëheqësi shpirtrash, që kërkonin tek liria vetveten e tyre ende të pagjetur apo pavetëdijësisht të humbur.

Talent natyral i baltës, ai që përmes baltës të vdekurit e mëdhenj të kombit i sillte në jetë dhe vdekjen e trajtonte si dashnoren e fundit, në radhën e pambarimtë të Dylqinjave të tij që fund nuk do të kishte kurrë, “paçka se fundja nga balta vijmë e drejt baltës shkojmë, po rëndësi ka çfarë lemë pas nga balta jonë”, u tërhoq gjithnjë e më shumë në atelienë e skulpturave, jo për t’u thyer në mes, po për të kaluar orë të pafundme në këmbë, në një vrap të shfrenuar prej ankthit të kohës që ikte, teksa numri i të vdekurve që ëndërronte të sillte në jetë rritej.

Dekadat që pasuan epokën e lavdishme të ilaritetit permanent ishin ndryshe dhe bohemi i harbuar i asaj epoke, u kthye vit pas viti në hijen e vetvetes, mes telasheve e dëshirës për të krijuar, melankolisë dhe nevojës për t’i mbijetuar transformimit të jashtëm e të brendshëm, duke lënë sa më shumë vepra. Rrëmuja dhe rrëmeti i qytetit që dikur ishte i tëri i veti, e ku në çdo lagje, nga Ali Demi në Kinostudio, kishte një Ofeli të dëshpëruar në pritjen e përlotur të të vetmit dhe të papërsëritshmit Gim Rada, hynin e dilnin gjithnjë e më pak në izolimin e tij përmes frëngjisë së celularit, prej nga edhe më shkruajti se vdekja i ishte paraqitur në derë për ta marrë.

E kishte kuptuar se dashnorja e fundit nuk kishte ndërmend ta linte pa e marrë, e se argumenti i tij legjendar, “Gimi i shkretë nuk le asnjë femër, po janë femrat ato që e lënë”, kishte rënë dhe ndarja nga kjo botë ishte vetëm çështje kohe.

Tanimë shoku im i madh i rinisë më të hershme, Gim Rada dora vetë, është shtrirë përjetë në krevatin e të parës që nuk pranoi ta linte dhe ne nuk e ndihmuam dot të shpëtonte prej saj. “Femra është si jeta që nuk dorëzohet kollaj!”, na tregonte ai qysh asokohe, kur mustaqet tona ende nuk e kishin provuar djersën e parë, “Imagjinojini të dyja si një gropë të madhe dhe të padukshme, që nuk rrafshohet njësh me tokën pa u mbushur plot, prandaj kini durim dhe ishalla jeni me fat deri tek lopata e fundit!”.

Eh mër Gim Rada, mos vdeksh kurrë!

Please follow and like us: