Albspirit

Media/News/Publishing

Sotiraq Paskali: “Ja si e zbuta arushën MIRA”

Cirkuisti, Sotiraq Paskali, rrëfen si i argëtonte njerëzit me ‘cuditë’ e arushave, historinë e kapjes dhe zbutjen e tyre, ‘shqetësimin’ e kuadrove të Partisë.
“Ja si e zbuta arushën MIRA”
Shpirti i njeriut është i mbushur plot me pasione e dhunti nga më të ndryshmet. Në një moment ndodh që të zgjedhësh mes tyre, t’i përkushtohesh asaj që të intrigon më shumë. Kështu ka ndodhur edhe me cirkuistin e njohur, Sotiraq Paskali. Gati gjysëm shekulli më parë ai i befasoi gjirokastritët me zgjedhjen që bëri. Mes hobit për pikturën, skulpturën, sportin dhe profesionin e tij të veterinarisë ai zgjodhi një art të veçantë: zbutjen e arushave dhe argëtimin e njerëzve me ‘cuditë’ e këtyre kafshëve. Paskali, një nga më të shquarit e artit të cirkut jo vetëm në Gjirokastër, por në të gjithë vendin, rrëfen si i lindi dëshira për të kapur arushën dhe si arriti t’i mahnitë spektatorët në arenë.
Kapja e arushës
Në vitin 1972, Sotiraq Paskali nuk ka mundur t’i bëjë ballë një dëshire të çuditshme, të kapte një arushë të vogël. “Më ishte mbushur mendja ‘top’ të kapja një këlysh të vogël arushe; ta stërvitja e të argëtoja njerëzit. Disa të njohur nga Përmeti, ku unë kisha shërbyer si veteriner, më kishin treguar se vendi më i përshtatshëm për t’i kapur arushat e vogla mund të ishte pylli pranë bredhit të Hotovës, në Frashër të Përmetit. Shkova disa herë aty, ku besoja se mund të kapja gjahun, por pa sukses. Megjithatë nuk hoqa dorë nga “teka” ime. Derisa një ditë, saktësisht në 10 Maj të vitit 1972, në një guvë të pyllit munda të kap një këlysh arushe. Duke e parë ashtu të mbledhur kruspull, mbi një tufë bari, e ndolla me frikë. Këlyshi m’u afrua dhe nisi të më lëpinte këmbët. I gëzuar dhe i frikësuar e rrëmbeva dhe ika “nga sytë këmbët”, tregon cirkuisti i njohur.
Incidentet
Kafsha e vogël, e kapur në Pyllin e Hotovës, e ‘mbërtheu’ veterinerin Paskali te bota e cirkut. “Arusha na ka lodhur jashtë mase, si mua ashtu edhe vëllanë tim, Stavrin, pjestar të trupës së cirkut, sepse t’i mësoje asaj ushtrimet e ecjes me biçikletë apo lojën e basketbollit ishte një stërmundim i vërtetë”-tregon Paskali. – Rreziku ishte gjithmonë prezent pasi ajo egërsohej atëherë kur ne nuk e prisnim dhe na hidhte thonjtë në gjoks. Një herë rastisi që arusha ‘Mira’ (kështu ia vumë emrin) iku nga ushtrimi i numrit në skenë dhe vrapoi drejt kafazit, por për të arritur deri aty duhej të kalonte në disa korridore dhe shkallët e katit të parë të teatrit. Merre me mend çfarë frike i pushtoi njerëzit!! Aktorët u fshehën ku mundën. Disa u varën në perdet e kuintave të skenës, të tjerë u futën në kabina, disa u turrën drejt dyerve të jashme. Ndërsa unë dhe vëllai mundëm ta mbërthenim arushën nga rrypi i qafës dhe e sistemuam në kafaz”.
Si ia hoqëm dhëmbët arushës
Atëhere Paskali mori vendimin e ‘madh’ që t’i hiqte dhëmbët kërcënues arushës. “Falë edhe profesionit tim si veteriner, jo pa dhimbje në shpirt, e vura arushën në gjumë me anë të eterit dhe kloroformit në hundë’-tregon mjeshtri. Në ndihmë më erdhën shokët e mi dentistë Subi Hajro dhe Jorgo Taçi, të cilët më siguruan vegla speciale. Por pas disa minutash, arusha u hodh përpjetë dhe nisi të ulërinte ‘në kupë të qiellit’, aq sa ‘u tund lagjja nga vendi’ pasi kloroformi nuk po i bënte efekt”. Dikush tha se aty pranë banonte edhe një nga kuadrot e lartë të Partisë. Ishte Rrapo Dervishi, Sekretar i Parë. Kishte dalë në tarracën e shtëpisë së vet dhe, pasi dëgjoi ulërimat, u interesua se çfarë po ndodhte. -Çpo ngjet në xhami- pyeti ai. -Është Sotiraq Paskali-i thanë-po i heq dhëmbët arushës. -Bo-bo! Cfarë bën ashtu ai njeri i cuditshëm- tha Rrapua duke vënë buzën në gaz. Mirëpo historia e asaj dite nuk mbaron këtu. Mbrapa xhamisë së qytetit, ku stërviteshin cirkuistët, ndodhej këndi i lojrave sportive me dorë (Bashteja e Teqesë). Ora ishte 10.00 e mëngjesit. Atë ditë aty luante volejboll ekipi i femrave të ‘Luftëtarit” me atë të ‘Dinamos”. Pasi dëgjuan angullimat e kafshës, që kishte dalë te shkallët e xhamisë, spektatorët e larguan vëmendjen nga ndeshja dhe, nga muret e çatitë përreth, nisën të shijonin një tjetër spektakël të paparë ndonjë herë tjetër në jetën e tyre. Ndeshja e volejbollit u shty 30 minuta pas kaosit të krijuar. “Mbasi ia hoqëm më në fund dhëmbët arushës e mjekuam me antibiotikë”-kujton Paskali. Që nga ajo ditë arusha doli nga kafazi, por jo për të fituar lirinë e plotë…
Sotiraq Paskali mbetet një nga njerëzit më popullorë në Gjirokastër. Ai njihet si njeriu që i ka dhënë shumë jo vetëm cirkut dhe sportit, por edhe artit figurativ. Vite më parë bëri jehonë çelja e një ekspozite NUDO në shtëpinë e tij, pranë “Sokakut të të Marrëve”, në lagjen ‘Palorto”./24 dhjetor 2021

 

Please follow and like us: