Albspirit

Media/News/Publishing

AREDIN SHYTI, PROFESIONIST I POLICISË SHQIPTARE

 

Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI

“Histori” do të thotë “pyet një dëshmitar të gjallë”

Të shkruash për profesionistët duhet të depërtosh në lëkurën e tyre, në fëmijërinë, në origjinën, në shkollimin, në profesionalizmin e tyre, në hallet e brengat e kohës, në copëza jete e pune të shkurtëra dhe më të plota, në detaje që shkojnë dhe përtej misionit të historianit. Ndonjëherë të duhet të mësosh ngjarje, që janë më shumë se një film, më shumë se një libër, më shumë se një novelë jetësore. Treva e Labërisë ka nxjerrë njerëz me vlera që i kanë bërë shërbime dinjitoze ngritjes dhe forcimit të shtetit në të gjitha fushat e tij, që i ka bërë nder shqiptarizmës me atdhetarinë dhe përkushtimin. Treva labe e mençurisë, trimërisë dhe lavdisë na përbashkon me njerëz të karakterit të fortë, karaktere që nuk ndryshojnë edhe në rrethanat më sublime, edhe në rrethana të çuditshme, edhe kur shteti tronditet nga themelet, në kohëra komplekse madje as kur një pakicë e shtetarëve bën si e çmendur. Për këtë arsye depërtuam në kohë të padepërtueshme, që ndoshta zbulimi i rrënjëve të së keqes e ligësisë, por dhe veprimet çnjerëzore “në emër të popullit”, do të duhen kohë, kohë si ilaçi më i mirë për shërim. Tolstoi thoshte se: “Më i forti nga të gjithë luftëtarët është koha dhe durimi”, durimi për të vërtetën. Libri “Përballë së keqes” i modelit profesionist të policisë shqiptare Aredin Shyti vjen për lexuesin me detaje të hollësishme, me përmbajtje gjuhësore, flet për profesionalizëm policor si punonjës i vjetër në kriminologji, por dhe si jurist e njohës i spikatur i legjislacionit. Në pamje të parë libri duket si një det me dallgë, i thellë dhe i gjerë. Të krijohet përshtypja se Aredin Shyti është një mjeshtër proze, njëherësh një shkrues i historisë së jetuar të policimit shqiptar në më shumë se një çerek shekulli. Vetë fjala “histori” do të thotë “pyet një dëshmitar të gjallë” dhe rrëfyesin e librit “Përballë së keqes” e kemi të tillë, dëshmitar në ngjarjet e kohës, në kohë të tranzicionit të rrezikshëm, që kanë ardhur pa doreza e pa rezerva. Figurat stoike dhe me karakter, përshkruhen në libër dhe nuk lihen jashtë vëmendjes edhe ata që ndërruan kostum, ide, fe, karakter, flamur, atdhe, harruan babë e nënë, për më tepër nga vinin dhe ku shkonin. Errësira ju zuri dritën e shikimit dhe arsyes njerëzore. Të krijohet përshtypja se Aredin Shyti gjatë detyrave specifike në policim ka mbajtur shënime dhe ka qenë i kujdesshëm, rigoroz, serioz me punën e shtetit. Në frontin që i shërbeu atdheut bindshëm mund të themi se, “nuk ja ka ngrënë qeni shkopin”. Ndërkohë Shën Agustini thoshte se: “kujtesa është një rojtar i pakujdesshëm i mendimit…”, prandaj, mbante shënime në biseda të rëndësishme që t’i ruante në kujtesë”. Ai ndoshta kishte parasysh arsyetimin e një filozofi francez që thoshte: “shënimet janë më shumë se gjysma e betejës”. Prandaj gjykojmë se libri “historiko-policor”, por dhe ballafaques rigoroz me fakte e dëshmi është mësues i së shkuarës që reflekton në zhvillimet e së ardhmes.

*

Nëpër rrënjët e thella të shqiptarizmës në Tragjasin historik

Në rrënjët fisit “Shyti” gjejmë gjurmë të thella atdhetarie, figura të shquara që i bëjnë nder fshatit Tragjas, Labërisë, Vlorës dhe kombit shqiptar. Ndër më të zëshmit e fshatit e krahinës labe është Mahmud Islam Hoxha (1783-1870, i cili sipas profesor Bardhosh Gaçe, në librin “Nga Epistolari i Ibrahim Shytit në Vlorë”, është mjaft i njohur në rrethet patriotike e luftëtare, ku shkruhet se i ati ishte mjeshtër armëndreqës dhe miqësia me oxhakun e Vlorajve i krijoi mundësi që i biri, Mahmudi të studjonte në Zosimea në Janinë në atë kohë shkollë e mesme, dhe më vonë për teologji islame në Stamboll. Mahmud Hoxha ishte zotërues i disa gjuhëve të huaja si persisht, osmanllisht, frëngjisht, anglisht, greqisht, si dhe zotërues i shkencave ekzakte si mësues për matematikë. Bejlerët e Vlorës e përzgjodhën si mësues më 1845, për fëmijët e tyre në oborrin e Vlorajve, pasi kishte qenë mësues në mejtepin e fshatit që më 1808, kur ishte në moshën 25 vjeçare. Mahmud Hoxha ishte përmendur në rebelimin e vitit 1815, ndoshta edhe pak vite më përpara. Tragjasasit, ndoshta se ishin më besnik ndaj oxhakut të Vlorajve, kundërshtuan qeverisjen e Aliut, pas arrestimit prej tij të gjyshit të Ismail Qemalit. Aliu dërgoi Thanas Vajën kryekomandantin e ushtrisë së tij dhe i shtypi. U vranë dy tragjasas, ku për njërin, Çerçiz Danon, kishte këngë që këndohej: “O Çeço Dano këmisha,/të qëlluan te Qisha,/Të qëlluan po s’u përgjunje,/majën e jataganit ngule..” dhe u internuan disa të tjerë në fshtrat Poro dhe në Lubonjë të Vlorës, ku kanë varret edhe sot e kësaj dite. Në këtë rebelim përmendet bashkë me Kamber Delon, kur kundërshtonte taborin e Ali Pashës që kërkonte nënshtrim të Tragjasit dhe internoi burrat e Tragjasit në Poro të Myzeqesë. Prej andej Mahmudi ishte bërë “firar” dhe kryesonte çetën maleve të Labërisë. Më tej ka qenë pjesë e rebelimit të 1828, 1847, dhe organizator e mbështetës në luftën e parë të Janinës më 1854, duke ngelur në historikun e Labërisë një monument shqiptarizme. Edhe në vitin 1847 Mahmud Hoxha ishte në parësi të Kuvendit të Mesaplikut, me kapedanët Zenel Gjonleka e Rrapo Hasani/Hekali. Ai priti e përcolli në Pashaliman Tafil Buzin duke i besuar atij të birin Manen si trim, që u vra në luftimet për marrjen e kalasë së Beratit dhe që ngeli në këngë elegjike: “kohë e ligë Shënmëhilli,/Habër të zi pru Tafili, Haberi erdhi nga deti,/na lavosi si tërmeti,/Tafil Buzi seç i thonë,/tarikat i babës sonë,/Rrënjëdala o Mane,/Ku na mbete dhe ku re,/Në Misir a në More,/Do viç, a nuk vjen dot,/Motra ty të qan me lot”. Pas dështimit të kryengritjeve antitanzimat u internua larg në Anadoll dhe një miku i tij himariot, tregtar i Valanidhit e solli tek shpella e Haxhi Alisë në Karaburun. I biri i tij Alush Hoxha u bë një nga mjekët më në zë të Tragjasit, Vlorës dhe rrethinave përreth. Të dhënat historike flasin edhe për emra të tjerë të fisit si Sulo (Selfo) Shyti, truproja i Abdyl Frashërit thuajse në të gjitha trevat shqiptare për të realizuar Lidhjen Shqiptare të Prizrenit (Prof. Kristo Frashëri e identifikon si Selfo Shyti, por mendohet se ky ka qenë pseudonim i tij, për shkak se kërkohej për vrasjen e komandantit të tij. E bija e prof. piktore ka realizuar një pamje të tij me fustanellë që ndodhet edhe në muzeun e Frashërit), Tahir Hoxha si veprimtar i LSHP, bashkëpunëtor i kapedanëve. Por veprimtaria e fisit “Hoxha/Shyti” lidhet me mjaft emra si Mahmudi, Tahiri, Alushi, Sulo, Ibrahim Shyti që gjurmoi mjaft të dhëna për gjyshin dhe që janë shkruar nga Bardhosh Gaçe, Spiro Dine të botuar në “Valët e detit” në Sofje, 1908, (f.255).  Vargjet e poetit Demir Ago Vlonjati (Curraj), (1790—1845) nga Matogjini, i mbiquajtur “Vlonjati” shkroi historinë jo në arkiva por në këngë që udhëton shekujve: “Pamporrët e detit vijnë,/Na kërkojnë parësinë,/Mahmud Hoxhë Tragjasinë,/Në Dukat Dervish Alinë,/Dule Zoton në Smokthinë,/Në Stamboll duaj t’i shpijnë”! Janë copëza historie që u mëkuan bijtë e Tragjasit historik, i djegur tre herë nga pushtuesit.

*

Nder dhe përgjegjësi – një jetë plot dinjitet e krenari

Aredin Jaho Shyti është lindur më 7 mars 1945 në fshatin Tragjas të Vlorës. Oxhaku i fisit Shyti e dikur Hoxha dhe më herët “Dhima”, ka qenë vatër e patriotizmit dhe atdhedashurisë. Babai i tij Jaho dhe nëna Xhiko Shyti, kushëri i gjeneralit të njohur të MMP-së Tanush Shyti. Arsimimin bazë e mori në vendlindje në Tragjas më 1952-1957. Në Tragjas, Vlorë dhe Tiranë ka vijuar shkollën unike nga 1.9.1958 deri më 15.6.1962. Pas përfundimit të kësaj shkolle më 29 prill 1962 Aredini paraqiti kërkesën për t’u arsimuar në Shkollën e Policisë dhe në fakt në këtë vit filloi Shkollën e Ministrisë së Punëve të Brendshme, pasi komisioni i pranimit më 25.8.1962 vendosi: “të pranohet në SHMPB-së për të ndjekur shkollën tre vjeçare për oficer në Armën e Policisë kandidati Aredin Jaho Shyti”. Betimin ushtarak e zhvilluan bashkë gjithë grupet mësimore më 28 Nëntor 1962. Studimet i përfundoi më 30 korrik 1965 me vlerësimin: “… është tip i squet/i mençur, i shkathët dhe energjik, sambist i mirë, i ndershëm..”. Ishte në moshën 20 vjeçare (f.18). Pas studimeve në 1965 u emërua referent për ndjekjen e krimeve në rrethin e Dibrës dhe më 1966 punëtor policie zone. Sikurse tregon vetë: “Kam punuar për gati 30 vjet në policinë e shtetit shqiptar. E kam filluar karrierën si punëtor operativ për ndjekjen e krimeve dhe e kam mbyllur si shef i Katedrës për Policinë në Shkollën e Lartë të Ministrisë së Brendshme (Sot Akademia e Sigurisë)” (f.10). Transferimi i parë nga Dibra vjen në Elbasan, në vitin 1967 si punëtor operativ në Degën e Punëve të Brendshme të Elbasanit, ku vitet ’70-të ishin bumi i zhvillimit të këtij qyteti, por edhe i luftës ndaj kriminalitetit, detyra të shtuara për policinë në këtë kohë. Viti 1970 është dhe viti kur Aredini martohet me Besniken, me të cilën lindi një vajzë dhe dy djem. Më 1972 meriton vlerësimin e lartë dhe dekorohet me medaljen “Për ruajtjen e rendit shoqëror”. Në vitin 1973 transferohet nga Elbasani në Pogradec, (fq.20) në detyrën zëvendës shef policie në Degën e Punëve të Brendshme të Pogradecit, pas dy vjetësh u emërua shef i policisë, punë që vijoi deri në vitin 1977, ku obligimi themelor ishte lufta kundër krimit. Në këtë periudhë, më 1973 përfundon me korrespondencë Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës, ku u diplomua “jurist”. Puna e tij është vlerësuar shumë e mirë në detyrën funksionale, profesionale dhe konsideratat e drejtuesve të kohës në vlerësimet e përvitshme ishin “i aftë për detyra më të larta”. Në vitin 1978 përfundoi kualifikimin pasuniversitar një vjeçar për ekonomi pranë Shkollës të Partisë Tiranë. Nga viti 1977 deri në dhjetor 1982 kreu detyrën e shefit të policisë në Korçë, ku edhe u rrit edhe më tej profesionalisht. Në atë periudhë u zgjodh nga Këshilli Popullor i rrethit anëtar i Komitetit Ekzekutiv të Korçës. Më 15 dhjetor 1982 është transferuar në Tiranë në të njëjtën detyre (f.34), ndërkohë që policia e Tiranës kishte një personel prej më shumë se 1000 oficerë e policë. Në policinë e Tiranës në këtë periudhë punonte së bashku me tre shokë klase Jani Papandilen, Estref Myftarin dhe Miltiadh Muçin. Edhe në Tiranë Aredin Shyti sikurse në Korçë u zgjodh anëtar i Komitetit Ekzekutiv të Këshillit Popullor të rrethit të Tiranës. Ndërkohë organizimi i policisë ishte bërë nga 4 në 11 komisariate, kur sot më strukturën e 2023 ka 9 komisariate, ku përfshihet edhe Kruja edhe pse është rreth më vete dhe në strukturën organizative me Qarqe bënë pjesë në Prefekturën e Durrësit. Pas një kohe të gjatë në detyrën e shefit të Policisë së Tiranës, nga dhjetori 1982 deri më 23 prill 1990 me vendim të sekretariatit të Komitetit Qendror u liruar nga detyra dhe është emëruar komandant i shkollës 2-vjeçare të Policisë. Zhvillimet e vrullshme të vitit 1990 bënë që Aredin Shyti të emërohet Komandant i shkollës dy vjeçare, edhe pse detyra e komandantit ishte më e ulët se ajo e shefit të policisë, këtë e shpreh edhe kompetenca e emërimit. Shefi i policisë së Tiranës, por jo i rretheve të tjera ishte nomenklaturë e Sekretariatit të KQ, ndërsa detyra e komandantit ishte kompetencë e ministrit të Brendshëm. Ai solli një frymë të re, një eksperiencë të pasur që u shërbeu nevojave për përmirësime në programore teorike dhe praktike me objektiv aftësimin dhe lartësimin e figurë së punonjësit të policisë. Në korrik të vitit 1991 është emëruar drejtor o drejtorisë së Policisë Kriminale në Ministrinë e Rendit Publik, ndërkohë që më parë quhej MPB. Në tetor 1991 është emëruar shef i katedrës së degës së policisë në Institutin e Lartë të Akademisë së Rendit, sot Sakademia e Sigurisë.

*

Arsimimi policor – fytyra e së ardhmes se rendit dhe sigurisë ne Shqipëri

Përzgjedhja e drejtuesve është përzgjedhje vizionarësh jo vetëm në arsimim, por në çdo detyrë tjetër. Drejtimin e një prej institucioneve prestigjioze të përgatitjes së nivelit bazë të nënoficerit të policisë ishte vlerësuese dhe bazale për ardhmërinë e policimit shqiptar. Shkolla dy vjeçare e policimit ishte riorganizuar në vitin 1986, kur ishte hapur si shkollë e policimit bazë. Kjo shkollë më vonë u emërtua Instituti dy vjeçar i policisë, që përgatiste oficerë policie dhe që kishte një kontigjent me rreth 200 kursantë me përzgjedhje nga të 26 rrethet e vendit. Komandanti i parë i saj ka qenë Abedin Elmazi, Ferjat Janushi i dyti dhe Aredin Shyti i treti. Duke qenë se në këtë periudhë funksiononte drejtimi me komandant e komisar, komisar ishte Bajram Kaloshi i diplomuar për histori dhe ka qenë komisar që nga dita e parë e çeljes së kësaj shkolle. Por në historikun e arsimimit policor shqiptar, Në vitin 1986 në një fartë mënyrë u përzgjodh ristrukturim dhe riformatim i sistemit arsimor policor si nevojë e kohës dhe e zhvillimeve të vendit, por në fakt në planin historik të zhvillimeve arsimore në polici, kursi i parë arsimor i policimit ishte hapur më 21 Maj të 1938-ës me komandant Major Viktor Shanto, dhe zv/komandant kapiten Syrja Sami, pedagogë kapiten Faredin Frashëri, Zihni Murati etj., me një trupë kursantësh me 100 vetë, që zhvillonin 12 lëndë: “Organizim shteti, Administrim, Institucionet e së drejtës civile, E drejta penale dhe ndërkombëtare, Organizimi i xhandarmërisë, Policitë e tjera, Njohuri mbi letërsinë botërore, Histori e Gjeografi Shqipërie, Hygjenë (shkruar sipas origjinalit të kohës), Gjuhë e huaj (italisht), “Përdorimi i armëve dhe Edukim fizik”, që ishin huazuar nga programet italiane të policimit. Fati i kursit njëvjeçar të policimit në Shqipëri “u shkrua”, bashkë me pushtimin e 7 prillit 1939, sepse për realizimin e arsimimit dhe trajnimeve të policisë shqiptare u dërguan për studime në “Shkollën e Policisë” në Caserta të Italisë gjithë grupi i kursantëve shqiptarë të emërtuar: “I-Corso Allievi Albanesi” në “Scuola Di Polizia-Caserata”. Por në lidhje me arsimimin policor ka edhe stacione të tjera të viteve 1945, 1954, 1966 e sidomos momenti i krijimit të Shkollës së lartë të policimit të 20.12.1971. Përvoja në ngritjen e konsolidimit të sistemit arsimor policor kaloi nëpër disa faza të rëndësishme dhe tepër delikate. Kur drejtonte shkollën Aredin Shyti, i emëruar më 23 prill 1990 (f.48), vëmendja ishte përqendruar për reformimin e programeve, përgatitjen dhe formimin e nënoficerit të policisë për ruajtjen e rendit në përgjithësi dhe për luftën kundër krimit në veçanti. Në shkollën e policisë udhëhoqi me mençuri, disiplinë e korrektësi me këmbëngulje për programe të pasura për modernizim e objektivitet duke i dhënë një shtytje dhe ridimensionim arsimit, ndërkohë që pas emërimit të tij në detyra më të larta arsimimi policor kaloi dallgë të fuqishme edhe me mbyllje dhe rihapje sipas kushteve ku ndonjëherë “bishti rëndonte më shumë se sqepari”. Ndonjëherë “leksionet” e lidershipit nuk përputheshin me realitetin.

*

Libër-vlerë intelektuale kulture i një shërbëtori të shtetit, nga oficer policie në Ministër

Problematika është publike, edhe libri gjithashtu. Beteja për të drejtën, tregoi përfshirjen e Prokurorisë së Republikës në një krim që vijoi dy dekada, pra edhe “Hakmarrja për drejtësi” nuk ka ekzistuar asnjëherë. Nuk mund të mbyllen këto radhë për komandant Aredinin për profesionistin e policisë shqiptare pa fjalët e Gjek Celaj ish-zëvendës shef i Policisë së Shkodrës në vitet 1990-1991, të publikuar më 2.4.2021 në gazetën “Dita”: “Aredin Shyti ishte modeli më i mirë i policisë… me punë dinjitoze, mjaft cilësore, i papërlyer me asgjë të keqe, i papajtueshëm me çdo shkelje ligji, guximtar për të drejtën dhe të vërtetën.. shembulli më i mirë për t’u ndjekur, i përkushtuar ndaj detyrave, intelektual, studiues, mjaft i kulturuar, njeri me të cilin mund të diskutosh për drejtësinë, historinë, letërsinë, filozofinë..”. Aredini ishte dhe është njeri me karakter, personalitet, shërbëtor i shtetit, qytetar e intelektual, oficer policie dhe Ministër që gëzonte dhe gëzon respekt, vlerësim, nderim dhe mirënjohje. Ai ishte vartës i bindur, drejtues i aftë, koleg e profesionist i merituar. Në personin e tij mishërohet thënia e Napoleon Bonopartit se, “kush nuk di të bindet nuk di të komandojë”. Me librin “Përballë së keqes”, Aredin Shyti na sjell me shumë objektivitet e paanësi profesionale, analiza të ngjarjeve, dokumentave, dëshmi, vërtetësi që rrjedhin nga sinqeriteti dhe ndershmëria. Aredin Shyti e ka shkruar librin duke ia dalë ta mbrojë të vërtetën, të dominojë mbi emocionet si dhe ka zgjedhur një gjuhë profesionale me sqimë dhe gjithë kulturë, imponues për t’a lexuar si i thonë, “me një frymë”. Libri “Përballë së keqes” është kontribut jo për autorin, por për lexuesin me sy e veshë dhe me gjykim të shëndoshë, që e do të vërtetën nën dritën e diellit, duke ngelur argumentues i ngjarjes së 2 prillit 1992 në Shkodër dhe të ashtuquajturën “Hakmarrja për Drejtësi”. Shokë e miq bashkëvuajtës të një organizate si Policia e Shtetit, e meritonin këtë libër, e meritonte drejtësinë. Aredin Shyti është një jetë e jetuar me dinjitet, me karakter të admirueshëm edhe përballë sakrificave të panumërta e meriton të jetohet prandaj urimi i qindramijëra vetëve që e njohin dhe e respektojnë dje sot dhe nesër është: “Jetëgjatë birit të Tragjasit dhe të Labërisë, qytetarit të papërkulur dhe profesionist i policisë shqiptare!”.

–&–

Please follow and like us: