Albspirit

Media/News/Publishing

Astrit Lulushi: Kur filozofia bëhet letërsi

Nëse baza e të kuptuarit mungon, vëzhgimet empirike janë të pavlera dhe kërkimet do të përparojnë në pazgjidhshmëri të pafundme; perceptimi nga aftësitë shqisore dhe intelektuale merret pa kuptim dhe njeriu nuk bën gjë tjetër veçse lundron mbi iluzione. Çdo mister, kur zgjidhet pa u kuptuar, zbulon vetëm një mister më të thellë, si një labirint i pa kthim, me shtrirje të pafundme.
Këtu, filozofia bëhet letërsi, jo me mendjemprehtësinë e ftohtë të Bacon-it, as me tonet e larta emocionale të Paskalit, por si Sextus dhe Volteri, që e shkruan filozofinë aq shkëlqyeshëm sa askush nuk e mendonte se po shkruanin filozofi. Ajo që e dini se është e vërtetë ekziston për ju dhe do të shfaqet në përvojën tuaj. Sa më shumë që bindjet përputhen dhe pasqyrojnë njohurinë e vërtetë, aq më të fuqishme bëhen. Një njohuri e tillë arrihet vetëm nga përvoja dhe kjo përvojë mund të shfaqet vetëm kur arrin të shpëtosh, deri në një farë mase, nga kushtëzimi i kufizimit. Thuhet se Diogeni, të cilin, kur e qortuan për ndërhyrje në filozofi, edhe pse injorant, u përgjigj: “Unë përzihem në të”.
Përmes historisë, popujve u janë paraqitur një shumëllojshmëri perëndish; sapo u zbulua dobia e tyre politike, ato u bënë të panumërta. Megjithatë, lëkundja e famës së çdo perëndie është e pasigurt dhe besimi i lashtë është i rremë në fund dhe i sëmurë në krye. Hyjnizimi nuk tregon se sa shumë mendonin klasat e priftërinjve për udhëheqësit e tyre, por sa pak mendonin për perënditë e tyre. Çfarë janë, pra, gjithë këta perëndi? Krijimet e injorancës dhe frikës dhe kërkimi i pushtetit; asgjë absurde që mendjet e thjeshta i adhurojnë pa e ditur pse; perëndi që i ka bërë bota e njeriut të pavetëdijshëm dhe që kurrë nuk e kanë bërë botën. Priftëria e Egjiptit ofronte këtë masë bestytnie, ritualizmi dhe hipokrizie si fe. Disa e shikojnë me “përbuzje të heshtur” këtë fe të idhujve. Ata e toleroronin atë pjesërisht sepse shqetësoheshin se besëtytnia mes njerëzve është thelbësore për ndikimin e tyre; pjesërisht sepse besonin se bestytnitë janë të pathyeshme, duke vdekur në një formë vetëm për t’u rilindur në një tjetër. Dhe mendonin se asnjë njeri i arsyeshëm nuk do të grindej për kaq shumë rimishërime.
Dihet obsesioni i perandorisë për pushtimin e tokave të huaja – edhe pse ka dramë në detajet e luftës, ka një qëndrueshmëri të zymtë në shkaqet dhe rezultatet e saj – një histori e tillë bëhet një ndjekje e përulur ndaj teprimeve të pushtetit, në të cilën fitoret dhe disfatat anulojnë njëra-tjetrën. Lakmia dhe dëshira për lavdi na rëndon të gjithëve, pavarësisht numrit të tmerrshëm të vdekjeje dhe zemrave të boshatisura të të mundurve. Pa dyshim, ndjenja, më shumë se mendimi apo arsyeja, është levë e historisë, dhe vëzhgimet tregojnë se shumë nga fisnikët dhe komandantët e huazuan. Dhe në gjyqin e fundit u ndeshën me pyetjen: Ti flet për vdekjen sikur e di. Ti nuk di asgjë dhe vdekja nuk është asgjë; por të jetosh i mundur dhe i palavdishëm do të thotë të vdesësh çdo ditë. Konkurrenca e individëve përbën gjykatën përfundimtare të natyrës, nga e cila nuk ka ankim. Nëse, në lashtësi nuk ekzistonte asgjë përveç entiteteve individuale, atëherë çfarë ishte shteti, ushtria? Komplotet e individëve të privilegjuar vazhduan për të frikësuar dhe kontrolluar, për të sunduar dhe për të taksuar e indoktrinuar. Si do ta peshojë këtë gjykata e natyrës? A nuk na është thënë nga lashtësia se njerëzit e shkëlqyer janë të rrezikshëm, prandaj, tiranë, kontrolloni ose mbani sa më larg nga pushteti.
Please follow and like us: