Albspirit

Media/News/Publishing

“Monumenti i Dijes” – libri monumental për Universitetin Bujqësor të Tiranës

NGA  SPASSE THANASI

  • Monumenti i Dijes” është libri i tretë që i kushtohet tempullit të dijës në Kodër Kamëz, Universitetit Bujqësor, ku me mijëra studentë u diplomuan duke u bërë specialistë të aftë, drejtues te zotë, profesorë, shkencëtarë, gazetarë, artistë e biznesmenë të devotshëm. Ai pason dy librat e tjerë shkruar 20 vitet e fundit “Universiteti i Blertë” me autorë Hulusi Hako dhe Spasse Thanasi, botuar në vitin 2001 me rastin e 50 vjetorit të tij dhe librin “Rrekëzat e Kujtimeve” botuar  në vitin 2011 nga autorët Spasse Thanasi dhe Rexhep Çullhaj, me rastin e 60 vjetorit të këtij universiteti. Libri “Monumenti i Dijes në Kodër Kamëz”, me autorë  Spasse Thanasi dhe  Prof. Gani Moka botuar këtë vit,  është dhurata më e bukur që i bëhej këtij universiteti dhe mijëra studentëve dhe pedagogëve në këtë 70 -vjetor të jetës së tij.

70 VJET HISTORI E KRIJIMIT TË UNIVERSITETIT BUJQËSOR TË TIRANËS  (1 9 5 1   –   2 0 2 1)

Pavarësisht nga mosha, të gjithë ish- pedagogë e studentë, tregojnë një ambjent që i ka ekzaltuar vazhdimisht, një kohë që i ka përfshirë në  vorbulla të rëndësishme të jetës, një përshtypje e mall që i flladit sa herë kujtohen vitet studentore në Fakultet, në atë kënd të gjelbëruar të  Kodër-Kamzës ku UNIVERSITETI BUJQËSOR mbetet një tempull në zhvillim i dijes profesionale e shkencore…

Koha e gjurmëve  të  mbetura” nga  brezat e dijes është  si  një  univers  që  sjell mbi  supe  vitet që shkuan, dashurinë e takimeve  të  paharruara, udhëza  drite  që  sollën  ndryshime  epokale  në  jetën  universitare  dhe  i  dhanë  dritë  gjithë  Shqipërisë !…

Mblidhemi  si  dikur, agronomë,  ekonomistë, veterinierë, inxhinjerë  pyjesh  e zooteknikë,të  gjithë mbuluar  me  thinjat  e  bukura  të  moshës  që  i  bëjnë  hije  dhe  atë  “nurin”  e  hijshëm  të  humorit  mbjellë  si  grurë  në  fytyrat  buzëgaz. Cdo  përvjetor  ngjallë  emocione  të  vecanta  dhe  të  paharrueshme. Në  këto  udhë  jubilare  Universiteti  ynë  duket  si  një  monument  drite”  në  Tempullin  e  Dijes, një  trashëgimi  e  pasur  e  mësimdhënis  në  auditore  dhe  profesionit  shkencor  në  parcelat  eksperimentale. Kremtimi  dhe  kujtimi  me madhështi  i  70-vjetorit  me  histori  e  thesare  të  shenjta  të  diturisë  kombëtare, është  tashmë  një  traditë  e  bukur  dhe  emrat  e  pedagogëve  të  shquar, që  nuk  rrojnë  më,  janë  gdhendur  me  shkronja  të  arta  si  kujtim  i  përjetshëm  i  brezave  studentorë…Me  kalimin  e  viteve  e  dekadave,  ky  “monument”  madhështor  me  emrin UNIVERSITETI  BUJQËSOR”, merr  pamjen  e  një  peizazhi  të  blertë  në  Kodër-Kamëz  të  Tiranës  që  i  jep  dritë  dhe  shkencë  bujqësore  gjithë  Shqipërisë. Në  librin  panoramik  bujqësor “ Bimët  dhe  Shqiptarët” Prof.Dr. Lufter Xhuveli thotë  se : “ Historia  e Universitetit  Bujqësor  është  e  lidhur  ngushtë  me  historinë  e  vecantë  të  formimit  e  zhvillimit  të  bimëve  bujqësore  në  hapësirë  dhe  kohë. Ky  sfond  i  gjallë  i  bimëve  bujqësore,  si  ushqim  i  njerëzimit, ka  sjell  ndryshime  e  përsosje  në  shkencën  aplikative  bujqësore  dhe  mban “vulën”  e  punës  e dijes  së  njerëzve  të  shquar”.

Duke  mos  harruar  vitet  studentore  si  “stuhi  të  dijes” bashkë  me  shokët e  shoqet  nga   të  gjitha  fshatrat, qytetet  e  zonat  e  Shqipërisë  (nga  Veriu  në  Jug), me  dëshirën  e  mirë  për  të  lënë  dicka  të  vyer  për  “gjurmët”  në  Universitet  dhe  në  jetë, vazhduam  iniciativën  tonë  për  të  shkruar  librin  tjetër  memorial : MONUMENTI  I  DIJES  në  Kodër – Kamëz” ku  mund  të  gjeni  hulumtime, pershkrime, fotografi  e  shumë  dashuri  për  njeri-tjetrin.

Ky  libër ,  me  mirazhin  diellor  në  sy,  ngroh  zemrën  e  gjithësecilit  me  mesazhin  e  bukur  të  dijes  dhe  atmosferën  ngazëllyese   të  shpirtit  për  të  folur  bukur, me  sens  lirie  dhe  grimcëza  malli…

GJITHNJË  I  BUKUR  E  I  BARDHË !….

  • Rrënjët e  dijes, themelet  e  Universitetit

Qyteza  studentore  në  Kodër- Kamëz,

një  tempull  i vërtetë  diturie

Që  merr jetë  nga   fusha  dhe  mali

me  ëndrrën  e  dashurisë  rrit  brezat

Këtu  rrëke  kujtimesh  rrjedhin

Si  oqean “dehen”  dëshirat….

Qyteti  ynë  që  rrezaton  dritë

Në  lindjen  tënde  ruajte  ëndrrat

Ruajte  dashurinë  e  moshës

Shpresat  e  arta  i  nise  për  udhë!…

Shkëlqimi  i  jubileut  të  70-të

Rrugëtimin  celi  prej  dekadash

Stoli  “qendisi”  plot  buzëqeshje

Më  e  madhja  botë, bota  e  dijes

Nga  pragu  yt  lëshon  yje !….

Vizita  e  mesazhe  të  shumëfishta

Sjell  për  të  gjithë  ky  jubile  i  madh

Lartësohet “metamorfoza” e  dijes

Si  drita  hyjnore  që  ngjall  Perëndia !….

Udhëtojmë  kohrave  që nga “pagëzimi i parë”

Me  kohën  studentore  në  “pagëzimin  e  brezave”

Sjellim aq  shumë  kujtime  në  kodrinën  e  gjelbëruar

Nderojmë  “Monumentin  e  Dijes”

Gjithnjë të  bukur  e  të  bardhë  si  jeta !….

Për të gjithë ata studentë që për 70 vite kaluan nëpër bankat e auditorëve, në laboratorët dhe njësitë eksperimentale do të ruhej përjetë në kujtesë ajo bukuri mahnitëse e këtij tempulli të dijes i shtrirë në kodrat e buta gjithë gjelbërim me aromë agrumesh e trëndafilash. Është kjo dashuri monumentale e brezave të dijes e kthyer në histori, poezi dhe këngë për këtë monument të dijes.

Në çdo fletë të librit, fjalë dhe fotografi harmonizohet natyrshëm ajo ndjesi, ai mall i pashuar, për të gjithë studentët e pedagogët ndër vite dhe veçanërisht për ata që në një farë mënyre këtu apo kudo që jetuan dhe punuan lanë gjurmë. Nuk janë pak, jane me mijëra. Ekonomistë, agronome, inxhinierë pyjorë, mjekë veterinerë dhe zooteknikë , që duke startuar nga këtu , do të punonin në çdo skaj të Atdheut duke derdhur djersë dhe lënë “gjurmë”.Falë këtyrë specialistëve , ekonomia shqiptare do të transformohej në një ekonomi të zhvilluar dhe modern, duke thyer rekorde te prodhimit bujqësor dhe blegtoral. Falë specialistëve të aftë dhe të kualifikuar shumë prej të cilëve në nivel shkencëtarësh do të ngriheshin edhe Institute të rëndësishme si ai i IKV, I MISRIT dhe ORIZIT, I PERIMEVE DHE PATATEVE, INSTITUTI FORAGJER etj që jo vetëm do futnin kultivarë të rinj hibridë dhe të kryqëzuar, por do të rrisnin prodhimin disa herë…

Vëmendja dhe kujdesi për të mos harruar askënd që la gjurmë në hapësirën e gjelbërt shqiptare qoftë në fushë, pyje apo stalla beri qe libri te ndahej në disa kapituj dhe duket se është një “zgjedhje me kujdes”, tamam si e një lulishtari ku din të mbjellë atë lulen e bukur që jo vetëm të shfaqë bukuri, por dhe të aromatizojë mjedisin.

Që në kapitullin e parë, të titulluar “Histori e mrekullueshme e Universitetit, që nisi jetën nga një qelizë e vogël…” vërehet qartë ecuria ndër vite për 70 -të me radhë duke kujtuar gjithë respekt e mirënjohje ish pedagogë e studentë që Universitetin Bujqësor benë të mbetet tempull i dijes në zhvillimin e dijes profesionale e shkencore.“Koha e e gjurmëve të mbetura nga brezat e dijes është si një univers që sjell mbi supe vitet që shkuan, dashurinë e takimeve të pa harruara do të shkruante autori, udhëza drite që sollën ndryshime epokale në jetën universitare dhe i dhanë dritë gjithë Shqipërisë”. Janë të shumtë personazhet e librit, e pamundur ti përmendësh të gjithë ata me emra. Janë të shumtë, se dhe jeta e këtij universiteti është jo e vogël,  por shtatë dekada.Edhe në kapitujt pasues, përmes “mozaikëve të kujtesës”,  do të ndjehet tingëllimi i zërit me flladin e viteve. Faqja e Rektoratit dhe Senatit Akademik do të zërë një kapitull të veçantë, mbase në shenjë mirënjohje e respekti si kapitulli: “Drejtimi i Universitetit Bujqësor”. Po kështu një vènd të rëndësishëm zënë kapitujt Agronomi, Bimët, Libri”, mbase një triptik specifik kushtuar kuadrove të bujqësisë , që transformuan natyrën ,duke e shndërruar në monumente natyrore nga fushat e hijeshuara nga drithërat, kulturat industriale e foragjeret, deri te brezaret e agrumeve, plantacionet e vreshtave, ullinjve, fiqve, mollëve, kumbullave etj ,duke krijuar një brez të gjelbër Jug Veri nëpër kodrat e bukura që në shumicën e tyre të taracuara, duke marrë një pamje piktoreske. Një vend të veçantë autorët i kushtojnë kapitullit “Pedagogu Njeriu i Shenjte i Dijes”, duke veçuar njerëz e individualitete pedagogjike e shkencore që meritojnë respekt e mirënjohje…

Ishin pikërisht këta pedagogë që ishin edhe si prindër, që kurrë nuk i fyen studentët e tyre, përkundrazi u dhuronin dashuri. Mbase ata e dinin se studentët që do dilnin nga këtu do të ishin “të persekutuarit e profesionit“, për faktin se jetën e tyre do e kalonin arave, pyjeve, stallave, larg familjes dhe aktivitetin e punës e kishin “në shtëpi pa çati”, qe do të thoshte se ishe edhe në mëshirë të kushteve atmosferike natyrore dhe përballe rrezikut “si sabotator”nëse nuk realizoje detyrën.Duke shfletuar me kujdes fletët e librit, të duket sikur hap dritaret dhe prej aty shikon gjithë kënaqësi hapësirën sa të rrok syri. Në çdo fletë do shohësh një pjesë qielli kujtese, që lanë jo vetëm pedagogët dhe shkencëtarët, por dhe njerëzit e letrave, letrarët e  gazetarët. Nga këtu, nga ajo redaksi e vogël  e gazettes “Studenti i Bujqësisë”, që hapi dyert për qindra krijues të rinj, do të nisnin ngjitjen e shkallëve poetët e ardhshëm, shkrimtarët dhe gazetarët. Do të ishin pikërisht ata, që si vëllezërit e tyre shkencëtarë do të gdhendnin emrat e tyre kopertinave të librave, faqeve të gazetave, mikrofoneve të radiove dhe ekraneve të televizioneve. Falë këtyre krijuesve do të vlerësohej puna e çdo specialisti në çdo fushë të jetës. Falë tyre do të botoheshin edhe kjo kolanë librash për “Universitetin e Gjelbër”” siç është edhe ky libër, si dhurata më e bukur dhe më e çmuar që mund të dhurohej në një përvjetor të rëndësishëm si ky.

“Vitet do të kalojnë, dekadat do të rrjedhin, shekujt do të vulosin histori të shumta. Universiteti Bujqësor do të festojë edhe 500 vjetorin e tij. Prandaj dhe historia e shkruar që në embrionin e tij, në ecjen e vrullshme të zhvillimit dhe evolimit si një universitet vlerash mbarëkombëtare dhe me përqasje shkencore në nivel evropian do të jetë një kronikë e vlefshme e brezave të dijes, një tempull i madh zhvillimi e përsosje.   Hapat e mëdhenj e të sigurt të këtij gjigandi diturie do të vijojnë në breza të tjerë studentësh, në vetëdijen e një armate  pedagogësh e profesorati që do vijojë mësimdhënien dhe karrierën shkencore universitare për shkencën bujqësore. Ne jemi të vetëdijshëm se gjithmonë këto botime do të jenë një referencë e shëndoshë dhe dalluese e të gjithë përshkrimeve dhe studimeve mbi vitet e jetës universitare dhe historinë e Universitetit Bujqësor… Universiteti Bujqësor ndrin si një “monument” me vlerë kombëtare, plot dritë jete  dhe frymëmarrje të përsosur!…

 

 

 

Please follow and like us: