Albspirit

Media/News/Publishing

Fritz Radovani: PSE VETEM SHKODRA?!

 

 

 

Pjesa e VIII/I.

 

 

 

MASKA E AT GJERGJ FISHTëS,

PUNUE NGA PIKTORI ARTURO SALA S.J.

ME 31 DHETOR 1940.

 

Seksioni i Mbrendshëm ose Dega e Punëve te Mbrendshme SHKODER,

Aty ishte edhe

 SEKSIONI KATOLIK I SIGURIMIT SHTETIT – I VETMI NË BOTË!

APROVUES DHE ZBATUES I VENDIMEVE TË MARRUNA NGA

KOMITETI QENDROR I PARTISË KOMUNISTE JUGOSLLAVE,

PARTISË KOMUNISTE TË BASHKIMIT SOVJETIK DHE
TË PARTISË KOMUNISTE TË KINËS.

1941 – 1991

 

KJO  MASKË

FLET  EDHE  SOT

ASHTUSI  NË  VITIN 1919:

 

 

 

“SHQIPTARËT

E TË DREJTAT E TYNE”

 

NË KONFERENCEN E PAQËS

 

 

AT GJERGJ FISHTA O.F.M.

 

PARIS 20 QERSHOR 1919

 

FJALIMI  U  PËRGATIT NGA

AT  GJERGJ  FISHTA  O.F.M.

(Sekretar i Delegacionit Shqiptar)

DHE,  U  LEXUE  FRENGJISHT NGA

IMZOT  LUIGJ  BUMÇI 

(Kryetar i Delegacionit Shqiptar)

Ju lutem, shikoni me kujdes horizontin kulturorë t’ At Gjergj Fishtës dhe,

krahasonje me “akademikët e diplomatët miljonerë”!
Zotnij,

Ç’ me kohë të Luftës turko – ballkanike e tektej zemrat e Shqiptarëve kanë pikue gjak prej dhimbjes e mjerimit, për arsye që Europa e qytetnueme përkuli në Konferencë të Londres së 1913 ma se gjysen e Shqipnisë e plot një milion Shqiptarë, nen zgjedhë të randë t’ anmiqve të tyne kufitarë. E pse këta anmiq të tyne ishin si me numër si me miq ma të fortë, kështu ndodhi që Shqiptarve s’u mbeti ma asnjë rreze shprese, se do të mund të nxirrshin ma kurr atë pre të lotueme prej çapojve të tyne rrëmbyesa e gjithmonë të zhyemun në gjak.

Por çka se, aty ka mbarimi i tetorit të vitit të kaluem (1918), ia mërritën në Shqipni ushtarët tuej trima, të cilët na thanë, se sot e mbrapa çdo popull, sado i vogel që të ishte, do të kishte të drejtë me da ai vetë per vete fatin e vet ekonomik e politik, e se të gjitha tradhtitë e padrejtësitë e bamuna ndonjë kombi nëpër traktate nderkombtare të përparshme, do t’ u ndreqshin e qortojshin në Konferencën e re të Paqës, e cila per së shpejti do t’ u mblidhte në Paris; pse ky kishte kenë, na thojshin ata, ideali ma i parë, për triumf të të cilit, mbi mbarë boten, ata ia kishin hy një lufte, që ma të shemtueme s’e ma mend historia e njeriut në daç për mjete, me të cilat pati nisë, në daç për mënyren, me të cilen u vijue. E kështu tue thanë, na kallxojshin varrët e shtatit ende të përgjakuna.

Në këto fjalë të tyne u trand Shqipnia gëzimit, e me shpnesë se edhe për te do të zbardhshin dikur ditë ma të mira, ku kje hapë e shpërnda u mblodh kuvendi në Durrës, e aty, një mendjeje e një zemre, vendoi me dalë shtet më vete e krejt i pavarshëm, përmbrenda caqeve që asaj natyra, gjuha, interesat e historia ia kishin caktue. Për me lypë, mandej, që t’ u ndreqshin e t’ u qortojshin dhunitë, tradhtitë e padrejtësitë që Kongresi i Berlinit një herë, e ma vonë Konferenca e Londres, sipërpërmendun, ia kishin ba Kombit Shqiptar, dau me nisë për Paris një Dergatë të posaçme, që t’u delte zot të drejtave të saj.

Veç shka se mbasi u kapën  me këte të madhnueshmin kryeqytetin tuej – ku sot asht ngrehë Areopagu i rrokull Botës – puna na doli krejt ndryshe se kishte kenë fjala e atyne ushtarëve tuej. Pamë e u vertetuem se anmiqtë tanë, jo veç që nuk ishin  tue dashtë me na i kthye viset, që me dhunë na i kishin grabitë, por ma tepër, llastue prej krahut të fuqishëm që po ua mbajnë do nder Pushtete të mëdha të Europës, lypin me shty ma thellë kufinin nder  vendet tona e me shkepë krahina të tjera prej Shqipnisë. Pame e u vertetue, se, për me i dalë ma lehtas këtij qellimi, ata rrijshin tue shpifë në një mënyrë krejt të pandershme Kombit Shqiptar. Shka nuk kanë thanë e botue kunder Kombit Shqiptar të mjeruem! Çnjerzimi i tyne në të shpifuna kundër Shqiptarve asht shtye aq larg, sa ndokush nder ta ka mërrijtë me shkrue e me botue në një farë shtypi poshtërsisht të shitun interesave të tyne, se na Shqiptarët edhe fiziologjisht e biologjisht ishim ma poshtë se rodi tjetër i njerzimit. E, madje, me këto të shpifuna të veta kanë mërrijtë me ua marrë mendt botës së qytetnueme, sa që agjencitë telegrafike të këtueshme po na i kthejnë pajtimet tona e fletoret e vendit ose nuk i pranojnë kurrfare artikujt tanë, ose na lypin çmime të çuditshme e per t’u njehë nder përralla – deri në 50.000 Frank për artikull! – veç si me na i mbyllë shtigjet që me u dalë zot të drejtave tona.

Mos u çuditni, pra, zotni, që unë po kam guximin me ju dalë para në këte Atene të përmendun, – kenë gjithmonë dritë e shkelqyeshme qytetnimi e përparimi të vërtetë – e po shpërvjelëm me ju folë me një theks gjuhe të huej e nën një formë krejt të përvujtë ligjerate mbi Shqiptarët e mbi të drejta të tyne. Thika ka mërrijtë në asht; sot po i ndahet fati Botës. Jo veçse asht në rrezik pavarësia, e sipërania e Shqipnisë, por asht në rrezik jeta e Kombit Shqiptar. Sot, a vdekje a metja për Shqipninë e për shqiptarët. Nuk kishe me dijtë me thanë, e vërtetë, se deri ku fjalët e mija kanë me mërrijtë ta mënyrsojnë fatin e Shqipnisë; por bujaria e njohun e zemrave tueja, më jep shpresë të madhe, se, mostjeter, kam me nxjerrë prej jush një fjalë ankimi mbi kobet tona e mbi dhunë e padrejtësi që po i bahet Kombit Shqiptar. Asht disi një farë ngushllimi për të mjeruemin e ngratë me dijtë, se ka në shekull ndonjë zemer që ankon për te. \

E prandej n’ emen të Dergatës, të qeverisë e të Kombit Shqiptar mbarë i falemnderës Rektorit të përshndritshëm të këtij Universiteti, për mirësinë që pati tue më sjellë mënyren se si me u pjekë e me bisedue me Zotninë tuej.

I

 

Prej brigjeve gjimuese të Euksinit e në borën e amshueshme të Alpeve Julie; prej bigave bumbulluese të Akrokeraunve e deri ndër karma të thepisuna të Karpateve, ende të rime me gjak njeriut, në ato kavaljetet e kalueme, banonte, si zotnia juej mirë e di, ajo familja e madhe Trako-Ilirike, në nam’ e në za në histori të fiseve dhe të kombeve. Sot, kjo familje asht shue. Marrë përbri prej tallazeve të luftave të gjata e të pandame, ajo u përpi dhe u zhduk përmrenda gërmazave të pangishëm të gjireve të motit, e s’ mujti ma, ç’ me atë ditë që Gentius, mbreti i mbramë i Ilirëve, në 168 para Krishtit, kandriti triumfin e Lucë Pal Emilit, me pa diellin e majes së lumnisë së vet të hershme. Ku shue shqimit, ku shkri e shartue me familje të tjera, ajo sot nuk ka ma nji fizionomi individuale të veten, në shtill të punëve njerzore. Porse, si të thuesh, si nji shkatërrinë e dhimshme anieje të mbytun në det, prej humbjes së kësaj familje Trako-Ilire, sot, atje ndërmjet Thesalisë e Malit të Zi, prej brigjeve lindore të Adriatikut e deri në stom të Vardarit, shpëtoi gjallë nji grusht njerëzish, të cilët zanë vend a mbas murojes së disa maleve titanike, ose nën hijen e kandshme të disa fushave gratçore dhe të kerthnesta, – banë e përmallshme e hyjnive të moshës prrallëzore. – u banë ballë me fuqi kurr të përkulshme të shpirtit të vet bujar, kjoftë thellimeve të kavaljeteve, kjoftë  padrejtësisë së hipokrizisë njerëzore. Të stolisun me nji forcë të jashtzakonshme qindrese, ende këta e flasin atë gjuhë të Parëve të vet ma të hershëm; ende e ruejnë të pandryshueshëm karakterin e hekurt e fisnik të stërgjyshave të vet, e sot, edhe punojnë shi atë tokë të cilën e punuen të Parët e tyne prehistorikë. E pra, sa kavaljete nuk gjimuen mbi krenat e tyne! Sa ndodhi e ndeshtrasha nuk u shkreh mbi shpinë të tyne! Mbi ta, po, randoi pesha e fuqisë romake; mbi ta u lshue i irun prej mnije e gjithmonë i pabesi sfinksi sllav; rrjesht per katër kavaljete të gjata i ra persipër boena e barbarisë aziatike; por, megjithkëte, ata nuk e vdaren njininë e vet kombtare dhe as që i lshuen doket e idealet e veta.

Po; bash ky popull i paperkulun kurr, ende gjindmbi ato zaje të plleshme, ku të Parët e tij mprehshin rrasat, me ba me to armë per me ça rrashtat e anmiqve ose, ma vonë, ata u jepshin uji pallave të hekurta, per me shtrue me to mbarë boten nën kambë të nji Lekës së Madh, – kur mos t’ ishte që me i ba me kja me to, dhimshem vashat e Romës para nji Burri.

E mirë pra, Zotnij të nderuem, ky asht bash ai populli i vogël Shqiptar, aq pak i njohun dhe aq zi i gjykuem në Europë! I vjetër sa fosilet, sa stalagtitat e shpellave jehuese të maleve të veta vigane, e le të thuesh prej vetë bucave të Shqipnisë, ai asht sot zot autokton e i pakundershtueshëm i tokave të veta.

Ende sllavi nuk kishte dalë prej bjeshtës së thellë t’ Uralit e ende s’ ishte ngjizun e sotmja frotë laramane neohelenike, kur Shqiptari korrte me zagna, fushat e pafund të Ballkanit. Qe kështu, Shqiptari e kishte mbyllë nji periudhë të gjatë të historisë së vet në moshen e rruzullimit.

Na thoni, kush para Shqiptarit, i ngau qetë sinorëve të Ballkanit?

Historinë e kemi aty, Zotnij të mij, e ajo na flet shumë kjartë. E asht kot që hipokrizia diplomatike të mundohet me ia shue zanin me shtupa notash zyrtare ose gjysëzyrtare: zani i saj i pingrueshem përshkon kavaljetët!

Për në kjoftë, pra, se ka një popull, që nëpër forcë t’nji preskripcioni e t’ nji trashigimi të pakputun etnik ka tager me nda vetë per vedi shartet politike, ky asht, padyshim, Populli Shqiptar, i cili vetem mund të levdohet se ka nji preskripcion prehistorik mbi tokë të Ballkanit, si dhe nji Kombsi kryekëput të ndame prej atyne të popujve të tjerë ballkanikë. Prandej, po kje se pernjimend parimi i autodeterminacionit asht marrë prej Konferencës së Paqes si karakter themelor per trajtimin e shteteve e caktimin e kufijve të tyne, e drejta e lypë, që Shqipnia të qitet shtet më vedi, përmrenda kufijve të vet etnikë e gjeografikë.

Por çka se, simbas teorisë vilsonjane, për me mujtë nji popull me u sundue me vetvedi, posë kombsisë, duhet të merret parasysh edhe ndërgjegjja e tij kombtare.

Tash, për në kjoftë se si ndërgjegje kombtare duhet të kuptohet ndjesia për liri, si edhe

ai dishir që mund të ketë nji popull të jetojë e të zhdrivillohet me vetvedi, gjithnji përmbrenda qarkut të forcave të veta, unë thom se edhe në këtë pikpamje Konferenca duhet t’ ia njofin Shqipnisë pamvarsinë, si dhe siperaninë e vet. E njimend: e po cili popull në Ballkan ka ndjesi ma të thella për lirinë e vet, sesa Populli Shqiptar?

A dro asht sllavi i ngadalshem e i ngathtë, që, deri dje, i perkulun mbi shatë, pa nji ukaz të Carit të vet autokrat, të thuesh, as që i bahej me marrë frymë? E po, a thue asht greku, – ajo skilja e vjeter, – që gjithmonë, si nji bimë parazite, ju ngjesh ma të fortit per me gjallue në shpinën e tij? Apo asht Shqiptari, i cili e pështetë gjithë shpnesen në fuqinë e vet e n’ atë t’ armëve të veta: gjithmonë i drejtë me miq, bukëdhanës ndaj të huejt, i rreptë me anmiq, – të cilët, nuk i mninë, veçse i perbuzë, – e që ende, deri më sot, nuk i asht perkulun nji force të huej?

Qyshse mbi tokë nisën të derdhen lot, qyshse mbi botë forca ia xuni vendin së drejtës e hipokrizia qeveritare filloi me ua pij gjakun popujve, balli madhështor i Shqiptarit s’ju perkul kurrkujt, perposë Zotit të vet! Kaluen, po, pushtuesit mbi Shqipni, por nuk kjenë kurrë zotnues mbi Shqiptarë! Ashtu si ai cubi, i cili hyn tinëz e me trathti në shtëpinë e qytetarit të paqtë e, si shtjen mbrendë drojen e pshtjellimin, del jashtë pa mundun kurr me thanë se ka sundue aty mbrendë; njashtu hynë pushtuesit e huej në Shqipni, pa mujtë kurrë me i shtrue dhe me i zotnue Shqiptarët. E mos kujtoni, Zotnij, se unë këtu jam tue ju thanë sende të cilat mos t’i kenë vu re edhe shkrimtarë të huej të vlertë. Kështu, fjala vjen, e ndritshmja Miss Durham, thotë në nji libër të vetin mbi Shqipninë: “Zotnimet e hueja kanë përshkue mbi komb shqiptar, pa lanë në te kurrfarë gjurmet, si uji që rrëshet mbi shpinë të rosës”. I ndritshmi zotni Renè Pinon, mandej, – kompetenca e të cilit nder punë të Ballkanit asht fort e çmueshme edhe perjashta Francës, – në nji artikull të vetin mbi Shqipninë, botue në blenin e dhjetorit të 1909 të së perkohshmes “Revue de deux Mondes”, shkruen “Bullgari, atje nder fusha të Maqedonisë, perkulet mbi shatë e punon tokat e turkut, ndersa shqiptari asht mbreti i maleve. Gjuetar, bari, ushtar ose cub; ai s’i nenshtrohet veçse Kanunit të vet e s’pret ndihmë veçse prej armëve të veta.”

Për liri të vetën, Zotnij, Shqiptari ban fli shpinë, tokën dhe mjerisht edhe besimin. Fakti veç që Shqiptari, në mes të sa ndodhive dhe ndeshtrashave politike e për nji periudhë aq të gjatë kavaljetesh ka mrrijtë me e ruejt gjuhën, doket e karakterin e vet kombtar, – e këto, jo vetëm në Shqipni, por edhe perjashta, difton çiltas, se ai asht dhe se don me mbetë Shqiptar. E, se prandej ndërgjegjja kombtare ka lëshue rrajë të thella në Shpirt të tij.

Por ma mirë se kurrkund njeti, dashunia e popullit Shqiptar për liri dhe pamvarsi kombtare, duket prej historisë, për të cilën mundemi me thanë se asht e endun vetëm prej luftash për liri e pamvarësi. Unë këtu, për mos me e vu fort në provë durimin e Zotnisë suej, po ju përmend vetëm punët e mëdha, që ndërgjegja kombtare e këtij populli, kreu që prej të XV qindvjetë e mbrapa.

Që atje kahë e zbardhmja e të XV qindvjet hanëza përgjakshëm prej Azie kukëzohej mbi hapsinë të Europës. Ishte Zotmadhi i turqve, që në krye të ma s’ rreptes ushtri të botës s’ atëhershme, kapercente Helespontin e në mëni të vet trishtueshëm betohej, se hanëzen për t’a vu kishte mbi Shën Sofi të Stambollit e, në oborr të Sh’ Pjeterit në Romë, do t’i epte tagji kalit të vet. E pse njeri dokrrash e pallavrash ai nuk ishte, perpara tij u rrenuen mbretni, ranë frone e u lëkund në themele të veta mbarë qytetnia përendimore. Shkatrrue Bizanci, nda Europa prej luftash e ngatrresash të përmbrendshme, se kush do të dilte me ua ndalë hovin këtij anmiku të përfelgrueshëm?

Kur qe, se mbi kep të Krujës titanike, po del nji hije burri, vetullat ngërthye si dy hulli rrëfeje, me dy sy si gaca e nji mjekër të thijtë, që si shtëllungë gjatë çenave i shtiellet, si re mizore kresë së një shkambi të thepisun. Tmerrshëm përkrenarja i flakon mbi krye, e cila, n’ atë vezullimin e vet të trishtueshëm, danë si kometë zharitëse, sherbëtore e mënisë së perfrigueshme të Perëndisë. Ai asht Gjergj Kastrioti Skënderbeu, fatosi në za Skënderbeg Kastrioti, që në mendje tue pasë lirinë e të Parëve e të bardhen lumninë e hershme, me sy të vrantë kundron anmikun e rreptë të kombeve të qytetnueme. Në rropamë të mjerueshme të sa froneve, të sa theroreve, hidhet si duhia në shpinë të një kali të trumhasun, që, mal nxjerrë pasmen përpara e fry turijtë përpjetë nuhatë eren e gjakut; rrokë me të djathtën pallen – rrufe e me të majten ngreh flamurin e Atdheut, ngjye kuq e zi: gjak e vdekje.

Nji fllad i ambel, i kandshëm – flladi i dashunisë – lehtas e zhvillon flamurin e Atdheut, që i madhnueshëm valvitet nëpër ajr të lirë të Shqipnisë si ajo fleta e zjarrtë e një Kerubini të qiejve: si ai skundilli i petkut të Perëndisë, që bukur ka ndritun me hana, yje e diej, i kallthtërt prej cepave t ‘ amshueshëm i varet gjanë Empirit të pamatun, atëherë ka mbështetë permbi thellim të ushtueshëm të rribës s’ murlanit, vé në sheste boshtin e rruzullimit. Në këte dukë të permnershme force, Skenderbeu, atëbotë, del në vetull të thepisun të karpes krutane e “Eni Shqiptarë!” bulurit, si luan prej fangut të zharitun të shkretisë, “Eni fluturoni, o bijtë e maleve të lira se Atdheu gjendet në rrezik!” E qe, se në atë kushtrim nji çetë e vogel homeridësh – burrash Shqiptarë si lejshin motit, po shterngohet përreth tij, e aty nënhije të Flamurit t’ Atdheut, ban be mbi gurë të vorrit të të Parvet të vet, se një pëllambë tokë të Shqipnisë nuk do t’ ia lëshonte anmikut, po s’ e lau para të tanë me gjak të tij të zi e të përdhosun. Të forcuem me atë bé, të forcuem me Shejtni të të drejtave, e shpresë tue mbajtë por në Zotin e në krah të arenztë të vetin, të bijtë e malevet të Shqipnisë lëshohen fulikare mbi froten e shtojeve t’ Azisë. E lufta titanike ia nisë. Në të ndeshun të rreptë të ushtrive tymi çohet deri mbi rê e perfrigueshëm gjimon toka nen kambë. Gjaku rrymben rrëkajë. Frota aziatike shuhet përdhe. Habitë pushtuesi i rreptë i Stambollit, prej hidhnimit grisë buzen me dhambë, dhe nis me u pendue pse ia kishte hy luftës me Shqiptarët.

Rrafsh njëzet vjet ndej tue u pre Shqiptari me turk, per me i dalë zot lirisë e pamvarsisë së vet. E në njëzet vjet lufte të tmerrshme, me sa Leka i Madh, me sa Jul Çezari, Skenderbeu s’ mujt me u thye prej ma të rreptit mbret t’ atyne kohëve.

Qe, Zotnij, se si lufton e si mund Shqiptari, kur të jetë puna per me i dalë zot lirisë e pamvarsisë së vet. E mos kujtoni, se unë kam ardhë tue zmadhue punët, me qellim që me kthye mendjen tuej në ndihmë të Shqipnisë: Unë nuk kam ba tjeter, veçse me permbledhë në pak fjalë, shka nder libra të randë kanë shkrue mbi kohë të Skënderbeut shkrimtarë në za prej gjithë kombesh t’ Europës: Spanjollë, italianë, anglezë, suedezë, grekë, sllavë, gjerman, e nder të cilët edhe, pak me thanë, nja njëzet francezë.

Por mundet, ndoshta, ndokush me më thanë se Skënderbegu, këto lufta i ka ba për qëllime fetare, dhe jo i shtymë prej nji ndërgjegjes kombtare, pra për me i dalë zot lirisë dhe pamvarësisë së vendit të vet? Se sa e pathemel kishte me kenë kjo fjalë, duket prej punve të Skënderbegut, i cili, në mos me atë mëni, ai luftoi po me aq trimni kundra venecianëve, sa ç’ pat luftue kundra turqve, atëherë, kur venecianët deshtën të pushtojnë vise të reja në Shqipni – Dejën e Drishtin. – Këtu, disi përrrëshqit, due t’ ua kujtoj Zotnisë suej, edhe nji tjeter punë. Deri sa Shqiptarët luftojshin kundra turkut per liri të Shqipnisë e t’ Europës mbarë, shka bajshin grekët e serbët, ata që sot Konferenca e Paqes asht tue i mbajtë nen stjetull si djelm dishirit? Grekët, si Zotnija juej e din mirfilli, edhe atëherë kur turqit kishin mërrijtë te dera e Stambollit, rrijshin tue u marrë me çeshtje fetare kundra Kishës së Romës. Po kështu edhe Dhespoti i Serbisë, sadoqë kryetar i nji populli trim e luftar, – deri sa gjaku Shqiptar shkonte rrëkajë per liri dhe pamvarsi t’ Atdheut, ai niste krushqi me turq, tue ia dhanë të bijen per grue Sulltanit dhe, pështetë mandej në këte fakt, serbi pengoi bashkimin e ushtrive të Skënderbegut me ato të Huniadit, e per rrjedhojë, u thye ushtria e krishtenë në Varna, tue marrë në qafë ma se gjysen e Europës.

E tash, shi këta grekë e këta serbë, janë ata që ma fort se askush tjeter shpifin kundra Shqiptarve, tue thanë se nuk kanë ba kurrgja per liri e pamvarsi të kombit vet! Por unë shpnesoj, se Zotnija e juej, që e di mirë se në ç’ hall ka vojtë Europa mbas kater vjet lufte, ka me e çmue si duhet e sa duhet ndergjegjën kombtare të Shqiptarvet, që për njëzet vjet rresht e mbajtën luften në kambë, veç për mos me bjerrë lirinë e pamvarsinë e vet. E mos kujtoni, Zotnij, se me dekë të fatosit të lumnueshëm Gjergj Skënderbeut u shue ndjesia e lirisë dhe e pamvarësisë në shpirtin e Shqiptarëve. Historia e Turkisë ka shenjue jo ma pak se 54 kryengritje të mëdha, të cilat, gjatë rrjedhjes së katër kavaljeteve, kombi Shqiptar i bani qeverisë otomane a për me pshtue prej zgjedhës së sajë, a për me e ngushtue që mos t’i bante n’ asgja të drejtat e tija.

Edhe pamvarsia e Greqisë asht nji lule e rimun me gjak Shqiptar. Zhavellët dhe Boçarët kanë kenë Shqiptarë e shqip kanë folë dhe me trimëni shqiptare kanë luftue.

Jo, po, Greqinë e kanë lirue shqiptarët e jo grekët, e ma pak e kanë lirue do Pushtete të mëdha, të cilat aso kohe bajshin spekulime mbi Greqi, ashtu si, do Zoti, po bajnë sot mbi Shqipninë. Këtë punë, me pasë për ta pyet si dijetar dhe jo si diplomat, kishte me ua vertetue edhe Venizelosi vetë; por, në mos dashtë me ua thanë ai, ja u kallzon Lamartini, i cili, tue folë mbi pamvarsi të Greqisë, thotë se kjo nuk kje tjetër, veçse rezultati i reaksionit të elementit shqiptar kristjan mbrenda Greqisë kundra elementit turk.

Edhe konstitucioni i Turkisë kje nji veper e shpirtit të lirë e të pamvarun Shqiptar.

Shqiptarët, po kjenë ata që ngushtuen Sulltanin me e dhanë e me e shtij në punë konstitucionin në vjetin 1908. E kur Turqit e Rij nisën ta perdhosin dhe ta çorodisin vetë konstitucionin, tue u mundue me e sjellë ate krejt në dobi të veta të veçanta e jo per të mirë e dobi të mbretnisë, Shqiptarët u ngritën e me armë në dorë dhe lypen prej Sulltanit decentralizacionin dhe autonominë e krahinave të mbretnisë. Edhe Sulltani kje gati me ua çue në vend dishiren e tyne. Kur qe, shtetet e vegjel të Ballkanit, – që Shqipninë e kanë pasë mbajtë si nji “trashigimi” të tyne, – tue pa se nëper autonomi Shqipnia po u delte doret njiherë e pergjithmonë, çohen e i qesin luftë Turkisë! Asht e vertetë se nji pjesë e shtypit europjan e pershndeti këte luftë si nji luftë kryqtare per lirimin e popullit kristjan prej zgjedhës otomane; por ajo, në vetvedi, nuk kje tjeter veçse nji luftë rrenimi, çue peshë prej kristjanve të Ballkanit, per me e rrenue Shqipninë dhe me e humbë të mjerin Kombin Shqiptar!

Arsyeja pra, pse kombi Shqiptar nuk mujti me dalë shtet në vedi, nuk kje puna se atij i mungonte ndërgjegjja kombtare ose ndjesia për liri e pamvarsi, por kje fakti se, shi ditën në të cilën ai ishte gati me fitue lirinë e vet, Shtetet e Ballkanit ia ngjitën kthetrat dhe e banë rob nën zgjedhë të veten. Dhe këtë e banë, jo për me e mbajtë nën shërbim e robni të veten, por për me e shue shqimit e me e qitë faret. Kështu që, prej kësaj pikpamje duhet me e thanë se Shqiptarët gabuen, dhe gabuen randë fort, që u çuen aso kohe kundra Turkisë, sepse për ta do të kishte kenë dam fort ma i vogël me u vue nën zgjedhë të Turkisë, se sa me u gri prej kristjanëve. Po e shof, Zotnij, se kjo fjalë në gojën teme disi po ju a vret veshin dhe po ju duket nji paradoks në vetvedi! Por shka ti bajmë punës, janë faktet që më japin arsye! Në vitin 1478 turqit marrin Shkodrën dhe me te mundet me u thanë se u pushtue e tanë Shqipnia. Por megjithkëtë, turku ia njofti Shqipnisë nji farë autonomie: na e la gjuhën dhe kanunet tona, – por askund nuk lexohet në histori se ky mbyti qinda mija shqiptarë përnjiherë, sadoqë kombi hoqi zi e si asht ma zi prej tij.

E tash ndini si u suell kristiani me Shqipni e me shqiptarë: Në vjetin 1912 kërset lufta Turko-Ballkanike dhe ballkanikët pushtojnë Shqipninë. E mirë. Po shka bajnë këta? Njiherë mbysin, pak me thanë, dyqindmijë shqiptarë, vrasin meshtarë katolikë sepse nuk ndigjonin me e mohue Fenë. grijnë mysliman sepse edhe ata nuk duen me dalë dinit. Rrenojnë me themel qinda e qinda katunde, veçse si e si me e farue Kombin Shqiptar. Në vjetën 1914, ushtritë ndërkombtare, mbas sa intrigash të poshtme, pushtojnë Shkodrën. Në këto ushtri, Kombi Shqiptar ka pasë mështetë gjithë shpnesën e vet, sepse këta ishin demek të shprehunit e forcës që do të rregullonte botën dhe, si të thuesh, ata ishin pasqyra të qytetnisë europiane. Por megjithëkëtë, ata nuk sollën kurrnjisend përsëmari në Shqipni. Ndrye mbrenda qarkut dhjetë kilometrash në Shkodër, as që e çilën nji rrugë, as që e lëshuen nji urë, as hapën nji shkollë, nji gjykatore, nji spital, nji send të vetëm që t’i vyente përparimit dhe qytetnimit të kombit Shqiptar. Gjithë kujdesi i tyne për Shqipni, përmblidhet në këta: kurrsesi mos me e lanë Shkodrën me ba pjesë në Shqipninë tjetër dhe që në Statutin e Shtetit Shqiptar, t’u qitte nji paragraf i posaçëm me të cilin të njiheshin në Shqipni çfutnit, nji tagri me shqiptarët, sadoqi, aso kohe nuk kishte në Shqipni me thanë asnji çifut. Mandej, kur doli prej Shkodre, Komanda Nderkombtare dogji të gjitha aktet dhe arkivat e veta. Në vjetën 1915, malazezët pushtojnë Shkodrën me rrethina, sadoqi Shqipnia ishte shtet neutral dhe nuk kishte shpallë luftë me kurrkend. Në fillim të vjetës 1915, italianët pushtojnë Vlonën, kinse për qëllim që me u përkujdesë për shqiptarët e sëmutë të Shqipnisë Jugore.

Por shka se, në vend të smutoreve, ngrejnë kala; në vend të barnatoreve, ngulin topa e gopedra, në vend të hapave dhe barnave, mjellin mina në det, a thue se dy vjet ma parë, Qeveria Shqiptare nuk e kishte dorzanu integritetin dhe neutralitetin e Shtetit Shqiptar!

Në vjetin mbas, 1916, Austro-Hungaria pushton Shqipninë, e mbas pak kohet, shi ata që kishin  ba gjithë ate zhurmë e poterë per me mkambë Shqipninë shtet në vedi, i proklamojnë popullit Shqiptar se ky do ta kishte autonominë e vet, atbotë kur ky t’ ishte i zoti: si me e thanë me fjalë të tjera, ata dojshin ta mbajshin Shqipninë si nji krahinë të veten.

Për ma tepër: grekët dogjën 360 katunde në Shqipninë Jugore, tuj i mbytë të gjithë ata që dishmoheshin Shqiptarë.

Sot Konferenca e Paqes lypë që shi ndër këto vise, të bahet plebishiti për me caktue kufijt e Shqipnisë. Ironi e helmueme! Prej këtyne punëve, – për mos me folë për të tjera, – duket çiltas se shqiptarët, prej pikpamjes kombtare, kanë pasë arsye me drashtë ma shumë kristjanët, se sa turqit. Turku, si për princip, si në teori, ia ka pasë njohë Shqipnisë njifarë autonomie, sadoqë me Skanderbeun e pat kundërshtue përparimin e tij në Ballkan.

Kombi Shqiptar ka tager me kenë njoftë shtet i pamvarshem e sovran, pse asht Komb autokton i viseve ku sot me sot banon, e pse e ka të shquet ndergjegjen lirie e pamvarsie: Si me thanë, se ka në vetvete të gjitha mëndorjet e lypuna që me u njoftë një Komb Shtet më vedi e i pamvarshem. Prandej Konferenca e Paqës asht e detyrueshme para historisë e njerzimit mbarë – per në mos dashtë me u ra mohi parimeve të veta – me na i njoftë këto të drejta tona.

Vazhdon Pjesa e II.

            Melbourne, 15 Korrik 2023.

 

 

Please follow and like us: