Albspirit

Media/News/Publishing

Fran Gjoka: Përjetësisht mirënjohës prof. dr. Vehbi Hotit!

 

 

Përjetësisht mirënjohës prof. dr. Vehbi Hotit, misionarit të arsimit shkodran dhe kombëtar

Një gjysmë shekulli në shërbim të arsimit të lartë, pedagog që do të kujtohet ndër breza

 

Prof. Dr. Vehbi Hoti u lind në qytetin e Shkodrës me 06. 04. 1942, ku përfundoi arsimin 7 – vjeçar e atë të mesëm. U diplomua në Fakultetin e Shkencave të Natyrës në Universitetin e Tiranës në degën Biologji – Kimi  dhe  Pedagogji-Psikologji.Për periudha të shkurtra ka punuar në ish – Institutin e Studimeve e të Botimeve Shkollore të Tiranës, mësues në shkollën e mesme pedagogjike “ShejnazeJuka” në Shkodër dhe në Kabinetin Pedagogjik të rrethit Shkodër. Në shkurt të vitit 1966 u transferua si pedagog në Institutin e Lartë Pedagogjik Shkodër, sot Universiteti i Shkodrës  “Luigj Gurakuqi”, ku, krahas veprimtarisë së mësimdhënies, ai iu përkushtua edhe punës studimore dhe veprimtarisë botuese.Për rreth gjysmë shekulli, në vitet 1966 – 2013, prof.dr.Vehbi Hoti është shquar si pedagog, si metodist, si studiues e si drejtues, duke u afirmuar një personalitet i nderuar dhe i vlerësuar gjerësisht nga studentët, kolegët dhe opinioni  i gjerë shoqëror. Për më shumë se 15 vjet ka qenë sekretar i Këshillit Shkencor të ILSHP dhe i Redaksisë së “Buletinit Shkencor” që përgatitej dhe dilte nga Instituti. Që nga viti 2002 ishte kryeredaktor i serisë së Shkencave të Edukimit, organ i Universitetit të Shkodrës. Në vitet 1989 – 1993, ka qenë përgjegjës i katedrës së Psikologji – Pedagogjisë. Për 13 vjet, 1991 – 2003 ishte dekan i parë i  Fakultetit të Shkencave të Edukimit dhe anëtar i Senatit të Universitetit të Shkodrës. Profesori pati një aktivitet të pasur botues e kumtues, autor dhe bashkautor i 7 botimeve monografike, 4 teksteve mësimore për shkollat e larta dhe 2 për shkollat e mesme. Ka botuar rreth 60 punime në shtypin shkencor dhe ka referuar në 50 sesione e konferenca shkencore.Për disa vite në Universitetin e Tetovës – Maqedoni prof. dr. Vehbi Hoti ka zhvilluar lëndët “Psikologji e përgjithshme” dhe “Histori e psikologjisë”. Duhet theksuar se gjatë asaj periudhe ka qenë i emëruar anëtar i komisionit për pranimin e pedagogëve të brendshëm në degën e Psikologjisë të këtij Universiteti. Por një bashkëpunim afatgjatë ka patur edhe me Universitetin e Podgoricës, pranë të cilit në vitin 2004 është hapur dega e Ciklit të Ulët për përgatitjen e mësuesve për shkollat 9 – vjeçare, në gjuhën shqipe. Profesor Vehbiu, që nga viti 2004 e gjer sa doli në pension e pati dhënë lëndën “Psikologji e përgjithshme”.Për kualifikimin e tij të mëtejshëm profesori ka marrë pjesë në kurse  specializimi në disa shtete: Itali, Austri, Angli, Danimarkë, Rusi etj. Mori pjesë gjithashtu në disa projekte, si dhe ka bashkëpunuar si ligjërues në Mal të Zi e Maqedoni. Rrjedhim i gjithë punës së tij  janë gradat dhe titujt shkencorë që ka fituar, duke filluar nga Doktor i Shkencave gjer në Prof. Dr.Në vitin 2013 Senati i Universitetit të Shkodrës e ka nderuar me titullin “Profesor Emeritus”. Ka marrë vlerësime të larta shtetërore nga presidentët e Shqipërisë: Urdhëri “NaimFrashëri i Artë”( 2001), Titulli ”Mësues i Merituar”( 1987), Medaljen “NaimFrashëri”( 1977). Edhe kur doli në pension  ai bëri një jetë tepër aktive intelektuale, duke dhënë mësim si i jashtëm në Universitetin e Shkodrës dhe në atë të Podgoricës, si dhe duke marrë pjesë në veprimtari shkencore, kumtuese e  botuese., deri në momentet e fundit të jetës. Në ceremoninë solemne të organizuar në korrik të vitit 2022 me rastin e 65-vjetorit të themelimit të Universitetit “Luigj Gurakuqi”, iu dha titulli “DoctorHonorisCausa” Prof.Dr.Vehbi Hoti, nderimi më i lartë dhe i vetmi për një profesor të këtij institucioni të lartë arsimor.Universiteti “Luigj Gurakuqi” organizoi gjithashtu konferencën shkencore me titull “JEHONË AUDITORËSH” ME RASTIN E 80-VJETORIT TË LINDJES SË PROF. DR. VEHBI HOTIT.

Universiteti i Shkodrës ishte familja e dytë e prof. dr. Vehbi Hotit      

Prof. Vehbi Hoti ishte njeri i rrallë. Ai e donte punën, e donte Shkodrën, e donte institucionin ku punonte, e donte pa masë familjen e tij të shenjtë. Universiteti i Shkodrës ishte familja e dytë e tij. Ky institucion është një nga shkollat e larta më të vjetrat në Shqipëri, një nga qendrat më të rëndësishme arsimore, shkencore e kulturore të vendit. Është e vetmja shkollë e lartë që i është dhënë nga Presidenti i Republikës titulli “Nderi i kombit”. Të jesh pjesë e stafit akademik të këtij institucioni për një kohë kaq të gjatë sa ka qenë prof. Vehbiu, është një privilegj, nderim dhe respekt i veçantë për punën dhe personalitetin e tij. Universiteti i Shkodrës përfaqësonte gjithçka për të, sepse ai ishte i lidhur shpirtërisht me këtë institucion të njohur. Kjo edhe për faktin se aty ka filluar punë, që kur ishte djalosh i ri 23 vjeçar, duke vazhduar aktivitetin pedagogjik për rreth gjysmë shekulli. Këtu ka shkrirë gjitha forcat dhe energjitë e tij për të kryer të gjitha detyrat që i janë ngarkuar dhe nuk kanë qenë të pakta, gjithmonë me nivel dhe cilësi të lartë. Edhe kur ishte në pension, prof. Vehbiu përpiqej  të ishte aktiv në punën intelektuale, pedagogjike dhe shkencore. Ai jepte përsëri mësim në Universitetin e Shkodrës si pedagog i jashtëm. Gjithashtu mbante kursin e ligjëratave të lëndëve “Psikologji e përgjithshme” në Universitetin e Podgoricës. Botoi 5 punime mbi kontributin e gjerë e të shumanshëm të disa personaliteteve të shquara të arsimit e të mendimit pedagogjik shqiptar si: Prof. Dr. Shefik Osmani; “Mësuesit të Merituar”, Islam Dizdari; studiuesit të  shquar të arsimit shqip në Mal të Zi, prof. dr. Palokë Berishës; veprimtarisë pedagogjike e kontributeve arsimore të GaspërBeltojës… Ndërsa, si bashkautor ka botuar tekstin “Hyrje në psikologji”, që përdoret nga studentët e Universitetit të Shkodrës dhe të Universitetit të Podgoricës. Ndaj themi me bindje se Universiteti i Shkodrës ishte dhe familja e dytë e tij.

Figura e shquar e Luigj Gurakuqit në penën e prof. dr. Vehbi Hotit

Në rininë e tij të hershme profesor Vehbiun  e kishte tërhequr figura e patriotit të shquar Luigj Gurakuqi,ndaj i vuri detyrë vetes të shkruante monografinë “Luigj Gurakuqi për shkollën shqipe dhe arsimin kombëtar”. Puna e tij mori vlerësimet më të larta nga komisioni i doktoraturës të Universitetit të Tiranës dhe më vonë, pas botimit, nga shumë specialistë të fushës së pedagogjisë dhe arsimit. Ndërkaq prof. Vehbiu ka qenë aktiv në marrëdhëniet e bashkëpunimit me institucionet e tjera universitare, sidomos me katedrën e pedagogjisë të Fakultetit Histori – Filologji të Universitetit të Tiranës ku ai ishte bashkautor në dy tekste të psikologjisë, duke u aktivizuar vazhdimisht në dhënien e leksioneve dhe ligjëratave në kursin pasuniversitar të psikologjisë pranë këtij fakulteti. Vitet e fundit ai udhëhoqi tre doktoratura në fushën e psikologjisë. Ndërkaq, që nga 2007 i qe ngarkuar nga Enti Botues i Teksteve dhe Mjeteve Mësimore të Podgoricës të përgatiste recensionin e teksteve mësimore për shkollat shqipe në Mal të Zi. Ai recensionoi 15 tekste mësimore nga klasa I – IX, të cilat kanë gjetur vlerësime maksimale dhe janë miratuar nga Enti i Botimeve Mësimore.

Lufta e klasave e goditi profesor Hotin, por nuk e theu

Megjithëse ishte njeri kurajoz dhe i vendosur për t’i kryer detyrat me përkushtim, në punën e tij mësimore, studimore, edukative dhe krijuese ka patur vështirësi dhe shqetësime dhe pengesa të ndryshme. E para lidhej me biografinë e tij, pasi. burri i tezes së prof. Vehbiut HafizSaliMyftia, bashkë me djalin e madh FuatMyftinë, ishin të arratisur bashkë me grupin e nacionalistëve.  Por këtë fakt Ai e kisha shkruar në dokumentet e tij. Aty nga fillimi i viteve 1970 të shekullit të kaluar, Ministria e Arsimit, kishte vendosur dhe miratuar një delegacion të vogël (prej 4 vetash) nga ILPSH për të bërë një vizitë pune në Kosovë, njëri prej të cilëve ishte dhe prof. Vehbiu. Natyrisht, profesori që gëzuar pa masë, sepse do shkonte tek vëllezërit e një gjaku, por gëzimi i tij zgjati fare pak, sepse papritmas u kërkua zëvendësimin e tij me një pedagog komunist, megjithëse kolektivi i pedagogëve dhe drejtori, i ndjeri Mihal Prifti, mbështeste kandidaturën e prof. Vehbiut. Në vitin 1977 u “riaktivizua” përsëri biografia e tij, prof. Vehbiun e largojnë nga Instituti Pedagogjik i Shkodrës dhe e emërojnë mësues në shkollën e mesme pedagogjike “ShejnazeJuka”. Pas katër vjetësh, në vitin 1981, prof. Vehbiu është rikthyer përsëri në Institut, ku vazhdoi punë deri më 2013, kur doli në pension. Ndërkohë prof. Vehbiun e kishin lënë pa strehim, megjithëse kishte krijuar familjen e tij. Kështu,   ai ishte i detyruar të banonte bashkë me familjen, për tetë vite në konviktin e djemve të Institutit, në lagjen Zdrale. Pikërisht në këtë konvikt patën lindur dhe tre fëmijët e tij. Veçanërisht për atë periudhë profesori falënderonte plot mirësjellje bashkëshorten e tij, e cila për disa vite ka qenë mësuese në fshat. ”-Ajo, – thoshte prof. Vehbiu, – ka përballuar një ngarkesë të jashtëzakonshme, ka sakrifikuar shumë nga vetja, që, si nënë e bashkëshorte të na krijonte kushte sa më të mira pune e studimi”. Ai i ndihej mirënjohës bashkëshortes, duke theksuar gjithnjë se gjithçka që ata kishin bërë, e kishin arritur  duke pasur mbështetjen e jashtëzakonshme të saj.

Një familje arsimdashëse dhe intelektuale

Familja e prof. Vehbi Hotit është mjaft arsimdashëse, sepse edhe bashkëshortja e tij Fitnete, ka qenë mësuese matematike, duke dhënë kontributin e saj të çmuar në shumë institucione arsimore të qytetit të Shkodrës, madje edhe në fshatra, aktualisht ajo është në pension. Tre djemtë kanë marrë drejtime të ndryshme në jetë. Djali i madh, Dritani, me profesionin jurist. Dy të tjerët janë binjakë. Njëri, Bledari, me profesion gazetar, aktualisht redaktor lajmesh në televizionin kombëtar TV Klan. Djali tjetër,Arbeni, pedagog për lëndën Psikologji në Universitetin “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës.

I paharruar prof. dr. Vehbi Hoti dhe vepra e tij

Për 50-vjet prof. dr.  Vehbi Hoti shfaqi modelin dhe figurën e  një edukatori të vërtetë e të palodhur në shërbim të dijes dhe të edukimit. Ishte mjeshtër i rrallë i fjalës, komunikues efektiv, elokuent, mbrojtës i flaktë i fjalës së lirë dhe mbi të gjitha metodist i shkëlqyer. Menduam dhe besuam se Vehbiu do të shërohej, por nuk ndodhi kështu, ku në mënyrë të menjëhershme, u shkëput nga jeta, duke lënë një boshllëk të madh në familje, te vëllai, te nipat, mbesat, kolegët dhe studentët e tij të shumtë. “E patëm prind, shok dhe edukator,- thotë i vrarë shpirtërisht njëri nga djemtë e tij, Bledari. -Nuk do ta shohim më kurrë, por kemi të skalitur porositë e tij për të qenë të ndershëm , punëtor dhe për të kapërcyer me vullnet vështirësitë. Për ne vëllazërinë ai ka qenë dhe mbetët burim drite që në fëmijërinë tonë të hershme, udhën e jetës, ndaj mbetet burim frymëzimi për ne, për nipat dhe mbesat që vijnë pas nesh”.

Përjetësisht mirënjohës prof. dr.  Vehbi Hotit, misionar i arsimit shkodran e kombëtar!

 

Please follow and like us: