Dr. Gëzim Puka: Vilson Blloshmi, një poet “i mallkuar”
Vilson Blloshmi ishte një nga poetët më “të mallkuar” të regjimit që shtypi popullin shqiptar për më shumë se gjysmë shekulli. Poeti i brishtë i përket një familjeje shqiptare me tradita. Nuk u përpoq kurrë të fshehë dhe të ndryshojë orientimin e tij drejt kulturës dhe letërsisë franceze. Simpatia e tij për Francën dhe shkrimtarët e saj të mëdhenj shihet jo vetëm në përkthimet e tij në frëngjisht, por edhe në korrespondencën e tij. I pëlqen Volteri, Baudelaire, Hugo, Verlaine, Rimbaud, Camus etj, por gjithashtu i pëlqen të shkruajë edhe letra në frëngjisht.
Në botimin e veprës së Vilson Blloshmit gjendet disa letra drejtuar kushërirës së tij. Ndonjëherë ato shoqërohen edhe me poezi, siç është rasti i poezisë së Baudelaire-it “Épigraphe pour un livre codamné”. Më shumë se një korrespondencë normale, ato duken se janë ese me ndriçim të mirë stilistik. Letërsia dhe gjuha franceze janë rezidenca dhe rezistenca e poetit për të ruajtur shpirtin e lirë.
Në shkrimin hyrës tek “Vepra letrare 1˝ e Vilson Blloshmit, studiuesi Sadik Bejko paraqet për lexuesin mendime të poetit, të cilat vijnë direkt nga dosja hetimore e tij. Me të drejtë Bejko shprehet: “Ato, meqë janë dhënë në hetuesi, duhet t’i marrim me rezervë, por prapë edhe kështu kanë vlerë dhe duhen bërë të njohura”.
Ky mendim përforcohet më tepër kur lexon poezitë që na kanë mbërritur nga V. Blloshmi. Në deponimet e tij në hetuesi, poeti përpiqet të justifikojë krijimtarinë e tij sikur ajo të ishte diçka krejt personale, që nuk do të kishte asnjë takim me lexuesin. Trishtimin në krijimet e tij, ai e shpjegon si krejtësisht individual. Po përmendim disa fragmente: ˝…unë kam shkruar një poezi që ia kushtoj vetes sime. Aty kam shprehur mërzitjen time dhe e quaj veten jetim.[…] Në vitin 1973 kam bërë një poezi tjetër mbi veten time. Atëherë kam qenë në gjendje ankthi dhe kam shkruar në bllok kështu: ˝Një ankth i llahtarshëm, ankth gjumi. Zgjuar tmerr. Më bëhet se nuk do të vdes kurrë. Medet sikur njeriu të jetonte përjetësisht, sikur t’i ktheja së prapthi vitet e mia, por jo për të rënë sërishmi në djep por në arkivol˝. Në atë kohë unë punoja druvar në Stravaj, isha i lodhur, i mërzitur, më dhimbte stomaku. Siç e kam thënë, unë kam qenë pesimist dhe e kam pasur në natyrë trishtimin˝.
Lexuesi, dhe aq më shumë studiuesi i letërsisë, tek poeti Vilson Blloshmi gjen të dy tipat e poetëve: si poetin objektiv, ashtu edhe atë subjektiv. Në disa krijime të tij, ai e ka mënjanuar veten për të shprehur botën e trishtë që e rrethon, duke fshirë personalitetin e tij. Në disa krijime të tjera ka prirjen për të dhënë një autoportret, për t’u rrëfyer, për të shprehur trishtimin vetjak. Edhe në rastin e poetit subjektiv, nuk duhet e nuk mund të mos përfillim dallimin midis një pohimi me karakter autobiografik dhe përdorimit të po atij motivi në një vepër artistike.
Edhe pse vargjet e Blloshmit përmbajnë elemente të padiskutueshme biografike, ato i nënshtrohen në vepër një ristrukturimi dhe transformimi, nga i cili humbasin kuptimin ngushtësisht personal dhe bëhen thjesht një material konkret njerëzor, bëhen elemente përbërëse të veprës.
Vepra poetike e Blloshmit më tepër mishëron ëndrrën, sesa jetën e tij reale. Trishtimin vetjak, por edhe atë shoqëror, ai e përjeton në mënyrë artistike.
Sadik Bejko shprehet: “Jeta e tij dhe poezia e tij shkrihen në njëra-tjetrën. Poezia kështu ka peshën e jetës së tij, ka çmimin e kohës së tij të ekzekutuar nga tirania. Ai nuk e tradhtoi asnjërën: as jetën, as letërsinë e tij”.
Në leximin tonë poeti jetën e tij e përjetoi në mënyrë artistike. Ai e pa atë si material letrar dhe ngjarjet jetësore u shpalosën përpara tij në formën që i japin traditat dhe shprehitë letrare. Poezia e Blloshmit është ajo që është, me lot, me trishtim, me brenga. Këto autori i pohon edhe në hetuesi. Ajo që autori nuk e pohon gjatë hetimit të tij për letërsinë, por që e përligjin vargjet e tij, është se bashkë më lotët, trishtimin dhe brengat e tij, janë edhe ato të mbarë shqiptarëve. “Artisti shpreh të vërtetën dhe, doemos, edhe të vërtetat historike e shoqërore. Veprat e artit mbesin si dokumente, sepse ato janë monumente”
Desha ta ndaj me lexuesin e kësaj krijimtarie këtë lidhje mendimi, me bindjen se ligjërimi poetik tek poezia “Saharaja” e paraqet konfrontimin e saj me botën e njëmendësisë së trishtë diktatoriale. “Saharaja”, si tekst poetik apo si art i fjalës, ka përballë konteksin më të trishtë referencial, Shqipërinë e diktaturës komuniste apo edhe vetë metodën e realizmit socialist, që funksionalizohej nga kjo diktaturë. Në librin e saj “Letërsi e painterpretuar”, akademikja Floresha Dado thekson: “Në raportin: model/modelim artistik, ekziston një nga pikat kyçe teorike mbi gjykimin e letërsisë sonë të realizmit socialist. Modelimi ka sfiduar modelin! Modeli është transformuar; jo sipas parimeve të brendshme të letërsisë, por sipas një procesi të deformuar, jashtëlogjik të modelimit. Modelimi është në shumicën e rasteve, mashtrim i modelit”.
Teksti poetik i Vilson Blloshmit nuk tenton të bëjë asnjë lloj modelimi të modelit dhe aq më pak të mashtrojë. Me letërsinë e tij ai kërkon të prekë sferën e lirisë. Titulli i kësaj poezie me një sens të fortë simbolik, na premton të dhëna rreth domethënies së saj. Në qoftë se poeti nuk do ta kishte titulluar “Saharaja”, nuk do të ishim në gjendje të kuptojmë zërin e trishtë që vjen nga poezia. Aspektet që spikasin në tekstin e Blloshmit i përkasin si fushës së shenjuesit (të shprehjes), ashtu edhe fushës së domethënies (të përmbajtjes).
Kjo poezi dallon për tingëllimën dhe ndjeshmërinë e saj. E shkruar në vargje, në të cilat shprehet një brendi thelbësore objektivisht e vlefshme, që është trishtimi i jetës shqiptare, poezia ofron shumëkuptimësi për çdo lexues që mund të “gërmojë” të tjera domethënie, sipas kulturës dhe përgjegjësisë së tij. Me një varg të matur njëmbëdhjetërrokësh, me thekse ritmike në rrokjet teke, me një strofë katërshe dhe me rimë të alternuar sipas skemës ABAB, poeti si strategji tekstuale është i mbingopur me trishtim në këtë hapësirë të mbyllur, i rënduar nga vetmia, duket sikur humbet brenda një entiteti pavetor (impersonal), të papërcaktuar, pa hapësirë e pa kohë. Ai është dikush midis të tjerëve, mjafton të vërehen format pavetore dhe përdorimi i vetës së parë të shumësit; “Thonë se dhe me natën s’shkon mirë”, “Por se thonë në botë është stisur”, “Kur ne mallkohemi mes nesh”. Trishtimi shqiptar ka fizionominë e një peizazhi të shkretëtuar si Saharaja: “Saharaja shkëmb e rërë e gurë”, të një peizazhi armiqësor: “Saharaja nuk ka miq e shokë, Saharaja nuk ka bijë, as bir. Fjalë e dashuri e njerëz s’ka”. Poeti është i tensionuar të dëgjojë, por “Saharaja s’ka këngë të këndojë”, “Saharaja s’ka as lot të qajë”.
Në qoftë se do të procedohej me dekodifikimin e tekstit duke perifrazuar ose rindërtuar togfjalësha apo fjali me një rend tjetër sintaksor, domethënë duke kaluar nga defamiljarizimi i gjuhës poetike në automatizim gjuhësor, thënë ndryshe zëvendësimin e fjalëve dhe rendit të tyre poetik me fjalë të përdorimit të përditshëm, do të dilnin kuptimet e fshehura të poezisë.
Saharaja, larg është Saharaja,
Saharaja shkëmb e rërë e gurë
Që ka shok vec emrin e saja
Dhe ngaqë s’sheh ëndrra, s’ sheh as drurë.
Shqipëria, sa pranë është trishtimi
Trishtimi shqiptar, i madh, i pafund, i fortë
I vetëm me vetveten shqiptari
I pashpresë dhe pa të ardhme.
E bëmë këtë zëvendësim të fjalëve të kësaj poezie, për të vënë në dukje se të kuptuarit e kuptimit të poezisë së Blloshmit, lidhet me të dy funksionet e gjuhës së saj. Gjuha e poezisë së këtij autori, e parë në funksion simbolik, mund të jetë poezi e një kuptimësie të thellë ose siç shprehet studiuesi Bejko: “E mbajtur në plan simbolik, po aq sa një meditim mbi botën dhe mbi jetën në tërësi, ajo mund të merret dhe si jehonë e një gjendjeje të vështirë subjektive të vetë poetit”
Mendojmë se funksioni parësor i gjuhës së poezisë së Blloshmit është ai emotiv. Autori i përdor fjalët për të krijuar apo më mire, siç shprehet Tomas Elioti, “për të shpëtuar nga ndjenjat” .
“Dhe koha shkon,
Dhe bota ikën,
Dhe ne ecim,
Dhe qeshim kur qan jeta,
Dhe kur qesh varri…
Vdesim…!”
Mund të themi se kjo poezi lind si nevojë për një çlirim të trishtimit dhe të brengave qoftë të autori, qoftë të shqiptarëve. Theksimi i referentit tematik, trishtimi shqiptar i kohës, si dhe aftësia që ka teksti poetik për të rikrijuar përmes tij të gjitha impulset autoriale, i bëjnë këto vargje edhe më shumë universale, pa i rrudhur aspak thelbin e tyre filozofik. Vilson Blloshmi nuk është një poet vetëm i personales. Poezia e tij e mirë i objektivizon ndjenjat, ajo është e lidhur ngushtësisht me mendimin. Lexojmë vargjet:
“Jetën e fjalës e justifikon
Mendimi i tiposur në të.”
Poezitë më të mbresëlënëse të autorit janë pikërisht ato pa titull. Ndërsa lexoja njërën prej tyre, m’u ndërmend një parrullë që u stereotipizua në kohën e diktaturës. Po citojmë poezinë:
“ Dhe mua më duket së vrapoj
Me tmerr nëpër tubin e grykës së topit!
Pak sekonda dhe po nëpër këtë grykë
Do të kalojë predha e llahtarshme
Oh! Pengesat, viaskat,
Ah! Gryka sa larg!
Ja shpërblimi dhe pak
Ja-ja, vrapo…ah…sss.”
Shprehja që m’u ndërmend ishte ajo që i hakërrehej armikut të brendshëm dhe të jashtëm: “Ata na kanë në grykë të pushkës, ne i kemi në grykë të topit”.
Mungesa e titullit është një metaforë e fuqishme dhe pikërisht përmes mungesës konfirmon konotacionin e saj me trishtimin e asaj pjese të shoqërisë që konsiderohej e deklasuar. Gjuha poetike e Blloshmit vihet në punë për të na dhënë të vërtetat e shtrenjta të poetit. “E vërteta shfaqet në marrëdhëniet e njeriut me objektet e dëshiruara”. Shenjuesi poetik i autorit rrëshqet mbi serinë apo mbi fushën nga është zgjedhur i shenjuari, përtej të cilit shtrihet sfera kaotike e mendimeve të poetit, por edhe realiteti shqiptar i kohës.
“O vite që kaloni, o skotë pafundësie,
Megjithëse ju rrëmbeni at’ kohë lumturie
Kujtimi ka për t’mbetë,
Mendimit ku venitet, mbi të ju bëni hije
O ditë të pavdekshme, o dlirësi rinie,
Që s’ kthehi më në jetë.”
Dëshira e poetit për liri strukturohet përmes gjuhës së tij poetike. Ajo kalon në shtegun e një ligjërimi që nuk kishte asgjë të përbashkët me metodën shkrimore të realizmit socialist. Ky ligjërim poetik është një formë madhështore e nevojës së autorit për të qenë i lirë, për të shprehur atë trishtim që ndiente ai dhe shqiptarët.
Në librin “Rrugët e ferrit”, Visar Zhiti shkruan: “Eshtë e pamundur të mos shtangësh para martirizimit të njerëzve të letrave, të atyre që krijojnë dhe atyre që lexojnë, të dënueshëm njëkohësisht, që ngarkohen me atë peshë si me gurët e Sizifit minierave të burgut, ndërsa djajtë vazhdojnë t’i përndjekin shkrimet, i gjykojnë, i gjymtojnë, u hapin plagë të mëdha, shpesh pa lindur ende”.
Autori i poezisë “Saharaja” është një nga autorët e spikatur të letërsisë disidente të viteve ‘70, në një Shqipëri që jetoi në kushtet më të vështira diktatoriale në gjithë Bllokun e Lindjes. Kritika letrare e kohës e kishte humbur orientimin e saj. Ajo ishte kthyer në një kritike shërbëtore hetuesie. Kritika ishte bërë vrastare. Fundi i poetit ishte shumë i trishtuar. Më 17 korrik 1977 poeti Vilson Blloshmi u pushkatua.
Vargjet e poetit martir janë të ngarkuar me barrën e kryqeve të rënda të trishtimit, por paradoksalisht me bukurinë e tyre, vetëm e zbukurojnë jetën e lexuesit.
Referenca
BLLOSHMI, Vilson: Vepra 1, Botimet “Almera”, Tiranë, 2008, 200 f.
DADO, Floresha: Letërsi e painterpretuar, “Bota shqiptare”, Tiranë, 2010, 277 f.
JEFERSON, Ann; ROBY, David:Teoria letrare moderne, Bot. i 2-të,“Albas”, Tiranë, 2006, 340 f.
KADARE, Ismail: “Pavarësia e letërsisë e vështirë”, Gazeta C. com
TOPALLI, Tefë: Gjuhësi teksti, Universiteti I Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, Shkodër, 2011, 399 f.
WELLEK, René; AUSTIN, Warren: Teoria e letërsisë, “Onufri”, Tiranë, 2007, 319 f.
ZHITI, Visar: Rrugët e ferrit, Shtëpia Botuese “Onufri”, Tiranë, 2001, 472 f.