Albspirit

Media/News/Publishing

Ndue Ukaj: “Konsumatorë”

Tregim

Terri është davarit dhe dita e re ka zbardhë. Qielli është i kthjelltë dhe re të  bardha lundrojnë si mjellma të qeta në det. Rrugët janë të qeta dhe ka pak silueta njerëzish që nxitojnë.

Pak më larg, veturat lëvizin me shpejtësi marramendëse në drejtim të panjohur dhe prapa lënë aromë të keqe, kurse në lagjen tonë, grupe fëmijësh të hareshëm nxitojnë drejt shkollës.

Ti je në verandë dhe këqyr horizonte të reja, kryqëzime kohësh e imazhesh. Sheh kishën në mes të qytetit, prapa teje një xhami dhe në kodrën përbri ndërtesën e shëmtuar të Fakultetit të Arkitekturës dhe nxjerr një ofshamë – as lumturi, as trishtim.

E bën një kafe dhe kthehesh me filxhan në dorë pranë tavolinës së punës.

Kush jam unë? – pyet dhe shikon si rrezet e diellit depërtojnë ngadalshëm në dhomën tënde. Aroma e kafesë të largon nga mendimet e natës së shkuar. Sot ke dëshirë të jetë vërtet ditë e re, por ti thua se ka kohë që kur ditët i ngjajnë njëra-tjetrës.

Bien kambanat. Ti bën kryq.

Është ora e litanive dhe e lutjeve. Lexon një psalm dhe të mbërthen aroma e poezisë dhe e lartësimit. Ai psalm është shkruar para qindra vjetëve, në toka të largëta, por ti e ndjen ëmbëlsinë e tij si të jetë shkruar sot, në qytetin tënd, mes njerëzish të një kohe tjetër dhe që kanë ëndrra krejt tjera. Oh, jo, njerëzit gjithmonë kanë ëndrra të njëjta: një rrugë të bukur lumturie, ca pemë, një shtrëngim dore dhe një horizont përpara, sepse njeriu pa horizont është qenie e shkretë.

Kridhesh në morinë e shënimeve që ke përpara vetes, nëpër ato shënime që i ke shkruar ndër vite. Dhoma jote është e mbushur përplot libra e ti vërtitesh nëpër to si një i hutuar që kërkon diçka. Dhe gjakon ta mbrosh individin përballë turmës, por përditë e më shumë të duket gjëja më e vështirë, një përpjekje e dështuar, një luftë e pakuptimtë, një luftë e përcaktuar për t’u humbë.

Kujton sa e sa të mençur që janë përvëluar nga dëshira për ta parë njeriun të lirë dhe kanë mbyllë sytë të dëshpëruar. Kujton shumë poetë. Të vijnë ndërmend shkrimtarë dhe mendimtarë që kanë thënë se e vërteta qëndron gjithmonë te pakica, sepse pakica në përgjithësi formohet nga ata që kanë vërtet një mendim, kurse forca e një shumice është iluzore, e formuar nga bandat që s’kanë mendim.

O Zot, sa vështirë, thua dhe kap kryet e sillesh si e çmendur.

Sa kohë e gjatë ka kaluar dhe njeriu vazhdon të joshet nga forca e turmave, të ecë me turmën, si në javën dramatike, kur u kryqëzua Krishti ose shumë shekuj më vonë, kur turmat dogjën librat e Remarques nëpër rrugët e Gjermanisë apo kur ndoqën një të marrë në Shqipëri.

Turma gjithmonë vret e djeg. Sepse ajo s’ka një mendim. Ti pikëllohesh edhe më shumë.

Ka ditë që kur ndihesh shumë e shqetësuar. Shikon lajmet e mbrëmjes dhe turfullon. Më së shumti flitet për politikë – thua dhe ofshan – kjo është kohë e politikës – të them, por ti e habitur shikon përmes dritares retë e bardha dhe ëndërron një kohë tjetër.

Sot fustani yt është i kthjelltë si qielli dhe ti dëshiron t’i përgjigjesh motit me veshje. Është stinë e bukur, pranverë. Të kujtohet kënga magjike “Lulet e majit” dhe ti vërtet i do lulet e majit.

Mbrëmë, kur bëmë dashuri, mu bë se ti ishe krejt e humbur dhe e palumtur.  M’u bë sikur bëre dashuri veç sa për ta rehatuar haletin tim të harlisur që s’fle lehtë kur është përpara teje. Dhe ndryshe prej herëve tjera, porsa mbaruam, menjëherë u veshe, mbulove gjinjtë me gjimbajtëset ngjyrë të errët dhe s’deshe t’i kundroja siç kam dëshirë. Unë t’i preka gjinjtë, ti m’i largove duart, të cilat unë i tërhoqa si dy flamuj disfate nga një betejë e humbur. Ti ishe krejt e shpërqendruar aq sa m’u bë se u arratise në një kohë tjetër dhe s’doje të shihje si unë doja ta kundroja pubisin tënd.

Ka ditë që kur sa herë shikon lajmet, tmerrohesh. Të brengosë energjia e turmave që marrin pjesë në aktivitet e grupeve të ndryshme, të quajtura komunitete, parti dhe habitesh me fuqinë që tregojnë të gjithë ata që stimulojnë ethshëm dashurinë për udhëheqësin, sikur ai të ishte një qenie superiore që posedon shkop magjik dhe me të plotëson dëshirat njerëzore.

Oh të mjerët ata, harrojnë se ai është një qenie e shkretë, plot huqe dhe që frikësohet po aq sa frikësohen ata që shkojnë pas tij.

Unë të shoh të degdisur dhe të them se në momente historike instinkti i kopesë rritet papërballueshëm, e ti hesht, shikon retë e bukura në qiellin e kthjelltë dhe s’bëzan. Kjo më tmerron, e dashur.

Krejt kjo pamje ngjan në një humnerën të cilën e sheh me sy dhe frikësohesh se ajo mund të kapërdijë një ditë si një pendël të lehtë dhe të zhdukë në morinë e miliona pendlave të gllabëruara.

Kjo është humnera e kohës dhe historisë buzë së cilës jemi.

Ti tërbohesh dhe shan më të madhe sa herë shfaqen në ekranet e mëdha televizive reklamat e gjata ekonomike që njerëzit i joshin me fjali të përzgjedhura duke i quajtur “konsumatorë të dashur e të nderuar”, sepse ti e di të vërtetën, se ata s’janë as të dashur dhe as të nderuar, por vetëm konsumatorë. Në veshin tënd, këto fjali tingëllojnë si fjalë të vjetra që vijnë prej kohëve tjera, kur kishte skllevër, kurse ne themi se jetojmë në një kohë tjetër, të pagëzuar prej të gjithëve si kohë e mbrothjes dhe e lirisë.

Gjithnjë e më shumë mendon se liria e njëmend është kontinent i paarritshëm.

Unë të them përsëri: mos u trishto – lirinë tonë e blejmë shtrenjtë – e blejmë nëpër dyqane të stërmbushur me mall të gjithfarshëm, e blejmë në tregjet e varfra politike dhe e harxhojmë si një cigare mërzie të cilën pasi ta kemi thithë e përplasim pamëshirshëm në hedhurina.

Ti e di se në dekadat e fundit interesi për të qenë konsumatorë është rritur në mënyrë marramendëse, prandaj pse lodhësh të bësh krahasime me shekujt e mëparshëm, kur s’kishte shumë konsumatorë, reklama, e njerëzit bënin tregti, shkëmbenin mallra e ide, libra e piktura, por s’ishin kthyer në konsumatorë.

Ti e di se në kohët e mëparshme, për të fituar duhej të bëheshin përpjekje të mëdha, ndërkaq tani reklama i ka zënë vendin çdo gjëje dhe fokusi kryesor i njerëzve është reklama. Janë kohë të ndryshme – por ti e dashur përsëri shikon retë dhe shfleton, herë pas here shkruan vargje poetike, të cilat ëndërron t’i përmbledhësh në një libër të madh.

Dëshiron të zbrazesh nga të gjitha idetë tjera dhe të jesh lakuriq, vetvetja, si Eva në Kopshtin e Edenit, e rrethuar me lumenj të bukur, një burrë që të rri përkrah dhe ku bëjnë hije pemë madhështore. Oh ç’bukuri e llahtarshme, sepse pastaj vjen pjesa tjetër, e tundimit, e rënies, sepse s’ka jetë njerëzore pa katandisje.

Ti e di se përditë e më shumë po rritet fuqia e reklamës e bashkë me të edhe ajo e konsumit, aq sa kohëve të fundit duket sikur njerëzit janë kthyer të gjithë në konsumatorë, që blejnë gjithçka, dëshirat dhe lirinë e tyre, orët e pakta të lumturisë.

Oh e dashura ime, ti e hutuar i shkruan gjakimet e tua në fletë të bardha, i lidh dhe i bën vargje poetike, por arti ka konsumatorë të paktë, të varfër dhe përditë e më shumë raca e tyre po varfërohet, sepse, sikur të ndodhte e kundërta, me siguri turmat do të kishte më pak, mediokriteti do të pakohej dhe njerëz që bënin zgjidhje personale do të kishte shumë e më shumë mbi dhé.

Artistët tani s’fitojnë si dikur, s’janë të nderuar, arti i tyre është në rënie, sepse është rritë forca e turmave, po, pikërisht për këtë arsye, dhe këtë e bëjnë reklamat që kanë zëvendësuar kulturën e madhe të librit e të fjalëve të bukura.

Oh e dashur, më dhemb fakti se ti ende beson te njeriu dhe jo të grupi që përcakton sa peshon njeriu. Ka të tillë pak, ashtu siç sot ka pak re në qiellin e kthjelltë. Ti i donë retë dhe mahnitesh nga lëvizjet e tyre, aq sa më ke thënë shpeshherë të duken si metafora poetike që lëvizin nëpër vargje dhe krijojnë ritëm e muzikë.

Pemët janë të hutuara, janë të vetmuara si ajo pema magjike e Van Goghut.

Ti ke studiuar shumë për njeriun, por qëllimshëm e harron atë që ka thënë Vladimir Nabokovit që ti e ke përzemër. Ai s’urrente asgjë më shumë në botë se aktivitetin në grup, atë vaskë të përbashkët ku përzihen leshrat dhe rrëshqasin në një shumëfishim të mediokritetit. Kjo është e vërteta e kohës sonë, e dashur.

E trishtë!

Prandaj mbylle fletoren e dëshirave dhe gjakimet lejo të fluturojnë nëpër re, si retë e bardha të lumturisë, sepse vargjet janë re të lumturisë.

Sa lehtë njerëzit shkrihen në turmë, ti as që mund ta imagjinosh. Pastaj ata e shumëzojnë mediokritetin, shkrihen në votues dhe shumëzojnë fuqinë absolute që rri mbi ta si një dorë ndëshkuese që i kap për fyti dhe i lidh në litarin e pushtetit e i tërheq kah do prijësi, i cili as vetë s’e di ka shkon, prijësi që ka dëshirë t’iu diktojë edhe çfarë ëndrra duhet të shohin njerëzit.

Sot është ditë e bukur dhe qielli është i kthjelltë, kam dëshirë të bëjmë dashuri, por ti je e hutuar. Ne po bisedojmë për gjëra të çuditshme, për të cilat s’flasin aktivitet e shumta që bëhen në grupe dhe të cilat marrin vëmendje të madhe.

Ti s’dëshiron të jesh turmë, konsumatorë, dëshiron të jesh unike dhe ndien plogështi sa herë del në dritare, prej ku sheh në horizont turma njerëzish që rendin pa fund.

E sa herë perëndon një ditë, ti e di se mbyllet harku i dëshirave njerëzore, i gjakimeve dhe i pritjeve. Çdo gjë venitet në orbitën e errësirës, në terr, për t’u kthyer në histori.

Orët më të bukura janë orët e gjumit, të ëndrrave, ku njerëzit mund të ëndërrojnë ç’të duan. Në fakt, ka mbetë vetëm ajo pjesë e jetës njerëzore, ku njerëzit mund të ëndërrojnë ç’të donin, madje të guxojnë të shohin edhe ëndrra të frikshme, blasfemuese, ku liria ishte e dëlirë, pa mure, kufij dhe kontrolle e ku njeriu është unik në histori.

Të kujtohen vitet e studimeve të filozofisë në Vjenë, kur fillove të flisje kundër etiketës së përkatësisë, atë lehtësi të çuditshme me të cilën organizimet e ndryshme politike e ekonomike i quanin njerëzit anëtarë, votues, konsumatorë. Këto etiketa të tingëllonin si heshta në zemër, të thernin, të dukshin përbuzëse e të pista. O sa shumë flisje kundër tyre, mbaj mend edhe tonin e zërit tënd të ashpër.

Ti besoje vërtet se njerëzit ishin të lirë, me një liri që s’ishte as e dhuruar e as e falur, por që ishte e thadruar në natyrën e tyre, që s’këmbehej e s’shitej e as s’blihej.

Sa bukur!

Ti s’dëshiroje që njerëzit të mbeteshin turmë, konsumatorë, ti gjakoje që ata të dinin çfarë konsumonin, të konsumonin çfarë donin ata dhe jo çfarë iu ofronin të tjerët, por lum e dashura ime, oh sa më dhemb zemra ta them, ky soj njeriu ka një fund të palakmueshëm.

Atë kohë të bukur në Vjenë ke kaluar ditë të tëra e kredhur në mendime tek kërkoje përgjigje rreth këtyre dilemave, sidomos kur shëtisnim në parkun e luleve dhe u merrnim erë, përqafoheshim me zjarr dashurie dhe flisnim për ditë të mira.

Oh sa i lumtur isha kur shihja trupin tënd lakuriq dhe rrija ashtu si përpara një perandorie madhështore e të pafund.

Por, ne të gjithë jemi kthyer në turmë e konsumatorë, votues, nxënës që s’mësojmë asgjë prej historie, ndaj rrëzohemi në të njëjtat gropa që u rrëzuan të parët tanë, gropa të mëdha që na gatuajnë të tjerët. Po, ne rrëshqasim në ato rrugë të thepisura kah na grahin të tjerët, luftojmë për kufijtë që vizatohen e rivizatohen pa u përfillë kurrë dëshirat njerëzore.

Ç‘fatkeqësi, më dhemb zemra tek shoh me sy të mi si njerëzit i ngjisin etiketat e tyre dhe në emër të tyre janë në gjendje të rrokin armët.

Dita është e shkurtë, dielli ka kaluar në anën tjetër.

Ti e di sa e vështirë është të flasësh për shqetësime të tilla, s’mjafton një ditë e as një jetë. Se lehtë të pandehin të marrë. Dhe tani është krejt lehtë të shpallesh i marrë, mjafton të mos pranosh etiketat, të mos bëhesh anëtar i sekteve, grupeve, komuniteteve, konsumatorëve.

Ti më shikon e habitur, përdredh sytë sikur të kërkoje në sytë e mi hutimin tënd dhe pastaj bashkë kthejmë kokën kah perëndimi i diellit dhe besojmë se nesër përsëri lind një ditë e re, një shprese e re, bashkë me një mundësi e re.

Unë kam dëshirë t’i ledhatoj gjinjtë tu, më duken gjëja më e ëmbël që mund të bëj.

Vërtet ti e urren fjalët turmë, konsumatorë, shumësinë e këtyre fjalëve që shumëzohet në fuqi marramendëse mediokriteti; të duket fjalë të pista, të përafërta me fjalën skllav.

Oh e dashur, këto mendime s’përligjen në shoqërinë bashkëkohore, por ka një përparim që duhet admiruar, tani s’ka gijotina, ndaj më mirë të bëjmë dashuri e të mbyteni në ekstazë dhe të harrojmë gjithçka.

Në tavolinën e punës shikon shënimet e grumbulluara ndër vite dhe në to ke shkruar për njeriun e shkërmoqur, për njeriun që jeton me një barrë prej momenti kur ngjizet gjatë një marrëdhënie të ëmbël dashurie; pastaj posa hap sytë, duhet të mbajë në supe gjatë gjithë ditëve të jetës, edhe pas vdekjes, barrën e përkatësisë.

Barrë e madhe është t’i përkasësh dikujt, kur ti dëshiron të jesh vetvetja, dëshiron të zbrazesh nga të gjitha etiketat dhe të mbetesh lakuriq nën qiellin e kthjelltë; të ndjesh aromën e pafundme të bukurisë, pastaj unë si vjelës të mbytëm në tingujt e trupit tënd që kur bëjmë dashuri shndërrohet në univers.

Prej dite në ditë ti vazhdon të plandosesh poshtë e më poshtë. Dhe të duket se njerëzit janë kthyer në disa kopje serike të miliona dëshirave të perënduara dhe të miliona dëshirave që ngjizen sa herë troket një ditë e re.

Ne i hapim dyert e ditës së re pa e ditë se ç’do t’na sjell, ndryshe, ndonjëherë do të donim atë ditë të mos zgjoheshim fare.

Ti s’deshe ta mësosh se njeriu është përcaktuar të jetojë i ndarë në ngastra, ai duhet t’i përkasë një toke, me kufij të rreptë, përtej të cilëve ka shtete tjera dhe kufij të rreptë, kontinente, perandori të përmbysura dhe të tjera që duan të ngritën, kurse ti e ke mendjen veç te perandoria e dashurisë, e zemrës së butë dhe të përvujtë që shtrin paqen e përhershme mbi tokë.

Ti e di se brenda njeriut vërshojnë lumenj dëshirash e dete dhimbjesh, aty ka shpresa sa ka yje në qiell qershori dhe dëshpërim sa ka mjegull ditëve të ftohta vjeshtake. Aty fryjnë vrundujt e erës dhe vrundujt e dëshirave dhe çuditërisht çdo gjë merr frymë përmes hinkave të vogla, që ngushtohen përditë e më shumë.

Shumica e dëshirave dështojnë porsa lindin, ti e di mirë, disa marrin jetë e thyen gjatë harkut të një dite të lodhshme, kurse ato të mëdhatë, gjithmonë mbesin pré, e atyre që rreshtojnë një për një jetët njerëzore, duke i mbledhur herë në amfiteatrot antikë për t’i argëtuar e herë në arena gladiatorësh për të parë çudi njerëzore. Tani jemi kthyer në konsumatorë dhe gladiatorët argëtojnë me reklama. Kjo s’është aspak ëndërr, siç mund të pandehsh ti, është jeta jonë e vërtetë.

Ndonjëherë ti e ke mundjen te librat dhe para tyre zhvishesh sikur kur bëjmë dashuri. Të kujtohet kur lexoje Spinozën, “Etikën” e tij të famshme, të cilën e mbaje për të shenjtë, sidomos mendimin e tij se morali dhe lumturia ishin identike dhe se vepra ma të moralshme që një njeri mund të bënte ishte të kënaqej me njëfarë kënaqësie që ishte jo në kundërshtim me arsyen.

O e dashur, kur u ftove ne një konferencë mbarëbotërore të flisje për ideale të larta të librit, ti doje të flisje për idealet e lirisë, për arsyen, por shihje si të gjithë ishin të përqendruar një kat më sipër, ku rrinin udhëheqës e afaristë me xhepat plot reklama e parulla, sepse njerëzit e kohës sonë dëshirat i kanë reduktuar në reklama e parulla. Kjo është dhimbshme dhe njëherësh e trishtueshme.

E ti me tinguj poetikë doje të tregoje se prej froneve, njerëzit poshtë ngjanin në miza të vogla, pastaj e mllefosur, me disa letra në dorë, dole, këqyre sipër dhe u trishtove. Atje kishte fytyra të njohura që i shije nëpër reklama, udhëheqës e liderë, kurse përpara, përmes dritares i shihje zogjtë si bënin spektakël në qiell dhe ëndërroje lirinë e tyre.

Atë ditë m’u duk se pranove disfatën dhe e palumtur sodite të gjithë ata burra e gra që stimulonin dashurinë për ata që ti i quaje turmë, konsumatorë, votues, anëtarë.

Duke shfletuar në të shkuarën tënde, e mërzitur, tanimë thua se s’ia vlen ta vazhdosh betejën, je në zgrip të mendimeve, të duket vetja e fundosur, e unë, pikërisht tani të këshilloj të mos heqësh dorë kurrë, ja, mjafton që unë e di tregimin tënd dhe ai është tregimi i kohës sonë.

Tani duhet t’i hapim dritaret, të zhvishemi dhe të bëjmë dashuri. Ky dialog i çuditshëm le të marrë frymë, të lëvizë nëpër ajër dhe të gjejë një zemër të qetë nën hijen e një peme të madhe diku në rruzullimin e tokës. Po, ky njeri gjithmonë do të ekzistojë në histori për të treguar se njeriu vërtet ekziston. Për ta mbrojtë atë e për ta tërheqë kah vetvetja e tij unike.

Please follow and like us: