Albspirit

Media/News/Publishing

Odise Kote: Librashitësi…

 

Çfarë është ky zotëri? – më pyet serioz një ish koleg gazetar i një medie të huaj.

Shitës ambulant – ia kthej indiferent. Ka plot si ky bregut tē detit.

Nuk është botues?

Ah… botuesit nuk dalin nëpër vapë.

Si nuk dalin…? – ngriti supet e holla që kishin marrë pak të djegur nga dielli i jugut.

Ata jetojnë nëpër vila deti e shtëpi luksoze. Vetëm shkrimtarët dalin. Ata bredhin sa andej – këndej të shesin ndonjē libër, të gjejnë përkthyes a sponsor.

Ç’domethënë kjo, pa prit … – picërroi sytë për të pikasur sa më shpejt misterin e enigmës.

Punë e koklavitur, marifet shqiptar – dhe i shkel syrin. Ligji i  Editorit ende nuk ështē miratuar në Shqipëri. Shkrimtarët e paguajnë dhe e shesin vetë librin e tyre.

Uau, si kështu? Ti po më thua se ai zotëri me gjithë ato libra nuk është as përfaqësues i ndonjë shtëpie botuese, as menazher e as librar?

Jo, jo – nënqesha me “paditurinë e tij naive”.

S’ka asnjë lidhje me ta, – desha të përmbyll i bezdisur temën, kur zotëria librashitës u afrua. Kullonte djersë e avuj prej përvëlimit të diellit. La trajstën e madhe plot me libra mbi tavolinën portative dhe uli me kujdes një tufë tjetër që e mbante nën sqetull.

Blini një libër, – u lutën më tepër sytë e tij se sa zëri që kushedi ku kish humbur. Papritur nisi tē rendisë autorët. Më të mëdhenjtë e letërsisë botërore, por për respekt a “ndonjë shtysë patriotike” përmendi dhe emra të autorëve shqiptarë.

Po blej Lolitën – i them, – mungon në  bibliotekën time.

Ai mori kartmonedhën, e palosi, e futi me kujdes në portofol dhe duke më zgjatur romanin, nënqeshi djallëzisht: aaa…aaa…!

E ke lexuar e ngacmova?

U të lexuar, e kam kollofitur – dhe sytë i lëshuan xixa.

Ke qënë mësues? – e gjykova nga mosha.

Jo, jo, – pohoi shpejt e pa qejf. Jam veteriner në profesion po letërsinë në gjimnaz e kisha dhjetë.

Interesant, – e vështrova plot mirësi, si për t’i thënë që biseda jonë kishte përfunduar dhe ai duhej të lëvizte për të gjatur një klient tjetër.

Kur ai u largua, kolegu që s’kuptoi asgjē nga biseda jonë këmbnguli tek pyetja e tij: A ishte menazher libri?

Jo, – ia ktheva duke parë horizontin mbi det. Jo. Ai është vetëm njē veteriner…!

Please follow and like us: