Gjelok Marko: SS e “Serbisë së Madhe” dhe “kapot” e tyre shqiptarë
Dukuria e kanibalizmit te politikanët shqiptarë
Historia na dëshmon për tmerre e genocide të tmerrshme. Shpesh shumica e njerëzve kapen në befasi nga dukuri të tilla. Në befasi u kapën armenët në kohën e Perandorisë Otomane, kur brenda pak ditësh u masakruan pothuaj dy milionë vetë. Sot madje duan të na mbushin mendjen se nuk ndodhi ndonjë gjë e madhe. Në befasi u kapën edhe ata që u masakruan në Ruanda, sot në kohët moderne. Sa kurdë u masakruan në Irak nga Sadam Hyseini? Po edhe në vende të tjera ku numrat nuk janë kaq të mëdha dhe nuk ka shumë dëshmi? Kush nxitoi t’i shpëtojë? Sa u kujdesën e për viktimat? Sa u ndëshkuan vrasësit? Një gjë që ne mësojmë nga të gjitha këto genocide, të vjetër e të rinj është: Viktimat duhet të kujdesen për vetveten! Vetë ata duhet të marrin masa që të mos e lejojnë vetveten të vendosen në pozitën e viktimave. Genocidi më i njohur dhe më i dokumentuar mirë në histori është Holokausti kundër hebrenjve prandaj shembujt e ilustrimit do t’i marrim pikërisht aty: Shumë nga hebrenjtë që jetonin në Gjermani nuk besonin se do të ndodhte Holokausti. Pati shumë vetë që shkuan dhe i paralajmëruan për rrezikun që ju vinte nga Adolf Hitleri, nga programi e plani i tij që shprehej qartë në librin programatik “Mein Kampf”, që para se ai të vinte në pushtet. Ishte koha kur kishte ende mundësi shpëtimi. Fatkeqësisht, shumica e këtyre “lajmëtarëve të furtunës”, siç i quajtën me ironi kundërshtarët, u tallën dhe u dëbuan me të qeshura e fishkëllima nga takimet në sallat publike e në sinagogat ku ata, disa herë me lotë në sy, mundoheshin t’i paralajmëronin për tmerrin e Holokaustit që po pregatitej. Ndërkohë që viktimat e së nesërmes duartrokitnin analistët e gazetarët “logjikë” e “të arsyeshëm” që i siguronin se nuk kishin arsye të trembeshin as nga Adolf Hitleri e as nga një libër i zakonshëm si “Mein Kampf” ku na kish vërtet disa ide ekstreme, po debatet në politikë jo rrallë herë përmbajnë fjalë të tilla pa kuptim e pa asnjë rol vendimtar për marrëdhënit midis njerëzve e popujve që bashkëjetojnë prej shekujsh me njëri-tjetrin. Hebrenjtë as që nuk kishin nevojë të lexonin e të dinin atë që shkruhej në “Mein Kampf” e Hitlerit. Tragjike është se një retorikë e një taktikë e ngjashme po përdoret edhe sot në Shqipëri e Kosovë, fatkeqësisht me shumë sukses, nga kalemxhinjtë e llafollogët e paguar nga Moska e Beogradi. Fatkeqësi edhe më e madhe është se kjo retorikë e helmuar ka mundur të verbojë jo vetëm popullin e thjeshtë e disa grupime të rinisë, por edhe intelektualë të vërtetë patriotë të cilët motivohen nga dëshira e mirë e një shpirt i sinqertë, por fatkeqësisht nuk e njohin se sa të thella, të helmuara dhe të përbindshme janë rrënjët e së keqes me të cilën përballemi. Ne shqiptarët duhet t’i marrim shumë seriozisht këto paralajmërime të historisë. Në qoftë se hebrenjtë do të kishin lexuar “Mein Kampf” dhe do të njihnin se sa mizore ishin planet e Hitlerit, shumë do të ishin larguar në kohë. Mijëra e mijëra jetë do të ishin shpëtuar. Ne shqiptarët duhet të njohim atë që kanë planifikuar për ne pseudointelektualët si Vasa Çubrilloviç e të tjerët, duhet të njohim me saktësi propagandën zyrtare, atë që thuhet e mësohet në programet e shkollave në Serbi. Na duhet të njohim dhe të vërtetën rreth teologjisë të kishës Ortodokse Serbe. Një libër, një program politik si “Mein Kampf” prodhoi njësitet e SS. Teologjia e kishës serbe prodhoi Millosheviçin e Vuçiçin.
SS nazistë nuk ishin krijesa jashtëtokësore të ardhura nga ndonjë galaksi e largët dhe e panjohur. SS gjithashtu nuk ishin të gjithë kriminelë të nxjerrë nga burgjet, përkundrazi vetëm një numur relativisht i vogël ishin të tillë. Fakt është se shumica e tyre ishin njerëz të zakonshëm: nëpunës, intelektualë me ideale, etër që kujdeseshin për familjet e tyre, të rinj të sinqertë me ideale, që kujtonin se ishin në anën e së mirës, të gatshëm të sakrifikonin jetën për idealet e tyre… E megjithatë nën influencën helmuese të “Mein Kampf” pikërisht këta njerëz të kulturuar, që dëshironin të ishin në anën e së mirës, u shndërruan në përbindëshat që kryen Holokaustin.
Është jetike të dihet nga shqiptarët se idetë e “baballarëve të kombit serb” si dhe teologjia e kishave shtetërore Ruse e Serbe ka shumë më tepër potencial të krijojë përbindësha, sidomos përbindësha antishqiptarë se sa “Mein Kampf” i Adolf Hitlerit. SS e ideve të “Serbisë së madhe” janë edhe më të egër se SS e Adolf Hitlerit. Ata sot janë gati, përgatiten… Helmin që kanë në zemër e shfryjnë kur janë të dehur, e zhgarravitin nëpër mure, e ulërijnë nëpër stadiume futbolli, pastaj vendosin maskën e njerëzve “të mirë” , “të civilizuar”, “madje miq dhe dashamirës të shqiptarëve”, po këtë miqësi e shfrytëzojnë për të njohur dhe për të mashtruar e për të rekrutuar shqiparët që do të mund t’i përdorin për synimet e tyre. Punojnë vazhdimisht, u përshtaten rrethanave, përgatisin terrenin dhe presin rastin. Ne shqiptarët duhet të kemi të qartë se ajo që kreu Millosheviçi kundër shqiptarëve nuk ish një çmenduri e çastit e cila nuk ka mundësi të përsëritet kurrë. E vërteta është se veprimet e Millosheviçit kundër shqiptarëve ishin realizimi i ëndrrës shekullore të shumicës së serbëve brenda dhe jashtë Serbisë, le të mos kemi asnjë iluzon për këtë fakt. Te Mateu 6:
22 Drita e trupit është syri; në qoftë se syri yt është i pastër, gjithë trupi yt do të jetë i ndriçuar,
23 por në qoftë se syri yt është i lig, gjithë trupi yt do të jetë në errësirë; në qoftë se drita, pra, që është në ty është errësirë, sa e madhe do të jetë errësira!
Syri, drita e një kombi janë intelektualët, janë edhe njerëzit e fesë:
Intelektualët serbë propagandonin kudo që u jepej mundësia, në programet e shkollave serbe, jo para shumë vitesh, mësohej se shqiptarët janë një rracë e ulët, rudimentare, ata madje kanë bisht. Intelektualët më të shquar të Serbisë, me zell të jashtëzakonshëm mundoheshin të bindnin botën në takimet shkencore se kjo ish e vërtetë. Gjuhëtarët serbë sillnin argumente nga gjuha shqipe duke thënë: “Shikoni vetë gjuha e tyre dëshmon faktin se raca shqiptare është racë rudimentare dhe kanë bisht. Kur një femër është imorale në gjuhën shqipe ajo quhet “bishtdedhur” ose ajo e “lëviz bishtin” etj. Sociologët serbë argumentonin se e vetmja vlerë e shqiptarëve ishte që të izoloheshin në disa krahina dhe të përdoreshin për eksperimente sociale, prandaj Shqipëria duhej të coptohej. Kjo propagandë filloi para shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë por u intensifikua shumë pasi u shpall pavarësia. Dhe le të mos kemi asnjë iluzion: Kjo propagandë e ka influencën e saj deri sot në Evropë. Për këtë mjafton të shohim se si trajtohen sot shqiptarët nga disa përfaqësues të Komunitetit Evropian, si shkruhet edhe sot për ta nga disa gazetarë….
Po është e vërtetë se shumë linguistë, sociologë e shkencëtarë, nga gjithë Europa, sidomos nga Gjermania dhe Austria u ngritën kundër këtyre teorive antishkencore dhe i demaskuan aq me forcë saqë serbët nuk guxuan t’i përmendin më, madje i hoqën nga programet e shkollave të tyre. Por gjithashtu është e vërtetë se edhe serbët kanë aleatët e tyre midis gazetarëve dhe pseudoshkencëtarëve të Europës, edhe sot. Gjithashtu duhet thënë se mashtrimet, shpifjet madje dhe gjuha e urrejtjes janë ende të pranishme në programet dhe në tekstet shkollore të Serbisë e kudo në institucionet e saj. E njëjta urrejtje të njëjtat mashtrime tani shprehen në forma dhe metoda të tjera. Me pasojat e këtyre teorive u duhej të luftonin shqiptarët, sidomos studentët shqiptarë në vitet ‘30 të shekullit të kaluar, edhe Fan Noli-it iu desh të debatonte shpesh herë rreth tyre në konferenca ndërkombëtare. Me këto mashtrime na duhet të luftojmë edhe ne sot.
Po teologjia e Kishës Serbe, teologjia e kishës Serbo-Ruse, teologjia e Kishës Pansllaviste? Është edhe më e egër! Kjo teologji jep licencë për vrasje dhe masakrime dhe shpall shenjtorë vrasësit. Këtë e bëri edhe Kirilli para pak kohe duke ju thënë ushtarëve rusë se “nuk ish krim e mëkat para Zotit të vrasin, të dhunojnë e të maskrojnë Ukrainasit”. Çfarë mendojmë ne se do të bëjë kjo kishë, këta patriarkë me ata që dhunojnë, vrasin e masakrojnë shqiptarët? Dhe këtu duhet sqaruar se urrejtja e përbuzja është drejtuar kundër gjithë racës shqiptare, jo vetëm kundër shqiptarëve myslimanë, jo vetëm kundër shqiptarëve të Kosovës. Këtë gjë pati rastin ta përjetojë edhe Fan Noli, Mitrush Kuteli, Lasgush Poradeci e shumë të tjerë të cilëvet iu desh t’u përgjigjeshin pyetjeve nëse kishin bisht apo jo, iu desh të debatonin shpesh rreth këtyre temave. Është mashtruese propaganda që thotë se serbët urrejnë vetëm shqiptarët myslimanë, jo ortodoksët. Ukrainasit gjithshtu janë ortodoksë. Le të shohim se si po i trajtojnë ata rusët, le të shikojmë dhe të mësojmë.
Sikur të marrim një foshnjë nga një familje e zgjedhur, që ka trashëguar prej brezash idealet më të larta dhe ka shfaqur gjithmonë një karakter fisnik. Po ta marrim dhe ta vendosim këtë foshnjë të zgjedhur në tufën e ujqve që të ushqehet prej tyre dhe të jetojë me ta. Si do të bëhet kjo vajzë, ky djalë kur të arrijë moshën njëzet vjeçare?
Po një i ri sërb i rrethuar nga një propagandë e tillë nga të gjitha anët si do të bëhet? A do t’i dojë, a do t’u besojë ai shqiptarëve? A nuk do t’u bashkohet ai njësiteve SS të “Serbisë së madhe”?
Edi Rama na thotë: “Le të afrohemi me serbët, le tu japim kohë të na njohin, me siguri që një ditë ata vetë do të vijnë të na kërkojnë falje për krimet që kanë kryer, me siguri që do të na duan”.
A nuk patën kohë të na njohin ish-banorët e Vrakës? Për shumë vite ata jetuan midis shqiptarëve. Askush nuk i persekutoi kurrë. Po pasi u shpërngulën nga Shqipëria edhe ata u vullntarisht dhe me zell të madh u bënë pjesë e njësitëve të Millosheviçit e njësiteve që shpërngulnin e masakronin shqiptarët.
Po serbët në Kosovë e kudo në Jugosllavi, a nuk kanë patur kohën e duhur t’i njohin shqiptarët? A nuk erdhi në pushtet Millosheviçi pas një kohe të gjatë bashkëjetese dhe “Vllazërim-Bashkimi”? Nga buroi menjëherë gjithë ai brutalitet, gjithë ai sadizëm pas gjithë kësaj kohe bashkëjetese dhe “Vllazërim-Bashkimi”?
Është fakt i njohur nga historia se SS e Adolf Hitlerit në “misionin” e tyre për zhdukjen e hebrenjve nuk do të kishin arritur sukseset që arritën pa ndihmën e “kapove”, tradhëtarëve hebrenj të cilët shpesh ishin më të zellshëm e më brutalë se vetë SS e Hitlerit. Në fakt ishte detyra e “kapove” t’i drejtonin bashkëkombësit e tyre drejt dhomave të gazit. E njëjta dukuri vihet re edhe me SS e idesë së “Serbisë së madhe”, edhe ata kanë patur edhe kanë edhe sot “kapot” e tyre shqiptarë.
Tani le të mundohemi të zbulojmë disa aspekte të rrënjëve të “Mein Kampf-it” të ideve të “Serbisë së madhe”. Për një zbulim të plotë do të duhej shumë punë e studime dhe në fakt kjo është detyra e institucioneve tona kombëtare. Kur do ta bëjnë?
Për një kohë monarkitë e Europës kishin mundur të mbanin një “status quo” në marrëdhëniet e tyre politike. Këtu duhet theksuar fakti se të gjitha familjet mbretërore të Europës ishin të lidhura njëra nga ana farefisnore pasi martesat bëheshin midis tyre kështu që ata e respektonin njëri-tjetrin, respektonin sferat e influencës. Zakonish konfliktet zgjidheshin pa shumë përplasje. Kjo ndryshoi me ardhjen në pushtet të Nkollait II. Ai ishte i bindur se kish marrë autoritetin nga Zoti dhe se vetëm Zotit do t’i jepte llogari. Gjithashtu e quante si detyrën e tij hyjnore të rriste sa më shumë perandorinë me çdo kusht dhe të zhdukte çdo pengesë. Për masat e tij të egra në shtypjen e revoltave me të drejtë u quajt dhe Nikollai-Gjakatari. Fillimisht ai i drejtoi sytë drejt Azisë duke synuar ta bënte Rusinë një perandori të madhe Euro-Aziatike dhe të sillte nën pushtetin e tij Kinën, Tibetin, Persinë. Ndërhyrjet që ai bëri në Kore sollën luftën Ruso-Japoneze 1904-1905 që ishte një disfatë e madhe për Rusinë dhe i mbylli krejtësisht rrugën drejt Azisë. Pas kësaj disfate ai i drejtoi sytë drejt Europës, Ballkanit. Tani ai doli me flamurin e Pansllavizmit Ortodoks. Kisha Ortodokse propagandonte prej kohësh se ish detyrë hyjnore e perandorisë Ruse që ta zgjeronte kufirin e saj deri në Adriatik, duke përfshirë portin e Durrësit që duhet të ish brenda territorit të “Serbisë së madhe”. Këtyre synimeve Cari Nikollai i Dytë, që është shpallur shenjtor nga Kisha Ortodokse Ruse, vendosi t’u përkushtohet plotësisht. Pengesa më e madhe për realizimin e këtyre synimeve politike, që Kisha Pansllaviste desh t’i legjitimonte duke i quajtur “të shenjta” ish Perandoria Austro-Hungareze. Cari Nikollai i dytë i mbështetur në makutërinë e tij nga Kisha Ortodokse Pansllaviste Serbe e Ruse për të realizuar synimet e tija vendosi të kalonte çdo kufi, deri në hapjen e një Lufte Botërore. Në planet e tij ai mbështetej nga kushëriri i tij, mbreti i Anglisë si dhe natyrisht nga Franca, armikja tradicionale e Austro-Hungarisë dhe Gjermanisë, të cilat kishin llogaritur përfitimet e tyre nga kjo luftë. Perandorisë Pansllaviste do t’i jepej kufiri deri në Adriatik. Për fillimin e luftës u përdor Serbia e cila ish shumë e zjarrtë e tepër e përkushtuar, pasi do të merrte përfitimin më të madh. Terrori që ushtronte brenda Rusisë solli Revolucionin e Tetorit dhe ekzekutimin e Nikollait të dytë. Më pas dekonspirimi nga Vladimir Iliç Lenini i Traktatit të Fshehtë të Londrës, i dha fund planeve të Rusisë dhe Serbisë për të shtrirë Perandorinë e tyre Pansllaviste deri në Adriatik. Këtu duhet thënë se Lenini dhe familja e tij, si shumë rusë të tjerë të kulturuar, kishin vuajtur shumë nga terrori i Nikollait të dytë. I vëllai i Leninit ish ekzekutuar. Pas Revolucionit të Tetorit, Lenini akuzohej si terrorist etj, nga propaganda e monarkive të ndryshme, prandaj ai vendosi të zbulojë faktet: Nxorri dokumentat e Traktatit të Fshehtë të Londrës ku ish vendosur copëtimi i Shqipërisë për të kënaqur orekset e Perandorake të Nikollait të Dytë. Zbuloi planet kriminale si edhe krimet konkrete në Rusi dhe jashtë saj të Carit që Kisha Ortodokse Ruse jashtë vendit tashmë e kish shpallur shenjtor e martir. Si kundërpërgjigje Lenini gjithashtu demaskoi me fakte edhe rolin e Kishës Perandorake Ruse si dhe planet e Pansllavizmit, rolin dhe pjesëmarrjen e saj aktive në planet kriminale dhe në krimet e Nikollait të Dytë, i quajtur me të drejtë dhe Nikollai Gjakatari. Këto janë fakte të dokumentuara historikisht që kushdo po të hulumtojë, i gjen.
Këtu duhet të theksojmë e të sqarojmë faktin shumë të rëndësishëm:
Sot Vladimir Putini e shikon vetveten si pasardhës së Car Nikollait të dytë!
Është shumë interesant të analizohet fjalimi i Putinit me rastin e marshimit të trupave të njësiteve Wagner në drejtim të Moskës. Ai e krahasoi këtë marshim me Leninin dhe Revolucionin e Tetorit që solli, sipas Putinit, “humbjen e të drejtave teritoriale të Perandorisë Ruse”. Idhtar të këtyre ideve ishte edhe Millosheviçi, për këtë po punon sot Vuçiçi i mbështetur nga “kapua” i tij Edvin-Edi Rama. Këtij qëllimi i shërbente edhe projekti i “Ballkanit të hapur”, që në fakt u fabrikua në Moskë u soll në Beograd dhe u propagandua nga tellalli i tyre Edi Rama. Sot Edvin-Edi Rama na thotë se ka ndryshuar mendim, madje po na del si partizan i flaktë i Procesit të Berlinit! Po a nuk kemi fakte të mjaftueshme nga karrierra e tij që të na bëjnë të dyshojmë se edhe këtë proces Edvin-Edi Rama do të mundohet ta shfrytëzojë e ta manipulojë sa të mundet për të ndihmuar në realizimin e idesë së “Serbisë së madhe”?! Zakonisht “Kapot” u qëndrojnë besnikë pronarëve të tyre SS. Prandaj le ta analizojmë me kujdes Edvin -Edin tonë.
Tani le të sqarojmë dukurinë e kanibalizmit në politikanët shqiptarë. Kjo është një dukuri që kryesisht është shkaktuar dhe vazhdon të shkaktohet nga influenca serbe në Shqipëri. Ishte plani i Serbisë, i gjithë Pansllavistëve: Meqë na dështoi coptimi i Shqipërisë, le të kujdesemi që shqiptarët të hanë njëri-tjetrin! Le të punojmë që në krye të shtetit të vendosen persona të tillë që të jenë të gatshëm të hanë njëri-tjetrin për hir të karrierës.
Fillimisht dukurinë e kanibalizmit e shohim të shfaqet me Ahmet Zogun i cili pasi u rrëzua nga pushteti në mënyrë demokratike u kthye në pushtet nga Serbia me fuqinë e armëve të ushtarëve besnikë të Carit Nikollai i Dytë. Për këtë iu dhurua Shën Naumi Perandorisë Pansllaviste dhe u mbështet për një kohë projekti i Serbisë për shpërnguljen e shqiptarëve nga Kosova. Këtë veprimtari të Zogut, Fan Noli e përshkruan me vargjet:
O stërnip i Kainit, teptil si bari,
ti na shtyp e na shtrydh e ti gjakun na pi,
ti na ther e na grin për qejf na bën fli:
o kokuth e lubi, Hosana Baraba!
Serbia ka mbështetur e mbështet gjithmonë ata politikanë shqiptarë të cilët për hir të karrierës së tyre janë gati të skrifikojnë jo vetëm territoret por edhe jetën e shqiptarëve.
Dhe faktikisht këtë e bëri fillimisht edhe Ahmet Zogu. Sa shqiptarë të Kosovës, të mashtruar me premtimet e marrjes tokë në “Myzeqenë e begatë” dhe me “lumturinë e sigurt” që i priste aty, vdiqën moçaleve të Myzeqesë? Por, për hir të vërtetës, duhet thënë se Ahmet Zogu i zhgënjeu serbët. Këtë e shprehu edhe Pashiçi në shtratin e vdekjes së tij.
Pastaj Serbia solli në pushtet Enver Hoxhën.
Sa jetë shqiptarësh u sakrifikuan? Sa vetë u shpallën armiq? Tragjike ishte se në emrin e Leninit dhe gjoja për hir të zbatimit të ideve të tij, Enver Hoxha punoi me zell të madh për të realizuar pikërisht planet e armikut të tij, Car Nikollait të Dytë. U bë jo vetëm bashkimi i doganave e barazimi i monedhave, por në fakt u nënëshkruan të gjitha dokumentat që Shqipëria të bëhej Republika e Shtatë e Jugosllavisë. Ëndrra e Nikollait të Dytë u realizua më në fund. Vetëm ndërhyrja energjike e Stalinit e riktheu këtë vendim. Në karrierën e Enver Hoxhës e shohim edhe më qartë, në mënyrë edhe më ekstreme dukurinë e “Kanibalizmit Politik”. I mbështetur edhe prej ideve të Mao Ce Tungut, që e thosh hapur në librat e tij se të paktën një herë në çdo dhjetë vjet duhet të bëhet një “spastrim”, Enver Hoxha kujdesej që rregullisht zbuloheshin “grupe armiqësore” dhe merreshin “masat e nevojshme”. Sa u internuan e pushkatuan?
Duhet thënë se infuenca sërbe, pavarësisht nga retorikat politike, ish gjithmonë e pranishme gjatë pushtetit të Enver Hoxhës. Në atë kohë thuhej në mënyrë të fshehtë, nga persona të brendshëm se nëse ndonjë të ishe i sigurt nga “spastrimet”, duhet të ishte vërtet agjent i Serbisë e Jugosllavisë. Kur Tefta Cami filloi “ta tepëronte”, me përkrahjen e saj ndaj studentëve në Kosovë, agjentët e vërtetë të Serbisë në Shqipëri i bënë asaj një atentat nga i cili ajo mbijetoi për mrekulli. Autorët e atentatit as nuk u hetuan kurrë. Në vend të hetimit të tyre u “zbulua” grupi armiqësor i Mehmet Shehut dhe gjurmët e agjentëve të vërtetë të Serbisë, atyre që kryen atentatin kundër Tefta Camit, humbën. Ndërkohë regjimi i Enver Hoxhës financohej nga kondrabanda e cila kryhej pa asnjë pengesë nga Europa, përmes territorit të ish-Jugosllavisë në Itali. Çuditërisht për këto fakte asnjë nga qeveritë nuk ka bërë hetimet e duhura për të nxjerrë të vërtetën.
Sot ne kemi në pushtet vëllanë shpirtëror të Vuçiçit, Edvin-Edi Ramën. Një gjë nuk ka dyshim: Karriera e tij politike dhe cilësitë e tij të karakterit na tregojnë qartë se zelli i Edvin-Edi Ramës për t’u shërbyer ideve të “Serbisë të madhe” dhe përmbushjes së ëndrrës së Car Nikollait të Dytë, i tejkalon disa herë parardhësit e tij. Hapur e paturp del si vëllai i Joseph Goebbels-it të Millosheviçit, bëhet kudo tellalli dhe avokati i tij personal dhe kalon disa kufij të cilët as Enver Hoxha nuk do t’i kish kaluar kurrë. A nuk po vepron Edvin -Edi Rama sipas parimeve të “Kanibalizmit Politik” duke sakrifikuar interesat e kombit dhe bashkëpunëtorët e tij më besnikë kur ia do interesi? A nuk po flijohet sot Arben Ahmetaj? Kujt do t’i vijë radha nesër? Sa i përshtaten atij vargjet e Fan Nolit:
A mund të themi dot Edvin-Edi Rama ti je:
O stërnip i Kainit, teptil si bari,
ti na shtyp e na shtrydh e ti gjakun na pi,
ti na ther e na grin për qejf na bën fli:
o kokuth e lubi, Hosana Baraba!
Po këto vargje i përshtaten plotësisht Edvin-Edi Ramës. Ndërsa për Ahmet Zogun madje edhe për Enver Hoxhën do të mund të thoshim: “Për hir të interesave të tua politike na bën fli”… për Edvin Edi Rama ka treguar me fakte se ai “për qef“, për hir të një banketi me Vuçiçin, për hir të një koncerti me muzikën që frymëzonte çetnikët, muzikën e Goran Bregoviçit është i gatshëm të shkelë mbi varret, të injorojë lotët dhe britmat e viktimave dhe ankesat e pasardhësve të tyre. Këtë e shohim edhe në vendimet e tij për Burtintin ku qëllimisht u dha autoritet pseudoshkencëtarëve më antishqiptarë të bëjnë gërmime dhe të shkruajnë historinë e Butrintit antik, etj, etj. Veprime e masa që nuk i kanë sjellë Ramës asnjë përfitim politik, po që i bën thjesht për qejf të vet, si dhe për të gëzuar zemrën e për të fituar aprovimin e admirimin e Vuçiçit.
Po Edvin – Edi Rama e ka treguar se i meriton krejtësisht, pa hequr asnjë pikë apo presje vargjet:
…ti na ther e na grin për qejf na bën fli…
Hebrenjtë e vuajtën Hokaustin dhe tani mësuan dhe dinë si të mbrohen. A do të mësojmë sot, nga përvoja e të tjerëve, apo do të presim të vuajmë edhe një herë tjetër që të mësojmë si duhet?!
A do ta marrim seriozisht “Mein Kampfin “e “Serbisë të madhe”?
Apo do t’i lejojmë “kapot” e politikës e propagandës të na drejtojnë sipas planeve të SS të idesë së “Serbisë së madhe.” Historia na jep shumë argumente bindëse: Këtu është fjala për jetë a vdekje. Prandaj rreth këtyre fakteve çdo shqiptar duhet të meditojë, të bëjë hulumtime, të nxjerrë përfundimet e tij, t’i nxjerrë sipas bindjeve të tij dhe… të veprojë, po të veprojë!