Botimet Onufri/Luan Rama: Mëkati i Justinës
Fragment romani
… – Justinë! Shtrigë! – dëgjoi zërin e tij pas krahëve.
Donte të arrinte sa më shpejt në kullën e saj pranë Franit dhe Mrikës së vogël. Ishte e tronditur. Si vallë një njeri i Zotit të bënte diçka të tillë? Ndali një çast për të marrë frymë dhe ngriti kokën nga qielli. “Po Zoti” pyeti veten, “a i sheh atje lart se ç’bëjnë besnikët dhe ithtarët e tij”?
Kur mbërriti në oborr, Frani nuk ishte në kullë. Mrika luante te gardhi. Kishte vapë. Gjithë trupi i ish ndezur nga një zjarrmi e madhe. Hodhi ujë mbi govatë dhe donte të shplahej nga djersët e të freskohej. Papritur, mes reflekseve të diellit mbi ujë vështroi imazhin e fytyrës së saj. U shtang një çast, pasi ajo fytyrë dhe ata sy të bukur e vunë në mendime. E çfarë i duhej kjo bukuri kur jeta e saj ishte kthyer në ferr. Iu shfaqën menjëherë vështrimet e malësorëve tek shkonte shtigjeve të fshatit, pastaj gratë e tjera që pëshpërisnin dhe e ngacmonin për bukurinë e saj. Papritur iu shfaq fytyra e priftit me atë gojë të ndyrë që i ishte afruar dhe dora e tij që shtyhej tej e më tej në lakuriqësinë e trupit të saj. “O Zot”, pëshpëriti. “Jo, nuk e dua këtë bukuri. Bukuria këtu është një mëkat i madh. Bëmë o Zot një grua të zakonshme, madje gruan më të zakonshme që të mund të jem e lumtur me Franin dhe vajzën time”.
Sytë i lotuan, pamja iu mjegullua dhe dy pika lot ranë mbi ujin e govatës. Duhej të lutej. Duhej t’i lutej Virgjëreshës për këtë mëkat. “Po ç’do më bajnë lutjet”, pyeti veten. Jo, asnjë lutje nuk mund ta shpëtonte nga turpi dhe frika e madhe ndaj Atit. Donte të shpëtonte sa më parë nga ky makth, madje do të donte të shndërrohej në dikush tjetër dhe ta largonte atë bukuri. Donte t’i nxinte gërshetat e arta që i vareshin mbi supe dhe sytë t’i kishte të vrarë. Nuk i donte më gjinjtë e saj të kërcyer.
“O Zot, m’i fshih gjinjtë, m’i fshih këta sy të bukur, bëje fytyrën time më të shëmtuarën e fshatit. Kështu do të jem në paqe dhe nuk do të nxis më lakminë e të tjerëve, burra e gra, të cilët s’do t’i hedhin më sytë kur të kaloj pranë tyre. Bëje këtë Zoti im mëshirëplotë, shpëtomë”!
Qëndronte ashtu më këmbë, e përhumbur nga ai qerthull mendimesh e sfilitjesh, pa ditur ç’të bënte. Pa e kuptuar ndoqi dorën e saj që u zgjat drejt dheut të përbaltur poshtë këmbëve të saj. Preku baltën dhe papritur filloi të zhgërryente me duart, llërët, qafën dhe fytyrën. Një lloj tërbimi e kishte kapur të fshihte dhe ta përbaltte bukurinë e saj, atë bukuri që po i shkatërronte lumturinë që kishte jetuar deri tani. Donte të zhdukte çdo hije të bukurisë dhe të kthehej në një grua të shëmtuar që askush të mos i hidhte sytë dhe kështu, më së fundi, të ishte e lumtur më burrin dhe fëmijën e saj.
– Zoti im i madh ! Prishma bukurinë që më ke dhuruar! Nuk e dua më! Nuk i dua më këta sy, këto flokë, këto buzë, këta gjinj… Bëmë Zoti im një grua të zakonshme, një grua që askush të ketë dëshirën të më ketë, të më prekë dhe të më pushtojë. Më mjafton vetëm dashuria e burrit tim dhe e pjellës time. Mëshiromë, Zoti im i madh!
Papritur ndjeu dorën e Mrikës që e tërhiqte nga fustani. Kur e pa, Mrika u tremb menjëherë. Nëna po i ngjante me një lloj lugati si ata të përrallave dhe ajo nisi të qante dhe qante…
Ishte buzëmbrëmje kur Frani hyri në kullë dhe hodhi mbi tavolinën e drunjtë një kunadhe të vrarë. Ishte në qef dhe kur Justina iu afrua ai e pështolli menjëherë me krahun e tij të fuqishëm dhe ia kafshoi gjinjtë me përkëdheli.
– Ah, më vrave Fran, – por ai qeshte e qeshte. Megjithatë shpejt fytyra disi e vrarë e saj e shqetësoi.
– Ç’ke kështu Justinë?
– Kurgja burri jem.
Ai e vështroi sërish dhe i mori kokën duke ia vendosur mbi gjoks.
– Mos u trisht Justinë. Ma mirë do bahet për ne… Tuj u kthy takova Bib Lekën. Kish qenë në Shkodër dhe më foli për katedralen e madhe, nanën e të gjitha kishave. Kishte qenë dhe në pazarin e madh dhe kishte blerë një pisqollë të bukur sermi. Ma ka anda me shkue në Shkodër dhe me e ble dhe unë nji pisqollë të tillë.
Ajo ngriti sytë dhe e pa mendueshëm. Frani gëzonte e më së fundi qeshi dhe ajo.
– Pas dy javësh Biba do kthehet përsëri në Shkodër dhe po shojmë bashkë. Kështu e lamë fjalën.
– Oh, jo Fran. Mos më ler vetëm… Nuk jam mirë. Shko ma mirë në vjeshtë. Nuk di pse kam një ndjenjë të keqe.
Frani qeshi me të madhe.
– Po ti s’ke pse me u frigue Justinë! – dhe ai e pështolli sërish.
– Thonë se poshtë kalasë së vjetër lumi derdhet shpej në det dhe kam qef me e pa atë çudi. Asht afër…
– Si asht deti Fran?
– Ku me e ditë? Si lumi, por i madh e pa fund… me barka të mëdha që shkojnë nga një cep i botës në tjetrin ku njerëzit bajnë tregti.
Justina e vështroi me ngulm.
– Gjer në fund të botës a? – foli ajo e habitur, por dhe frikë njëkohësisht.
– Po Justinë! – dhe ai ia nguli dhëmbët përsëri mbi gjinj.
– Dhe unë po due me shkue larg nëpër det Frani im. Të shojmë bashkë me Mrikën tonë e me pa botën.
Frani e vështroi gjatë me dashuri dhe i puthi sytë.
Natë… Frani flinte me një buzeqeshje në fytyrë, kushedi çfarë ëndërronte… Justina e vështronte, nuk kishte gjumë. Mbylli sytë. Kishte dëshirë të përjetonte errësirën. Kështu ndoshta do mund të flinte. Papritur, në heshtjen e madhe, disi të largët, dëgjoi zërin e Franit që pak orë më parë i fliste për detin dhe u përpoq ta përfytyronte atë në pafundësinë e vet… Iu shfaq vetja mbi një trap me një pëlhurë në një lloj direku që era e shtynte. Por shumë shpejt ai trap u gjend në cep të detit, në atë derdhje ujore gjigande që binte menjëherë në një humnerë të madhe, të zezë e të frikshme. Ja, më së fundi ajo derdhje maramendëse i mori, i shkundi dhe i gllabëroi. Më së fundi ranë duke shkuar poshtë në një thellësi të kaltër, ku trupat e tyre endeshin në një lloj dehje të pafund. Por menjëherë u zgjua… Ishte mbushur në djersë. O Zot, pëshpëriti…”.
Please follow and like us: